ATV

Author: G.O.

  • U rrah me tre të mitur, përfundon i lënduar dhe i arrestuar

    U rrah me tre të mitur, përfundon i lënduar dhe i arrestuar

    Të premten në Podujevë një person është përleshur me tre të mitur.

    Ai ka pësuar lëndime gjatë përleshjes, si dhe pas arrestimit është dërguar në mbajtje.

    “Raportohet se pas një mosmarrëveshje janë përfshirë në një rrahje një i dyshuar mashkull kosovar dhe tre të dyshuar tjerë të mitur”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

    “I dyshuari për shkak të lëndimeve të pësuara gjatë përleshjes me të miturit ka pranuar trajtim mjekësor dhe nga i njëjti është sekuestruar një thikë”.

    “Me vendim të prokurorit i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje ndërsa të dyshuarit e mitur janë liruar”.

  • Shqipëria mbyll edhe një kapitull në rrugën drejt BE-së, Rama flet për objektivin historik

    Shqipëria mbyll edhe një kapitull në rrugën drejt BE-së, Rama flet për objektivin historik

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se vendi ka marrë dritën jeshile nga Bashkimi Evropian për mbylljen e negociatave për Kapitullin 20, që lidhet me politikat industriale dhe të ndërmarrjeve.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama e ka cilësuar këtë zhvillim një hap drejt objektivit historik të Shqipërisë për anëtarësim në BE.

    Sipas tij, mbyllja e negociatave për këtë kapitull forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim.

    “Shqipëria mbyll kapitullin e katërt, nis numërimi mbrapsht i kohës drejt objektivit historik.

    Drita jeshile nga BE-ja për mbylljen e negociatave të Kapitullit 20 forcon perspektivën për investime, inovacion, konkurrueshmëri dhe punësim”, ka shkruar Rama.

  • Kurti takon ambasadorin hungarez, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik

    Kurti takon ambasadorin hungarez, diskutojnë për bashkëpunimin ekonomik

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István Dux, i cili e ka uruar për zgjedhjen e presidentes së re, Justina Shiroka-Pula.Gjatë takimit, Kurti shprehu mirënjohje për angazhimin e Hungarisë në Kosovë, duke theksuar rolin e saj në proceset integruese, si dhe në ruajtjen e paqes dhe sigurisë rajonale përmes kontributit me trupa në kuadër të KFOR-it.

    Sipas njoftimit të zyrës për informim të Kryeministrit, në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik e tregtar, përmes organizimeve të përbashkëta që mund të nxisin investimet dhe të forcojnë lidhjet ndërmjet bizneseve.

    Gjithashtu u bë e ditur se numri i bursave të programit hungarez Stipendium Hungaricum për studentët nga Kosova është rritur në 75 në vit, për studimet bachelor, master dhe doktoraturë.

    Ndërkohë, kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ndodhet në vizitë zyrtare në Budapest, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë të qeverisë së Hungarisë.

  • Vrasja e dyfishtë në Gjilan, të dyshuarit i bastisen shtëpitë e pronat, i gjenden armë pa leje

    Vrasja e dyfishtë në Gjilan, të dyshuarit i bastisen shtëpitë e pronat, i gjenden armë pa leje

    Policia e Kosovës sot ka dhënë detaje shtesë nga vrasja e dyfishtë që ndodhi dje në Gjilan. Policia tha se pas rastit të rëndë që la edhe një person tjetër të plagosur, kanë bastisur shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku gjetën armë pa leje.

    Në fshatin Livoç të Ulët të Gjilanit burri dyshohet se vrau bashkëshorten e tij dhe vëllain e saj, si dhe plagosi djalin e axhës të viktimave, i cili po trajtohet në QKUK.

    I dyshuari tashmë gjendet në mbajtje, ndërsa trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.

    “Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave”, tha policia.

    Raporti i plotë:

    Fsh. Livoç i Ulët, Gjilan 09.10.2026 – 14:26. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka qëlluar me armë zjarri tre viktimat, një femër-bashkëshorten e tij, një mashkull- vëllai i bashkëshortes dhe viktimën tjetër mashkull-djali i axhës së bashkëshortes. Si pasojë, dy viktimat e para kanë ndërruar jetë, ndërsa i treti ka mbetur i plagosur dhe është transportuar në Spitalin e Gjilanit. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse policore që i kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore. Në dy vende të ngjarjes janë sekuestruar katër fishekë, njëzetenjë gëzhoja dhe pesë predha si dhe brenda veturës së të dyshuarit është sekuestruar një pistoletë me të cilën dyshohet se është kryer vepra për të cilën i dyshuari kishte leje të skaduar.

    Me urdhër të prokurorit janë kryer bastisje në shtëpitë dhe pronat e të dyshuarit ku janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata me leje të skaduar, një pistoletë pa leje, një armë pneumatike, 520 fishekë kalibrash të ndryshëm dhe 1600 diabolla të pushkës pneumatike. Gjithashtu si prova materiale janë sekuestruar edhe disa telefona celularë dhe DVR të kamerave. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa dy trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion.

  • Përgjaket burgu në Meksikë, përleshjet mes grupeve kriminale lënë 12 të vrarë

    Përgjaket burgu në Meksikë, përleshjet mes grupeve kriminale lënë 12 të vrarë

    Dy të burgosur u vranë të premten gjatë një përleshjeje në një burg në qytetin turistik të Mazatlanit, në shtetin meksikan të Sinaloas, vetëm një ditë pasi dhuna në të njëjtin institucion la të vdekur 10 persona, përfshirë një fëmijë që po e vizitonte burgun.

    Sipas autoriteteve, ushtria dhe policia ndërhynë sërish dhe arritën ta vinin situatën nën kontroll. Shkaqet e përleshjes së fundit ende nuk janë bërë të ditura.

    Sinaloa është përfshirë nga konflikte të përgjakshme mes fraksioneve rivale të kartelit të drogës, të cilat kanë shkaktuar mbi 1,000 viktima që nga viti 2024.

    Ky është incidenti i tretë i këtij lloji në burgjet e shtetit gjatë këtij viti. Më 31 maj, shtatë të burgosur u vranë në një burg në Culiacan, kryeqytetin e Sinaloas.

  • Dy senatorë amerikanë do ta vizitojnë Kosovën, në fokus siguria dhe marrëdhëniet me ShBA-në

    Dy senatorë amerikanë do ta vizitojnë Kosovën, në fokus siguria dhe marrëdhëniet me ShBA-në

    Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen do ta vizitojnë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit do të diskutojnë për sigurinë rajonale, institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, demokratja më e lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, e kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa të premten kanë nisur qëndrimin në Mal të Zi.

    Përveç këtyre dy vendeve, në kuadër të turneut, senatorët do të vizitojnë edhe Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën. Gjatë qëndrimit në vendet e rajonit, ata do të takohen me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues diplomatikë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe liderë të rinj.

    Sipas njoftimit për vizitën, në fokus të diskutimeve do të jenë proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi me NATO-n, diversifikimi i burimeve të energjisë, si dhe zbatimi i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, i miratuar si pjesë e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.

    Shaheen ka deklaruar se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë, liderë të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me të cilët do të diskutojë për çështjet e sigurisë, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara.

    Gjatë qëndrimit në Bosnjë e Hercegovinë, delegacioni kishte planifikuar edhe një vizitë në Qendrën Përkujtimore dhe Varrezat e Srebrenicës në Potoçari, si dhe pjesëmarrjen në një performancë të grupit artistik “House of Good Tones”.

    Kjo do të jetë vizita e fundit e Durbin në rajon si pjesë e një delegacioni kongresional në cilësinë e senatorit amerikan. Ai e ka vizituar Ballkanin Perëndimor edhe në vitet 1999 dhe 2009.

    Turneu i senatorëve amerikanë në Ballkanin Perëndimor pritet të përfundojë më 13 tetor.

  • ​Tre persona nën hetime për tentim-vrasje në Vushtrri

    ​Tre persona nën hetime për tentim-vrasje në Vushtrri

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet ndaj tre personave të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, lidhur me një sulm të raportuar më 30 shtator në Vushtrri.

    Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar për KosovaPress se një person është ndaluar dhe për të është paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa dy të dyshuarit e tjerë janë në arrati.

    “Për tre persona ka aktvendim për fillimin e hetimeve për veprën penale ‘Vrasje në tentativë’. Për këtë rast një person është i ndaluar, për të njëjtin kemi paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndërkaq dy personat tjerë të dyshuar për këtë rast janë në arrati”, ka bërë të ditur Preteni

    Incidenti ka ndodhur më 30 shtator 2026, rreth orës 00:45, në rrugën “Xhavit Mulaku”, afër “Urës së Hekurit” në Vushtrri.

    I dyshuari, në bashkëkryerje me persona të tjerë dhe duke përdorur mjete të forta, dyshohet se kishte sulmuar një person, i cili për shkak të lëndimeve kishte kërkuar tretman mjekësor.

  • Shiroka-Pula takohet me drejtorin e AKI-së, në fokus siguria kombëtare

    Shiroka-Pula takohet me drejtorin e AKI-së, në fokus siguria kombëtare

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka pritur në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.

    Gjatë takimit, Ajeti e ka uruar Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

    Sipas njoftimit, Ajeti e ka informuar presidenten për situatën aktuale të sigurisë kombëtare.

    Po ashtu, në takim është diskutuar për koordinimin ndërmjet institucioneve të sigurisë, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

  • Nobeli për Paqe i shkon gjyqtares nga Afrika e Jugut

    Nobeli për Paqe i shkon gjyqtares nga Afrika e Jugut

    Gjyqtarja nga Afrika e Jugut, Navanethem “Navi” Pillay, është shpallur fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2026, në një vendim që vjen pas presionit të vazhdueshëm të presidentit amerikan, Donald Trump, për ta fituar këtë çmim.

    Në arsyetimin e vendimit, Komiteti Norvegjez i Nobelit vlerësoi punën e Pillayt në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe kontributin e saj në drejtësinë ndërkombëtare.

    “Një fije e përbashkët lidh punën e saj të hershme në mbrojtje të Nelson Mandelës dhe të tjerëve që u ngritën kundër aparteidit, me shërbimin e saj si gjyqtare në disa prej çështjeve kryesore gjyqësore ndërkombëtare të kohës sonë”, thuhet në deklaratën e komitetit.

    Çmimi Nobel për Paqe është i pesti që ndahet këtë javë, pas çmimeve për letërsi, kimi, fizikë dhe mjekësi.

    Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump kishte ushtruar presion të madh ndaj Komitetit Norvegjez të Nobelit, duke shpresuar se do të shpërblehej me këtë çmim. Megjithatë, mosdhënia e tij kishte nxitur reagime të ashpra nga Shtëpia e Bardhë, e cila e kishte akuzuar komitetin se po vendoste “politikën mbi paqen”, shkruan “The Independent”, transmeton Klankosova.tv.

    Çmimi i vitit të kaluar iu nda aktivistes venezueliane për demokraci, Maria Corina Machado, e cila më pas ia dorëzoi simbolikisht çmimin Trumpit, në shenjë të vlerësimit për përkushtimin e tij ndaj lirisë.

    Në zhvillimet ndërkombëtare, lufta e nisur nga administrata amerikane kundër Iranit ka shkaktuar shqetësime për ekonominë globale dhe ka rritur paqëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

    Ndërkohë, Papa Leo XIV ka kritikuar luftën dhe u ka bërë thirrje Ukrainës dhe Rusisë që të rifillojnë negociatat për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre.

    Ndër kandidatët e përmendur si favoritë për Nobelin e Paqes këtë vit ishin edhe Dhomat e Reagimit Emergjent të Sudanit, rrjete lokale vullnetarësh që ofrojnë ndihmë jetike për popullsinë, në një kohë kur financimi ndërkombëtar për operacionet humanitare në vend është zvogëluar.

  • Reshje shiu në vend, Policia apelon për kujdes në trafik

    Reshje shiu në vend, Policia apelon për kujdes në trafik

    Policia e Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes të shtuar në trafik gjatë ditëve me reshje shiu, mjegull dhe rrugë të lagështa.

    Përmes një fotografie të publikuar në Facebook, Policia ka dhënë udhëzime për ngasësit, duke apeluar për respektimin e rregullave të trafikut dhe përshtatjen e sjelljes në timon me kushtet atmosferike.

    “Mjegulla, shiu dhe rrugët e lagështa kërkojnë kujdes të shtuar. Gjatë gjithë këtij sezoni, ndryshimi i motit kërkon ndryshim të sjelljes në timon”, thuhet mes tjerash në apelin e Policisë.