ATV

Author: G.O.

  • Irani i vendos ShBA-së shtatë kushte për negociata, refuzon bisedimet pa u plotësuar ato

    Irani i vendos ShBA-së shtatë kushte për negociata, refuzon bisedimet pa u plotësuar ato

    Irani i ka përcjellë Shteteve të Bashkuara, përmes Katarit, një propozim lidhur me programin e tij bërthamor, por ka bërë të qartë se është i gatshëm të diskutojë për këtë çështje vetëm pasi Uashingtoni t’i plotësojë shtatë kërkesat e Teheranit.

    Këtë e ka bërë të ditur një zyrtar i lartë iranian për agjencinë Reuters, duke shtuar se administrata amerikane është duke e shqyrtuar propozimin. Megjithatë, ai nuk dha detaje të tjera rreth përmbajtjes së dokumentit.

    Edhe presidenti amerikan, Donald Trump, u pyet nëse e kishte parë propozimin iranian. Ai u përgjigj se Irani “nuk bën asgjë pa miratim” dhe se, çfarëdo që të jetë duke shqyrtuar Uashingtoni, Irani nuk do të ketë armë bërthamore.

    Ndërkohë, zyrtari më i lartë iranian për sigurinë, Mohsen Rezaei, gjatë një vizite në Rusi, konfirmoi se Teherani i ka paraqitur Uashingtonit shtatë kushte, shkruan reuters.

    “Sa i përket diplomacisë, amerikanëve ua kemi bërë të ditura shtatë kushtet tona. Derisa ato të plotësohen, nuk do ta hapim Ngushticën e Hormuzit dhe as nuk do të negociojmë”, deklaroi Rezaei.

    Ndër kërkesat e Iranit janë heqja e sanksioneve amerikane, lirimi i aseteve iraniane të ngrira dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës.

    Nga ana tjetër, Uashingtoni insiston që çështjet bërthamore të jenë pjesë e të gjitha negociatave fillestare.

    Ndërmjetësuesit kanë intensifikuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës mes Iranit dhe SHBA-së, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet sërish pas zgjedhjeve për Kongresin amerikan.

    Trumpi nuk e përjashtoi mundësinë e rifillimit të operacioneve ushtarake pas zgjedhjeve, ndërsa Irani ka paralajmëruar kundërpërgjigje më të gjerë nëse lufta vazhdon. /Telegrafi/

  • Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekës mblidhet sot, në rend dite miratimi i buxhetit

    Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekës mblidhet sot, në rend dite miratimi i buxhetit

    Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekës dhe trajtimin e dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje pritet të mblidhet sot, nga ora 14:00.

    Në këtë mbledhje, anëtarët e Komisionit pritet të shqyrtojnë dhe miratojnë buxhetin për funksionimin e tij.

    Arlinda Zeka u vra në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kishte bërë denoncimin e fundit në Policinë e Kosovës për dhunë në familje.

    Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se u vra me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan.

    Rasti ka nxitur reagime të shumta publike dhe protesta të përditshme në kryeqytet, ku qytetarët kanë kërkuar përgjegjësi institucionale dhe masa më të forta për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje.

  • Pas shtyrjes për shkak të mungesës së uniformave, sot diplomon gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës

    Pas shtyrjes për shkak të mungesës së uniformave, sot diplomon gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës

    Ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës pritet të mbahet sot, nga ora 16:00, pasi janë siguruar uniformat për pjesëtarët e rinj.

    Kjo gjeneratë ishte paraparë të diplomonte më 30 tetor, por ceremonia ishte shtyrë për shkak të mungesës së uniformave.

    Tashmë uniformat janë siguruar dhe rreth 400 pjesëtarë të rinj pritet të diplomojnë gjatë pasdites së sotme.

    Mungesa e uniformave, si dhe dyshimet për mungesë të armëve për policët e rinj, kishin nxitur reagime dhe vëmendje të madhe publike.

    Sipas gazetarit Reçica, problemet që çuan në këtë situatë erdhën si pasojë e vështirësive në procesin e prokurimit.

    Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme, Inspektorati Policor i Kosovës rekomandoi suspendimin e shefit të prokurimit të Policisë së Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

  • Blerjet online nën llupën e shtetit, mbi 24 inspektime dhe parregullsi në Kosovë

    Blerjet online nën llupën e shtetit, mbi 24 inspektime dhe parregullsi në Kosovë

    Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet ndaj bizneseve që operojnë online në Kosovë, me fokus të veçantë në produktet që janë në transport drejt konsumatorëve.

    Sipas njoftimit të IQMT-së, inspektimet po realizohen në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

    Përmes 10 ekipeve inspektuese, deri më tani janë realizuar mbi 24 inspektime në shërbimet postare në të gjithë territorin e vendit.

    Gjatë kontrolleve janë evidentuar raste kur produktet nuk posedonin kupon fiskal, si dhe raste kur mungonte deklaracioni i prejardhjes së produktit dhe dokumentacioni përcjellës.

    IQMT ka bërë të ditur se subjekteve përkatëse u është dhënë afat për të prezantuar dokumentacionin e nevojshëm. Në të kundërtën, ndaj tyre do të ndërmerren masa ligjore, përfshirë sekuestrimin e produkteve dhe shqiptimin e gjobave.

    Aksioni përfshin edhe inspektimin e faqeve online të bizneseve, reklamave të produkteve dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

    Kontrollet janë shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit, përfshirë Klinën, Istogun, Deçanin, Junikun, Rahovecin, Malishevën, Suharekën dhe Dragashin.

    IQMT ka theksuar se këto aktivitete synojnë forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në vend.

  • Thirret protestë gjithëkombëtare për të shtunën kundër vrasjes së grave

    Thirret protestë gjithëkombëtare për të shtunën kundër vrasjes së grave

    Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se të shtunën do të organizojë protestë gjithëkombëtare, për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastet e vrasjes së grave në Kosovë.

    Në njoftim, Kolektivi ka thënë se vrasja e Arlindës ka ekspozuar dështimet e zinxhirit institucional, duke theksuar se institucionet, në vend që t’i mbrojnë gratë që kërkojnë ndihmë, i kanë anashkaluar ato dhe nuk kanë parandaluar tragjedi të tilla.

    Përmes protestës, organizatorët kërkojnë që shteti ta trajtojë femicidin si urgjencë kombëtare dhe të ndërmarrë masa konkrete për të parandaluar vrasjet e grave.

    Ndër kërkesat kryesore të tyre janë shkarkimi, ndjekja penale dhe burgimi i zyrtarëve që i konsiderojnë përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt, përfshirë kryeprokuroren Lumturije Vuçetaj, prokuroren Suada Rama Hamza, kryetarin e Gjykatës, Shemsedin Haxhiaj, gjykatësin Migjen Kastrati, ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukaj, si dhe togerin Faruk Muqolli.

    Po ashtu, kërkojnë shkarkimin e Donika Gërvallës dhe Xhelal Sveçlës, dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, trajtimin e vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimin e banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingun apartiak dhe të pavarur të sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimin e sprejit për vetëmbrojtje për gratë.

    Kolektivi ka theksuar se angazhimi i tyre nuk do të ndalet vetëm te kërkimi i drejtësisë për Arlindën, por do të vazhdojë për sigurinë e të gjitha vajzave dhe grave në Kosovë.

    Protesta është thirrur për të shtunën, në orën 12:00.

  • Çitaku priti ambasadorin britanik, diskutuan zhvillimet politike dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës

    Çitaku priti ambasadorin britanik, diskutuan zhvillimet politike dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës

    Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, priti sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit politike në vend.

    Çitaku e vlerësoi pozitivisht përmbylljen e formimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë nevojitet përqendrim në adresimin e sfidave të qytetarëve dhe në avancimin e prioriteteve shtetërore.

    “Kosova përballet me sfida të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të plotë institucionale, përgjegjësi dhe angazhim për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, theksoi Çitaku.

    Gjatë takimit u diskutua edhe për procesin gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara në Hagë. Çitaku nënvizoi rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të drejtësisë, të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të vendimmarrjes së mbështetur në fakte e prova, të pavarur nga ndikimet politike.

    Në takim u riafirmua rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me aleatët e saj, si dhe përkushtimi ndaj perspektivës euroatlantike të vendit, me synim anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

  • Rama thirrje studentëve: Ju pres nesër, harrojeni se e rrëzoni qeverinë me dhunë

    Rama thirrje studentëve: Ju pres nesër, harrojeni se e rrëzoni qeverinë me dhunë

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përsëritur thirrjen për dialog me studentët dhe protestuesit, duke njoftuar se nesër do të hapet një tjetër mundësi komunikimi përmes një platforme online.

    Gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët me ambasadoren e BE e cila i dorëzoi Raportin e Progresit, Rama u shpreh se tre grupe studentësh janë penguar, përmes presionit online dhe offline, që të mos zhvillonin një takim me të, pa kamera dhe pa njoftime për mediat, por vetëm për të diskutuar.

    Kreu i qeverisë shqiptare theksoi se është i gatshëm për dialog, ndërsa paralajmëroi se kërcënimet dhe dhuna nuk do të ndikojnë në qëndrimin e tij dhe të qeverisë.

    “Nesër do të ndezim një tjetër dritare në ekranet e kujtdo që është i interesuar, një dritare dialogu për ata që duhet të ndërveprojnë me mua dhe qeverinë. Tre grupe studentësh janë kthyer mbrapsht me dhunë online dhe offline nga këta lloj pseudoshësh, në përpjekjet e tyre për të ardhur në takim me mua pa kamera, foto dhe njoftim shtypi, thjesht për të biseduar. Të dekurajuar, dreqi e merr vesh se si, dhe pastaj të bullizuar në ekstrem.

    Një gjë dua të jetë e qartë për të gjithë, vij nga një rrugë ku kam qenë student dhe pedagog dhe bashkë me studentët kam dalë kundër një regjimi real dhe jo imagjinar, vetëm për një arsye, që të them i lirë atë që dua dhe ku të dua.

    Kush mendon se me kërcënime dhe me dhunë do të ketë impaktin më të vogël mbi mua dhe qeverinë, i ka bërë të gjitha llogaritë gabim. Përkundrazi, do të marrin përgjigje, siç po marrin, penalisht dhe administrativisht”, tha Rama, raporton Top Channel.

  • “Liria ka Emër” i drejtohet Parlamentit Evropian, kërkon hetim të pavarur për Gjykatën Speciale

    “Liria ka Emër” i drejtohet Parlamentit Evropian, kërkon hetim të pavarur për Gjykatën Speciale

    Platforma qytetare “Liria ka Emër” i është drejtuar zyrtarisht Parlamentit Evropian, duke kërkuar veprim urgjent institucional lidhur me atë që i cilëson si anomali procedurale dhe shqetësime për të drejtat e njeriut në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

    Në kërkesën e datës 5 nëntor 2026, të nënshkruar nga përfaqësuesi i autorizuar Ismail Tasholli, platforma ka kërkuar që institucionet evropiane t’u kushtojnë vëmendje disa çështjeve që lidhen me funksionimin e Gjykatës Speciale.

    Ndër shqetësimet e ngritura janë paraburgimi i tejzgjatur, barazia e armëve ndërmjet Prokurorisë dhe Mbrojtjes, besueshmëria dhe administrimi i provave, pavarësia dhe paanshmëria gjyqësore, transparenca dhe llogaridhënia institucionale.

    Platforma ka ngritur gjithashtu shqetësime për konflikt të mundshëm interesi në Prokurori, duke përmendur edhe rastin e John Devaneyt.

    Në letrën drejtuar eurodeputetëve, “Liria ka Emër” ka kërkuar organizimin e një dëgjimi të posaçëm parlamentar, ku do të diskutoheshin shqetësimet e identifikuara në raportin paraprak të Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC), të përgatitur në prill të vitit 2026.

    Po ashtu, ka kërkuar një vlerësim të pavarur ndërkombëtar për praktikat institucionale dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në Dhomat e Specializuara.

    Një tjetër kërkesë është që Komisioni Evropian dhe Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) të përgatisin një raport të posaçëm për transparencën, përgjegjësitë institucionale dhe respektimin e të drejtave të njeriut në këtë institucion.

    Platforma kërkon edhe shqyrtimin e mekanizmave të financimit dhe mbikëqyrjes ndërkombëtare, si dhe mundësinë e një nisme parlamentare për forcimin e mekanizmave të pavarur të monitorimit.

    Në përfundim të letrës, “Liria ka Emër” ka kërkuar përgjigje zyrtare nga Parlamenti Evropian dhe një takim me përfaqësuesit e saj, për të paraqitur më gjerësisht shqetësimet dhe dokumentacionin përkatës.

    Platforma ka theksuar se nuk kërkon përjashtimin e askujt nga përgjegjësia penale individuale, por respektimin e standardeve universale të drejtësisë dhe të drejtave themelore të njeriut.

  • Kryhet me sukses lindja e parë me IVF në QKUK – moment shprese për shumë çifte

    Kryhet me sukses lindja e parë me IVF në QKUK – moment shprese për shumë çifte

    Një arritje me peshë të madhe dhe një faqe e re është shkruar sot për gjinekologjinë dhe të gjithë sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë. Në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK është realizuar me sukses lindja e parë me prerje cezariane nga një shtatzëni e arritur përmes fertilizimit të asistuar (IVF) brenda këtij institucioni publik.

    Lajmi u bë i ditur nga drejtori i kësaj klinike, Zef Ndrejaj.

    Ndrejaj shprehu kënaqësinë e arritjes së këtij rezultati, duke thënë se ky moment nuk është thjesht një procedurë e suksesshme mjekësore, por një dëshmi e qartë se shërbimi i IVF-së në sektorin publik po konsolidohet dhe po u ofron shpresë të re të gjitha çifteve që përballen me sfidën e infertilitetit.

    Përmes një deklarate, mjekët që morën pjesë në këtë proces historik shprehën emocionin dhe rëndësinë e kësaj ngjarjeje për vendin:

    “Sot pata kënaqësinë dhe nderin që, së bashku me kolegët e mi të Klinikës së Gjinekologjisë dhe Obstetrikës në QKUK, të realizojmë lindjen e parë me prerje cezariane të një pacienteje, shtatzënia e së cilës ishte arritur përmes procedurave të fertilizimit të asistuar (IVF) në sektorin publik të shëndetësisë në Kosovë”, deklaroi ai.

    Mjekët theksuan se ky rezultat reflekton përkushtimin e vazhdueshëm të të gjithë stafit mjekësor dhe hap perspektiva të reja për mjekësinë kosovare:

    “Ky moment shënon një arritje të rëndësishme dhe një dëshmi konkrete të punës, përkushtimit dhe profesionalizmit të stafit tonë. Njëkohësisht, dëshmon se shërbimi i IVF-së në Klinikën tonë po konsolidohet, po zhvillohet dhe ka një të ardhme premtuese.”

    Ky sukses institucional pritet të lehtësojë barrën financiare dhe emocionale për shumë familje kosovare, duke vërtetuar se edhe në spitalet publike mund të ndërtohen e ofrohen shërbime të standardeve më të larta mjekësore.

  • Ministri zviceran për dënimin e katërshës së UÇK-së: S’është vendim politik

    Ministri zviceran për dënimin e katërshës së UÇK-së: S’është vendim politik

    Ministri i Punëve të Jashtme i Zvicrës, Ignazio Cassis, ka komentuar vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke deklaruar se bëhet fjalë për një vendim të gjykatës dhe jo për një vendim politik.

    Cassis ka theksuar se Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe i pranon vendimet e tyre, pa i komentuar ato. Kështu është përgjigjur ai lidhur me vendimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Deklarata e ministrit zviceran vjen në një kohë kur procesi gjyqësor, i cili zgjati rreth gjashtë vjet, është shoqëruar me kritika dhe shqetësime për mungesën e transparencës, si dhe për pranimin e provave nga Serbia.

    “Zvicra i mbështet gjykatat ndërkombëtare dhe Zvicra i pranon vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe nuk i komenton këto vendime. Sepse është vendim i gjykatës dhe nuk është vendim politik, prandaj Zvicra i pranon këto vendime”, deklaroi shkurt Cassis gjatë një konference të përbashkët për media me zëvendëskryeministrin Glauk Konjufca.