ATV

Author: G.O.

  • Dy persona gjobiten me nga 500 euro për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë

    Dy persona gjobiten me nga 500 euro për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë

    Dy persona janë gjobitur me nga 500 euro pasi janë identifikuar nga Policia e Kosovës si përgjegjës për ndezjen e zjarreve në hapësira të hapura në Malishevë.

    Sipas njoftimit të Policisë, rasti i parë është raportuar rreth orës 19:05, në rrugën “William Walker” në Malishevë, ndërsa rasti i dytë rreth orës 20:30, në rrugën “Skënderbeu” në Malishevë.

    Gjatë veprimeve policore, zyrtarët kanë arritur t’i identifikojnë personat përgjegjës për ndezjen e zjarreve.

    Sipas Policisë, me veprimet e tyre, përveç rrezikimit të hapësirave përreth, është shkaktuar edhe ndotje e ambientit.

    Ndaj personave të identifikuar janë ndërmarrë masat përkatëse ligjore, ku secilit prej tyre i është shqiptuar gjobë në vlerë prej 500 (pesëqind) euro, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

  • Goditet një rast i trafikimit të drogës nga Kanadaja, sekuestrohen mbi 107 kg kanabis në Portin e Durrësit

    Goditet një rast i trafikimit të drogës nga Kanadaja, sekuestrohen mbi 107 kg kanabis në Portin e Durrësit

    Një rast i trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt vendit tonë është goditur në Portin e Durrësit. Policia bën me dije se lidhur me rastin janë sekuestruar 107.7 kg kanabis e llojit “Gelato”.

    Sipas njoftimit të policisë vlera e kësaj sasie droge shkon rreth 1.2 milionë euro. Droga u gjet në 2 automjete dhe 1 kamper ku u ushtrua kontroll i imtësishëm. Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 persona. 

    “Port Durrës-Goditet një tjetër rast i trafikimit të kanabisit nga Kanadaja drejt Shqipërisë. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 2”, sekuestrohen 107.7 kg kanabis të llojit “Gelato”, me vlerë tregu rreth 1.2 milionë euro.

    Shpallen në kërkim 2 shtetas. Operacioni u zhvillua nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës dhe strukturat doganore të Portit të Durrësit.

    Në kuadër të hetimeve të drejtuara nga Prokuroria, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të një kontejneri të ardhur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin 2 automjete dhe 1 kamper, u ushtrua kontroll i imtësishëm.

    Gjatë kontrollit të kamperit, në hapësira të modifikuara dhe të mbuluara me veshje druri, u gjetën të fshehura 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa “Gelato”, me peshë totale 107.7 kg. Vlera e lëndës narkotike të sekuestruar përllogaritet në treg në rreth 1.2 milionë euro.

    Gjithashtu, gjatë kontrollit u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave me mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.

    Nga hetimet dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Kanada dhe transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në vende të posaçme, të modifikuara në mjetet e porositura për blerje.

    Në vijim të veprimeve hetimore, u shpallën në kërkim, si të dyshuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, dy shtetas, për të cilët, për arsye hetimi, nuk bëhen me dije gjeneralitetet.

    Strukturat hetimore të DVP Durrës vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, përcaktimin e origjinës dhe destinacionit të lëndës narkotike, si dhe identifikimin, lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

  • Urgjencë e madhe, Rutte: Mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë

    Urgjencë e madhe, Rutte: Mbështetja për Ukrainën duhet të vazhdojë

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka kërkuar mbështetje të vazhdueshme dhe urgjente për Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, duke theksuar se vonesat në furnizimin me ndihmë ushtarake “kushtojnë jetë njerëzish”.

    Rutte i bëri këto deklarata të martën, më 8 shtator, gjatë pjesëmarrjes në një takim të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të kryesuar nga Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

    Gjatë takimit, ai mirëpriti zotimet e reja për mbështetjen e Ukrainës, veçanërisht për forcimin e aftësive të saj për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore ruse.

    “Gjatë vitit të kaluar, aleatët kanë ndarë mbi 10 miliardë dollarë për PURL dhe për Shitjet Ushtarake të Huaja të SHBA-së për Ukrainën”, deklaroi Rutte thuhet në njoftimin e NATO-s.

    Sipas tij, në këtë shumë përfshihen edhe 3.5 miliardë dollarë nga Huaja e BE-së për Mbështetjen e Ukrainës.

    “Kjo është thelbësore dhe duhet mirëpritur ngrohtësisht. Kjo është një shenjë konkrete e bashkëpunimit BE-NATO në mbështetje të Ukrainës, si dhe një tjetër shembull i rritjes së angazhimit të Evropës”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

    Rutte u tha vendeve aleate dhe partnere se Ukraina ka nevojë për mbështetje “me urgjencën më të madhe”, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ketë pasoja të rënda.

    “Vonesat kushtojnë jetë njerëzish”, theksoi ai.

    Në fokus të deklaratave të Rutte ishte edhe iniciativa PURL e NATO-s, përmes së cilës pajisjet ushtarake amerikane për Ukrainën financohen nga vendet aleate dhe partnerët e NATO-s, transmeton Klankosova.tv.

    Sipas Rutte, kjo nismë po vazhdon pa ndërprerje dhe po siguron pajisje të rëndësishme për forcat ukrainase.

    “Ky proces është i pandërprerë dhe absolutisht thelbësor për ta ndihmuar Ukrainën të mbrojë qytetet e saj dhe të mbajë vijën e frontit”, tha Rutte.

    Takimi i Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës u zhvillua në një kohë kur aleatët dhe partnerët e Ukrainës po shqyrtojnë mënyra të reja për të forcuar mbështetjen ushtarake dhe mbrojtjen ajrore të Kievit përballë luftës së vazhdueshme me Rusinë.

  • 248 kandidatë certifikohen pas përfundimit me sukses të Provimit të Jurisprudencës

    248 kandidatë certifikohen pas përfundimit me sukses të Provimit të Jurisprudencës

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se 248 kandidatë janë certifikuar pas përfundimit me sukses të Provimit të Jurisprudencës.

    Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook , Gërvalla ka thënë se pas këtij numri fshihen vite të tëra shkollim, muaj e muaj përgatitje, shumë punë, sakrificë, por edhe pritje. Familje që kanë pritur dhe sakrifikuar së bashku me ta.

    “Plane për karrierën dhe për të ardhmen. Dhe krahas certifikatës, sot natyrisht që merrni mbi supe një përgjegjësi të re, sepse e dini shumë mirë, që të jesh profesionist ligjor nuk do të thotë vetëm ta njohësh ligjin. Do të thotë ta kesh guximin ta mbrosh ligjin. Të mos bësh kompromis me padrejtësinë. Të mos e përdorësh profesionin për privilegj, por vetëm për drejtësi.

    Sot festoni një sukses shumë të merituar. Mbajeni këtë sukses me krenari, por mbani gjithmonë edhe përgjegjësi që vjen me të, sepse drejtësia kërkohet pikërisht me ju. Me njerëzit që kanë guximin dhe vullnetin ta zbatojnë dhe ta mbrojnë ligjin”, ka shkruar Gërvalla. /Telegrafi/

     

  • Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali, autoritetet dyshojnë për “larje hesapesh” nga trafiku i drogës

    Ekzekutohet me armë zjarri 35-vjeçari shqiptar në Itali, autoritetet dyshojnë për “larje hesapesh” nga trafiku i drogës

    Një 35-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në një makinë të fundosur në Padova, Itali. Sipas Prokurorisë së Padovës, viktima është vrarë me armë zjarri.

    Sipas mediave italiane, trupi u zbulua mëngjesin e 9 shtatorit, brenda një automjeti tip Fiat Bravo, në Via del Santo.

    Hetimet e para mjeko-ligjore kanë evidentuar përdorimin e një arme zjarri. Për momentin, një nga pistat kryesore të hetimit është ajo e një larjeje hesapesh në ambientet kriminale të lidhura me trafikun e drogës, por kjo mbetet një hipotezë që po verifikohet nga hetuesit.

    Karabinierët analizuan pamjet e kamerave të sigurisë së një punishteje zdrukthëtarie që ndodhet përballë vendit ku u gjet automjeti.

    Njëra prej kamerave, e vendosur në pjesën e jashtme të magazinës, mbulon pjesërisht edhe rrugën. Hetuesit kanë marrë dhe shqyrtuar pamjet, duke u kthyer edhe në ditët e mëparshme, por deri tani ato nuk kanë dhënë elemente të mjaftueshme për të përcaktuar autorët apo dinamikën e ngjarjes.

    Në fokus të hetimit është edhe vetë automjeti. Ekspertët do të analizojnë çdo gjurmë biologjike, përfshirë gjurmët e mundshme të gjakut në pjesën e pasagjerëve.

    Këto prova mund të ndihmojnë hetuesit të përcaktojnë se ku dhe kur është vrarë 35-vjeçari, si dhe nëse trupi është transportuar më pas në automjet.

    Një tjetër element që po shqyrtohet është fakti se sediljet e pasme të makinës ishin të palosura, ndërsa duart e viktimës ishin të lidhura.

    Hetimet vijojnë për të rindërtuar lëvizjet e viktimës, për të përcaktuar vendin e krimit dhe për të identifikuar personat përgjegjës për vrasjen. /Tch/

  • Kurti fton në takim Hamzën e Abdixhikun për dakordimin e nënkryetarëve: T’i evitojmë zgjedhjet e reja

    Kurti fton në takim Hamzën e Abdixhikun për dakordimin e nënkryetarëve: T’i evitojmë zgjedhjet e reja

    Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar në takim kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën, dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhikun, me qëllim të arritjes së një dakordimi për përzgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

    Kurti ka bërë thirrje për qasje konstruktive nga partitë politike, në mënyrë që të përmbyllet konstituimi i Kuvendit dhe të formohet sa më shpejt Qeveria e re.

    Ai ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit duhet të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja.

    “Që të përmbyllet me sukses të plotë, duhet të zgjidhen edhe nënkryetarët, e për këtë nevojitet dakordim. Unë tashmë jam në kontakt, përveçse me kryetarin e LDK-së, gjithashtu i kam shkruar edhe atij të PDK-së që të takohemi dhe në këtë mënyrë të kemi dakordim. Le të jemi pozitivë e konstruktivë. Meqenëse na nevojitet mbështetja e mazhorancës edhe për propozimet e tyre, le të jemi pozitivë e konstruktivë dhe në këtë mënyrë të kemi Kuvend të konstituuar, shpejt Qeveri të formuar dhe të kalojmë te zgjedhja e presidentit, që duhet të bëhet në mënyrë që t’i evitojmë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Kurti.

    Duke folur për situatën e krijuar rreth propozimit të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, Kurti ka kritikuar deklaratën e përfaqësuesit të kësaj partie, duke e cilësuar atë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe me betimin e deputetit.

    Sipas Kurtit, propozimi i dorëzuar me shkrim për Slavko Simiqin është në përputhje me Kushtetutën, ndërsa mënyra se si u deklarua në Kuvend ishte, sipas tij, “në shpërputhje flagrante”.

    “Për mua ishte e çuditshme pse ai nuk e lexoi saktësisht siç e ka deponuar me shkrim propozimin për Slavko Simiqin. Pra, propozimin me shkrim që e ka bërë, kur ka kërkuar që nënkryetar i Kuvendit nga radhët e Listës Serbe të jetë Slavko Simiq, e ka shkruar në përputhje me Kushtetutën, por atë çfarë e deklaroi ai ishte në shpërputhje flagrante”, ka thënë Kurti.

    Kurti ka përmendur edhe reagimet brenda grupit parlamentar lidhur me deklaratën e përfaqësuesit të Listës Serbe.

    Ai ka thënë se brenda grupit ishte ngritur edhe mundësia që deklarata të ishte ndikuar nga “euforia” pas varrimit të Ratko Mlladiqit.

  • Gjini: Ju kemi thënë se ky skenar do të ndodhte, dështimi i seancës konstituive është skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe

    Gjini: Ju kemi thënë se ky skenar do të ndodhte, dështimi i seancës konstituive është skenar i planifikuar i Albin Kurtit dhe Listës Serbe

    Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka mbajtur konferencë për media pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës. Gjini hodhi akuza të rënda ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit, duke e cilësuar të gjithë situatën si një skenar të parapërgatitur që synon zvarritjen e qëllimshme të proceseve politike në vend.

    Kryetari Gjini e nisi adresimin e tij duke rikujtuar paralajmërimet e mëhershme të Aleancës: “A ju kemi thënë, a ju kemi thënë që nuk kanë për ta konstituuar Kuvendin sot?”

    Sipas tij, ky bllokim po bëhet përmes një koordinimi të dukshëm me Listën Serbe.

    “Kush e di për të satën herë, me koordinim apo pa koordinim, Lista Serbe po ndihmon që Albin Kurti ta zhvillojë agjendën e vet qysh i konvenon. Është një maskaradë për ta zvarritur procesin ashtu siç u përshtatet atyre”, deklaroi ai para gazetarëve.

    Gjini theksoi se vendimi i Aleancës për të mos u bërë pjesë e këtij procesi tashmë është zbardhur plotësisht dhe u bëri thirrje edhe partive të tjera opozitare që të ndjekin të njëjtin hap.

    “Sot të gjithë e kuptojnë drejt pse Aleanca nuk ka pranuar të bëhet pjesë e kësaj maskarade. I ftoj, qysh i kam ftuar edhe më herët, edhe dy partitë e tjera në opozitë që mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade”.

    Ai zbuloi se ky skenar ka qenë i qartë që nga muaji korrik, kur partia fituese e zgjedhjeve refuzoi ofertën e Aleancës.

    “Prej korrikut ju kam treguar që kjo ka për të ndodhur. Partia që ka dalë e para nga zgjedhjet ka refuzuar të merret me ofertën tonë. Vetë fakti që kanë refuzuar, ka treguar që ky ka qenë qëllimi”, u shpreh Gjini, duke shpjeguar më pas edhe kalkulimet me datat që sipas tij çojnë drejt zgjedhjeve të reja në fund të vitit.

    “Duhet të mbërrihet së paku data 30 shtator, në mënyrë që kur të kalkulohet edhe 60-ditëshi, edhe 45 ditë deri në shkuarjen në zgjedhje, partia që i ka fituar zgjedhjet e kaluara ta mbërrijë datën 27 dhjetor. Pse datën 27 dhjetor? Sepse këta njerëz që e kanë uzurpuar pushtetin në Kosovë, e kanë humbur besimin e qytetarëve që jetojnë këtu. Jeta është bërë më e rëndë”, tha ai.

    Gjini bëri thirrje që t’i jepet fund dëmtimit të shtetit për interesa të një njeriu të vetëm, duke e krahasuar situatën aktuale me zhvillimet e dy viteve më parë. “Mos ia bëni këtë dëm Kosovës, që dy vite po zvarritemi në procese për shkak se një njeri po dëshiron ta sundojë Kosovën me gjithçka. Ky nuk dëshiron të qeverisë, ky dëshiron të sundojë. Ky ka qenë skenar që nga fillimi. Ju kemi thënë, you kemi treguar fiks cili është skenari dhe ky skenar po realizohet në vitin 2025. Para dy viteve këtë mundësi ia ka dhënë Vjosa Osmani, kurse sot po ia jep Lista Serbe, fiks të njëjtën gjë”.

    Në përmbyllje të fjalës së tij, kryetari i Aleancës deklaroi se situata përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe një mashtrim historik ndaj popullit. “Unë personalisht dhe njerëzit racionalë nuk besojmë në 100 koinçidenca që çojnë në një drejtim. Nëse ka, atëherë është zgjedhje. Ju bëjmë thirrje partive politike mos të bëhen pjesë e kësaj maskarade. Kosova është në shkelje brutale të Kushtetutës. Ky është mashtrimi më i madh që ka ndodhur në historinë e Kosovës. Qytetarët e kanë parë bardh e zi se me kë kemi punë. Këta njerëz janë të lexueshëm”, përfundoi Gjini.

  • Bajrami: Sot besoj e patë të gjithë se kush po i bllokon institucionet

    Bajrami: Sot besoj e patë të gjithë se kush po i bllokon institucionet

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, duke akuzuar Vetëvendosjen se po e bllokon formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

    Bajrami ka thënë se pas zhvillimeve të sotme tashmë është e qartë se kush, sipas saj, po pengon konstituimin dhe funksionalizimin e institucioneve.

    Përmes një postimi në Facebook, deputetja e LDK-së ka deklaruar se VV-ja është kundër themelimit të institucioneve të Kosovës.

    “Kush po i bllokon institucionet? Sot besoj se e patë të gjithë”, ka shkruar ai.

  • Kosova e fundit në PISA, Nagavci: Ndjehem shumë mirë për punën që kam bërë si Ministre e Arsimit

    Kosova e fundit në PISA, Nagavci: Ndjehem shumë mirë për punën që kam bërë si Ministre e Arsimit

    Arbërie Nagavci e Vetëvendosjes tha se “ndjehet shumë mirë” për punën e saj si Ministre e Arsimit për pesë vite, kur u pyet për rezultatet e rënda në testin PISA për nxënësit kosovar.

    Ajo tha se si qeveri kanë bërë shumë investime por se janë “bllokuar” nga komunat për ndërtimin e koçshteve.

    “Sa i përket testit PISA, natyrisht se është tejet e rëndësishme që të ketë konsensus mbarëshoqëror për avansimin e arsimit. Për kohën sa kam qenë ministre unë ndjehem shumë mirë sepse kemi pasur investime dhe reforma. Ju besoj e dini që investimet në edukimin e hershëm kanë qenë shumëfish më të mëdja. Ndërkohë që të gjitha studiment tregojnë që edukimi i hershëm është kryesori. Kemi pasur bllokada nga komuna për investim në kopshte,” tha ajo.

  • Lushaku – Sadriu kritikon LVV-në: Po pengohet vazhdimi i konstituimit të Kuvendit

    Lushaku – Sadriu kritikon LVV-në: Po pengohet vazhdimi i konstituimit të Kuvendit

    Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosvazhdimin e procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit, raporotn Ekonomia Online.

    Lushaku e ka cilësuar situatën si të paprecedentë, duke thënë se grupi më i madh parlamentar po pengon vazhdimin e procesit në mungesë të përkrahjes për propozimet e partive të tjera.

    “Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh për propozimet për nënkryetarë që i kanë bërë partitë e tjera”, tha Lushaku

    Ajo tha se LDK-ja e ka propozuar Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit, duke vlerësuar se përgatitja e tij do t’i sillte nder Kuvendit të Kosovës.

    “Ne si parti politike kemi obligim t’i japim propozimet tona më të mira. E kemi propozuar Kujtim Shalën sepse besojmë që përgatitja e tij i jep nder Kuvendit të Kosovës dhe i kemi qëndruar prapa propozimit tonë”, deklaroi ajo pas përfundimit të seancës konstituive.

    Lushaku theksoi se Kosova tashmë është jashtë afateve kushtetuese dhe se, sipas saj, përgjegjësia për mosvazhdimin e procesit bie mbi Vetëvendosjen.

    “Grupi më i madh parlamentar po harron që jemi veç jashtë afateve kushtetuese dhe jemi në një situatë ku, për dëshirën e mirë, po ia japim mundësinë Kosovës, dhe sot nuk po bëhet kjo për fajin e VV-së”, tha Lushaku.