ATV

Author: ATVLive

  • “PLANI I RRITJES”, Situata në Kuvend sjell rrezik për vonesa

    “PLANI I RRITJES”, Situata në Kuvend sjell rrezik për vonesa

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Derisa marrëveshja e parë nga dy sish, në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor, është nënshkruar e është miratuar nga Qeveria, dhe po pret ratifikimin në Kuvend, tjetra nuk është firmosur ende.

    Pa dhënë detaje kohore, në Qeveri thanë se marrëveshja e dytë, ajo për kredi, e cila duhet të nënshkruhet me Komisionin Evropian, është duke u finalizuar.

    “Hapat e nevojshëm nga ana e qeverisë janë përmbushur tashmë dhe për të vijuar tutje presim finalizimin e Marrëveshjes për Hua nga ana e Komisionit Evropian, për të vazhduar me dorëzimin dhe ratifikimin e të dyjave në Kuvendin e Republikës, çka do të mundësojë më tej edhe marrjen e fondeve për Kosovën”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit për Integrim.
    Por, ratifikimi në Kuvend, i cili është parakusht për përfitimin e fondeve, rrezikon të vonohet për disa muaj.

    Kjo pasi, seanca e pasmesnatës në Kuvend javën e kaluar, në të cilët pushteti, pa opozitën, miratoi një mori ligjesh, u konsiderua mbase e fundit e kësaj legjislature.

    Derisa krahas Planit të Rritjes, një mori marrëveshjesh të tjera ndërkombëtare mbesin të paratifikuara, shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila tha se një seancë e re varet nga vullneti politik i të gjitha partive.

    Në një përgjigje për ATV-në, ajo tha se do të përpiqen të thërrasin një seancë për marrëveshjet ndërkombëtare.

    Në anën tjetër, partitë opozitare në Tetor thanë se do të mbështesin ratifikimin e dy ujdive nga Plani i Rritjes.

    Sidoqoftë, dështimi eventual për ratifikim para zgjedhjeve të 9 Shkurtit rrezikon të vonojë nisjen e projekteve, për të cilat mund të fitohet financimi, deri në vjeshtën e 2025-tës.
    Kjo pasi, procedurat dhe afatet e prokurimit marrin kohë.

    Praktikat, sipas Ilazit, tregojnë se ankesat dhe shqyrtimi i tyre janë element shtesë në vonesa.

    Në kuadër të Planit të Rritjes, Kosova mund të përfitojë deri në 882 milionë euro në formë grantesh dhe kredish – nëse do të ketë vonesa ose jo, varet kryekëput nga veprimet e të zgjedhurve të popullit në Kuvend.

  • “Turi në veri”, Terras vizitoi vendin e sulmit në Ibër Lepenc

    “Turi në veri”, Terras vizitoi vendin e sulmit në Ibër Lepenc

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Një ditë pasi nga Prishtina kërkoi që autorët e sulmit në kanalin e “Ibër Lepencit” të vihen para drejtësisë, Raportuesi për Kosovën i Parlamentit Evropian, Riho Terras, vizitoi vendngjarjen e 29 Nëntorit.

    Në qëndrimin e tij, në Varagë të Zubin Potokut, ai ishte i shoqëruar nga zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin Mitrovicë – Veri, Veton Elshani.

    Politikani estonez në terren pa punimet për sanimin e kanalit të dëmtuar nga shpërthimi, por nuk foli.

    Paraprakisht, ai qëndroi në Mitrovicë të Veriut.

    Aty, prapa dyerve të mbyllura, takoi përfaqësuesit të partive politike nga komuniteti serb.

    Pas takimit, Lista Serbe lëshoi një njoftim në të cilin, siç thuhet, e ka informuar Terrasin për “dhunën institucionale dhe fizike të regjimit në Prishtinë”.

    Euro-deputeti që ka për detyrë të shkruajë një raport për gjendjen në terren, takoi edhe përfaqësues të tjerë të komunitetit serb në veri.

    Për pak minuta ai qëndroi edhe në urën kryesore mbi lumin Ibër, ndërmjet jugut dhe veriut të Mitrovicës, por as aty nuk foli para mediave.

    Në kryeqytet, në ditën e parë të vizitës treditore, Terras takoi krerët shtetërorë presidenten, kryeministrin dhe kryeparlamentarin.

  • Lansohet sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike, 9 vjet pas miratimit të Ligjit

    Lansohet sistemi i hallkave për mbikëqyrje elektronike, 9 vjet pas miratimit të Ligjit

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Personi i cili ka urdhër nga gjykata të qëndrojë larg viktimës, në këmbë apo në dorë, do t’i vendoset kjo pajisje elektronike.

    Në momentin kur ai i afrohet personit që ka urdhër mbrojtjeje, pajisja do të sinjalizojë direkt në stacionin më të afërt të policisë, zyrtarët e së cilës duhet të ndërhyjnë menjëherë.

    Projekti i cili u lansua të martën, nga kryeministri e ministrja e Drejtësisë u vlerësua si fort i rëndësishëm posaçërisht për sigurinë e grave.

    “Një hap gjigant në mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave, të cilët na i kanë mbushur lajmet në këto vitet e fundit me rastet e dhunës në familje dhe kanë tronditur mbarë shoqërinë dhe kanë këputur jetë ose i kanë bërë ato të mjerueshme nëpër familjet e tyre”, tha kryeministri Albin Kurti.

    “Ky është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e tyre”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

    Mbikëqyrjen e personave të dyshuar, sidomos recidivistëve, do ta bëjë Polica.

    “Ne kemi krijuar një ekip të posaçëm për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe gjatë këtij viti kemi arritë që projektin ta kompletojmë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

    “Ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera, në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është do të thotë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave tona”, tha ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.

    Megjithatë, ende nuk dihet sasia e hallkave, të cilat mund të vendosen që në fillim të projektit.

    Në fakt, ligji për mbikëqyrje elektronike ishte miratuar qysh në vitin 2015.

    Që nga ajo kohë, qeveritë njëra pas tjetrës nuk arritën ta zbatonin fare. Tek në 2022, pas vrasjes së Hamide Magashit, ministrja Haxhiu njoftoi për ndarjen e disa qindra mijëra eurove për blerjen e hallkave, të cilat u blenë dy vjet më vonë.

    Për këto arsye, njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se vonesa e zbatimit të ligjit, ka shkaktuar mjaft pasoja.

    “Më mirë vonë se kurrë. Por, shumë gra janë vrarë tash e disa vite në mungesë të këtij sistemi. Ato nuk kthehen më në jetë”, tha Fehmije Gashi – Bytyqi, avokate.

    Veç kësaj, edhe zbatimi i projektit pritet të ketë sfida.

    Në muajin gusht, Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi tenderin për blerjen e hallkave të para elektronike.

  • Meta: Mund të ketë përçarje mes Qeverisë dhe listës GUXO kur Gërvalla të mos jetë më ministre e MPJD-së

    Meta: Mund të ketë përçarje mes Qeverisë dhe listës GUXO kur Gërvalla të mos jetë më ministre e MPJD-së

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Meta, i cili drejton degën e partisë GUXO në Ferizaj, në një prononcim për ATV-në, theksoi se në të ardhmen mund të ketë përçarje të reja mes GUXO-së dhe qeverisë, sidomos lidhur me ministren Donika Gërvalla.

    Ai tha se këto përçarje mund të ndodhin kur Donika Gërvalla nuk të jetë më ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

    “Ne në të ardhmen do të kemi një përçarje tjetër, tani mes partisë GUXO dhe qeverisë, kur ministrja Gërvalla natyrisht nuk do të jetë ministre e Punëve të Jashtme të Diasporës, për shkak se nuk duhet të jetë ministrie e Punëve të Jashtme dhe Diasporës”, tha Meta.

    Meta la të kuptohet se ky qëndrim mund të sjellë mosmarrëveshje të reja mes partnerëve në qeveri, duke vënë në pikëpyetje edhe rolin e Gërvallës në skenën diplomatike.

    Prononcimin e plotë të Burim Metës për ATV-në, e gjeni në videon më poshtë:

  • Burim Meta thotë se partia GUXO po humb identitetin dhe kauzën e saj

    Burim Meta thotë se partia GUXO po humb identitetin dhe kauzën e saj

    Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Burim Meta, i cili drejton degën e partisë GUXO në Ferizaj, në një prononcim për ATV-në, tha se kjo parti ka marrë një drejtim që po dëmton identitetin dhe kauzën për të cilat është krijuar.

    Ai vlerësoi se mospërfshirja e strukturave dhe veprimet e bashkëkryetarëve po minojnë besimin e anëtarësisë.

    “Është një mbyllje e partisë, është dëmtim i kauzës përmbi të cilat është krijuar partia GUXO, është largim nga identiteti dhe dinjiteti i saj politik partiak. Është rrënim i maksimës apo motës që e ardhmja i u takon atyre që guxojnë, të cilët pikërisht dy bashkëkryetarët, Peci dhe Gërvalla, nuk guxuan asnjëherë që të merren me partinë, që të merren me strukturat e partisë”, tha Meta.

    Meta paralajmëroi se pakënaqësi të ngjashme po shfaqen edhe në degë tjera si Peja, duke ngritur shqetësime për drejtimin e ardhshëm të GUXO-s.

    Prononcimin e plotë të Burim Metës për ATV-në, e gjeni në videon më poshtë:

  • ATV shpall konkurs për grimer/e (2 pozita)

    ATV shpall konkurs për grimer/e (2 pozita)

    Televizioni ATV ka shpallur konkurs për punësimin e dy grimerëve.

    Kandidatët e interesuar mund të aplikojnë duke dërguar CV-në e tyre në adresën [email protected].

    Afati për aplikim është deri më 15 dhjetor 2024.

  • “Superman” në Vushtrri, nxënësit pësojnë frakturë në këmbë e duar

    “Superman” në Vushtrri, nxënësit pësojnë frakturë në këmbë e duar

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Alivanosje e fraktura nëpër gjymtyrë, ishin disa nga pasojat që i pësuan nxënës të shkollave të ndryshme, derisa u bënë pjesë e sfidës virale të platformës “TikTok” – “SUPERMENI”.

    Së fundmi këtë sfidë e realizuan nxënës të shkollave të Vushtrrisë.

    Për këtë shkak, të hënën 15 minutat e orës së parë iu kushtuan këtij fenomeni, i cili po vlerësohet të jetë i rrezikshëm për fëmijë.

    “Në manual, ka pasë informata qysh nxënësit problematikë kërkojnë që të përfshihen të gjithë në atë lojë, e kemi pa të arsyeshme që klasat që nuk përfshihen janë me vetëdije të plotë”, tha Astrit Izmaku, drejtor i shkollës “SHMU1”.

    Për parandalimin e kësaj sfide dhe veprimet e ardhshme që duhet të ndërmerren, përfaqësues të Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri, të hënën janë takuar edhe me zyrtarë policorë.

    Sipas drejtorit të arsimit, Albanez Tahiraj, problemi është më i thellë sa i përket përdorimit të rrjeteve sociale.
    “Nxënësit po ndikohen edhe në ambiente familjare e fqinjësore, por ne po tentojmë që preventivën me e bë sa janë në shkollë”, tha Tahiraj.

    Përfshirjen e fëmijëve nëpër këto sfida, psikologu Naim Telaku e sheh edhe si vetëmbrojtje të tyre. Sipas tij, frika dhe bullizimi janë disa nga arsyet pse ata bëhen pjesë e realizimit të këtyre sfidave.

    “Fëmijët dhe adoleshentët e kanë trurin jo të mjaftueshëm, pa zhvilluar për ta ndaluar veten dhe disa impulse. Fëmijët më lehtë rrezikojnë me shëndetin e tyre, sesa me pas përjashtim social”, tha Telaku.

    Kjo është sfida e tretë që provohet nga nxënësit e shkollave në vend, pas asaj të vetëlëndimit dhe të alivanosjes.

    Madje, numri i saktë i përdorimit të kësaj platforme nga të miturit nuk dihet ngase, për qasje në Tik Tok, jo detyrimisht nevojitet një llogari.

    Përdorimi i platformës TikTok është i ndaluar në institucionet qeverisëse.

  • Kërkohet përfshirja e më shumë grave në ushtri

    Kërkohet përfshirja e më shumë grave në ushtri

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Kosova ka përqindje të ulët të përfshirjes së grave në ushtri, andaj si një shtet që synon anëtarësimin në NATO duhet të bëjë më shumë për të rritur pjesëmarrjen e grave në ushtri.

    Kështu u tha në konferencën me temën “Avancimi i përfaqësimit dhe rolit të grave në ushtri: Një hap drejt barazisë më të madhe gjinore, paqes dhe sigurisë”.

    Madje, Presidentja Vjosa Osmani, theksoi nevojën për hapjen e konkurseve dhe pranimin e grave në këtë institucion.
    “Është esenciale që në ushtri të përfshihen kurrikula për të trajtuar këto. Është me rëndësi që në konkurse që do të hapen në të ardhmen, të kemi dispozita të veçanta ashtu siç e lejon edhe Kushtetuta, të kemi mjete afirmative që sa më shumë gra të konkurrojnë dhe të bëhen pjesë e ushtrisë tonë”, tha Osmani.

    Duke përmendur kontributin e grave për lirimin e vendit, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se tashmë janë duke punuar në këtë drejtim.

    “MB-ja ka krijuar infrastrukturë ligjore që krijon barazi gjinore të barabartë për të gjithë. Gratë ushtare sot operojnë në kushte më të mira. Të gjitha masat e ndërmarra janë shtysa dhe inkurajojmë për integrimin e grave në ushtri. Nuk ka dyshim që gratë janë kompetente për t’i kryer të gjitha detyrat”, tha Maqedonci.

    Përfshirje më të madhe të grave në ushtri kërkuan edhe përfaqësues të NATO-s.

    “Barazia gjinore dhe kjo agjendë reflekton detyrat dhe prioritetet e Aleancës që janë integrale për paqen. Politika e re e NATO-s i parasheh katër pika, e para që të fuqizohen lidershipi për reagim dhe llogaridhënie, e dyta që të rritet numri i grave në vendimmarrje”, tha Christian Nawra, gjeneral brigade “Nalt”.

    Kjo konferencë u mbajt nën organizimin e Presidencës së Kosovës, në kuadër të Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.

  • Kurti e Vitia përurojnë hapësirat e rinovuara në Radiologji

    Kurti e Vitia përurojnë hapësirat e rinovuara në Radiologji

    Përgatiti: Besmire Kluna

    Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizituan Klinikën e Radiologjisë ku thanë se po investohet në rritjen e kualitetit të diagnostikimit, si dhe në cilësinë e shërbimeve për pacientë.

    Sipas Kryeministrit Kurti, në hollet e tri korridoreve të tri klinikave, asaj të Klinikës së Radiologjisë, Kirurgjisë dhe Biokimisë Mjekësore janë kryer me sukses mbi 90% të renovimeve në trajtimin e murit, plafonit, ndriçimit, ventilimit, klimatizimit dhe instalimeve elektrike.

    “Këtu ku ndodhemi, kemi bërë adaptimin e korridoreve dhe pritoreve, përveç klinikës Radiologjisë, edhe në biokimi mjekësore dhe kirurgji, vlera e gjithmbarshme është hiç më shumë se 393 mijë euro’’, tha Kurti.

    Ai tha se Shërbimi Klinik i Mjekisë Nukleare është pajisur edhe me aparaturën SPECT- CT, kostoja e të cilit është 850 mijë euro.

    Ndërkaq, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, theksoi se këto investime po bëhet me synim për të arritur kualitetin e diagnostikimit dhe intervenimit sa me të lehtë të pacientëve.

    “Po investojmë shumë edhe në aparatura në trajtim që sa me mënyrë cilësore dhe komode për profesionistët shëndetësorë, po njësoj sa me mënyrë cilësore edhe qytetarët tanë t’i marrin këto shërbime këtu, e tash në Klinikën e Radiologjisë siç po e shihni këtu është hapi i parë i intervenimeve në sportele’’, tha Vitia.

    Qeveria ka investuar edhe në renovimin e Klinikës së Onkologjisë, në atë së Kardiokirurgjisë dhe në atë të Ortopedisë.

  • Mes tensionesh, Prishtina miraton Buxhetin për vitin 2025

    Mes tensionesh, Prishtina miraton Buxhetin për vitin 2025

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Partia me më së shumti asamblistë në Komunën e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje, të hënën ishte pakicë.

    Në seancën e kuvendit komunal erdhën vetëm dy nga ta, por prezenca e tyre, bashkë me një asamblist të PDK-së, ishin dritë e gjelbër në miratimin e buxhetit për vitin 2025.

    Kështu, pas 3 dështimeve radhazi, këtë herë me 25 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, buxheti prej 128 milionë euro për vitin e ardhshëm, u miratua.

    Vota pro e asamblistëve të Vetëvendosjes, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, e nervozoi shefin e asamblistëve të kësaj partie, Gëzim Sveçla.

    Sveçla dhunshëm e ka shkulur mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina.

    Pas këtij akti, ai iu drejtua asamblistëve të LV-së, me një ton të ashpër.

    Mirëpo, një orë pas ngjarjes, Sveçla hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i mikrofonit u bë për shkak të miratimit të buxhetit.

    Pas pauzës, mikrofoni u rregullua, por mbledhja nuk vazhdoi edhe gjatë.

    Në rend dite ishin propozimi i vendimit për planin e hollësishëm të zonës ekonomike, plani zhvillimor 2024/2032, plani i hollësishëm për zhvillimet në Mati 1, si dhe caktimi i lokacioneve për ndërtimin e çerdhes dhe xhamisë në Shkabaj.

    Mirëpo, në mungesë kuorumi, seanca u mbyll duke u shtyrë për një ditë tjetër.

    Mosmiratimi i këtyre pikave, sipas Nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, ndikon negativisht në jetën e qytetarëve të kryeqytetit. Dhe sipas tij, dështimi i mbajtjes së seancës është pasojë e situatës së krijuar nga Sveçla, veprim të cilin e quajti skandaloz.

    Asamblistët e Vetëvendosjes më vonë gjatë të hënës vendosën në hyrje të Komunës edhe një baner me shkrimin “Komuna e Devollëve”, në shenjë proteste për projektet që kaluan në Kuvendin Komunal.

    Seanca e radhës pritet të mbahet të mërkurën.