ATV

Author: G.O.

  • Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Rubio paralajmëron Iranin: Për çdo sulm ndaj anijeve amerikane, do të humbni cisterna

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka paralajmëruar Iranin se çdo përpjekje për të goditur anijet luftarake amerikane do të pasohet me sulme ndaj cisternave iraniane.

    Rubio e cilësoi situatën si “mjaft të drejtpërdrejtë”, duke deklaruar se SHBA-ja do të përgjigjet ndaj çdo sulmi apo tentative sulmi nga Irani.

    “Irani vazhdon të përpiqet të godasë anijet luftarake amerikane. Dhe për çdo herë që e bën këtë ose përpiqet ta bëjë, do të humbasë cisterna”, deklaroi Rubio gjatë një vizite në Kolumbi.

    Sipas CENTCOM, anija amerikane e shënjestruar nga raketat iraniane arriti t’u shmangej sulmeve, ndërsa asnjë ushtar amerikan nuk u plagos.

    Sulmet e fundit vijnë vetëm pak ditë pasi SHBA-ja goditi tri cisterna të tjera iraniane, pas përpjekjeve të Teheranit për të sulmuar një aeroplanmbajtëse dhe një anije amerikane të pajisur me raketa të drejtuara.

  • Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Irani sulmon bazën amerikane në Jordani dhe 10 anije në Ngushticën e Hormuzit

    Garda Revolucionare Islamike e Iranit ka njoftuar se ka lëshuar raketa balistike drejt një baze të përdorur nga ushtria amerikane në Jordani, ndërsa ka deklaruar se ka sulmuar edhe 10 anije në zonën e Ngushticës së Hormuzit.

    Sulmet vijnë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kanë shkatërruar pesë cisterna iraniane të naftës. Përplasjet e fundit kanë ndërprerë një periudhë relativisht të qetë, duke prekur drejtpërdrejt objektivat ushtarake, transportin detar dhe infrastrukturën energjetike.

    Sipas Gardës Revolucionare Iraniane, raketat balistike u drejtuan ndaj një baze pranë Al Azras në Jordani, e cila përdoret nga forcat amerikane, raportoi Reuters.

    Një zyrtar amerikan deklaroi se sulmi ishte joefektiv dhe se të gjithë trupat amerikane në bazë ishin të sigurt.

    Sulmi në Jordani shënon një tjetër përballje të drejtpërdrejtë të Iranit me objektivat amerikane në rajon. Teherani ka goditur më herët edhe pozicione amerikane në Jordani, ndërsa një sulm në korrik kishte shkaktuar vdekjen e të paktën dy pjesëtarëve të ushtrisë amerikane.

  • Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”

    Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim në rigjykimin për rastin e njohur si “53-milionëshi”.

    Aktgjykimi është shpallur sot nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, nga trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani.

    Përveç dënimit me burgim, Gjykata ndaj Lekajt ka shqiptuar edhe dënim plotësues – ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 3 vjet e 8 muaj, i cili do të zbatohet pas përfundimit të vuajtjes së dënimit me burgim.

    Lekaj dhe të tjerët akuzohen në lidhje me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.

    Rasti ishte kthyer në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.

    LEX – Drejtësia nga Sinjali

  • Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria dënon nderimet për Mlladiqin: Glorifikimi i kriminelëve të luftës bie ndesh me vlerat evropiane

    Shqipëria ka dënuar ashpër nderimet me të cilat u përcoll në Serbi Ratko Mlladiqi, i dënuar për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e cilësoi glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e gjenocidit si të papajtueshëm me vlerat europiane.

    Reagimi i ministrit Hoxha erdhi pas ceremonisë mortore të Ratko Mlladiqit në Serbi, ku ish-komandanti serb i Bosnjës u përcoll me nderime.

    Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Hoxha theksoi se Shqipëria i bashkohet qëndrimit të Bashkimit Europian dhe udhëheqësve të tij në dënimin e glorifikimit të një personi të dënuar për disa nga krimet më të rënda të luftës në Bosnje.

    “Shqipëria dënon glorifikimin e Ratko Mladić, një kriminel lufte i dënuar që vdiq ndërsa vuante dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte. Ne i bashkohemi Bashkimit Evropian, udhëheqësve të tij dhe të gjithë atyre që me të drejtë kanë dënuar mënyrën se si ai u nderua në Serbi.”

    “Qëndrimi ynë ka qenë i qartë dhe mbetet konsistent: glorifikimi i kriminelëve të luftës të dënuar dhe mohimi i gjenocidit bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar projekti evropian.”

    Hoxha tha se akte të tilla nuk rihapin vetëm plagët e së kaluarës, por dëmtojnë edhe marrëdhëniet mes komuniteteve dhe fyejnë viktimat dhe të mbijetuarit.

    “Akte të tilla shkaktojnë më shumë dëm sesa thjesht rihapja e plagëve të së kaluarës. Ato fyejne viktimat dhe të mbijetuarit, gërryejnë besimin midis komuniteteve dhe njerëzve.”

    Në përfundim, ministri Hoxha theksoi se e ardhmja e Ballkanit duhet të ndërtohet mbi paqen, pajtimin, bashkëpunimin dhe respektin e ndërsjellë.

  • Gjykata Supreme dhe EULEX riafirmojnë përkushtimin për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit

    Gjykata Supreme dhe EULEX riafirmojnë përkushtimin për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit

    Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, priti sot në takim shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes, të cilin e uroi për marrjen e detyrës së re.

    Në takim morën pjesë edhe shefi i Komponentit të Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, Giovanni Galzignato, shefi i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, Hubert van Eck Koster, si dhe këshilltarja për të Drejtat e Njeriut, Valentina Vitali.

    Gjatë takimit, Kryetari Rexhepi vlerësoi kontributin e EULEX-it në mbështetjen e sistemit të drejtësisë në Kosovë dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me këtë mision. Shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, theksoi se sundimi i ligjit mbetet një nga prioritetet e misionit, me synim mbështetjen e proceseve që kontribuojnë në avancimin e Kosovës drejt integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

    Në këtë drejtim, u theksua se EULEX-i vazhdon angazhimin e tij në fushën e sundimit të ligjit, përmes monitorimit, këshillimit dhe mbështetjes, si dhe në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, në përputhje me mandatin e misionit.

    Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua pavarësisë së gjyqësorit dhe rëndësisë së garantimit të funksionimit të tij të pavarur dhe pa ndërhyrje politike.

    Kryetari mirëpriti riafirmimin e mbështetjes së EULEX-it, për pavarësinë dhe integritetin e gjyqësorit, si dhe për çështjet që ndikojnë në funksionimin e tij efektiv, duke nënvizuar se pavarësia dhe integriteti janë themeli i funksionimit të drejtësisë dhe parakusht për besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Kryetari Rexhepi theksoi se ndërtimi dhe forcimi i institucioneve të drejtësisë në Kosovë është bërë edhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, duke vlerësuar në këtë kuadër kontributin e vazhdueshëm të EULEX-it.

    Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e luftimit të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke vënë theksin në nevojën e forcimit të mëtejshëm të mekanizmave institucionalë dhe gjyqësorë për parandalimin, hetimin dhe trajtimin efektiv të këtyre dukurive.

    Po ashtu, gjatë takimit u diskutua për Raportin e fundit të EULEX-it dhe rekomandimet e paraqitura në të. Përfaqësuesit e EULEX-it shprehën vlerësimin e tyre për angazhimin e Kryetarit të Gjykatës Supreme në adresimin e rekomandimeve, duke theksuar se zbatimi i tyre kontribuon në avancimin e mëtejshëm të sistemit gjyqësor dhe në përmirësimin e funksionimit të tij.

    Një tjetër çështje diskutimi, me rëndësi, ishte unifikimi i praktikës gjyqësore. Kryetari Rexhepi theksoi rolin dhe prioritetin e Gjykatës Supreme në këtë proces, me qëllim të sigurimit të një zbatimi sa më të unifikuar të ligjit dhe të rritjes së sigurisë juridike për qytetarët.

    Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit institucional, duke shprehur përkushtimin për forcimin e pavarësisë, integritetit dhe profesionalizmit të gjyqësorit, si dhe në avancimin e standardeve evropiane të drejtësisë në Kosovë.

  • Podujeva përfiton 1.8 milion euro për programet e banimit

    Podujeva përfiton 1.8 milion euro për programet e banimit

    Komuna e Podujevës ka siguruar 1 milion e 835 mijë euro për financimin e programeve të banimit, përmes një marrëveshjeje të grantit të nënshkruar me Ministrinë në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

    Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, dhe ministrja në detyrë Fitore Pacolli Dalipi.

    Përmes këtij financimi do të ndërtohen 18 njësi të reja të banimit social, për të cilat janë ndarë 1.2 milion euro.

    Po ashtu, 250 mijë euro do të përdoren për renovimin e 10 shtëpive private, ndërsa 385 mijë euro janë paraparë për rindërtimin e shtatë shtëpive private.

    Bulliqi ka bërë të ditur se nga këto programe do të përfitojnë gjithsej 35 familje apo njësi banimi.

    “Sot, së bashku me Ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli Dalipi, nënshkruam Marrëveshjen e Grantit për financimin e programeve të banimit në Komunën e Podujevës, në vlerë prej 1 milion e 835 mijë euro”, ka shkruar Bulliqi.

    Ai ka theksuar se investimi do të shpërndahet në tri komponentë: ndërtimin e njësive të reja të banimit social, renovimin dhe rindërtimin e shtëpive private.

    “Në total, nga këto programe do të përfitojnë 35 familje/njësi banimi, duke krijuar kushte më të mira dhe më të sigurta të banimit për familjet në nevojë”, ka deklaruar Bulliqi. /Telegrafi/

  • Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Shqipëri: 5-vjeçari bie nga ballkoni i banesës, pëson dëmtime në kokë

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të premte në Libohovë, ku një 5-vjeçar ka rënë nga ballkoni i një banese njëkatëshe.

    Sipas informacioneve paraprake, i mituri është dërguar fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore.

    Për shkak të dëmtimeve të pësuara, 5-vjeçari pritet të transportohet drejt Tiranës për vlerësim dhe trajtim më të specializuar.

    Nga rënia, i mituri ka pësuar dëmtime në kokë, por fatmirësisht raportohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.

  • Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Lirohet nga akuza Glauk Konjufca për rastin e gazit lotsjellës në Kuvend

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga akuza, Glauk Konjufcën lidhur me rastin e përdorimit të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

    Konjufca ishte akuzuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa pas shqyrtimit të rastit, gjykata ka marrë vendim për lirimin e tij nga akuza.

    Vendimin e ka bërë të ditur gjykatësja gjatë shpalljes së aktgjykimit.

    “I akuzuar për veprën penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’, i pandehuri Glauk Konjufca lirohet nga akuza”, ka thënë gjykatësja.

    Rasti lidhet me ngjarjet e zhvilluara në Kuvendin e Kosovës, kur deputetë të atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje përdorën gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit në shenjë kundërshtimi ndaj zhvillimeve politike të asaj kohe. /Telegrafi/

  • Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Alarm i kuq i të nxehtit në Itali, temperatura ekstreme në 9 qytete

    Një valë e re të nxehti ka përfshirë rajonet qendrore dhe jugore të Italisë, duke shkaktuar temperatura ekstreme dhe vështirësi për banorët dhe turistët.

    Ministria italiane e Shëndetësisë ka shpallur alarm të kuq në 9 qytete: Bari, Cagliari, Campobasso, Catania, Latina, Messina, Palermo, Romë dhe Reggio Calabria, shkruan Euronews.al.

    Autoritetet u kanë bërë thirrje veçanërisht të moshuarve, fëmijëve dhe personave me probleme shëndetësore të shmangin daljet nga ora 11:00 deri në 18:00, kur temperaturat janë më të larta.

    Në Romë, turistët që vizitojnë monumentet kryesore janë parë duke përdorur çadra dhe ventilatorë portativë për t’u mbrojtur nga dielli, ndërsa shumë prej tyre janë drejtuar te shatërvanët për t’u freskuar.

    Paralelisht, në Siçili vijojnë përpjekjet për shuarjen e zjarreve në pyje. Dy helikopterë janë angazhuar për të ndihmuar në kontrollin e një zjarri të nisur pranë malit Gulino, në afërsi të Palermos.

  • Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Tahiri: Moskonstituimi i Kuvendit po e çon Kosovën drejt një krize të thellë

    Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka kritikuar shumicën parlamentare për moskonstituimin e Kuvendit, duke thënë se kjo situatë e ka futur Kosovën në një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe politike.

    Tahiri ka deklaruar se gjendja në vend po përkeqësohet dhe po afrohet në një pikë kritike, duke përmendur edhe pasojat në siguri dhe ekonomi.

    Sipas tij, bojkoti dhe mosushtrimi i detyrës kushtetuese nga shumica parlamentare po prodhojnë pasoja të rënda për funksionimin e shtetit.

    “Tanimë kjo shumicë parlamentare, e cila sot e sa ditë është duke bojkotuar dhe duke mos ushtruar detyrën e vet kushtetuese, me moskonstituimin e Kuvendit e ka sjellë Kosovën në një depresion të thellë shoqëror, ekonomik dhe politik”, tha Tahiri.

    Ai shtoi se situata aktuale ndërlidhet edhe me sigurinë dhe ekonominë, duke thënë se Kosova po përballet me një krizë politike të paprecedentë.

    Tahiri pretendoi se kjo qasje është e qëllimshme dhe synon ta çojë vendin drejt një “krize identitare”.

    “Kjo është e qëllimshme. Kjo qasje, kjo mënyrë dhe ky përkushtim e ka vetëm një qëllim. Dhe qëllimi është ta sjellë shtetin e Kosovës në një krizë identitare”, deklaroi ai.

    Deputeti i Aleancës theksoi se pavarësia e Kosovës është arritja më e madhe kombëtare dhe se, sipas tij, duhet të mbrohet nga çdo përpjekje që cenon funksionimin institucional të vendit.