ATV

Author: G.O.

  • Rama përsërit ftesën për dialog me studentët

    Rama përsërit ftesën për dialog me studentët

    Kryeministri Edi Rama ka përsëritur edhe sot ftesën për dialog me studentët dhe pedagogët që vijojnë protestën në ditën e 24-rt të saj.

    Përmes sofrës së gurtë të vendosur përballë Kryeministrisë dhe ftesave me mbishkrimin “Dialog”, kreu i qeverisë u ka bërë sërish apel protestuesve që të ulen në tryezën e bisedimeve.

    Protesta e të rinjve vijon mes qëndrimeve të ndryshme të studentëve. Një pjesë e tyre janë rikthyer në auditore, ndërsa një grup i vogël vijon me thirrjen për ndërprerjen e mësimit dhe mobilizimin e studentëve për t’iu bashkuar protestës.

    Edhe një ditë më parë, një grup të rinjsh u mblodhën fillimisht përpara Universitetit Politeknik dhe më pas marshuan drejt fakulteteve të tjera, ku hyn në auditore dhe ndërprenë zhvillimin e mësimit.

    Protestuesit kanë refuzuar deri më tani ftesat e Kryeministrit për dialog, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

    Rama është shprehur i gatshëm të shqyrtojë çdo propozim të studentëve dhe pedagogëve, ndërsa ka bërë të ditur se qeveria po përgatit një paketë masash për adresimin e shqetësimeve të tyre. /Telegrafi/

  • Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome

    Kurti mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome

    Në vigjilje të 5 nëntorit, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mbrëmë së bashku me përfaqësues institucionalë dhe pjesëtarë të komunitetit rom, mori pjesë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Rome, në Prizren.

    Në fjalën hyrëse, Kurti tha se gjuha rome nuk është vetëm çështje e normave juridike dhe e të drejtave, por kauzë, rezistencë dhe akt i vazhdueshëm i ekzistencës.

    “Kosova e ka potencialin dhe përgjegjësinë që, përmes diversitetit të saj kulturor, të dëshmojë se bashkëjetesa nuk është vetëm prani e komuniteteve të ndryshme në të njëjtën hapësirë, por edhe njohje, respekt dhe promovim i ndërsjellë i trashëgimisë së tyre. Komuniteti rom në Prizren, përballë trysnisë së asimilimit ndër breza, ka krijuar vatra të rëndësishme kulturore, të mbështetura në një kauzë të qartë për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit rom”, tha ai.

    Kurti foli për tërësinë e veprimeve dhe politikave mbështetëse për komunitetin rom, përfshirë bursat për studentë si mundësi për fuqizim akademik.

    “Në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, po punohet intensivisht për përfshirjen e historisë, kulturës dhe traditave të komunitetit rom në tekstet shkollore të arsimit parauniversitar, si dhe në rishikimin e planprogramit për mësimin fakultativ të gjuhës rome dhe botimin e teksteve të reja shkollore në këtë gjuhë”, theksoi kryeministri. /Telegrafi/

  • Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për fajde në Prizren

    Ngrihet aktakuzë ndaj tre personave për fajde në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për fajde dhe manipulim me prova, në një rast ku dyshohet se të dëmtuarve u është shkaktuar dëm financiar prej 140 mijë eurosh.

    Sipas njoftimit, aktakuza është ngritur nga Departamenti i Krimeve të Rënda ndaj B.K. dhe F.S., ky i fundit që gjendet në arrati, për veprën penale “Fajdeja”, si dhe ndaj H.T., për veprën penale “Manipulimi me prova”.

    Sipas aktakuzës, B.K. dhe F.S. dyshohet se, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit L.S., i kanë dhënë atij hua në shuma të ndryshme parash, duke vendosur kamata dhe provizione mujore dukshëm joproporcionale me shumat e huazuara.

    Përmes marrëveshjeve të njëpasnjëshme të huadhënies dhe kërkesave për shlyerjen e borxheve, të dyshuarit dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash, ndërsa të dëmtuarit L.S. dhe babait të tij, M.S., u kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 140 mijë eurosh.

    Ndërkaq, H.T. dyshohet se në prill të vitit 2024, në Suharekë, kishte marrë nga M.S. origjinalin e marrëveshjes së huasë ndërmjet B.K. dhe L.S., me arsyetimin se do t’ia prezantonte B.K.-së.

    Megjithatë, sipas Prokurorisë, pasi ia kishte prezantuar dokumentin, ai e kishte shkatërruar atë dhe e kishte bërë të papërdorshëm, me qëllim që të pamundësonte përdorimin e tij në procedurë penale.

    Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. 

  • Trump pranon se lufta me Iranin ndikoi në humbjen e republikanëve në zgjedhje

    Trump pranon se lufta me Iranin ndikoi në humbjen e republikanëve në zgjedhje

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka pranuar se lufta me Iranin ka ndikuar në humbjen e republikanëve në zgjedhjet e së martës, duke e cilësuar këtë vlerësim si “kryesisht të vërtetë në masë të madhe”, transmeton BBC.

    Republikanët kanë humbur shumicën në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa lufta me Iranin është përmendur si një nga faktorët që ndikuan në rezultatin zgjedhor.

    Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, në një postim në rrjetet sociale, ka deklaruar se konflikti me Iranin ishte arsyeja e humbjes së republikanëve.

    “Arsyeja pse humbëm është lufta”, ka shkruar Vance, duke shtuar: “Të gjithë e dinë pse humbëm”.

    “Dhe çdo diskutim i sinqertë për atë se si do të vazhdojmë tutje, duhet të fillojë pikërisht nga kjo”, ka theksuar ai.

    I pyetur për deklaratën e zëvendëspresidentit të tij, Trump është pajtuar me këtë vlerësim, duke pranuar se lufta kishte ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve.

    “Është kryesisht e vërtetë”, ka deklaruar Trump, duke shtuar se konflikti kishte ndikuar në rritjen e çmimit të naftës në afat të shkurtër.

    Megjithatë, sa i përket vendimit për të nisur luftën, presidenti amerikan ka thënë se do të vepronte sërish në të njëjtën mënyrë.

    Ai ka pretenduar se shqetësimi kryesor i votuesve nuk ishte vetë lufta, por rritja e çmimeve të karburanteve.

    Trump ka shtuar gjithashtu se, nëse emri i tij do të ishte në fletëvotime, republikanët do të kishin arritur fitore në zgjedhje.

  • Ministri i Jashtëm i Zvicrës viziton sot Kosovën – takohet me presidenten, Kurtin dhe Konjufcën

    Ministri i Jashtëm i Zvicrës viziton sot Kosovën – takohet me presidenten, Kurtin dhe Konjufcën

    Ministri i Jashtëm i Zvicrës, Ignazio Cassis, do të vizitojë Kosovën më 5 nëntor, në kuadër të një turi zyrtar në tri shtete të Ballkanit Perëndimor, i cili do të zhvillohet nga 4 deri më 6 nëntor.

    Sipas njoftimit të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës, të publikuar më 3 nëntor, vizita do të përqendrohet në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, integrimin evropian dhe promovimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Cassis pritet të zhvillojë takime me presidenten e Kosovës, Justina Shiroka Pula, kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.

    Në mesin e temave kryesore që pritet të diskutohen është marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, në kuadër të Asociacionit Evropian të Tregtisë së Lirë (EFTA), e cila ka hyrë së fundmi në fuqi. Po ashtu, në agjendë do të jetë edhe mbështetja zvicerane për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Gjatë vizitës në Kosovë, ministri zviceran do të qëndrojë edhe në misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, ku Zvicra kontribuon që nga viti 1999 përmes kontingjentit të saj SWISSCOY.

    Cassis, në cilësinë e kryesuesit aktual të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të vizitojë gjithashtu misionet e kësaj organizate në Prishtinë, Beograd dhe Shkup, për t’u njohur nga afër me punën dhe sfidat me të cilat përballen në terren.

    Departamenti Federal i Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se kjo vizitë riafirmon lidhjet e ngushta të Zvicrës me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë forcuar ndër vite edhe përmes diasporës së madhe nga ky rajon që jeton dhe vepron në Zvicër.

    Në kuadër të qëndrimit në Beograd dhe Prishtinë, Cassis do të marrë pjesë edhe në inaugurimin e hapësirave të reja të ambasadave zvicerane.

    Sipas autoriteteve zvicerane, gjatë takimeve do të vihet theksi te rëndësia e dialogut, trajtimit të së kaluarës dhe mbrojtjes së të gjitha komuniteteve.

  • Prokuroria Speciale merr në shqyrtim dosjen për mosveprimin e policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e Arlinda Zekajt

    Prokuroria Speciale merr në shqyrtim dosjen për mosveprimin e policëve, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e Arlinda Zekajt

    Prokuroria Speciale ka pranuar para rreth tri ditësh dosjen lidhur me dyshimet për mosveprim të zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve në rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.

    Dosja është në shqyrtim, ndërsa hetimi i kësaj prokurorie përqendrohet në përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve për neglizhencë të mundshme, e cila mund të ketë ndikuar në kryerjen e vrasjes.

    Këtë e ka konfirmuar ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca, në një konferencë për media, duke sqaruar se kompetenca e kësaj prokurorie në këtë rast lidhet vetëm me dyshimet ndaj zyrtarëve, ndërsa pjesët e tjera të rastit po trajtohen nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

    “Mund ta konfirmoj që Prokuroria Speciale para rreth tri ditësh ka pranuar, veçse në shqyrtim, dosjen në ndryshimin, apo në dyshimet sa i përket zyrtarëve policorë, zyrtarëve, apo prokurorëve dhe gjyqtarëve të cilët eventualisht mund të jenë të dyshuar për shkak të mosveprimit të tyre, se mund të ka ardhur deri te neglizhenca dhe, si pasojë, rasti siç ka ndodhur apo kryerja e vrasjes. Kështu që, po, Prokuroria Speciale e ka këtë rast në shqyrtim, por vetëm sa i përket zyrtarëve policorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, eventualisht si të jenë, mund të jenë të përfshirë në rast, ndërsa raste të tjera, besoj veç se jeni informuar tashmë edhe nga zyra e kryeprokurorit të shtetit, janë duke u trajtuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”, tha Paca.

    Arlinda Zekaj u vra më 26 tetor në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen është kunati i saj.

    Para se të vritej, ajo kishte raportuar dhunën në familje dhe kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet përgjegjëse.

    Vrasja e saj nxiti protesta në Prishtinë, ku qytetarët dhe aktivistët kërkuan drejtësi për viktimën dhe llogaridhënie nga institucionet që kishin trajtuar rastin.

    Lidhur me këtë rast janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Sipas informacioneve të paraqitura, masa janë ndërmarrë edhe ndaj kryeprokurores dhe prokurores së Pejës, ndërsa drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë dorëheqje.

  • Kos: Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e Agjendës së Reformave

    Kos: Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e Agjendës së Reformave

    Komisionerja për Zgjerim e Komisionit Evropian, Marta Koss në një konferencë për media lidhur me progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit evropian theksoi se Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave.

    Koss në një paraqitje para gazetarëve tha shkurt se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugëtimit evropian. 

    “Kosova ka mbetur e përkushtuar ndaj rrugëtimit evropian, me një nivel të lartë mbështetjeje publike. Kosova së fundi ka intensifikuar zbatimin e agjendës së reformave dhe Bashkimit Evropian mirëpret zgjedhjen e presidentes së Kosovës dhe shpreson se stabiliteti institucional i rikthyer do të lejojë Kosovën të avancojë”, tha ajo, raporton Telegrafi.

  • Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

    Prokuroria Speciale jep detaje për aksionin ku u sekuestruan mbi 37 kilogramë heroinë

    Një operacion i përbashkët i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), ka rezultuar me arrestimin e pesë personave dhe sekuestrimin e mbi 37 kilogramëve substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë.

    Detajet e këtij operacioni janë bërë të ditura në një konferencë për media nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Dren Paca.

    Ai ka njoftuar se në mesin e pesë të arrestuarve janë edhe dy shtetas të huaj.

    “Mbrëmë Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar me sukses një aksion gjatë të cilit janë arrestuar pesë persona, dy prej të cilëve janë të huaj”, tha Paca, raporton Telegrafi.

    “Janë sekuestruar mbi 37 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë”, shtoi ai.

    Sipas Pacës, operacioni është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi, i cili është bazuar në informacione të siguruara nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë.

    “Ky aksion është rezultat i një hetimi të zhvilluar së fundmi mbi bazën e informacioneve të siguruara nga Agjencia Kosovare për Inteligjencë, falë bashkëpunimit të ndërsjellë, me çka është realizuar në afat rekord”, deklaroi ai.

    Ndërkaq, prokurori i rastit, Atdhe Dema, ka bërë të ditur se vlera e substancës së sekuestruar vlerësohet të jetë rreth 550 mijë euro.

    “Mbrëmë është zhvilluar një aksion me sukses në një afat rekord të hetimeve në bashkëpunim me Policinë dhe AKI-në. Si rezultat i veprimeve të ndërmarra janë arrestuar pesë persona. Janë sekuestruar sasi prej 37 kg heroinë në vlerë prej 550 mijë euro”, tha Dema. /Telegrafi/

  • Përdoruesit e WhatsApp-it paralajmërohen për një funksion që i mbron nga hakerët

    Përdoruesit e WhatsApp-it paralajmërohen për një funksion që i mbron nga hakerët

    Përdoruesit e WhatsApp-it po këshillohen të aktivizojnë një funksion të rëndësishëm të sigurisë, i cili mund të ndihmojë në mbrojtjen e llogarive të tyre nga hakerët.

    Siç raporton UNILAD Tech, thirrja për aktivizimin e këtij funksioni është bërë nga një krijuese e përmbajtjes në TikTok, e njohur si Lucy, pasi llogaria e WhatsApp-it të nënës së saj ishte hakuar gjatë fundjavës.

    Pas këtij rasti, ajo ka paralajmëruar përdoruesit për rëndësinë e aktivizimit të verifikimit me dy hapa, një veçori që shton një nivel shtesë sigurie në llogari.

    “Ky është sinjali juaj për ta aktivizuar menjëherë verifikimin me dy hapa në WhatsApp”, ka deklaruar ajo në videon e publikuar në TikTok.

    Për ta aktivizuar këtë funksion, përdoruesit duhet të hyjnë në cilësimet e aplikacionit, të zgjedhin opsionin “Llogaria” dhe më pas “Verifikimi me dy hapa”.

    Pas kësaj, duhet të vendosin një PIN me gjashtë shifra, i cili do të kërkohet si masë shtesë sigurie gjatë regjistrimit të numrit të telefonit në WhatsApp.

    Lucy ka këshilluar gjithashtu përdoruesit që të kontrollojnë pajisjet e lidhura me llogarinë e tyre, për të parë nëse ndonjë pajisje e panjohur ka qasje në të.

    Në rast se vërejnë pajisje të panjohura, ajo ka rekomanduar shkëputjen e menjëhershme të tyre.

    Verifikimi me dy hapa është një nga masat që mund ta vështirësojë marrjen e kontrollit mbi një llogari, edhe në rastet kur dikush arrin të sigurojë kodin e regjistrimit të përdoruesit.

  • Macron uron Presidenten Shiroka-Pula, shpreh mbështetjen e Francës për dialogun Kosovë-Serbi

    Macron uron Presidenten Shiroka-Pula, shpreh mbështetjen e Francës për dialogun Kosovë-Serbi

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, me rastin e marrjes së detyrës.

    Në letrën e tij, Macron i ka përcjellë Presidentes Shiroka Pula urimet më të përzemërta, duke shprehur shpresën se zgjedhja e saj do të kontribuojë në rifillimin e përparimit në fushat që ndikojnë në perspektivën evropiane të Kosovës.

    Presidenti francez ka rikujtuar edhe takimin me kryeministrin Albin Kurti në Paris, në muajin mars të këtij viti, si dhe partneritetin historik ndërmjet Francës dhe Kosovës.

    Macron ka shprehur gjithashtu kënaqësinë për vizitën e ministrit të deleguar për Evropën në Kosovë, gjatë muajit korrik, e cila, sipas tij, mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të reja ndërmjet dy vendeve.

    Një pjesë të letrës së tij, presidenti francez ia ka kushtuar edhe dialogut Kosovë-Serbi, duke theksuar rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

    Ai ka riafirmuar mbështetjen e Francës për dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, si proces për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/