Përgatiti: Arian Hajdaraj
Personi i cili ka urdhër nga gjykata të qëndrojë larg viktimës, në këmbë apo në dorë, do t’i vendoset kjo pajisje elektronike.
Në momentin kur ai i afrohet personit që ka urdhër mbrojtjeje, pajisja do të sinjalizojë direkt në stacionin më të afërt të policisë, zyrtarët e së cilës duhet të ndërhyjnë menjëherë.
Projekti i cili u lansua të martën, nga kryeministri e ministrja e Drejtësisë u vlerësua si fort i rëndësishëm posaçërisht për sigurinë e grave.
“Një hap gjigant në mbikëqyrje të të gjithë këtyre personave, të cilët na i kanë mbushur lajmet në këto vitet e fundit me rastet e dhunës në familje dhe kanë tronditur mbarë shoqërinë dhe kanë këputur jetë ose i kanë bërë ato të mjerueshme nëpër familjet e tyre”, tha kryeministri Albin Kurti.
“Ky është një ndër projektet më të rëndësishme për të mbrojtur jetën dhe dinjitetin e tyre”, tha ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Mbikëqyrjen e personave të dyshuar, sidomos recidivistëve, do ta bëjë Polica.
“Ne kemi krijuar një ekip të posaçëm për të negociuar dhe për të hartuar projektin dhe gjatë këtij viti kemi arritë që projektin ta kompletojmë”, tha drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
“Ky sistem patjetër që do të shfrytëzohet edhe për raste të tjera, në parandalim të veprave të ndryshme penale, por roli primar është do të thotë parandalimi i përsëritjes së dhunës ndaj grave tona”, tha ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla.
Megjithatë, ende nuk dihet sasia e hallkave, të cilat mund të vendosen që në fillim të projektit.
Në fakt, ligji për mbikëqyrje elektronike ishte miratuar qysh në vitin 2015.
Që nga ajo kohë, qeveritë njëra pas tjetrës nuk arritën ta zbatonin fare. Tek në 2022, pas vrasjes së Hamide Magashit, ministrja Haxhiu njoftoi për ndarjen e disa qindra mijëra eurove për blerjen e hallkave, të cilat u blenë dy vjet më vonë.
Për këto arsye, njohës të çështjeve juridike vlerësojnë se vonesa e zbatimit të ligjit, ka shkaktuar mjaft pasoja.
“Më mirë vonë se kurrë. Por, shumë gra janë vrarë tash e disa vite në mungesë të këtij sistemi. Ato nuk kthehen më në jetë”, tha Fehmije Gashi – Bytyqi, avokate.
Veç kësaj, edhe zbatimi i projektit pritet të ketë sfida.
Në muajin gusht, Ministria e Punëve të Brendshme nënshkroi tenderin për blerjen e hallkave të para elektronike.

Leave a Reply