ATV

Mes tensionesh, Prishtina miraton Buxhetin për vitin 2025

Written by

in

Përgatiti: Pranvera Krasniqi

Partia me më së shumti asamblistë në Komunën e Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje, të hënën ishte pakicë.

Në seancën e kuvendit komunal erdhën vetëm dy nga ta, por prezenca e tyre, bashkë me një asamblist të PDK-së, ishin dritë e gjelbër në miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Kështu, pas 3 dështimeve radhazi, këtë herë me 25 vota për, një abstenim dhe asnjë kundër, buxheti prej 128 milionë euro për vitin e ardhshëm, u miratua.

Vota pro e asamblistëve të Vetëvendosjes, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, e nervozoi shefin e asamblistëve të kësaj partie, Gëzim Sveçla.

Sveçla dhunshëm e ka shkulur mikrofonin e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina.

Pas këtij akti, ai iu drejtua asamblistëve të LV-së, me një ton të ashpër.

Mirëpo, një orë pas ngjarjes, Sveçla hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i mikrofonit u bë për shkak të miratimit të buxhetit.

Pas pauzës, mikrofoni u rregullua, por mbledhja nuk vazhdoi edhe gjatë.

Në rend dite ishin propozimi i vendimit për planin e hollësishëm të zonës ekonomike, plani zhvillimor 2024/2032, plani i hollësishëm për zhvillimet në Mati 1, si dhe caktimi i lokacioneve për ndërtimin e çerdhes dhe xhamisë në Shkabaj.

Mirëpo, në mungesë kuorumi, seanca u mbyll duke u shtyrë për një ditë tjetër.

Mosmiratimi i këtyre pikave, sipas Nënkryetarit të Prishtinës, Alban Zogaj, ndikon negativisht në jetën e qytetarëve të kryeqytetit. Dhe sipas tij, dështimi i mbajtjes së seancës është pasojë e situatës së krijuar nga Sveçla, veprim të cilin e quajti skandaloz.

Asamblistët e Vetëvendosjes më vonë gjatë të hënës vendosën në hyrje të Komunës edhe një baner me shkrimin “Komuna e Devollëve”, në shenjë proteste për projektet që kaluan në Kuvendin Komunal.

Seanca e radhës pritet të mbahet të mërkurën.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *