ATV

Author: ATVLive

  • A mund t’i bëhet gjyq parasë?

    A mund t’i bëhet gjyq parasë?

    NGA BEN ANDONI

    Shkrimi i një vepre korale në letërsi, siç është romani, përballet me një vështirësi organike që lidhet me strukturën e librit dhe pastaj plazmimin e idesë. Ata që e shkruajnë rregullisht letërsinë i besojnë shqisës së shkrimtarisë dhe sintezës nga përfytyrimi i të përgjithshmes. Ndërsa një pjesë fare e thukët që kanë formim shkencor shoqërohen me një pengesë të madhe, e cila rrjedh nga kufizimet që u dikton formimi i tyre. Ca më shumë, në rast se flitet për një nocion abstrakt si paraja, vështirësia rritet edhe më tej, sepse vetë financat janë abstrakte, disa herë t’lidhura me leksik të vështirë dhe brenda të gjithës kemi një lloj mekanike ekonomike.

    Aty parakalon përfytyrimi mbi dinamikën e tregut, ligjet bazë të ofertës dhe kërkesës, formimi i çmimeve, qarkullimi i parasë dhe deri te balancimi automatik i tregut pa ndërhyrjen e jashtme. Dikush që nuk e ka këtë formim, nëse do t’i drejtohej parasë, me gjasë do ta trajtonte në formë shumë të huaj, ndërkohë që studiuesi i ekonomisë dhe pedagogu Adrian Civici, përshkoi qetësisht një udhë tjetër. Romani i tij me emrin “Gjyqi i parasë”, botuar dhe redaktuar cilësisht nga ekipi i Mediaprint, arriti t’ia dalë mbi esenë dhe t’i kërkojë ndihmë letërsisë që abstraksionin ekonomiko-kulturor ta përcjelli me kanone letrare. Duket që është e konceptuar fillimisht si ese dhe për shkruesin e këtyre rreshtave do të duhej mbase të mbetej e tillë, pasi ka intensitet të madh mendimi, përsiatje dhe elementë që njeriu do t’i përthithë brenda kanoneve të esesë.

    Veçse, mendimi i autorit duket se ka dashur ta zbusë dhe ta lehtësojë lexuesin e shekullit XXI. Sprovat e tjera mbase duhet të jenë të një zhanri letrar të përzier me peshë esenë, sepse sot i mungon publikut ky lloj mendimi dhe mbi të gjitha abstragimet, mendimet dhe simbolikat nga ekonomia me vetë abstraktin para. Befas, esse-ja e tij i është dorëzuar letërsisë. Sprova është e vështirë, por mendoj që autori e ka mbajtur kadencën brenda rregullave të letërsisë dhe në kompozicionin e tij përballemi me dy plane rrëfimi, ai që lidhet me Mateon, si personazh kryesor dhe që përfshin brenda edhe një nënplan me përsiatjen eseistike-filozofike të autorit për paranë dhe planin e dytë, atë gati surreal që lidhet me Gjyqin e Parasë. Kjo qasje është edhe ajo që ruan ritmin e autorit, brenda kompozicionit. Në Gjyqin e Parasë personazhet janë të paidentifikueshëm dhe të sjellin ndërmend deridiku konceptin e Providencës që është futur si element në një nga ekranizimet e para franceze të Don Zhuanit. Personazhet e autorit që ndihmojnë dinamikën e librit, janë dy qendrorë, Mateo dhe Erina, që duket se shpesh bëjnë me njëri-tjetrin rolet e Faustit dhe Mefistofelin, kurse të tjerët thjeshtë ndihmës që të kuptojmë me një lloj rikthimi pas Mateon, duke e shndërruar si boshtin. Me një sens mase të mirë, autori e mban ritmin e romanit me anë të numrave, kur në libër paraqitet minutazhi i kredisë dhe luhatjet e ndryshme që lidhen me paranë. Trokitja në formë pulsimi e numrave në ekran të kërkon vëmendje.

    E, sërish, nëse do e linte kështu librin e tij do të ishte shumë grihnajë, ndaj autori për të lehtësuar vëmendjen e lexuesit dhe mbase dhe për t’i argëtuar bashkë me veten (shenjë që e menaxhon subjektin) i shkëputet jo pak herë përballjeve të ashpra me një kategori si paraja dhe bën përshkrime, si për ta na treguar se është familjar me letërsinë. Ndërkohë që mendime të ndryshme, shprehur sistematikisht për bashkëkohësinë në qytetin tonë, na e sjellin romanin dhe e shndërrojnë gati në një histori të Shqipërisë dhe veçanërisht kryeqytetit, të parë nga personazhi i tij, njeri i financave dhe në funksion të parasë. Vertikaliteti i qytetit me kullat shkon me këtë përsiatje disi cinike dhe përball paranë që ka pushtet të epërm, një lloj shemrie që njeriu duket se i bëri dikur vetes me sfidën e Babelit. Autori ka lënë një rrjedhë për respektin e ndaj intelektualit, njeriut dhe idealistit. Tek e fundit, është ai, si personazhi i tij, i cili mendon ta dënojë paranë.

    “Intelektuali i pavarur u bë thjesht një bezdi për partitë, ndërsa deputeti i bindur falte qetësi, nuk prishte punvetëm dëgjonin…”. Ndërkohë që rrjeti i personazheve dhe tensioni maturohet, duket se ndenja e pezulit (suspansës) duhej të administrohej edhe pak më mirë, në mënyrë që vëmendja të ishte më e adresuar. Autori megjithatë i ndërgjegjshëm për peshën e romanit, i vendos personazhet dhe situata e tij në shumë aspekte, si dasma, por edhe në vende të ndryshme për të dhënë sa më të plotë peizazhin social përballë dhe si funksion i parasë.

    Autori është i kujdesshëm që ta përshkoj lehtë fillimin (ekspozicioni), pastaj ngjitjen e kureshtjes për pikën e kthesës dhe me kujdes shkon te klimaksi i tij, i cili mbase mund të zgjidhej pak më ashpër, derisa e përçon tek zgjidhja. Kapitujt janë menduar të jenë të shkurtër dhe intermexot e maturuara që futen me gjyqin e parasë e bëjnë romanin ta kalosh lehtësisht nga gjendja në gjendje për të mbajtur vetë një pezull. Për të cilin autori e bën instinktivisht, por mbase edhe e ka si qëllim. Në fakt, është një handikap instiktiv që i ndodh autorit, sepse lexuesi i tij tërhiqet më shumë me mendimet e tij që duhen vlerësuar për sinteza vërtetë të thella. Ato jo vetëm të grishin por të kërkojnë të përfshihesh me të. Por, vjen “kthjellimi”.

    Këtë e bën Gjyqi, i cili mban peshën e romanit, e disa herë bëhet gati sublim: “Paraja ishte përkulur mbi fronin e saj pa formë. Shkëlqimi i dikurshëm dukej i venitur. Nuk ngjante më me një perëndeshë fitimtare, por me një hyjni të lashtë që, pas një kohe pafundme adhurimi, kishte dëgjuar më në fund një të vërtete që nuk mund ta blinte”. Nëse do të hiqen disa elementë identifikues, si lokacioni i Tiranës dhe peizazhi i saj, romani mund të përfshinte çdo metropol tjetër, por autorit i intereson qyteti i tij dhe në një formë edhe mesazhi i tij për shkatërrimin dhe metamorfozën. Shkaktari është aty, pa gjini, pa shprehje pa formë: “Paraja nuk ka erë”. Mbase vërtetë nuk ka erë për ata që e numërojnë, por për ata që jetojnë nën peshën e saj, ajo lë gjithmonë një aromë. I ngjan asaj që lëshojnë disa kafshë dhe të kapin në grackën e tyre, mu në atë shfaqje që pavetëdija dorëzohet e bindur. E këtë rast autori në materien e tij të studiuesit i kushtohet qenieve humane dhe madje në një fushë tejet të spikatur, siç është socioekonomia në vetvete dhe që i ka kushtuar vitet e mëdha të punës në historinë e ekonomisë, ku modelet klasike e shohin ekonominë si një sistem mekanik (ngjashëm me fizikën), ku çdo veprim sjell një reagim të parashikueshëm. Dhe, një njeri i shkencës, e përshtat deri në qasjen reale, duke treguar metamorfozën e njeriut sot: “Njeriu nuk thyhet menjëherë. Nis me një kompromis të vogël. Një heshtje. Një justifikim, pastaj një tjetër… dhe një tjetër… derisa një ditë nuk jeton më sipas vetes, por sipas gravitetit të sistemit”.

    Historitë e parave, zakonisht në letërsi, shpesh mbështeten në trope si të sfilitura: Njerëzit e parave janë të panginjur, zemërftohtë apo në forma patetike, një fisnik i varfër që po vuan. Autori ynë e braktis këtë udhë dhe shkon në nuanca psikologjike dhe, madje në këtë grihnajë të padukshme të parasë bën një nëpunës që ka përmasa humane. “Dikur njerëzit plakeshin duke folur për fatin, për Zotin, për dashurinë. Ndërsa sot, duke parë interesat e kredive dhe çmimet e apartamenteve”. Autori nuk e bën paranë “rrënjën e të gjitha të këqijave” por një perëndi që ka pamjen e Janusit, që arrin të çlirojë por edhe korruptojë, apo të zgjidhë një problem dhe të hapë një tjetër. Njeriu që përballet me të, shpesh mund të mbetet si ai “Aktori më tragjik që është gjithmonë ai që vazhdon ta luajë rolin me ndershmëri”, thotë diku.

    Fare normal vjen momenti i fundit dhe Verdikti i Gjykatës që kumton një realitet të hidhur, sipas të cilit nuk po gjykohet Paraja, por marrëdhënia jonë me të. Dhe, tek paraja, ai bën një sintezë për kohën ku jetojmë, dorëzimin e intelektualit, makthin për fitimin: “Fajtore është padituria, është heshtja, turpi nga mungesa, lakmia e lindur nga frika”. Këtu lexuesi duhet të ndalet dhe të kthejë sytë nga leximi i tij. Autori ka bërë jo thjesht një punë të mirë, por sfiduese sa i përket artit të letërsisë dhe kjo e bën që të marrë vlerësime por mbi të gjitha të mbetet. A nuk është kjo vallë, dëshira e një njeriu që shkruan?

  • Tarifa e Presidentit Trump dhe beteja për rendin ekonomik botëror

    Tarifa e Presidentit Trump dhe beteja për rendin ekonomik botëror

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Propozimi i administratës “Trump”, i shpallur më 25 nëntor, për tarifa të reja ndaj 14 partnerëve të mëdhenj tregtarë, përfshirë Kinën, Bashkimin Evropian dhe Japoninë, e rikthen politiken e tarifave dhe tregtinë në qendër të vemendjes ndërkombëtare. Një offensive e re tregtare pritet të fillojë. Arsyetimi zyrtar është se subvencionet dhe kapacitetet e tepërta industriale të këtyre ekonomive shtrembërojnë konkurrencën dhe dëmtojnë prodhimin amerikan. Por iniciativa ka një domethënie më të gjerë: Uashingtoni kërkon ta përdorë peshën e tregut të vet për të riformuluar kushtet e marrëdhënieve ekonomike me pjesën tjetër të botës.

    Në këtë politikë të re duhet të dallojmë problemin nga instrumenti. Praktikat që cenojnë konkurrencën mund të kërkojnë ndërhyrje, por kjo nuk do të thotë se mund të përdoret dhe të jetë efektive në çdo rast. Kur nisi kjo politikë e re?

    Fillimet i përkasin mandatit të parë. Në vitin 2018 administrata “Trump” vendosi tarifa mbi mallra kineze me vlerë miliardash dollarësh. Si arsye shfaqi transferimin e detyruar të teknologjisë dhe cenimin e pronësisë intelektuale. Mosmarrëveshja ishte më e madhe se bilanci tregtar: Uashingtoni dyshonte se Pekini po ndërtonte epërsi në industritë e së ardhmes me ndihmën e shtetit.

    Këtë dyshim nuk e ndan vetëm Presidenti Trump. Administrata ‘Biden’ i mbajti tarifat ndaj Kinës dhe në vitin 2024 shtoi të tjera, mes të tjerash për automjetet elektrike, qelizat diellore dhe gjysmëpërçuesit. Ndryshonte mënyra e zbatimit. Biden kërkoi marrëveshje me aleatët, për shembull kuota për çelikun dhe aluminin evropian, ndërsa Trump shpesh i trajtoi partnerët si konkurrentë.

    Pas rikthimit në pushtet në janar 2025, Trump e zgjeroi shtrirjen e tarifave. Në fillim të vitit vendosi tarifa për Kanadanë, Meksikën dhe Kinën, duke përmendur fentanilin dhe migracionin. Më 2 prill, në ceremoninë që e quajti “Dita e Çlirimit”, shpalli tarifa për pothuajse të gjitha vendet. Më pas vijuan tarifat për çelikun, aluminin dhe automjetet, të justifikuara me sigurinë kombëtare. Sipas Tax Foundation, politika tarifore amerikane ka ndryshuar më shumë se 50 herë që nga janari 2025.

    Në shkurt 2026, Gjykata e Lartë vendosi se ligji i emergjencave ekonomike, mbi të cilin ishin ngritur tarifat e përgjithshme, nuk e lejon presidentin t’i vendosë ato. Administrata përdori për disa muaj një tarifë të përkohshme globale prej 10%, e lejuar nga një nen tjetër. Tarifat sektoriale mbetën në fuqi, sepse mbështeten në ligje të tjera. Paketa e re lindi nga nevoja për një bazë ligjore që gjykata të mos e rrëzojë.

    ÇFARË PËRMBAN PROPOZIMI I RI?

    Zyra e Përfaqësuesit Amerikan të Tregtisë e mbështet paketën te neni 301 i ligjit të tregtisë të vitit 1974, pas një hetimi tetëmujor për kapacitetet e tepërta. Procedura kërkon dëgjesa dhe konsultime, prandaj tarifat nuk hyjnë në fuqi menjëherë. Dëgjesa publike pritet në janar, dhe zbatimi mund të vijë në shkurt ose mars te vitit pasues.

    Për Kinën propozohet një normë shtesë prej 20%, që do t’u shtohej tarifave ekzistuese. Për Bashkimin Evropian, Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Zvicrën parashikohet një tavan prej 15%, duke përfshirë detyrimet që ekzistojnë tashmë. Vendet e Azisë Juglindore përballen me norma rreth 18-20%, ndërsa Vietnami dhe India mund të paguajnë më shumë nëse nuk arrijnë marrëveshje. Për gjysmëpërçuesit dhe disa produkte të tjera teknologjike janë paraparë përjashtime. Shifrat e sakta mund të ndryshojnë gjatë konsultimit.

    Tavanet janë të lidhura me marrëveshjet që disa partnerë kanë nënshkruar gjatë vitit të kaluar. Kjo e bën tarifën një mjetnegocimi: partneri që pranon kushtet amerikane paguan më pak, ai që reziston paguan më shumë.

    KUSH E PAGUAN FATURËN?

    Në fjalimet politike tarifa paraqitet shpesh si taksë që paguan vendi eksportues. Në praktikë e paguan importuesi në doganë, dhe kostoja ndahet mes kompanisë, furnizuesit të huaj dhe blerësit përfundimtar. Analizat e mëparshme për tarifat e çelikut e të aluminit treguan se pjesa më e madhe e kostos kaloi në çmimet që paguan ekonomia amerikane.

    Kjo e ndërlikon qëllimin e mbrojtjes industriale. Një prodhues çeliku mund të përfitojë nga tarifa, por fabrika që e blen çelikun për të ndërtuar makineri paguan më shumë dhe bëhet më pak konkurruese. Për këtë arsye numri i vendeve të punës të ruajtura në një sektor nuk mjafton për të vlerësuar politikën. Duhet parë edhe ç’humbet në sektorët që përdorin lëndët e para dhe te konsumatorët.

    Për paketën e fundit, ekonomistët nuk presin goditje të madhe në çmime, pasi një pjesë e tarifave zëvendëson masa ekzistuese. Goldman Sachs llogarit se norma mesatare tarifore amerikane do të ngrihej nga 7,8% në 9,2%, me efekt të vogël në inflacion. Janë parashikime dhe jo rezultate të matura. Tax Foundation vlerëson se tarifat në tërësi do ta ulin prodhimin e brendshëm bruto afatgjatë me rreth 0,4%.

    Edhe pritshmëria për rikthimin e fabrikave kërkon vemendje. Kur tarifa e bën më të shtrenjtë importin nga Kina, blerësit shpesh kalojnë te një furnizues tjetër, në Vietnam, Meksikë ose Indi, dhe prodhimi nuk kthehet domosdoshmërisht në Amerikë. Fabrikat kërkojnë punonjës të kualifikuar, energji të lirë dhe investime shumëvjeçare. Tarifa vetë nuk i siguron këto.

    POLITIKA E BRENDSHME DHE ALEATËTI NENESHTROHEN.

    Politikisht tarifat kanë një tërheqje të qartë. Fabrika që mbyllet është e dukshme, ndërsa përfitimi i çmimeve të ulëta shpërndahet te miliona njerëz dhe nuk vihet re. Por i njëjti votues është edhe punëtor edhe konsumator, dhe kostoja e jetesës ishte një nga temat që peshuan në zgjedhjet e nëntorit. Demokratët kontrollojnë tani Kongresin, megjithatë shqetësimi për kapacitetet kineze ndahet edhe nga shumë republikanë, prandaj heqja e tarifave nuk është e sigurt.

    Për aleatët situata është e vështirë. Një front i përbashkët me Evropën, Japoninë dhe Korenë e Jugut do ta forconte presionin mbi Kinën. Por këto vendei neneshtrohen tarivae edhe vetë, dhe marrëveshjet e nënshkruara nuk u japin siguri se kushtet nuk do të ndryshojnë përsëri. Pasiguria ka kostot e veta: kompanitë shtyjnë investimet, qeveritë kërkojnë tregje të reja dhe varësia nga tregu amerikan fillon të shihetme risk. Me Kinën, armëpushimi tregtar skadon më 10 janar. Në tryezë janë edhe mineralet e rralla dhe blerjet kineze të prodhimeve bujqësore amerikane. Përjashtimet për teknologjinë e lartë tregojnë se edhe Uashingtoni ka kufij: nuk mund t’i ndërpresë furnizimet që i duhen vetë industrisë së tij.

    NJË GLOBALIZIM MË I POLITIZUAR.

    Tarifat e reja nuk do ta ndalojnë globalizimin. Do ta shtyjnë drejt një forme ku zinxhirët e furnizimit përzgjidhen edhe sipas vendit të origjinës, kontrollit të teknologjisë dhe besueshmërisë politike, jo vetëm sipas çmimit. Rregullat e përbashkëta, që prej dekadash e mbanin tregtinë të parashikueshme, po zëvendësohen pjesërisht nga marrëveshje dypalëshe të negociuara, jo rrallë edhe nën presion.

    Ekonomitë e vogla e ndiejnë më shumë këtë ndryshim, sepse kanë më pak fuqi për të kërkuar përjashtime. Shqipëria nuk është në listën e 14 vendeve dhe efekti i drejtpërdrejtë në ekonominë tonë është i kufizuar. Ndikime të tërthorta mund të vijnë nëpërmjet ngadalësimit të ekonomive evropiane, partnerëve tanë kryesorë. Këtë e them si skenar dhe jo si pasojë të matur.

    Muajt në vijim do të tregojnë drejtimin. Dëgjesa e janarit dhe afati i 10 janarit me Kinën do të vendosin nëse tarifat shërbejnë për të arritur marrëveshje më të qëndrueshme ose bëhen një gjendje e përhershme presioni. Për shumë vende, përgjigjja do të përcaktojë nëse tregu amerikan mbetet pjesë e një sistemi me rregulla të përbashkëta ose nëse ato do të ndërtojnë gradualisht lidhje alternative.

  • Hapini sytë, ofertat janë këtu! Black Friday në Interex me EXTRA zbritje deri në 80%!

    Hapini sytë, ofertat janë këtu! Black Friday në Interex me EXTRA zbritje deri në 80%!

    Hapini sytë mirë, sepse këto zbritje nuk kalojnë pa u vënë re!
    Black Friday po vjen në Interex me EXTRA oferta dhe zbritje deri në 80% në produkte shtëpiake dhe tekstil!

    Nga 25 nëntori deri më 1 dhjetor 2026, Interex sjell 7 ditë me çmime dhe mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga ofertat më të shumëpritura të vitit.

    Po mendoni t’i jepni një pamje të re shtëpisë? Apo keni lënë disa blerje për momentin e duhur? Momenti është tani! Nga produktet shtëpiake deri te tekstili, EXTRA ofertat ju japin më shumë arsye për të blerë dhe më pak arsye për të pritur.

    Nën moton “Hapini sytë, ofertat janë këtu!”, Interex e kthen Black Friday në 7 ditë plot mundësi për blerje të zgjuara dhe kursime të mëdha.

    Hapini sytë, bëjeni gati listën dhe drejtohuni në Interex! Mos lejoni që EXTRA ofertat t’ju kalojnë para syve pa përfituar!

    BLACK FRIDAY NË INTEREX – 7 ditë EXTRA oferta, deri në 80% zbritje!

    25 nëntor – 1 dhjetor 2026

  • Trilaterali historik i Shenzhenit

    Trilaterali historik i Shenzhenit

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Takimi i shumëpritur i Shenzhenit ndërmjet liderëve të SHBA, Federatës Ruse dhe Republikës Poullore të Kinës përfundoi me një dokument të përbashkët, të titulluar “Deklaratë drejt paqes”. Ky zhvillim i jep samitit një përmbajtje që shkon përtej kontaktit personal mes Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin.

    Vleresimet e arrira dhe angazhimet politike të kësaj Deklarate, përmbajtja e saj do jenë të një rëndësie të veçantë nga zbatimi isaj. Deklarata e krerëve të shteteve të Kinës, Rusisë dhe SHBA-së drejt paqes Xi Jinping, President i Republikës Popullore të Kinës, Vladimir Putin, President i Federatës Ruse dhe Donald J. Trump, President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u takuan në Shenzhen më 19 nëntor 2026. Krerët e shteteve të Rusisë dhe SHBA-së shprehën mirënjohjen ndaj Kinës për organizimin e këtij samiti historik trepalësh. Tre krerët e shteteve zhvilluan një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh mbi situatën aktuale ndërkombëtare dhe u angazhuan për ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe të sigurisë ndërkombëtare.

    1. Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara u angazhuan për reformimin e OKB-së, në mënyrë që organizata t’u përgjigjet më me efektivitet sfidave globale dhe t’i përmbahet misionit të saj themelor për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.
    2. Të tria vendet planifikojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës, në dobi të të gjitha kombeve. Ato riafirmuan rëndësinë e qëndrueshmërisë së flukseve energjetike.
    3. Tre krerët e shteteve pranuan se parimi i pëlqimit të shteteve dhe respektimi i imuniteteve të zyrtarëve shtetërorë kanë rëndësi parësore dhe ranë dakord se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe organe të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.
    4. Tre krerët e shteteve riafirmuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Të tria vendet do të zhvillojnë dialog për zvogëlimin e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.

    Deklarata mbështet reformimin e OKB-së. Në fushën ekonomike, ajo shpreh synimin për të rritur prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës. Një pjesë veçanërisht politike i kushtohet imunitetit të zyrtarëve shtetërorë dhe veprimtarisë së Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Teksti mbyllet me angazhimin për dialog mbi uljen e rreziqeve bërthamore dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore. Tashme mund të themi se egziston një document I shkrua, i bashkëpranuar, për bashkëpunim, edhe pse ne te nuk cakton afatë dhe nuk përcaktohet një mekanizëm i hollësishëm zbatimi.

    Përfundimi më i arsyeshëm është se Shenzheni prodhoi një marrëveshje politike fillestare, vlera e së cilës do të varet nga puna që do të vijojë dhe nga veprimet e nevojshme diplomatike dhe politike që kërkon kapërcimi i vështirësive që (me shumë mundësi) mund të dalin në të ardhmen. Sidoqoftë vlen të theksohet se vlera shumefishte e takimit dhe e deklaratës së përbashkët është e një rëndësie të madhe, po aq e madhe sa ishte mungesa e BE apo e Francës apo Mbretërisë së Bashkuar nga ky takim.

    PËRFITIMI POLITIK I TAKIMIT ERDHI MENJËHERË

    Për Putinin, vetë zhvillimi i takimit kishte vlerë.Presidenti rus u shfaq përkrah Presidentit amerikan, me Kinën si mikpritëse, në një tryezë ku diskutohej përgjegjësia për sigurinë botërore. Trump e quajti mik gjatë takimit të tyre të veçantë. Ky trajtim i shërben përpjekjes së Kremlinit për ta paraqitur Rusinë si një fuqi pa të cilën problemet ndërkombëtare nuk mund të zgjidhen. Përfitimi në imazh është i dukshëm, megjithëse nuk përbën provë për ndonjë lëshim amerikan ndaj kërkesave ruse. Ky dallim ka rëndësi për të kuptuar llogaritjen e Moskës. Një takim mund të prodhojë normalizim në gjuhën diplomatike edhe kur marrëdhëniet ekonomike mbeten të kufizuara. Për Kremlinin, krijimi i përshtypjes se izolimi politik po zbutet mund të jetë një rezultat më vete. Sa larg mund të shkojë ky përfitim varet nga vendimet që do të marrë Uashingtoni më pas.

    Xi fitoi nga pozita e mikpritësit. Shenzheni e vendosi Kinën në qendër të një ngjarjeje diplomatike me vëmendje botërore. Presidenti kinez propozoi kontakte të rregullta mes udhëheqjeve dhe mekanizma komunikimi për rastet e krizave. Një propozim i tillë i lejon Pekinit të paraqitet si mbështetës i stabilitetit, në një kohë kur marrëdhëniet e tij me Uashingtonin mbeten të ngarkuara nga konkurrenca strategjike. Ende nuk është bërë e qartë nëse propozimi u kthye në një angazhim të përbashkët. Trump, nga ana e tij, e paraqiti takimin si shprehje të një qasjeje që u jep përparësi bisedimeve të drejtpërdrejta me kundërshtarët. Megjithatë vështirësia fillon kur marrëdhënia personale duhet të prodhojë ndryshime në politikën shtetërore. Ngrohtësia mes udhëheqësve mund ta lehtësojë komunikimin, por nuk e shpjegon ende çfarë është i gatshëm të pranojë secili.

    Sidoqoftë, për t’i qëndruar besnikë traditës së takimeve të tilla edhe në të kaluarën, mund të themi se secili president mund të kthehet në zyrën e tij përkatëse me një histori të pëlqyeshme për publikun e vet, në të njëjtën kohë që mosmarrëveshjet që e bënë të nevojshëm takimin jo detyrimisht u zhdukën. Ukraina hyri në bisedën e ketij takimi. Një zhvillim që meriton vëmendje është vendi që zuri ne takim dhe mori Ukraina në deklaratat publike? Përpara samitit, zyrtarët amerikanë kishin treguar se lufta nuk parashikohej të ishte pjesë e formatit trepalësh. Në Shenzhen, Trump tha se dëshironte ta diskutonte përfundimin e saj. Ukraina ishte trajtuar edhe në takimin e tij të veçantë me Putinin.

    Kjo tregon se diskutimi publik u zgjerua përtej pritshmërive të paralajmëruara por pa dëshmuar se u arrit një mirëkuptim për kushtet e paqes, gjë që në një fare mënyre spjegon edhe faktin se pse Ukraina nuk përmendet në deklaratën e përbashkët. Për Kievin, shqetësimi është i kuptueshëm. Diskutimi i së ardhmes së një vendi pa përfaqësuesit e tij krijon pasiguri mbi peshën që do t’i jepet vullnetit të tij. Në të njëjtën kohë, të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner paralajmëruan bisedime me Ukrainën dhe partnerët europianë në Berlin, me synimin për të afruar qëndrimet mbi një marrëveshje të mundshme paqeje. Kjo tregon se diplomacia vazhdon edhe jashtë tryezës së Shenzhenit.

    Për Europën, rëndësi do të ketë mënyra si lidhen këto kanale. Konsultimi me aleatët duhet të ndikojë në përmbajtjen e negociatave. Nëse shërben vetëm për t’i njoftuar pasi janë krijuar mirëkuptime të tjera, besimi apo mosbesimi brenda marrëdhënies transatlantike vihet ne diskutim.Një marrëveshje që kërkon mbështetje europiane për t’u zbatuar ka nevojë për përfshirjen e Europës gjatë hartimit të saj. Edhe krahasimi me një “Jaltë të re” kërkon maturi. Nga informacioni i bërë public, ashtu si edhe nga deklarata e përbashkët, nuk del një marrëveshje për ndarjen e zonave të ndikimit. Megjithatë, pamja e tri fuqive që diskutojnë përgjegjësinë e tyre të veçantë për botën ngre shqetësime për vendet që varen nga respektimi i rregullave ndërkombëtare.

    Për to, siguria nuk mund të mbështetet vetëm te mirëkuptimi i nje takimi mes presidentëve. Këtu qëndron një problem më i gjerë i marrëdhënieve ndërkombëtare. Fuqia u jep shteteve mundësi të ndikojnë mbi të tjerët, por nuk u jep automatikisht të drejtën të vendosin në emër të tyre. Një proces diplomatik bëhet më i qëndrueshëm kur vendet e prekura kanë arsye ta pranojnë rezultatin. Përndryshe, ajo që paraqitet si zgjidhje mund të mbartë brenda vetes kontradita dhe pikëpyetje të ardhshme.

    ARMËT BËRTHAMORE MBETEN PENGESA MË E VËSHTIRË

    Si tri fuqitë më të mëdha bërthamore në botë deri tani, Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina janë në një pozicion unik për të diskutuar se si të zvogëlojnë numrin e armëve bërthamore në Tokë, si dhe për të zvogëluar rrezikun që këto armë të përdoren ndonjëherë. Fuqia është e pabesueshme”, tha Trump. Pra, Presidenti e ngriti çështjen e reduktimit të armëve bërthamore dhe beri propozim konkret, duke pranuar njëkohësisht vështirësinë e heqjes dorë prej tyre, kur ai shtoi se heqja dorë nga armët bërthamore është “një gjë shumë e vështirë për t’u bërë”. “Përveç eksplorimit të potencialit për reduktimin e armëve te vendeve tona dhe duhet ta them, sinqerisht është një gjë shumë e vështirë për t’u bërë. Është shumë e vështirë të heqësh dorë prej tyre si udhëheqës i një vendi, diçka që është shumë e vështirë të thuhet sepse, kështu funksionon jeta, e dini, ke mijëra armë dhe duhet t’i heqësh dorë prej tyre, megjithatë ke vende përveç nesh dhe në numër shumë më të vogël, por edhe ato kanë armë bërthamore. Pra, nuk është gjë e lehtë për t’u bërë, t’i lësh ata”, shtoi ai. Xi përsëriti qëndrimin për një botë pa armë bërthamore dhe nevojën për të shmangur luftën bërthamore.

    Por edhe pabarazia e arsenaleve mbetet pengesë themelore. SHBA dhe Rusia kanë rezerva shumë më të mëdha se Kina. Uashingtoni kërkon ta përfshijë Pekinin në një kuadër të ri, ndërsa Kina ka pak arsye të pranojë detyrime që mund ta vendosin në disavantazh përballë dy fuqive të tjera. Skadimi i Neë START në shkurt e ka bërë më të ngutshme gjetjen e një zgjidhjeje, pa e bërë atë më të lehtë. Propozimi kinez për komunikimin në raste krizash mund të jetë një pikë praktike nisjeje. Një kanal që funksionon kur tensioni përshkallëzohet ka vlerë të madhe. Ai mund të ndihmojë që një veprim të mos keqinterpretohet ose që një incident të mos dalë jashtë kontrollit. Por për ta vlerësuar këtë mundësi duhet pritur nëse do të caktohen përgjegjësi dhe nëse do të fillojë puna mes ekipeve përkatëse.

    EKONOMIA PRET MË SHUMË QARTËSI

    Në fushën ekonomike duhet ruajtur dallimi mes samitit trepalësh dhe takimit Trump– Xi. Çështjet tregtare amerikano-kineze kanë negociatat e tyre. Trump kërkoi më shumë blerje kineze të produkteve bujqësore amerikane, ndërsa bisedimet u zhvilluan mbi një marrëdhënie, ku zbatimi i premtimeve të mëparshme mbetet burim fërkimi. Në raportimet e menjëhershme pas samitit nuk është paraqitur një paketë e re e detajuar tregtare që të mund të vlerësohej si rezultat i përbashkët i tre presidentëve.

    Për bizneset, vazhdimësia e kontakteve është e dobishme. Megjithatë, investimet kërkojnë një horizont më të sigurt se marrëdhënia e mirë e shpallur në një konferencë. Një kompani që varet nga furnizimet kineze duhet të dijë nëse do të marrë licencën e eksportit. Një fermer amerikan ka nevojë të shohë porositë konkrete. Pa këtë siguri, kostoja e pritjes vazhdon të rëndojë mbi ekonominë. Pasiguria e zgjatur ndikon edhe te mënyra si ndërmarrjet e organizojnë prodhimin. Nëse presin kufizime të reja, ato mund të zgjedhin furnizime më të kushtueshme për të shmangur ndërprerjet. Kjo zgjedhje mund të jetë e arsyeshme për një kompani të veçantë, por e bën të gjithë ekonominë më të shtrenjtë. Përfitimi i një afrimi të besueshëm do të qëndronte edhe te zbutja e kësaj kostoje, e cila nuk shfaqet gjithmonë në titujt për tarifat. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për furnizimet teknologjike. Mosmarrëveshjet rreth mineraleve të rralla lidhen me varësinë industriale dhe me mundësinë që ajo të përdoret si mjet presioni. Përmirësimi i klimës politike mund ta ulë këtë rrezik përkohësisht.

    Besueshmëria do të krijohej nga zbatimi i rregullave të qëndrueshme. Megjithatë, ka një kufi për atë që mund të zgjidhë tregtia. Kur një teknologji shihet si vendimtare për sigurinë kombëtare, përfitimi ekonomik nuk mjafton për të bindur një qeveri të heqë kufizimet. Prandaj, edhe një përmirësim i marrëdhënieve tregtare mund të bashkëjetojë me konkurrencë të fortë në sektorët strategjikë. Kompanive do t’u duhet ta marrin parasysh këtë ndarje në vendimet afatgjata. Tregjet financiare nuk jetojnë vetëm me lajmet e samitit. Për tregjet, përfundimi më i kujdesshëm është se Shenzheni nuk dha ende bazë për të shpallur një ndryshim të madh ekonomik. Raportimet e paradites europiane tregonin se investitorët vazhdonin të prisnin hollësi nga takimi. Ndërkohë, dollari ndikohej nga pritshmëritë për normat amerikane të interesit, kurse tregu i naftës peshonte perspektivën e furnizimit kundrejt rreziqeve për transportin në Gjirin Persik.

    Këto zhvillime nuk mund t’i atribuohen automatikisht diplomacisë së ditës. Sigurisht, tregjet mund të reagojnë shpejt ndaj një sinjali politik, ndërsa ekonomia reale lëviz më ngadalë. Një ditë optimizmi në bursë nuk përkthehet menjëherë në një investim të ri ose në kredi më të lirë për një familje. Për këtë duhet që pritshmëritë të mbështeten te vendime që zgjasin. Nëse entuziazmi nuk shoqërohet me ndryshime konkrete, efekti financiar mund të shuhet po aq shpejt sa u krijua. Lidhja me Iranin mbetet me rëndësi të drejtpërdrejtë ekonomike. Siguria e kalimit në Ngushticën e Hormuzit ndikon në kostot e transportit dhe në pritshmëritë për energjinë. Trump tha se ai dhe Xi kishin interes të përbashkët për mbajtjen hapur të ngushticës.

    Përpara takimit trepalësh, megjithatë, deklaroi se SHBA-ja nuk kishte nevojë për ndihmën e Kinës ose Rusisë për t’i dhënë fund luftës me Iranin. Këto mesazhe nuk ofrojnë ende një plan të përbashkët veprimi. Për familjet, rëndësia e diplomacisë do të ndihej nëse ajo ndihmon në stabilizimin e kostove të jetesës. Për shtetet e ngarkuara me borxh, një mjedis më pak i pasigurt mund të lehtësonte financimin. Këto mbeten përfitime të mundshme, të varura nga zhvillimet që do të pasojnë. Një ulje e rrezikut të perceptuar nuk garanton vetvetiu norma më të ulëta interesi, sepse mbi to rëndojnë edhe gjendja e financave publike dhe pritshmëritë për inflacionin. Edhe për Rusinë duhet dalluar afrimi diplomatik nga ndryshimi i kushteve ekonomike. Një marrëdhënie më e ngrohtë me Uashingtonin nuk do të thotë se bankat mund të rifillojnë menjëherë veprimtarinë e kufizuar nga sanksionet. Kompanitë kanë nevojë për ndryshime të qarta juridike përpara se të ndërmarrin rreziqe të reja. Masat europiane varen nga vendimet e institucioneve europiane, çka e bën përfshirjen e BE-së të rëndësishme edhe në anën financiare të çdo marrëveshjeje të ardhshme. Çfarë do ta bëjë më të besueshëm takimin? Prova e vërtetë do të vijë pasi udhëheqësit të largohen nga Shenzheni.

    Vijimi i bisedimeve teknike do të tregojë nëse ekziston vullneti për t’i dhënë takimit përmbajtje dhe deklaratës së përbashkët vlerë konkrete. Sjellja e palëve në krizat e ardhshme do ta bëjë këtë gjykim më të besueshëm. Do të ketë rëndësi edhe qartësia me të cilën do të shpjegohen angazhimet. Një proces serioz duhet t’i bëjë të dallueshme detyrimet e marra nga dëshirat e shprehura në publik. Pa këtë dallim, çdo palë mund të pretendojë sukses derisa të vijë çasti i zbatimit.


    Takimi i Shenzhenit krijoi një kontakt që mund të përdoret. Vetë fakti se fuqitë rivale bisedojnë është i mirëpritur, bota ka nevojë që fuqitë e mëdha të flasin me njëra-tjetrën. Ka nevojë edhe që marrëveshjet e tyre të mos e kthejnë sigurinë e të tjerëve në monedhë shkëmbimi. Për njerëzit që jetojnë me pasojat e luftërave, vlera e takimit, sigurisht, është e madhe, por ajo bëhet më e madhe dhe më e rëndësishme kur të provohet.

  • NLB Banka dhe BERZH prezantojnë mundësitë për mbështetjen e bizneseve dhe transformimin digjital

    NLB Banka dhe BERZH prezantojnë mundësitë për mbështetjen e bizneseve dhe transformimin digjital

    Në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm për mbështetjen e zhvillimit dhe fuqizimit të bizneseve në Kosovë, NLB Banka, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), organizoi një takim informues me klientët e biznesit, me fokus në mundësitë e financimit, investimet në teknologji dhe transformimin digjital.

    Takimi shërbeu si një mundësi për të prezantuar zgjidhjet financiare dhe programet mbështetëse që u mundësojnë bizneseve të investojnë në modernizimin e proceseve, rritjen e efikasitetit operacional dhe forcimin e konkurrueshmërisë në treg.

    Në hapje të aktivitetit, Yll Sejdiu, Anëtar i Bordit Udhëheqës të NLB Bankës, theksoi rëndësinë e partneriteteve strategjike me institucione ndërkombëtare, si BERZH, në krijimin e mundësive të reja për bizneset vendore, duke riafirmuar përkushtimin e NLB Bankës për të qenë partner i besueshëm në zhvillimin dhe rritjen e tyre të qëndrueshme.

    Gjatë takimit, Dafina Hasani, Udhëheqëse e Njësisë së Klientëve Korporatë në NLB Banka, si dhe Bleta Begu, Mentor Rexhepi konsulentë të Programit dhe Leonora Kusari, përfaqësuese e BERZH-it, prezantuan mundësitë e financimit dhe mbështetjes për bizneset. Me fokus të veçantë ishte programi Go Digital, investimet në digjitalizim dhe automatizim, si dhe shërbimet këshilluese për avancimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e proceseve të biznesit.

    Aktiviteti u përmbyll me një diskutim të hapur ndërmjet klientëve dhe përfaqësuesve të NLB Bankës dhe BERZH-it, duke krijuar hapësirë për shkëmbimin e përvojave dhe diskutimin e mundësive konkrete për zhvillimin e bizneseve.

    Përmes partneriteteve të tilla, NLB Banka vazhdon të mbështesë bizneset në rrugëtimin e tyre drejt inovacionit, digjitalizimit dhe rritjes së qëndrueshme.

  • Bota në pritje të takimit historik Trump, Xi dhe Putin

    Bota në pritje të takimit historik Trump, Xi dhe Putin

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Donald Trump, Xi Jinping dhe Vladimir Putin pritet të ulen më 19 nëntor në të njëjtën tryezë në Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik AziPaqësor. Prezenca e tre udhëheqësve e bën takimin të ketë peshë të rëndësishme jo vetem politike. Rezultati, megjithatë, do të varet nga fakti se sa të gatshëm do të jenë të tre liderët të negociojnë çështje ku interesat e tyre rrallë herë përputhen.

    Uashingtoni dhe Moska e kanë konfirmuar takimin. Edhe Pekini që nuk kishte dhënë një konfirmim të posaçëm publik për formatin trepalësh, dje e konfirmoi atë… Edhe administrata amerikane i ka mbajtur të ulëta pritshmëritë për marrëveshje të menjëhershme. Ka arsye, pra, që samiti të shihet më shumë si një përpjekje për të hapur negociata sesa si çasti kur do të zgjidhen përplasjet e mëdha ndërkombëtare; si një hap i parë i një marrëveshjeje potenciale në të ardhmen.

    Megjithatë, kjo nuk ia ul rëndësinë takimit. Përkundrazi. Kur konkurrenca ushtarake, ekonomike dhe politike ndërthuret me tarifat, furnizimin me energji dhe kufizimet teknologjike, edhe një marrëveshje e kufizuar mund të ketë pasoja të ndjeshme. Por nga ana tjetër po aq të ndjeshme mund të jenë edhe zhgënjimi ose mesazhet kontradiktore që mund të dalin nga një takim i tillë.

    ÇFARË KËRKOJNË SECILI NGA TË TRE LIDERËT?

    Analistët dhe mediat ndërkombtare po i bëjnë jehonë takimit të pritshem. Sipas tyre, Presidenti amerikan ka vendosur në qendër çështjen e armëve bërthamore. Një proces negociatash me Rusinë dhe Kinën do t’i lejonte ta paraqiste veten si presidenti që merr përsipër një problem të pazgjidhur nga paraardhësit… Uashingtonit do t’i duhet të gjejë një formulë që i sjell të dyja vendet në bisedime, pa e kthyer mospajtimin për kushtet fillestare në pengesë për vetë dialogun.

    Presidenti rus ka një interes më të menjëhershëm. Ulja përkrah presidentëve të SHBA-së dhe Kinës i shërben përpjekjes së tij për ta paraqitur Rusinë si fuqi me të cilën duhet negociuar për çështjet kryesore të sigurisë botërore. Në këtë kuptim, Moska mund të përfitojë politikisht edhe në mungesë të një marrëveshjeje. Perceptimi i fuqisë është shpeshherë më i rëndësishëm se vetë fuqia.

    Presidenti kinez gjendet përballë një llogaritjeje disi më të ndërlikuar. Kina fiton nga roli i mikpritëses dhe nga mundësia për t’u shfaqur si qendër e diplomacisë ndërkombëtare. Por një takim që dominohet nga propozimet bërthamore të Trumpit ose nga kërkesat ruse për Ukrainën mund ta vendosë në pozitë jo fortë tekëndshme. Pekini dëshiron ndikim mbi bisedimet, pa pranuar detyrime që i konsideron të parakohshme.

    Këto dallime shpjegojnë përse prania e tre udhëheqësve në të njëjtën tryezë nuk duhet ngatërruar me një afrim të qëndrueshëm.

    ANKTHI I ATYRE QË MUNGOJNË

    Paralajmërimi i takimit ka rikthyer krahasimin me një Jaltë të re, krahasim që shpeshherë në politikën ndërkombëtare është sinonimi i një frike se fuqitë e mëdha mund të negociojnë mbi interesat e vendeve që nuk ndodhen në tryezë. Analogjia është e fortë dhe prandaj duhet përdorur me kujdes për të mos lënë përshtypje të gabuara. Nuk egziston një plan i konfirmuar për ndarjen e botës në zona ndikimi, të paktën publikisht nuk egzistojnë të dhëna se dicka e tillë egziston. Nga ana tjetër duhet kuptuar që nuk gjendemi as në përfundim të ndonjë konflikti global sic ishte rasti specifik i Konferencës se Jaltës në 1945, por as në përfundimin e ndonjë faze historike e përmasave të mëdha sic ishte psh., rasti i fundviteve 1980. Megjithatë, egziston një shqetësim i kuptueshëm për diplomacinë që mbështetet te marrëdhëniet personale të udhëheqësve të fuqive të mëdha dhe që i lë shtetet e tjera, sidomos ato të një shkalle fuqie më të ulët, në pritje të rezultatit.

    Sipas zyrtarëve amerikanë, Irani pritet të diskutohet, ndërsa lufta kundër Ukrainës nuk parashikohet të jetë pjesë e bisedimeve trepalëshe. Kjo nuk e bën takimin të parëndësishëm për Europën. Mënyra si Uashingtoni e trajton Moskën dhe mesazhet që jep për sigurinë ndërkombëtare ndikojnë në shkallën e besimit të vendeve evropiane, edhe në rastet kur nuk merren vendime të drejtpërdrejta për ta. Një shqetësim i ngjashëm për mundësinë e “pazareve” më të gjera ekziston edhe rreth Tajvanit, pa pasur prova për ndonjë marrëveshje të përgatitur mbi statusin e tij.

    Nga ana tjetër, do të ishte e tepruar që Rusia dhe Kina të trajtoheshin si një palë e vetme. Sipas raportimeve për përgatitjet e samitit, Moska ka kërkuar përfshirjen e cështjes së Ukrainës, ndërsa Pekini e ka kundërshtuar diskutimin e kësaj cështjeje në këtë format. Afërsia ndërmjet dy shtetesh për arsye të ndryshme mbi disa pika nuk i zhduk interesat e tyre të veçanta, kjo është një aksiomë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Për çdo marrëveshje të mundshme duhet parë jo vetëm çfarë i bashkon shtetet në fjalë, por edhe çfarë i ndan ato.

    PENGESA PËR ÇËSHTJET E ARMËVE BËRTHAMORE

    Kontrolli i armatimeve është prova më e vështirë. Pas skadimit të traktatit New START në shkurt, nevoja për një marrëveshje të re kuadër mes Uashingtonit dhe Moskës është bërë më e ngutshme. Përfshirja e Kinës, megjithatë, e ndryshon natyrën e negociatave. Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, SHBA-ja dhe Rusia zotëronin së bashku pothuajse 86% të kokave bërthamore në fillim të vitit 2026.

    Për amerikanët, një marrëveshje që lë jashtë Kinën nuk i përgjigjet plotësisht konkurrencës së sotme. Për kinezët, kufizimet trepalëshe në kushtet e një pabarazie kaq të madhe do të rrezikonin të ruanin epërsinë e dy fuqive të tjera. Prandaj, hapja e bisedimeve teknike ose përmirësimi i komunikimit në rast krize do të përbënin rezultate me vlerë, edhe pa një traktat të ri. Por këto mbeten mundësi. Deri tani, vetë zyrtarët amerikanë nuk presin një marrëveshje bërthamore në Shenzhen.

    EKONOMIA DHE TREGTIA KANE NEGOCIATAT E VETA

    Agjenda ekonomike kërkon një shpjegim që shpesh herë humbet në raportimet për të tilla samite. Bisedimet tregtare amerikano-kineze zhvillohen kryesisht në kanale dypalëshe; nuk janë automatikisht pjesë e tryezës me Putinin. Më 13 nëntor, këshilli tregtar i dy vendeve diskutoi tarifat, bujqësinë dhe zbatimin e një skeme uljesh tarifore mbi mallra me vlerë rreth 30 miliardë dollarë nga secila palë. Kjo është vlera e mallrave të përfshira, jo shuma që do të kursehej nga ulja e tarifave.

    Pesha ekonomike e një afrimi të mundshëm shkon përtej këtyre shifrave. Tarifat mund të mbrojnë disa prodhues vendas, por nga ana tjetër të rrisin kostot për biznese që importojnë lëndë të para ose pjesë për prodhim, si edhe për konsumatorët. Pasiguria për masat e ardhshme i shtyn ndërmarrjet të presin përpara se të investojnë. Një marrëveshje e besueshme do të kishte vlerë edhe sepse do t’u jepte më shumë qartësi vendimeve të tyre.

    Megjithatë, ulja e tarifave nuk do të nënkuptonte detyrimisht edhe fundin e konkurrencës strategjike. Energjia, gjysmëpërçuesit, inteligjenca artificiale dhe mineralet e rralla trajtohen gjithnjë e më shumë si çështje sigurie kombëtare. Kufizimet kineze mbi mineralet e rralla kanë detyruar më parë disa prodhues makinash të ulin ose të ndërpresin përkohësisht prodhimin. Ky është një shembull konkret se si një vendim politik mund të arrijë deri te fabrika, punonjësi dhe blerësi.

    Çdo përmirësim real duhet kërkuar te licencat e eksportit, te vazhdimësia e furnizimit dhe te parashikueshmëria e rregullave. Një deklaratë miqësore mes presidentëve mund të ndihmojë, por nuk e zëvendëson asnjërën prej tyre.

    NGA IRANI, TE ÇMIMET EKARBURANTEVE

    Çëhtja e Iranit e lidh drejtpërdrejt takimin me ekonominë e përditshme. Siguria e furnizimit me energji dhe e transportit detar ndikon në çmimin e karburanteve, në kostot e bizneseve dhe në çmimet që paguajnë familjet. Raporti i nëntorit i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë vëren se tregu i naftës ka nisur të ribalancohet falë rimëkëmbjes së furnizimit nga Gjiri. Sulmet ndaj anijeve dhe vështirësitë në furnizimin me naftë diesel vazhdojnë ta rrezikojnë këtë përmirësim. Nëse bisedimet ndihmojnë në uljen e tensionit dhe në sigurimin e transportit, ato mund të zbusin pjesën e çmimit që lidhet me frikën e ndërprerjes së furnizimit. Megjithatë, jo çdo lëvizje e ardhshme e naftës mund t’i atribuohet samitit, duhet kuptuar mirë se furnizimi, kërkesa dhe gjendja e ekonomisë botërore kanë peshën e tyre. Edhe këtu, interesat nuk përputhen plotësisht. Për një vend importues, nafta më e lirë është lehtësim për ekonominë ndërkohë për një eksportues, një dicka e tillë nënkupton më pak të ardhura. Pra dëshira e përbashkët për të shmangur një krizë të pakontrollueshme nuk përkthehet domosdoshmërisht në marrëveshje për kushtet e zgjidhjes së saj.

    SI DO TE REAGOJNË TREGJET?

    Tregjet financiare do ta gjykojnë takimin nga besueshmëria e angazhimeve. Konteksti nuk është i lehtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon për vitin 2026 rritje ekonomike botërore prej 3,1% dhe inflacion prej 4,7%, ndërsa konfliktet, tensionet tregtare dhe problemet e financave publike mbeten burime pasigurie.

    Një ulje e qëndrueshme e tensioneve mund të përmirësonte pritshmëritë për fitimet e kompanive dhe kushtet e financimit. Megjithatë, nuk ka arsye të pritet që aksionet, obligacionet dhe monedhat të reagojnë njësoj. Ulja e presionit mbi çmimet e energjisë mund të zbusë pritshmëritë për inflacionin, ndërsa borxhet e larta publike mund t’i mbajnë kostot e huamarrjes të ngritura. Lidhja mes diplomacisë dhe tregjeve është më e ndërlikuar sesa sugjeron një ditë optimizmi në bursë. Për vendet më të cenueshme, pasojat mund të jenë më të forta. Tensionet ndërkombëtare mund të nxisin largimin e kapitalit, të ushtrojnë presion mbi monedhat vendase dhe ta bëjnë borxhin më të shtrenjtë. Kjo prek veçanërisht ekonomitë që importojnë energji dhe kanë hapësirë të kufizuar në buxhet. Ndaj edhe një samit pa marrëveshje spektakolare mund të ketë dobi, nëse arrin ta ulë pasigurinë për një kohë të mjaftueshme. Kujdes duhet edhe me pritshmëritë për sanksionet. Një afrim amerikan me Moskën nuk i heq automatikisht kufizimet europiane ndaj bankave, tregtisë apo energjisë ruse. Ato mbështeten në vendime të veçanta të institucioneve të BE-së. Për bankat dhe kompanitë, një takim i suksesshëm politik nuk është leje për të rifilluar transaksionet. Po aq i nxituar do të ishte interpretimi i samitit si fillimi i fundit të dollarit. Në tremujorin e dytë të vitit 2026, sipas të dhënave të FMN-së, dollari përbënte 56,7% të rezervave valutore botërore, ndërsa monedha kineze 2,11%. Këto shifra nuk përmbledhin çdo funksion të një monedhe ndërkombëtare, por tregojnë largësinë që ndan ende peshën financiare të dy vendeve. Një afrim diplomatik nuk e ndryshon shpejt këtë raport.

    Megjithatë, siç ndodh rëndom në raste të tilla, prova e vërtetë vjen pasi udhëheqësit largohen nga vendi i takimit dhe blicet e fotografisë së përbashkët shuhen. Më shumë se formulimet e deklaratës përfundimtare (nëse do të ketë një të tillë), rëndësi do të kenë vazhdimi i bisedimeve teknike, qartësimi i rregullave të tregtisë dhe gatishmëria e palëve për të treguar më shumë përmbajtje në krizat e ardhshme.

    Bota ka nevojë që fuqitë e mëdha të flasin me njëra-tjetrën. Por ka nevojë edhe që marrëveshjet e tyre të mos e kthejnë sigurinë e të tjerëve në monedhë shkëmbimi. Suksesi i këtij takimi do të duhet matur me më pak pasiguri për të gjithë, jo thjesht me më shumë mirëkuptim mes tre presidentëve. Por le të presim takimin dhe rrezultatet e tij. Bota mban sytë te ky takim.

  • Hilton hap hotelin e parë në Kosovë

    Hilton hap hotelin e parë në Kosovë

    Hilton sjell mikpritjen e vet në zemër të Prishtinës me një hotel me 196 dhoma

    Prishtinë, Kosovë, 16 nëntor 2026 – Hilton Prishtina, hoteli i parë i Hilton në Kosovë, hapi sot dyert në zemër të kryeqytetit. Hoteli 17-katësh, investim i kompanisë Royal SH.P.K., është në pronësi të saj dhe menaxhohet nga Hilton. Me gjithsej 196 dhoma dhe suita, Hilton Prishtina u ofron një destinacion të ri si udhëtarëve të biznesit, ashtu edhe atyre që udhëtojnë për pushime.

    Dizajni i veçantë, hapësirat plot gjallëri dhe shërbimet e standardit të lartë e bëjnë Hilton Prishtina një vend ku mysafirët dhe banorët e qytetit mund të takohen, të kalojnë kohë së bashku dhe ta përjetojnë Prishtinën nga afër. Arkitektura mban firmën e studios kosovare Rraci Ark Ing, ndërsa enterierin e ka projektuar studioja Autoban nga Stambolli dhe restorantet i ka dizajnuar HBA London. Së bashku, këto elemente i japin hotelit një identitet të veçantë, ndërsa dritaret nga dyshemeja deri në tavan ofrojnë pamje panoramike të Prishtinës.

    Katharina Schlaipfer, nënpresidente e operacioneve për Evropën Kontinentale, tha: “Gëzohemi shumë që po e shënojmë hyrjen e Hilton në Kosovë me Hilton Hotels & Resorts, markën tonë kryesore. Hilton Prishtina i shtohet rrjetit tonë gjithnjë e më të gjerë të hoteleve në Evropë dhe u ofron udhëtarëve një destinacion të ri për ta zbuluar me Hilton. Ka qenë kënaqësi ta shihnim këtë hotel teksa merrte jetë. Tani mezi presim t’i mirëpresim mysafirët tanë.”

    “Ky hotel përfaqëson një investim prej mbi 60 milionë eurosh në të ardhmen e mikpritjes në Kosovë”, tha Arbër Kryeziu, duke folur në emër të të dy pronarëve të hotelit, të tij dhe të bashkëshortes, Teutës. “Që në fillim, ambicia jonë ishte të ndërtonim një nga hotelet më të mira të markës Hilton Hotels & Resorts në rajon, pikërisht këtu në Prishtinë. Për ta realizuar këtë synim, bëmë bashkë profesionistë të dizajnit nga vendi dhe bota dhe këmbëngulëm që çdo punim të përmbushte standardet më të larta të mjeshtërisë. Restorantet i kemi menduar po aq për prishtinasit sa edhe për mysafirët që qëndrojnë tek ne. Shpresojmë që secili mysafir të largohet me kujtime të bukura nga qëndrimi këtu dhe të ruajë një lidhje të veçantë me Prishtinën.”

    Stella Zinn, drejtoreshë e përgjithshme e Hilton Prishtina, tha: “Hapja e Hilton Prishtina është një moment krenarie për ekipin tonë dhe një hap i rëndësishëm për mikpritjen në Kosovë. Synojmë të vendosim standardin e mikpritjes së nivelit të lartë në rajon, duke ndërthurur shërbimin për të cilin njihet Hilton me ngrohtësinë e mikpritjes vendase. Kjo mikpritje nis me një fjalë të thjeshtë shqip: ‘Përshëndetje!’ Qoftë kur qëndroni në hotel, qoftë kur vini nga qyteti për të ngrënë apo për të festuar, mezi presim t’ju mirëpresim e t’ju bëjmë të ndiheni si në shtëpi që në vizitën e parë.”

    Mysafirët kanë në dispozicion shërbimin në dhomë dhe palestrën 24 orë në ditë. Qëndrimi në dhoma dhe suita të caktuara përfshin edhe hyrjen në Executive Lounge, ndërsa ekipi i shërbimit concierge mund t’i ndihmojë mysafirët ta njohin Prishtinën përmes përvojave vendase. Për takime dhe festime, hoteli ofron rreth 800 metra katrorë në tetë hapësira të përshtatshme për lloje të ndryshme ngjarjesh, përfshirë sallën Royal Ballroom. Për çdo rast, nga takimet e vogla e konferencat deri te dasmat dhe festat e veçanta, hoteli ofron mbështetjen e një ekipi të specializuar, pajisje moderne audiovizuale dhe menu të përshtatura sipas rastit. Spa-ja pritet të mirëpresë mysafirët pak pas hapjes së hotelit, ndërsa hapja e Chamba Rooftop Bar & Dining parashikohet në muajt në vijim.

    Në Hilton Prishtina, mysafirët mund të zgjedhin mes shijeve të kuzhinës siciliane dhe atmosferës së qetë të Regale Bar & Lounge. Në Isola Cucina Siciliana, shefi i kuzhinës Biagio Zapparrata sjell frymën e Sicilisë në Prishtinë përmes një menuje sezonale të frymëzuar nga trashëgimia e tij siciliane dhe nga kënaqësia e një vakti të përbashkët. Kuzhina e hapur u jep mysafirëve mundësinë ta ndjekin gatimin nga afër, ndërsa përgatitja e disa pjatave përfundon në tavolinë, para mysafirëve. Pas mëngjesit dhe drekës, vjen koha për një aperitiv e më pas për darkë rreth tryezës. Në Regale Bar & Lounge, dita nis me kafe të sapopërgatitur, matcha ceremoniale dhe ëmbëlsira të freskëta, vijon me dreka biznesi dhe mbyllet me kokteje e verëra vendase në mbrëmje. I frymëzuar nga gjethet e harlisura të bimës Anthurium Regale, ambienti ndërthur shijen vendase me një elegancë të natyrshme. Është një sallon që i fton mysafirët dhe prishtinasit të çlodhen e të kalojnë kohë së bashku në çdo orë të ditës.

    Hilton Prishtina ndodhet në rrugën Tirana, Prishtinë, Kosovë, pranë Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, monumentit NEWBORN dhe stadiumit “Fadil Vokrri”. Nga hoteli arrihet lehtë në sheshin “Nënë Tereza” dhe në pikat e interesit kulturor të qytetit.

    Mysafirët e Hilton Prishtina mund të përfitojnë edhe nga Hilton Honors, programi i besnikërisë i Hilton, i vlerësuar me çmime. Përmes kanaleve zyrtare të Hilton, anëtarët mund të rezervojnë qëndrimet e tyre, të grumbullojnë pikë Hilton Honors dhe t’i përdorin ato për qëndrime në hotel, si dhe të gëzojnë përfitimet e programit që tashmë i njohin dhe i vlerësojnë.

    Për më shumë informacione ose për të rezervuar, vizitoni www.hilton.com/prishtina ose telefononi në +383 38 787 000.

    Për më shumë rreth Hilton, vizitoni stories.hilton.com.

  • Kur teknologjia ecën më shpejt se mbikëqyrja financiare

    Kur teknologjia ecën më shpejt se mbikëqyrja financiare

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    AKADEMIK, PROF. ANASTAS ANGJELI

    Në pak vite, Ueno Bank u bë një nga emrat më të njohur të bankimit digjital në Paraguaj. Akses më i lehtë, shërbime mobile dhe zgjerim i shpejtë i klientelës krijuan figurën e një institucioni modern. Por në nëntor 2026, pas rënies së treguesve të aftësisë paguese, ndërhyrja e autoriteteve e ekspozoi një të vërtetë pa kthim mbrapa, aplikacioni mund të jetë inovativ, ndërsa bilanci i bankës të mbetet i cenueshëm.

    Kriza goditi qytetarët (rreth 3 milionë depozitues baraz me 39. 6 për qind të popullsisë) dhe ekonominë, preku depozituesit (pjesërisht dhe tërësisht), për përballimin e dëmit janë aktivizuar skemat e sigurise, ngriti shqetësime për fondet publike dhe mori përmasa politike. Kjo përvojë e sjell debatin për bankingun digjital përtej dilemës nëse teknologjia është e dobishme. Dobitë e saj janë të padiskutueshme, të dukshme duke filluar me konceptin e hapjes së një llogarie pa vizituar degën, pagesat mund të kryhen në çdo orë dhe shërbimet financiare mund të arrijnë edhe tek individët që më parë kishin akses të kufizuar. Pyetja më e rëndësishme është nëse kjo lehtësi operacionale mbështetet nga një arkitekturë po aq e fortë mbykëqyrjeje, kontrolli, qeverisjeje dhe përgjegjshmërie. Për klientin, një shërbim funksional në telefon krijon përshtypjen e sigurisë, për mbikëqyrësin, siguria kërkon të dhëna mbi kapitalin, likuiditetin, cilësinë e aktiveve dhe mënyrën si merren vendimet. Për një analizë objektive të rastit është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet fakteve të konfirmuara për ndërhyrjen e autoriteteve rregullatore, akuzave që ende po shqyrtohen nga drejtësia dhe përfundimeve që mund të nxirren për përmirësimin e mbikëqyrjes bankare.

    NGA ZGJERIMI DIGJITAL, TE KRIZA E BESIMIT

    Më 2 nëntor 2026, Banka Qendrore e Paraguajit vendosi nisjen e procedurës së ndërhyrjes së jashtëzakonshme në Ueno Bank, me qëllim administrimin e kontrolluar të krizës financiare, mbrojtjen e depozituesve dhe ruajtjen e stabilitetit të sistemit bankar. Sipas njoftimit zyrtar, treguesi i aftësisë paguese kishte rënë nën gjysmën e minimumit ligjor pas korrigjimeve në pasqyrat financiare. Këtu qëndron kontrasti i konceptit që teknologjia e përmirëson mënyrën si ofrohet shërbimi, por nuk mund të mbulojë dobësitë në cilësinë e aktiveve, kapitalin apo kontrollin e rrezikut. Aftësia paguese mat aftësinë e kapitalit të bankës për të përthithur humbje dhe për të ruajtur vijimësinë e veprimtarisë. Kur humbjet potenciale, korrigjimet kontabël ose përkeqësimi i portofolit të kredive pakësojnë kapitalin, një bankë mund të gjendet shpejt nën kufijtë rregullatorë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për institucionet që zgjerohen me ritëm të lartë, ku rritja e aktiveve dhe e klientëve duhet të shoqërohet me kapital të mjaftueshëm, procese kredidhënieje të kontrolluara dhe auditim të besueshëm. Vendimi për ndërhyrje duhet të kuptohet brenda kornizës së stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së interesit të depozituesve. Në kushte të vështirësive serioze, autoritetet mund të përdorin instrumente të ndryshme ligjore, në varësi të kompetencave dhe gjendjes së institucionit. Nga jashtë, publiku sheh kryesisht ndërprerjen ose kufizimin e një shërbimi, në praktikë, autoritetet duhet të balancojnë ruajtjen e vlerës së aktiveve, trajtimin e detyrimeve, vazhdimësinë e aktivitetit dhe shmangien e përhapjes së panikut te bankat e tjera. Shqetësimi u thellua pasi në bankë kishte edhe fonde publike, përfshirë burime të lidhura me pensionet. Hetimet mbi vendimmarrjen dhe marrëdhëniet e mundshme të interesit sollën pasoja të rënda politike, përfshirë largimin nga detyra të presidentit Santiago Peña. Akuzat kundër personave të përfshirë mbeten çështje e drejtësisë edhe pse, për momentin, nuk përbëjnë fajësi të provuar. Megjithatë, pyetja për përgjegjësinë e mbikëqyrjes është më e gjerë: si mund të identifikohen herët rreziqet e një institucioni që rritet me shpejtësi?

    Përfshirja e fondeve publike e bën analizën edhe më të ndjeshme. Një depozitë institucionale nuk është thjesht një marrëdhënie kontraktore mes dy subjekteve: pas saj mund të qëndrojnë shërbime publike, detyrime sociale dhe pritshmëri legjitime të qytetarëve. Për këtë arsye, vlerësimi i kundërpalës, kufijtë e ekspozimit, shpërndarja e likuiditetit dhe rishikimi periodik i vendimeve duhet të jenë pjesë e procedurave të dokumentuara. As përmasat e bankës dhe as profili i saj inovativ nuk e zëvendësojnë këtë analizë.

    Ndërkohë, marrëdhëniet e mundshme ndërmjet drejtuesve të institucioneve financiare, strukturave të pronësisë dhe vendimmarrësve publikë kërkojnë transparencë dhe standarde të rrepta për administrimin e konfliktit të interesit. Kjo nuk nënkupton paragjykimin e një individi. Nënkupton që vendimet që prekin fondet publike ose shëndetin e sistemit bankar duhet të jenë të verifikueshme, të mbështetura në kritere profesionale dhe të mbrojtura nga çdo ndikim i papërshtatshëm.

    Inovacioni ndryshon përvojën e klientit, jo ligjet e rrezikut bankar

    Bankimi digjital ul barrierat e hyrjes, përshpejton pagesat dhe lejon shërbime me kosto më të ulët. Por rreziqet e kreditimit, likuiditetit, përqendrimit dhe marrëdhënieve me palët e lidhura nuk zhduken kur sporteli zëvendësohet nga aplikacioni. Madje mund të shtohet shpejtësia me të cilën një krizë besimi shndërrohet në dalje depozitash: klienti që depoziton me një prekje mund edhe të kërkojë të tërheqë mjetet po aq shpejt. Për bankat digjitale ekziston edhe një veçori ekonomike: kostot e shpërndarjes së produkteve mund të ulen, ndërsa ritmi i përvetësimit të shërbimeve nga klientët mund të jetë shumë më i lartë. Në vetvete, kjo është një arritje e rëndësishme. Por kur rritja e bazës së klientëve tejkalon kapacitetin e kontrollit të brendshëm, bankës mund t’i duhet të rishikojë shpejt organizimin, burimet njerëzore dhe mekanizmat e vlerësimit të ekspozimeve. Prandaj, rritja duhet parë edhe në raport me kapacitetet e menaxhimit të rrezikut, jo vetëm me objektivat tregtarë.

    E njëjta teknologji që mundëson lëvizjen e shpejtë të fondeve mund të përshpejtojë edhe reagimet e depozituesve ndaj pasigurisë. Në një bankë tradicionale, tërheqja fizike e depozitave ka pasur kufizime logjistike; në mjedisin digjital, vendimet mund të merren pothuajse njëkohësisht nga një numër i madh përdoruesish. Kjo nuk do të thotë se teknologjia krijon automatikisht krizë likuiditeti, por se supozimet mbi shpejtësinë e daljeve të depozitave dhe skenarët e stresit duhen përshtatur me sjelljen e re të klientëve. Pikërisht për këtë arsye, numri i përdoruesve, rritja e transaksioneve dhe dukshmëria teknologjike duhen lexuar krahas treguesve të kapitalit, cilësisë së kredive dhe provave të qeverisjes së mirë. Një inovacion i suksesshëm financiar është ai që rrit aksesin pa dobësuar mbrojtjen e kursimeve. Ueno Bank nuk është provë se modeli digjital dështon në vetvete; është shembull i kostos së mundshme kur zhvillimi tregtar dhe kontrolli i rrezikut nuk ecin së bashku. Një tjetër dallim me rëndësi është ai ndërmjet rrezikut operacional dhe rrezikut financiar. Sulmet kibernetike, ndërprerjet e platformave ose gabimet në përpunimin e pagesave mund të cenojnë shërbimin edhe në një bankë financiarisht të shëndoshë. Nga ana tjetër, një sistem informatik që funksionon pa ndërprerje nuk është provë e mjaftueshme se portofoli i kredive është cilësor. Mbikëqyrja bashkëkohore duhet t’i trajtojë të dy dimensionet së bashku, duke ruajtur metodat klasike të analizës prudenciale dhe duke shtuar aftësi për të kuptuar infrastrukturën digjitale.

    RREZIKU I RI I SHPEJTËSISË DIGJITALE DHE QËNDRUESHMËRISË OPERACIONALE

    Një bankë digjitale duhet të jetë e sigurt në dy nivele: financiarisht dhe teknologjikisht. Përveç kapitalit, likuiditetit dhe cilësisë së aktiveve, ajo duhet të mbajë funksionale sistemet e pagesave, të mbrojë të dhënat, të kontrollojë furnitorët teknologjikë dhe të rikuperojë shërbimet pas një incidenti. Dështimi i aplikacionit nuk është i njëjtë me falimentimin e bankës, por ndërprerjet e përsëritura mund të minojnë besimin dhe të përshpejtojnë sjelljen e panikut. Qëndrueshmëria operacionale kërkon më shumë sesa instalimin e sistemeve moderne. Banka duhet të dijë cilat procese janë kritike, sa kohë mund të ndërpriten pa dëmtuar klientët dhe çfarë alternativash ka në rast se një furnitor teknologjik ose një platformë e jashtme nuk është e disponueshme. Ushtrimet e rikuperimit, testimi i skenarëve dhe kontrolli i varësive teknologjike e kthejnë një plan formal në një aftësi reale reagimi. Vëmendje të veçantë kërkon edhe përdorimi i algoritmeve për vlerësimin e klientëve, monitorimin e transaksioneve ose automatizimin e vendimeve. Algoritmet mund të rrisin shpejtësinë dhe njëtrajtshmërinë e proceseve, por rezultatet e tyre varen nga cilësia e të dhënave dhe nga kontrollet mbi mënyrën e ndërtimit e të përdorimit. Përgjegjësia e institucioneve nuk mund t’i transferohet një sistemi automatik: vendimmarrja dhe mbikëqyrja njerëzore mbeten të nevojshme për proceset që ndikojnë ndjeshëm te klientët dhe rreziku financiar. Në kohën e rrjeteve sociale, informacioni dhe keqinformimi qarkullojnë me ritëm të lartë. Prandaj besueshmëria e një banke nuk varet vetëm nga bilanci: rëndësi kanë komunikimi i qartë me publikun, trajtimi i ankesave dhe mundësia reale për të aksesuar shërbimet gjatë një krize. Teknologjia që përmirëson përvojën e përditshme duhet të shoqërohet me procedura po aq të forta për ditët e vështira. Komunikimi gjatë një incidenti është pjesë e administrimit të rrezikut dhe jo një detyrë dytësore e marrëdhënieve me publikun. Informacioni duhet të jetë i saktë, i kuptueshëm dhe i përditësuar, pa krijuar garanci që nuk mbështeten në fakte. Një bankë që u shpjegon klientëve qartë masat e marra, kanalet e kontaktit dhe afatet e pritshme për zgjidhjen e problemeve mund të kufizojë pasigurinë. Nëtë kundërt, boshllëku informativ krijon hapësirë për spekulim dhe reagime të nxituara.

    ÇFARË DUHET BËRË QË INOVACIONI TË MBETET I SIGURT?

    Së pari, mbikëqyrja duhet të ndjekë jo vetëm treguesit statikë, por edhe ritmin e rritjes së bankës. Zgjerimi i depozitave, cilësia e kredive, përqendrimi i ekspozimeve dhe lidhjet me palët e interesuara kërkojnë kontrolle të vazhdueshme dhe sinjale të hershme paralajmërimi. Një qasje parandaluese mund të përfshijë analiza të skenarëve të rritjes së përshpejtuar, teste të stresit për dalje të shpejta depozitash dhe vlerësim të aftësisë së bankës për të siguruar likuiditet në kushte të pafavorshme. Po kështu, vlerësimi i përqendrimeve të mëdha të kredive dhe depozitave ndihmon për të kuptuar nëse rreziku është shpërndarë apo është grumbulluar në pak kundërpalë.

    Së dyti, qeverisja e mirë dhe transparenca duhet të maten me prova. Strukturat e pronësisë, vendimet për kreditë ndaj palëve të lidhura, pozicionet e kapitalit dhe ekspozimet e rëndësishme duhet të raportohen në mënyrë të verifikueshme, sipas kuadrit ligjor. Në aspektin e qeverisjes, është e rëndësishme ndarja e qartë e përgjegjësive të drejtimit ekzekutiv, funksioneve të kontrollit dhe organeve vendimmarrëse. Një strukturë e mirë qeverisëse duhet të jetë në gjendje të sfidojë vendimet tregtare kur ato rrisin ekspozimin ndaj rrezikut. Dokumentimi i vendimeve, transparenca e transaksioneve me palë të lidhura dhe auditimi i pavarur janë elemente që mbështesin këtë aftësi.

    Së treti, qëndrueshmëria teknologjike duhet testuar në praktikë. Testet e sigurisë kibernetike, planet e vijimësisë së biznesit, rikuperimi nga ndërprerjet dhe kontrolli i furnitorëve të teknologjisë duhet të jenë pjesë e mbikëqyrjes së zakonshme, jo vetëm reagim pas incidentit. Për institucionet që përdorin gjerësisht shërbime të jashtme, menaxhimi i furnitorëve është po aq i rëndësishëm sa administrimi i sistemeve të brendshme. Kontratat, masat për mbrojtjen e të dhënave, mundësia e auditimit dhe planet për ndërprerjen e një marrëdhënieje teknologjike duhet të jenë të menduara paraprakisht. Qëllimi nuk është kufizimi i përdorimit të teknologjisë, por shmangia e varësive që mund të ndërpresin funksionet kritike të bankës. Së katërti, mbrojtja e klientit duhet të jetë e kuptueshme edhe jashtë gjuhës teknike: si mbrohet depozita, çfarë ndodh kur aplikacioni nuk funksionon, si trajtohet një pagesë e dështuar dhe si komunikohet në rast krize. Përfshirja financiare ka kuptim vetëm nëse shoqërohet me besim dhe akses real. Mbrojtja e konsumatorit përfshin gjithashtu transparencën e tarifave, shpjegimin e produkteve, sigurimin e kanaleve të përshtatshme për ankesat dhe trajtimin e klientëve që kanë njohuri të kufizuara digjitale. Përfshirja financiare nuk matet vetëm me numrin e llogarive të hapura; ajo matet edhe me aftësinë e njerëzve për t’i përdorur produktet në mënyrë të sigurt dhe për të kuptuar të drejtat e tyre.

    Së pesti, fondet publike kërkojnë administrim të kujdesshëm, analizë të pavarur të rrezikut dhe kufizim të përqendrimit. Përvoja e Paraguajit tregon sa shpejt një problem në bankë mund të prekë interesin publik kur në të përfshihen kursime të qytetarëve dhe burime të shtetit. Për administrimin e fondeve publike, standardet e kujdesit duhet të jenë të dokumentueshme në çdo fazë: në përzgjedhjen e bankës, në përcaktimin e kufijve të ekspozimit, në monitorimin e vazhdueshëm dhe në rishikimin e strategjisë kur ndryshojnë rrethanat. Në këtë mënyrë, vendimmarrja financiare mbetet e argumentuar dhe e kontrollueshme, edhe në situata kur një institucion përjeton vështirësi të paparashikuara.

    TEKNOLOGJIA NUK E ZËVENDËSON BESIMIN

    Shqipëria ka mbeshtetur dhe duhet të mbështesë konkurrencën dhe inovacionin financiar. Treguesit e Komisionit Evropian tregojnë një sektor bankar me baza të qëndrueshme. Pikërisht për ta ruajtur këtë qëndrueshmëri, rregullat dhe kapacitetet mbikëqyrëse duhet të ecin përpara krahas teknologjisë, jo pas saj. Një qasje e tillë nuk kërkon që çdo risi të shihet me dyshim. Përkundrazi, inovacioni i përgjegjshëm mund të jetë një aleat i mbikëqyrjes: raportimi më i shpejtë, analiza më e saktë e të dhënave dhe automatizimi i kontrolleve mund t’i ndihmojnë bankat dhe autoritetet të dallojnë më herët ndryshimet në profilin e rrezikut. Kushti është që përdorimi i teknologjisë të shoqërohet me standarde të qarta, përgjegjësi të përcaktuara dhe prova të funksionimit të kontrolleve. Rasti i Ueno Bank nuk është një argument kundër bankimit digjital. Është një kujtesë se një institucion mund të jetë modern në ekran, por të dështojë në bilanc ose në qeverisje. Në fund, suksesi i inovacionit nuk matet vetëm me shpejtësinë e shërbimit dhe numrin e klientëve, por me aftësinë e bankës për të ruajtur kursimet, për të përballuar humbjet dhe për të fituar besimin e publikut edhe në kohë krize. Në këndvështrimin e politikës publike, mësimi më i rëndësishëm është ruajtja e ekuilibrit. Mbikëqyrja tepër e ngurtë mund të pengojë shërbime të dobishme, ndërsa mbikëqyrja që nuk përshtatet me shpejtësinë e tregut mund të mos dallojë në kohë cenueshmëri të reja.

    Objektivi nuk është të zgjidhet ndërmjet inovacionit dhe sigurisë, por të ndërtohen kushtet që të dyja të përforcojnë njëra-tjetrën. Përvojat ndërkombëtare vlejnë sidomos kur shërbejnë për të përmirësuar pyetjet që i bëhen sistemit: a janë raportimet të besueshme, a testohen skenarët e krizës, a janë të qarta përgjegjësitë dhe a mund të mbrohen klientët në praktikë? Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve, më shumë se ritmi i përhapjes së një aplikacioni, përcaktojnë cilësinë e zhvillimit afatgjatë të bankimit digjital.

    ÇFARË NA MËSON KONTEKSTI SHQIPTAR?

    Në Shqipëri, sektori bankar ka hyrë në një etapë të re digjitalizimi. Licencimi i Jet Bank më 25 mars 2026, si bankë që synon të operojë plotësisht në mënyrë digjitale, është një shenjë e këtij zhvillimi, jo një rast i krahasueshëm me krizën e Paraguajit. Nuk ka bazë të paraqitet Jet Bank si institucion me problemet e Ueno Bank. Çështja që duhet ngritur është më e përgjithshme: a po përditësohen kontrolli i rrezikut, mbikëqyrja dhe mbrojtja e klientëve me të njëjtin ritëm si modelet e reja të biznesit? Rëndësia e rastit ndërkombëtar për Shqipërinë qëndron, para së gjithash, te dimensioni parandalues. Një treg financiar që modernizohet ka nevojë për konkurrencë dhe iniciativa të reja, por gjithashtu për standarde të barabarta sigurie dhe kontrolli për të gjithë pjesëmarrësit. Forma e ofrimit të shërbimit, përmes degëve fizike ose një platforme digjitale, nuk duhet të ndryshojë parimin bazë: detyrimet për administrimin e rrezikut, mbrojtjen e depozituesve dhe raportimin ndaj autoritetit mbikëqyrës mbeten thelbësore.

    Në debatin publik është me rëndësi të shmangen analogjitë e drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve që veprojnë në juridiksione, kushte ekonomike dhe faza të ndryshme zhvillimi. Referimi ndaj Jet Bank shërben vetëm për të ilustruar hyrjen e modeleve të reja të biznesit në tregun shqiptar. Ai nuk përbën vlerësim të gjendjes së bankës dhe as sinjal për ekzistencën e problematikave të ngjashme me ato të raportuara në Paraguaj. Përkundrazi. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, publikuar më 4 nëntor 2026, e përshkruan sektorin banker shqiptar si të kapitalizuar mirë, likuid dhe fitimprurës,me progress ne sistemin e pagesave dhe zhvillimin teknollogjik. Ai raporton një normë mjaftueshmërie kapitali prej 20.4% në dhjetor 2025 dhe rënie të kredive me probleme në 3.8% në maj 2026. Këta tregues krijojnë një bazë pozitive, por nuk e bëjnë të panevojshëm forcimin e standardeve mbikëqyrëse. Ky raport, konsideron si më të sukseshem deri tani në procesin e negociatave me BE, atë me Bankën e Shqiperisë, per përshtatjen institucionale, ligjore dhe digitalizuese të BSH.

    Në Kapitullin 9, Komisioni Evropian kërkon edhe vijimin e mëtejshëm e përafrimit me kërkesat e BE-së për kapitalin, rimëkëmbjen dhe zgjidhjen e bankave në vështirësi dhe garantimin e depozitave. Ai ngre gjithashtu çështje të veçanta lidhur me modelin e Bankës Kombëtare të Zhvillimit, duke theksuar rëndësinë e mbikëqyrjes dhe konkurrencës së barabartë. Këto vlerësime i përkasin kuadrit institucional shqiptar dhe nuk janë konstatime për Jet Bank. Prandaj, vlerësimet e KE duhen lexuar si pjesë e procesit të përafrimit rregullator dhe të konsolidimit institucional. Ato nuk përbëjnë një lidhje shkakësore me zhvillimet në Paraguaj dhe nuk duhen përdorur për të parashikuar probleme në sistemin shqiptar. Për një autoritet mbikëqyrës, sfida është të ndërtojë kapacitete të vazhdueshme përshtatjeje: personel me njohuri financiare e teknologjike, metoda të vlerësimit të rrezikut të mbështetura në të dhëna, komunikim me institucionet dhe procedura të qarta ndërhyrjeje. Kjo qasje i shërben njëkohësisht stabilitetit dhe inovacionit, sepse rrit besueshmërinë e mjedisit ku operojnë bizneset e reja financiare.

  • Kur emancipimi bëhet një tjetër detyrim

    Kur emancipimi bëhet një tjetër detyrim

    Një reflektim mbi feminizmin,barazine horizontale, identitetin dhe paradokset e gruas moderne.

    Shkruan: Lirikë Tafa Bajrami

    Është njëkohësisht interesante dhe e çuditshme të jetosh në këtë kohë dhe në këtë pjesë të Evropës, ku ende flasim për feminizmin, ende luftojmë, protestojme dhe krijojmë organizata për çështje që, në një shoqëri ideale, do të duhej të ishin tejkaluar shumë kohë më parë.

    Nuk më pëlqen tranzicioni në të cilin ndodhemi. Thellë brenda vetes, do të doja të mos kishim më nevojë për feminizmin dhe aktivizmin, të paktën jo për çështjet më themelore të drejtave të grave. Do të doja të ishim më përpara si shoqëri.

    Por nuk jemi. Dhe gjithnjë e më shumë pyes veten nëse po e japim vëmendjen tonë drejt problemeve të duhura.

    Jetojmë në një kohë kur rrjetet sociale, dezinformimi, polarizimi dhe komercializimi i frustrimit kanë ndryshuar mënyrën se si e kuptojmë realitetin. Gjithçka shndërrohet në kauzë, identitet, konflikt apo qëndrim publik. Nuk mjafton më të kesh një mendim, duhet edhe ta dëshmosh atë. Nuk mjafton të jesh e vetëdijshme, duhet të jesh vazhdimisht e përfshirë.

    Dhe, fatkeqësisht, edhe ne vetë jemi pjesë e krijimit të kësaj kulture.

    Flasim për femicidin, dhunën ndaj grave dhe padrejtësitë shoqërore.Këto janë realitete serioze, edhe në shoqërinë tonë, dhe nuk duhet të relativizohen. Por a po bëjmë mjaftueshëm për t’i kuptuar shkaqet e tyre, përtej reagimit emocional që prodhon çdo tragjedi? A po kërkojmë zgjidhje, apo jemi bërë një shoqëri që di të reagojë, të dënojë dhe të harrojë, për të filluar të njëjtin cikël me tragjedinë e radhës?

    Më kujtohet një thënie, autorësinë e së cilës nuk e di me siguri: nëse e vret një vrasës, nuk ke një vrasës më pak në botë. Ideja nuk është të mohohet drejtësia apo ndëshkimi, por të kuptohet se ndëshkimi i një individi nuk i eliminon domosdoshmërisht arsyet që prodhojnë krimin.

    Atëherë, si luftohet sistemi? Si mësojmë të mos e konsumojmë gjithçka që na servohet? Si e kuptojmë çfarë duhet të besojmë, çfarë duhet të kërkojmë dhe, mbi të gjitha, për cfarë duhet të votojmë?

    Ndoshta problemi është se kemi filluar ta ngatërrojmë vetëdijen me reagimin, aktivizmin me përkatësinë dhe progresin me mënyrën se si prezantohemi para të tjerëve.

    Dhe pikërisht këtu dua të ndalem te gruaja moderne.

    Ndonjëherë mendoj se feminizmi, në disa nga interpretimet dhe manifestimet e tij bashkëkohore, po e largon gruan nga ajo për të cilën fillimisht ka luftuar. Jo nga të drejtat e saj, por nga liria për të qenë vetvetja pa pasur nevojë të dëshmojë vazhdimisht diçka. Është e pamohueshme se feminizmi ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e emancipimit shoqëror dhe në avancimin e të drejtave të grave. E drejta për arsimim, punësim, pavarësi ekonomike, votë dhe pjesëmarrje në vendimmarrje janë arritje të rëndësishme të shoqërisë moderne. Megjithatë, mendoj se ia vlen të reflektojmë edhe mbi një çështje tjetër: si e kemi konceptuar dhe si po e interpretojmë sot lirinë e gruas? A kemi arritur t’i japim këtij koncepti kuptimin e tij më të plotë?

    Si grua e arsimuar, që jeton në një shoqëri moderne dhe demokratike, ndonjëherë mezi arrij t’i përmbush pritshmëritë që kam ndaj vetes. Pastaj vijnë pritshmëritë e fëmijëve të mi ndaj meje si nënë, të bashkëshortit si grua, të shoqërisë si qytetare, të kompanisë si punëtore dhe kolege, të familjes si bijë, mbesë dhe nuse.

    Duhet të jem e gjitha. Dhe duhet të jem e gjitha mirë.

    Një nënë e mirë, një bashkëshorte e mirë, një profesioniste e suksesshme, një qytetare e përgjegjshme, një bijë e kujdesshme, një kolege e mirë. E bukur, e zgjuar, e pavarur, e durueshme, e informuar, e fortë dhe emocionalisht e qëndrueshme.

    Sa shumë kërkojmë prej gruas, ndërkohë që vazhdojmë të flasim për lirinë e saj.

    Diku gjatë rrugës, ideja se gruaja mund t’i bëjë të gjitha është shndërruar në pritshmërinë se gruaja duhet t’i bëjë të gjitha.

    Dhe ky është një dallim thelbësor.

    Liria për të ndërtuar karrierë nuk duhet të shndërrohet në detyrim për ta pasur një të tillë. Liria për t’u bërë nënë nuk duhet të nënkuptojë sakrifikimin e çdo pjese tjetër të vetes. Pavarësia nuk duhet të jetë sinonim i vetmisë, as ambicia kusht për t’u konsideruar grua e përmbushur.

    Pse një grua ambicioze duhet të konsiderohet më e fuqizuar se një grua që dëshiron një jetë të qetë familjare? Pse suksesi duhet të matet me karrierën, emancipimi me produktivitetin dhe pavarësia me shkallën e largimit nga rolet tradicionale? Biologjia ekziston. Hormonet ekzistojnë. Shtatzënia, lindja, gjidhënia dhe mëmësia janë përvoja reale që ndikojnë në jetën e grave. Pranimi i këtyre dallimeve nuk është prapambetje, as mohim i feminizmit.

    Por ekziston edhe një dimension tjetër i barazisë që shpesh lihet në hije: barazia horizontale mes vetë grave. Ajo nënkupton se asnjë grua nuk duhet të konsiderohet më pak e emancipuar, më pak e vetëdijshme apo më pak e vlefshme për shkak të zgjedhjeve që bën. Gruaja që zgjedh karrierën nuk është mbi atë që zgjedh mëmësinë; as kjo e fundit nuk është mbi atë që zgjedh një jetë të pavarur nga modelet tradicionale.

    Feminizmi nuk duhet të zëvendësojë një model të imponuar të gruas me një tjetër. Liria nuk ka kuptim nëse kushtëzohet nga miratimi i grave të tjera.

     Një shoqëri e drejtë duhet të jetë në gjendje t’i njohë ato pa i shndërruar në kufizime.

    Pse duhet të dëshmojë një grua se mund të funksionojë saktësisht si një burrë për t’u konsideruar e barabartë(në aspektin simbolik)?Pse barazia duhet të nënkuptojë përshtatjen e gruas ndaj një modeli që nuk i merr domosdoshmërisht parasysh përvojat dhe rrethanat e saj?

    Ndoshta duhet të ndalojmë së konkurruari dhe të fillojmë të krijojmë kushte në të cilat secili mund ta jetojë jetën që dëshiron.

    Por më duket se problemi i kohës sonë thellohet edhe me shumë. Kemi filluar ta performojmë edhe lirinë.

    Nuk mjafton të jesh e lirë, duhet edhe të dukesh e lirë. Nuk mjafton të jesh e pavarur, duhet ta dëshmosh pavarësinë. Nuk mjafton të jesh e përmbushur, duhet të kesh një jetë që duket e përmbushur.

    Rrjetet sociale e kanë përforcuar këtë kontradiktë. Na ekspozojnë vazhdimisht ndaj versioneve të kuruara të jetës së të tjerëve dhe na bindin se ekziston gjithmonë një version më i mirë i vetes që duhet ta arrijmë. Edhe emancipimi, në njëfarë mënyre, është bërë pjesë e kulturës së krahasimit. Në vend që të çlirohemi nga nevoja për miratim, kemi gjetur një mënyrë të re për ta kërkuar atë.

    Kështu, në vend që të largohemi nga pritshmëritë shoqërore, kemi krijuar të reja. Dikur ato vinin nga tradita, familja dhe normat shoqërore. Sot vijnë edhe nga shkalla e suksesit, kultura e produktivitetit dhe vetë mënyra se si e interpretojmë emancipimin.

    Ndryshoi forma e presionit, por jo domosdoshmërisht vetë presioni,madje duket se u shtua edhe doza.

    Sot duhet të jesh e suksesshme, por edhe e pranishme. E pavarur, por edhe e përkushtuar. Ambicioze, por jo egoiste. Nënë, por pa humbur identitetin. Bashkëshorte, por pa u perkufizuar  nga martesa. E fortë, por edhe e butë. Dhe, mbi të gjitha, duhet t’i menaxhosh të gjitha këto pa u ankuar për lodhjen.

    Nëse nuk ia del, problemi duket se është te ti.

    Ndoshta ky është versioni më modern i presionit shoqëror: të të bindë se gjithçka është zgjedhje personale, edhe kur pritshmëritë janë gjithemonë kolektive.

    Unë nuk dua ta mbroj një model të caktuar të gruas. Nuk dua ta idealizoj traditën dhe as ta demonizoj modernen. Nuk dua që një grua të ndihet më pak e vlefshme pse zgjedh të jetë amvise, as më e vlefshme pse bëhet drejtoreshë. Dua që secila të ketë mundësinë të jetojë pa u matur vazhdimisht me standardet e dikujt tjetër.

    Nuk dua një botë ku gratë gjykohen për mënyrën se si zgjedhin të jetojnë. Dua një botë ku një grua mund të jetë aq sa dëshiron të jetë, pa pasur nevojë ta arsyetojë këtë para askujt.

    Ndoshta duhet të fillojmë të bëjmë një pyetje më të thjeshtë: a po e zgjerojmë vërtet lirinë e gruas, apo thjesht po ia ndryshojmë dhe po ja shtojmë cdo ditë e më shumë përmbajtjen e detyrimeve?

    Sepse nëse emancipimi nënkupton se duhet të jesh gjithçka, të arrish gjithçka dhe të përmbushësh gjithçka, atëherë çfarë ka mbetur nga liria?

    Të dashura gra feministe, çfarë duam në të vërtetë?

    Një sistem që funksionon, që garanton drejtësi, siguri, shëndet, arsim dhe mundësi të barabarta? Apo një tjetër betejë ideologjike, ku vazhdojmë të gjykojmë njëra-tjetrën, ndërkohë që mendojmë se po luftojmë për liri?

    Ndoshta kemi nevojë të flasim më pak për atë se si duhet të jetë gruaja dhe më shumë për atë se çfarë duhet t’i mundësojë shoqëria asaj.

    Nuk dua që feminizmi të më tregojë se si duhet të jem grua. Dua që të drejtat për të cilat është luftuar të më lejojnë të vendos vetë se çfarë gruaje dua të jem.

    Ne luftuam për të pasur të drejtën ta zgjedhim jetën tonë. Si përfunduam duke u gjykuar për mënyrën se sa ‘mirë’po e jetojmë atë që kemi zgjedhur?

  • Mbi 20 mijë euro mblidhen për Endrit Azemin gjatë emisionit “N’frekuencë me Robin” në ATV

    Mbi 20 mijë euro mblidhen për Endrit Azemin gjatë emisionit “N’frekuencë me Robin” në ATV

    Mbi 20 mijë euro janë mbledhur gjatë emisionit të sotëm “N’frekuencë me Robin” në ATV, për të ndihmuar 20-vjeçarin Endrit Azemi, i cili është diagnostikuar me leukemi dhe ka nevojë për trajtim mjekësor në Turqi.

    Thirrjes për të ndihmuar Endritin iu përgjigjën dëgjues të shumtë, të cilët gjatë emisionit të udhëhequr nga Robert Bojaj kontribuuan me donacione për të mbështetur financiarisht trajtimin e tij.

    Pas përfundimit të emisionit, Bojaj njoftoi se shuma e mbledhur kishte kaluar 20 mijë euro, ndërsa bëri të ditur se disa nga dëgjuesit kishin premtuar se do t’i realizonin donacionet gjatë ditës.

    “Jam fort i lumtur që përgjatë emisionit të sotëm ‘N’frekuencë ATV’, bashkë me dëgjuesit arritëm me i grumbullu mbi 20,000€ për Endrit Azemin, i cili po lufton me sëmundjen e rëndë të leukemisë”, shkroi Bojaj në Facebook, duke falënderuar të gjithë ata që iu përgjigjën thirrjes për ndihmë.

    Endriti, 20 vjeç, është diagnostikuar me leukemi limfoblastike akute të qelizave B. Sipas familjes, dokumentacioni i tij mjekësor është shqyrtuar nga spitali Acıbadem në Turqi, i cili ka përcaktuar planin e trajtimit dhe koston prej 253 mijë e 770 eurosh. Përballimi i kësaj shume është i pamundur për familjen pa mbështetje financiare.

    Ndërkohë, në platformën GoFundMe janë mbledhur mbi 45 mijë euro nga rreth 1,200 donatorë. Të gjithë ata që dëshirojnë të ndihmojnë Endritin mund të kontribuojnë përmes platformës GoFundMe, ku fushata do të vazhdojë deri në sigurimin e mjeteve të nevojshme për trajtimin e tij.