ATV

Author: ATVLive

  • Kuçi e Kilaj deklarohen të pafajshëm rreth akuzave për pengim të drejtësisë

    Kuçi e Kilaj deklarohen të pafajshëm rreth akuzave për pengim të drejtësisë

    Përgatiti: Nora Luta

    I pafajshëm është deklaruar ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndaj aktakuzës së Speciales, konfirmimin e së cilës e ka quajtur si një nga momentet më të errëta në karrierën e tij.

    Kuçi teksa ka thënë se nuk ishte takuar me asnjë dëshmitar as në kohën kur ishte pjesë e ekipit mbrojtës të Kadri Veselit, u shpreh i bindur se do të lirohet nga të gjitha akuzat.

    Para gjyqtares së procedurës paraprake, Kuçi ka thënë se me ish-presidentin Thaçi kanë punuar gjithnjë në bazë të parimit të drejtësisë.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kërkuar gjykatës që t’ia ndalojë Kuçit komunikimin me Thaçin dhe personat e tjerë të përfshirë në aktakuzë dhe emra të tjerë jopublikë.

    Ndërkohë, të hënën në gjykatë është paraqitur edhe Isni Kilaj.

    Ish-kryetari i Malishevës, avokati i të cilit kërkoi që të lirohet nga paraburgimi, u deklarua i pafajshëm.

    “Nuk ka fare bazë se situata ka ndryshuar dhe befas përballemi me një rrezik më të madh për shkak të konfirmimit të aktakuzës. Nuk ka asnjë provë inkriminuese”, tha Iain Edward, avokati i Isni Kilajt.

    Kilaj po akuzohet së bashku me Hashim Thaçin, Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin për pengim të drejtësisë, duke u përmendur që vepruan në tri grupe për të ndikuar në dëshmitarë gjatë periudhës prill – nëntor 2023.

    Sipas aktakuzës, Thaçi dyshohet se shpalosi informacion lidhur me dëshmitarët e mbrojtur, duke mos iu bindur vendimeve që ndalojnë shpalosjen e këtyre informatave.

  • PDK-ja paralajmëron se do ta dërgojë në kushtetuese Ligjin për Byronë

    PDK-ja paralajmëron se do ta dërgojë në kushtetuese Ligjin për Byronë

    Përgatiti: Nora Luta

    Javën e kaluar u miratua një ndër ligjet kyçe që Qeveria i premtoi në kuadër të reformës në drejtësi.

    Por, Ligji i ri për Byronë rrezikon të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

    Kështu të paktën kanë paralajmëruar nga PDK-ja, të hënën gjatë publikimit të raportit nga IKD-ja, “Dështimi i reformës në drejtësi”.

    Instituti i Kosovës për Drejtësi, në raport, ka theksuar se si Qeveria po e përfundon mandatin pa e zbatuar procesin e Vettingut, dhe pa strategji kundër korrupsionit.

    Sipas IKD-së, Qeveria nuk i ka dhënë prioritet drejtësisë as në aspektin buxhetor.

    Ndërkohë, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se ekzekutivi përmes ligjeve ka tentuar të politizojë çdo institucion.

    IKD-ja ka kritikuar Qeverinë edhe për mosmiratimin e Planit të ri të Veprimit, në kuadër të strategjisë për sundimin e ligjit.

    Kjo qasje e Qeverisë, sipas IKD-së, ka rrezikuar efikasitetin e strategjisë dhe aktiviteteve që përcaktohen me anë të saj.

    Kosova ka një Strategji për Sundimin e Ligjit për 2021 -2026, por Plani i Veprimit për vitet 2024 –2026 është vonuar.

  • Raportuesi i ri për Kosovën, Riho Terras “po mbledh fakte në terren”

    Raportuesi i ri për Kosovën, Riho Terras “po mbledh fakte në terren”

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Mbledhja e informacioneve dhe fakteve nga terreni, janë qëllim i vizitës treditore të Raportuesit të ri për Kosovën të Parlamentit Evropian, Riho Terras.

    Në mëngjesin e së hënës, në Prishtinë, ai i takoi ndaras presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti, me të cilët tha se bisedoi për situatën ekonomike dhe atë të sigurisë.

    “Është hera ime e parë këtu, kam marrë shumë informacione për Kosovën dhe kam folur me shumë njerëz, por për mua më e rëndësishmja është të marr informacione të dorës së parë nga terreni. Jam këtu për të ndihmuar Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Kosova ka qenë duke bërë reforma të suksesshme, duke bërë përparim të mirë dhe shpresoj që me një raport të drejtë dhe të informuar të Parlamentit Evropian, mund ta ndihmojmë Kosovën të bëhet pjesë e BE-së”, tha Terras.

    Pas takimit me krye-parlamentarin, liderët e partive opozitare dhe përfaqësues të shoqërisë civile në kryeqytet, të martën Terras ka në agjendë një mini-tur në komunat me shumicë serbe në veri.

    “Nesër do të vozisë drejt pjesës veriore të Kosovës, për të takime atje dhe për të vizituar vendin ku ndodhi sulmi i fundit në kanal. Ndjenjat e mia janë me popullin e Kosovës dhe jam i sigurt që autoritetet e Kosovës do të jenë në gjendje të identifikojnë njerëzit prapa këtij sulmi. Gjithashtu, kam takime me liderët ekonomikë dhe organizatat joqeveritare, për të biseduar për aspektet sociale dhe situatën aktuale ekonomike”, tha Terras.

    Ndonëse kryesisht shprehu rezerva në deklarime, para se të kryejë vizitën, politikani estonez pati një kërkesë lidhur me sulmin në kanalin e “Ibër-Lepencit”.

    “Të gjithë kriminelët duhet të sillen para drejtësisë. Por, ju lutem më jepni mundësinë të krijojë fotografinë time. Unë jam Gjeneral, dhe para se të kem të gjithë situatën dhe informacionin, nuk bëj plane. Kështu që le ta kuptojmë situatën dhe informacionet nga terreni, po ashtu”, tha Terras.

    Në Nëntor, Parlamenti Evropian emëroi deputetin nga radhët e Partisë Popullore të Evropës – EPP, Riho Terras, në detyrën Raportues të Përhershëm për Kosovën, në një mandat pesëvjeçar.

    Paraprakisht, në pesë vjetët e kaluara, këtë detyrë e kishte kryer politikania gjermane, Viola Von Cramon.

  • SHBA sanksionon dy zyrtarë të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për korrupsion

    SHBA sanksionon dy zyrtarë të lartë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për korrupsion

    Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit dhe në prag të Ditës së të Drejtave të Njeriut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë masa të reja për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në mbarë botën.

    Në Maqedoninë e Veriut, janë sanksionuar dy zyrtarë të lartë për përfshirjen e tyre në korrupsion, thuhet në njoftimin e uebfaqes zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, përcjell ATV.

    Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti akuzohen se kanë marrë ryshfet për të ndikuar në rastin gjyqësor të Sasho Mijalkovit, ish-drejtor i Sigurimit dhe Kundërzbulimit.

    Për këtë arsye, atyre dhe familjeve të tyre u është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara.

    Veç Maqedonisë së Veriut, për shkak të korrupsionit dhe abuzimeve me të drejtat e njeriut, SHBA ka ndërmarrë masa edhe kundër zyrtarëve dhe individëve të tjerë në vende si Sri Lanka, Jemen dhe Zimbabve. /atvlive.tv

  • “Predha më kapi në kofshë, plaga ishte e thellë dhe gjakderdhja ishte shumë e madhe”, Haradinaj rrëfen momentin kur ishte plagosur gjatë luftës

    “Predha më kapi në kofshë, plaga ishte e thellë dhe gjakderdhja ishte shumë e madhe”, Haradinaj rrëfen momentin kur ishte plagosur gjatë luftës

    Ish-komandanti i UÇK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin STUDIO A në ATV, ka rrëfyer një nga momentet më të vështira gjatë luftës, kur u plagos nga një predhë dhe iu desh vetë të mjekonte plagët.

    “Kam qenë në shtëpinë e Shaqë Qerimajt, babë dëshmori dhe ish i burgosur politik. Ne u rrethuam, isha me kushëririn Bujarin, ndërsa baba Ilmia, vëllai Shkëlzeni, Enveri dhe motra Mema ishin në një shtëpi tjetër,” kujton Haradinaj.

    Në këtë rrëfim, Haradinaj ka kujtuar kur kishte marrë planën e parë, e cila ishte fillimisht në dorë.

    “Në një moment e kam parë një figurë në shtëpinë përballë, mendova që është baba dhe i thash ‘shih atje’. Papritmas më goditi një trombllon dhe ma hoqi dorën nga përdorimi, nuk mundesha të përdorë armën,” tha ai.

    Ai tregoi se, përveç dëmtimit të dorës, nuk pati pasoja të tjera serioze në atë moment. Megjithatë, situata u rëndua kur një predhë tjetër e goditi në kofshë dhe shkaktoi gjakderdhje të madhe.

    “Gjaku po rridhte aq shumë sa për pak kohë më ishin mbushur çorapet dhe këpucët. Ishte plaga më e thellë që mora atë ditë,” tregoi Haradinaj.

    Rrëfimin e plotë të Haradinajt në STUDIO A e gjeni në videon e mëposhtme:

  • Poeti Lulzim Tafa promovon librin ‘Ekspozitë me Ëndrra’

    Poeti Lulzim Tafa promovon librin ‘Ekspozitë me Ëndrra’

    Përgatiti: Armand Hoti

    Poeti Lulzim Tafa, promovoi të shtunën, librin e tij më të ri, Ekspozitë me Ëndrra”.

    Tafa tha se e mbajti premtimin e dhënë 10 vjet më parë, në një vepër tjetër.

    Në këtë vepër, përfshihen poezi të marra nga tetë vëllime të mëparshme të autorit. Përzgjedhjen e poezive ndërkaq e bëri shkrimtari, Sali Bashota.
    Ai e krahason Tafën, me poetin e ndjerë Ali Podrimja.

    Parathënien në këtë vepër, e mori përsipër shkrimtari Besnik Mustafai.
    E ky botim ishte ndër të paktë që ai pranoi t’i bëjë parathënien.

    Promovimi i librit, u bë nga shtëpia botuese Onufri, në ditën e parafundit te Panairit të Librit në Tiranë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Në Kolegjin AAB fillon punimet konferenca ndërkombëtare “Mirëqenia në kohë sfiduese” me qindra prezantime dhe pjesëmarrës

    Në Kolegjin AAB fillon punimet konferenca ndërkombëtare “Mirëqenia në kohë sfiduese” me qindra prezantime dhe pjesëmarrës

    Në bashkëpunim me universitetet shqiptare dhe Shoqatën Sociologjike Shqiptare, ka nisur punimet konferenca ndërkomëbtare “Mirëqenia në kohë sfiduese (Wellbeing in challenging times)”. Hapja e konferencës u moderua nga prorektorja e Kolegjit AAB Venera Llunji, që vlerësoi pjesëmarrjen e të gjithë të pranishmve duke theksuar rëndësinë e këtij organizimi.

    Rektori Blerim Olluri, në fjalën përshëndetëse për pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët e konferencës shprehu kënaqësinë që Kolegji AAB këtë vit është nikoqir i kësaj ngjarje, ndërsa përmendi angazhimet e institucionit në fushën e dijes dhe shkencës në vazhdimësi.

    “Kjo konferencë për qëllim të mbledh universitetet shqiptare dhe Kolegjin AAB si nikoqir në këtë bashkëpunim dhe kërkim shkencor. Hulumtimi, rrjetëzimi dhe bashkëpunimi në fushën e dijes dhe shkencës, janë aktivitetet më superiore të një universiteti dhe njëherësh edhe aktivitetet më impenjante dhe cilësore në një institucion të arsimit të lartë. Prandaj Kolegji AAB u kushton rëndësi të vecantë këtyre angazhimeve dhe këtyre eventeve”, tha Olluri.

    Fjalë rasti në hapjen e konferencës patën edhe të ftuar të tjerë si Jacques Marion Kryetar i Federatës Universale të Paqes për Evropën dhe Lindjen e Mesme, Jola Kepi Drejtore Ekzekutive e Qendrës për Lidership Shkollor, Arbona Xhemajli prorektore për Kërkim Shkencor në Universitetin e Gjilanit “Kadri Zeka”, Azeta Tartaraj zv/rektore për Kërkim Shkencor në Universitetin “Aleksander Moisiu” në Durrës.

    Ata uruan që konferenca të sjell produkte dhe rezultate frytdhënëse për të gjithë audiencën dhe për bashkëpunime tjera kaq të rëndësishme edhe në të ardhmen.

    Në ceremoninë hapëse të konferencës, drejtuesi i Shoqatës Sociologjike Shqiptare Lekë Sokoli, ndau disa çmime në emër të Komisionit të Vlerësimit të Kontributeve Akademike Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe diaspora, si “Çmimi për partneritetin më të mirë”, “Çmime për përsosmëri në kërkim dhe praktikë” dhe “Çmimi: Ambasador i Paqes” për rektorin e Kolegjit AAB Blerim Olluri.

  • Poeti Lulzim Tafa promovon librin e tij më të ri “Ekspozitë me Ëndrra”, në Panairin e Librit në Tiranë

    Poeti Lulzim Tafa promovon librin e tij më të ri “Ekspozitë me Ëndrra”, në Panairin e Librit në Tiranë

    Sot nis edicioni i 27-të i Panairit të Librit në Tiranë, i organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve. Motoja e këtij edicioni është “Të lexosh do të thotë: të jetosh, të zbulosh, të rritesh”.

    Në këtë panair, të shtunën në orën 16:00, do të promovohet libri “Ekspozitë me ëndrra” i poetit Lulzim Tafa në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”.

    Lajmin e ka bërë të ditur vetë poeti Tafa, i cili përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka ftuar miqtë dhe lexuesit që ta shoqërojnë në një pasdite poetike për të ndarë së bashku vargje dhe reflektime mbi poezinë.

    “Ju njoftoj të gjithë juve që do të vizitoni Panairin e Librit në Tiranë se të shtunën, në orën 16:00, në stendën e shtëpisë botuese “Onufri”, do të promovohet libri im “Ekspozitë me ëndrra”. Ju ftoj që ta kalojmë së bashku një pasdite të bukur me poezi dhe fjalë për poezinë”, ka shkruar Tafa.

    Panairi i këtij viti, përveç titujve të rinj për lexuesit, do të ofrojë edhe takime me autorë e përkthyes të ndryshëm, tryeza diskutimi mbi përkthimin, workshop-e, seminare dhe aktivitete të tjera kulturore. Një nga veprimtaritë kryesore të panairit do të jetë “Sofaja e Librit”, e cila do të mirëpresë shkrimtarë të ndryshëm për biseda të hapura. Panairi do të përmbyllet me ndarjen e çmimeve letrare, duke nderuar arritjet më të mira në letërsinë shqiptare.

  • “Rivali i Adamit” i Lulzim Tafës vlerësohet si libri më i mirë nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë

    “Rivali i Adamit” i Lulzim Tafës vlerësohet si libri më i mirë nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë

    Poeti i njohur Lulzim Tafa vazhdon të marrë vlerësime dhe çmime të rëndësishme për kontributin e tij të çmuar në fushën e letërsisë.

    Së fundmi, libri i tij me poezi “Rivali i Adamit” është vlerësuar si libri më i mirë nga Mitingu i Poezisë në Gjakovë, një ngjarje prestigjioze që këtë vit shënonte 60-vjetorin e themelimit të saj.

    Lajmin për këtë vlerësim e bëri të ditur vetë poeti Tafa, i cili në profilin e tij në Facebook, ka shkruar se këtë çmim ua dedikon lexuesve të tij.

    “Në vitin jubilar të 60-in e themelimit të Mitingut të Poezisë në Gjakovë, libri im “ Rivali i Adamit” u vlerësua libri më i mirë. Këtë çmim ua dedikoj lexuesve të vargjeve të mia, të cilët besojnë në fuqinë e poezisë dhe e ndiejnë dritën e brendshme të saj”, ka shkruar Tafa.

    Ky çmim nuk është i vetmi nderim që poeti Lulzim Tafa ka marrë kohët e fundit. Në tetor të këtij viti, ai u nderua nga qyteti i Pejës me çmimin letrar “Lirikë me shi”, çmim ky që ka një domethënie të veçantë për të, i cili ngjalli kujtimet e tij të hershme për poetin Azem Shkreli, pasi ky i fundit, 30 vite më parë, i kishte dhuruar librin e tij me të njëjtin titull.

    Po ashtu, më herët në muajin tetor, Tafa u nderua nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë për kontributin e tij në letërsi, në një ceremoni solemne ku morën pjesë personalitete të njohura nga Kosova dhe Shqipëria.

    Një tjetër arritje e rëndësishme për Tafën ishte zgjedhja e tij si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa pranimin zyrtar e bëri më 4 shtator 2024 gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademi.

    Përveç këtyre vlerësimeve, poeti Lulzim Tafa është i njohur në nivel ndërkombëtar, duke qenë një nga poetët shqiptarë më të përkthyer dhe laureat i shumë çmimeve prestigjioze ndërkombëtare. Ai mban edhe tituj nderi në akademi dhe universitete botërore. Një ndër momentet më të rëndësishme të veprimtarisë së tij letrare ishte dekorimi nga presidenti francez, Emanuel Macron, me dekoratën “Oficer i Urdhrit Kombëtar të Letrave dhe Arteve” – një nga nderimet më të larta që shteti francez jep në fushën e artit dhe letërsisë. /atvlive.tv

  • ​Kusari Lila diagnostikohet me kancer të gjirit

    ​Kusari Lila diagnostikohet me kancer të gjirit

    Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje ka njoftuar se para tri jave është diagnostikuar me kancerin e gjirit.

    Kusari Lila tha se pas rekomandimeve të mjekëve ka vendosur për operacion dhe trajtim.

    Kusari Lila ka ndarë një mesazh për gratë duke thënë se “Detektimi i hershëm shpëton jetë!”.

    Postimi i plotë i Kusari Lila:

    Detektimi i hershëm shpëton jetë!

    Të dashura mike dhe miq,

    Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit.

    Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinor të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit, dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim.

    Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

    Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.

    Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

    Një falënderim i veçantë për radiologen Dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal Dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale Dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen Dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si dhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë.

    Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor.

    Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet e juaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj.

    Shëndet e dashuri për të gjithë ju