ATV

Author: ATVLive

  • Hovenier për veprimin e Konjufcës ndaj Listës Serbe: Ishte për të ardhur keq

    Hovenier për veprimin e Konjufcës ndaj Listës Serbe: Ishte për të ardhur keq

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, e quajti për të ardhur keq situatën e javës së kaluar në Kuvend, ku deputetët e Listës Serbe u penguan të marrin pjesë në seancë nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

    Ai gjithashtu shprehu shqetësim për faktin se përfaqësuesit e komuniteteve, të cilët janë zgjedhur për të përfaqësuar interesat e njerëzve të tyre, pengohen t’i ushtrojnë këto detyra.

    “Mendoj se ajo ishte për të ardhur keq. Në fund, askush nuk u duk mirë. Është për të ardhur keq nëse një seancë e Kuvendit pezullohet për atë që duket të jetë një përpjekje për të mos lejuar përfaqësuesit e zgjedhur të kryejnë funksionet e tyre. Nga ana tjetër, është gjithashtu shumë për të ardhur keq që përfaqësuesit e zgjedhur që janë atje për të promovuar interesat dhe për të çuar përpara interesat e popullit të tyre, zgjedhin të mos i ushtrojnë ato të drejta”, tha Hovenier.

    Ai tha se kjo situatë nuk pasqyron aspiratat demokratike të synuara kur u negocionin dispozitat për përfaqësimin e pakicave.

    “Ky nuk është gjithashtu premtimi i demokracisë që do të shpresonim të shihnim, sigurisht në kohën e Ahtisarit kur po negocionim dispozitat për vendet e caktuara për përfaqësuesit e pakicave në parlament. Shpresonim, prisnim që ata të përdornin kapacitetin e rolit të tyre si deputetë të Kuvendit për të trajtuar në mënyrë afirmative shqetësimet e komunitetit të tyre dhe për t’i avancuar ato. Kështu që e gjithë kjo gjë ishte për të ardhur keq”, tha Hovenier.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Kosova ka çdo arsye të jetë krenare për historikun e zgjedhjeve që nga pavarësia

    Hovenier: Kosova ka çdo arsye të jetë krenare për historikun e zgjedhjeve që nga pavarësia

    Kosova ka çdo arsye të jetë krenare me historikun e saj të zgjedhjeve paqësore dhe bartjes demokratike të pushtetit, tha Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV.

    Ai e quajti të rëndësishme jo vetëm mbajtjen e proceseve zgjedhore stabile, por edhe përfshirjen e komunitetit serb, si pjesë përbërëse e shoqërisë së Kosovës.

    “Më vjen mirë që kam këtë mundësi të flas për këtë për pak. Ne besojmë fuqishëm – dhe shpresoj se i gjithë populli i Kosovës pajtohet me ne – se komuniteti etnik serb është pjesë përbërëse e shoqërisë së Kosovës dhe se, natyrisht, do të dëshironim që ata të përdorin instrumentet demokratike në Kushtetutë, në ligjet e Kosovës, për të adresuar shqetësimet që i kanë”, tha Hovenier.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Dezinformimi në Ballkan minon përparimin drejt stabilitetit dhe integrimit evropian

    Hovenier: Dezinformimi në Ballkan minon përparimin drejt stabilitetit dhe integrimit evropian

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se, historikisht, Ballkani ka qenë burim jostabiliteti për Evropën dhe përpjekjet për integrimin e rajonit në BE dhe NATO rrezikohen nga dezinformatat dhe përçarjet.

    Në pyetjen se ka studime që pohojnë se dezinformatat, kryesisht janë me origjinë nga Rusia, ambasadori Hovenier tha se është e rëndësishme që të punojnë së bashku për të luftuar këtë dukuri.

    “Ka përpjekje aktive për të shfrytëzuar hapësirën e informacionit për të shtyrë përpara narrativat ose për të përçarë njerëzit, apo për të ndërlikuar pikërisht këtë proces që shpresojmë ta shohim, e që në rastin e Kosovës është të shohim Kosovën si shtet që i afrohet integrimit të saj në Evropë, në Bashkimin Evropian, në NATO, në institucionet e tjera. Kjo është arsyeja pse është kaq e rëndësishme që të punojmë shumë së bashku për të luftuar këtë dezinformim dhe këto përpjekje për të përçarë dhe ndarë njerëzit, në vend që të bashkoheni për interesa dhe të mirën e përbashkët”, tha Hovenier.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Përgjegjësia e dialogut i takon Kosovës dhe Serbisë, jo SHBA-së apo BE-së

    Hovenier: Përgjegjësia e dialogut i takon Kosovës dhe Serbisë, jo SHBA-së apo BE-së

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se përgjegjësia për zgjidhjen e çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë nuk i takon SHBA-së apo Bashkimit Evropian, por vetë palëve në dialog.

    Ai theksoi se SHBA-ja dhe BE-ja janë aty për të ndihmuar dhe mbështetur, por se Kosova duhet të tregojë vullnet për zbatimin e zotimeve të marra.

    “Populli i Kosovës dhe populli i Serbisë duhet të thonë se kjo është përgjegjësia jonë,” deklaroi Hovenier, duke nënvizuar se ekziston një draft-statut i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i mbështetur nga SHBA-ja dhe vendet kryesore të BE-së, i cili mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

    Ai shtoi se, pas këtij hapi, një sërë gjërash pozitive do të mund të ndodhnin për Kosovën.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Mbështetja amerikane për Kosovën është e qëndrueshme, pa marrë parasysh kush udhëheq në SHBA

    Hovenier: Mbështetja amerikane për Kosovën është e qëndrueshme, pa marrë parasysh kush udhëheq në SHBA

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, i pyetur nëse do të ketë ndonjë ndryshim për Kosovën nën administratën e presidentit Donald Trump, tha se mbështetja e popullit amerikan për Kosovën është e vazhdueshme, pavarësisht ndryshimeve në administratën amerikane apo rezultatit të zgjedhjeve në SHBA.

    Ai nënvizoi se Kosova duhet të tregojë gatishmëri ndaj kërkesave të miqve, përfshirë SHBA-në, dhe të angazhohet në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialogun me Serbinë.

    “Populli amerikan e ka mbështetur vazhdimisht popullin e Kosovës”, tha Hovenier.

    Ai vlerësoi se Kosova duhet përgjigjur kërkesave specifike të partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht në fushën e dialogut.

    “Mund të them se mendoj që gjëja më e rëndësishme që Kosova të bëjë është të tregojë gatishmërinë e saj për të qenë e përgjegjshme ndaj miqve dhe partnerëve të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke reaguar për disa gjëra specifike që i kemi kërkuar”, tha Hovenier.

    Hovenier tha se zbatimi i marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit është i domosdoshëm për të forcuar marrëdhëniet me SHBA-në dhe aleatët e saj.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier: Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen

    Hovenier: Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen

    Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në intervistën e tij për CONTEXT në ATV, tha se anëtarësimi i Kosovës në NATO nuk është formalitet dhe nuk mund të arrihet shpejt.

    Ai theksoi nevojën për reforma, dialog dhe përmbushje të angazhimeve politike.

    Hovenier nënvizoi se Kosova duhet të bindë shtetet anëtare përmes përparimit në marrëdhëniet me Serbinë, reformave në sektorin e sigurisë dhe gatishmërisë për t’iu përshtatur standardeve të Aleancës.

    “Ne e shohim Kosovën si anëtare të NATO-s në të ardhmen. Ne e mbështesim këtë dhe e mbështesim fuqimisht. Dëshirojmë ta shohim Kosovën duke përparuar. Ka anëtarë të NATO-s që nuk e kanë atë pikëpamje tani. Ne besojmë se mënyra më e mirë për t’u treguar atyre se kjo është rruga e duhur përpara është të adresohen shqetësimet e tyre”, tha Hovenier.

    Intervistën e plotë të ambasadorit Hovenier në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hovenier për sulmin në Ibër-Lepenc: I pajustifikuar që nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të

    Hovenier për sulmin në Ibër-Lepenc: I pajustifikuar që nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të

    Ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në emisionin CONTEXT në ATV, e ka dënuar ashpër sulmin ndaj kanalit të ujit të Ibër-Lepencit, i cili ka ndodhur në veri të Kosovës më 29 nëntor.

    Ai tha se ky akt kishte potencialin të dëmtonte jetët e qytetarëve dhe të ndërpriste furnizimin me energji elektrike dhe ujë, duke cilësuar sulmin si të pajustifikuar dhe pa asnjë kuptim në shekullin e 21-të.

    Hovenier theksoi se Shtetet e Bashkuara janë angazhuar për mbështetje të plotë në hetimin e këtij sulmi, ndërsa autoritetet kosovare janë duke kryer hetime të thella për të gjetur përgjegjësit.

    Ai shtoi se, megjithëse ende nuk ka prova të plota, SHBA beson se do të gjenden prova të mjaftueshme për të atribuar përgjegjësinë për këtë akt.

    “Ne e dënojmë plotësisht këtë sulm të tmerrshëm në infrastrukturën kritike në Kosovë që kishte potencialin të përmbyste ndjeshëm jetët dhe të dëmtonte njerëzit duke ndërprerë prodhimin e energjisë elektrike për një përqindje të caktuar të qytetarëve, duke ndikuar në furnizimin me ujë të një përqindje të qytetarëve. Thjesht, ky ishte sulm i pajustifikuar që nuk ka asnjë kuptim në shekullin e 21-të”, tha Hovenier.

    Për ta parë intervistën e plotë të Ambasadorit Hovenier, shikoni videon më poshtë:

  • Berat Lahu procedohet në komision disiplinor nga Vetëvendosja

    Berat Lahu procedohet në komision disiplinor nga Vetëvendosja

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Për veprimet e tyre gjatë seancës komunale të së hënës, të dy protagonistët u ndëshkuan.

    Gëzim Sveçla, Shef i Grupit të Asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, për shkuljen e mikronin të kryesuesit të kuvendit komunal, u dërgua në mbajtje për 48 orë.

    Ndërkaq, Berat Lahun, njërin prej asamblistëve të LV-së, i cili votoi pro miratimit të buxhetit të vitit 2025 për kryeqytetin, e ndëshkoi vetë partia.

    “Kemi mbajtë mbledhje të jashtëzakonshme, është procedua në komisionin disiplinor, meqë nuk e kemi ditë se ata do të marrin pjesë. Vendimi për një mikrofon ndukje nuk ka qenë i mirë, po prapë ka vazhdua seanca është ekzagjeruar, është politikë, organet e drejtësisë të merren me tendencat kriminale dhe ta mbrojnë Prishtinën përballë këtyre tendencave për përfitime të ngushta”, tha sekretari i LV-së në Prishtinë, Egzon Azemi.

    Me t’u njoftuar me vendimin e partisë, Lahu reagoi menjëherë.

    “Ata po më akuzojnë mua për pazare me oligarkë, që është një shpifje e pastër, në ndërkohë që kam qenë vetë unë që kam kundërshtuar realizimin e interesave të Devollëve në shumë raste, njësoj siç e kam kundërshtuar këmbimin e pronave në Badoc me prona në Prishtinën e re. Qendra e Prishtinës në vend se të bëjë akuza të pabaza kundër meje do të duhej të merrej me Egzon Azemin, i cili në seancën e djeshme, duke e ditur se kamerat kanë qenë të kthyera nga ne, është afruar me vetëdije dhe ka provokuar”, tha Lahu.

    Ndërkaq, ndaj Edmond Azemit, asamblistit tjetër i cili po ashtu mbështeti LDK-në në votim, nuk ka ende ndonjë masë.

    “Për rastin e dytë do ta trajtojmë, nëse përsëritet një shkelje e tillë do të procedohet edhe personi tjetër, tha Azemi”.

    Mes tjerash, Azemi tha se prezenca dhe njëkohësisht pjesëmarrja në votim edhe e një asamblisteje nga radhët e PDK-së, reflekton korrupsion.

    Mirëpo, këto akuza i hodhi poshtë zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.

    “Ne vetëm jemi duke u munduar t’i hedhim në votim disa pika të rëndësishme që kanë mbetur pezull, secili e din rëndësinë e votimit të atyre pikave, votojnë me vetë dëshirë…”, tha Lushaku.

    Ndërkaq, për shkak të zhvillimeve të fundit në kuvendin komunal të Prishtinës, seanca e radhës që pritej të mbahej të mërkurën, u shty për një ditë tjetër.

  • “Ligjet e natës”, PDK-ja do t’i dërgojë në Kushtetuese

    “Ligjet e natës”, PDK-ja do t’i dërgojë në Kushtetuese

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Punën e pushtetit që e bënë deri në orët e vona të mbrëmjes, deputetët e partisë më të madhe opozitare, do ta dërgojnë për vlerësim të kushtetutshmërisë.

    Rreth 20 projektligjet që u miratuan në seancën e 5 dhjetorit vetëm me prezencën e deputetëve të Vetëvendosjes, Partia Demokratike pritet t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

    Edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se të enjten Kuvendi nuk iu përmbajt rregullores.

    Ndërkohë që për t’i dërguar këto ligje në Kushtetuese, deputetët kanë afat brenda tetë ditësh nga dita e miratimit.

    Por, këto pretendime po kundërshtohen nga deputetët e Vetëvendosjes. Deputeti Halil Thaçi thotë se gjithçka ka shkuar sipas rregullores së Kuvendit, derisa vlerëson se nëse bëhet një veprim i tillë nga opozita, do t’u bëhet dëm qytetarëve.

    “PDK-ja është e interesuar të mos ketë sigurime shëndetësore. Janë ligje të rëndësishme dhe jetike. Keni parasysh që kemi 25 vite pas çlirimit dhe tash kemi arritur ta votojmë një ligj që qytetari të bëhet me sigurime shëndetësore. Gjithë seanca ka qenë sipas rregullores dhe edhe në legjislatura të tjera ka pasur raste kur një projektligj është miratuar në mes dy leximeve në një seancë”, tha Thaçi.

    Në mesin e projektligjeve që u miratuan në seancën e javës së kaluar janë ai për banim e përballueshëm dhe social, Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, Projektligjin për financimin e menaxhimit të resurseve ujore e të tjerë.

  • “TRAINKOS” dyshon për hajni nga konduktorët

    “TRAINKOS” dyshon për hajni nga konduktorët

    Përgatiti: Armand Hoti

    Trainkos së fundmi ka kuptuar se i janë vjedhur afro 19 mijë euro.

    Të dyshuarit kryesorë për menaxhmentin, janë konduktorët që punojnë në vagonët e udhëtarëve.

    ATV-ja ka kuptuar se ndërmarrja ka porositur edhe inspektimin e disa pajisjeve fiskale.

    Referuar vlerësimeve të kompanisë private të angazhuar për analizën e pajisjeve fiskale, dëmtimet mes tjerash ndërlidhen me dëmtim të bllombave dhe manipulim të të dhënave.

    “Gjatë periudhës së kontrollit, janë dorëzuar gjithsej 17 pajisje fiskale për të përcaktuar nëse ka ndonjë manipulim nga ana e punonjësve të “Trainkos” Sh.A. Pas analizës dhe kontrollit të
    detajuar, u konstatuan shkelje në disa pajisje, duke përfshirë: dëmtime të bllombave, dështime të memorieve fiskale, dëmtime të memorieve fiskale, manipulim i të dhënave, pajisje me gabime në të dhëna dhe pajisje të dëmtuara fizikisht”, thuhet në përgjigjen nga ENTERNET.

    Kryeshefi i ndërmarrjes, Agron Statovci, konfirmon dyshimet për hajni.

    Ai thotë se për rastin është njoftuar edhe Administrata Tatimore e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë.

    “Dëmi i mundshëm mund të arrijë shifra të larta, duke përfshirë një gamë të gjerë rastesh, përkatësisht deri në 15 raste të dyshuara. Me datën 30.11.2024, kemi raportin zyrtar nga ENTERNET nga 17 arkat e dërguar për kontroll 15 nga këto nuk kanë bllomba, ndërsa 3 nga këto arka është konstatuar dhe dëmi kap shumën 18,908.32 €. Në ditët në vazhdim, do t’i pranojmë edhe raportet
    përfundimtare, pasi edhe ato janë të manipuluara”, tha Statovci.

    Për tre rastet ku keqpërdorimi u evidentua, punëtorët janë ndëshkuar.

    Këto raste, janë adresuar edhe në njësitin për krime ekonomike të Policisë së Kosovës.

    “Duhet të presim raportin përfundimtar, por këto manipulime duken se janë bërë për një periudhë prej afër 8-9 vitesh ose që nga koha e fiskalizimit 2015-2016. Për tre rastet për të cilat kemi raportet përfundimtare, janë në procedurë disiplinore në bazë të rregullores së brendshme. Po respektojmë çdo procedurë pa nguti, dhe me pranimin e raporteve të tjera do të merren masa konform ligjeve dhe rregulloreve në fuqi për secilin rast veç e veç”, tha Statovci.

    Ndërmarrja posedon 25 arka fiskale në total. Inspektimi i tetë të tjerave pritet të bëhet së shpejti.

    Sidoqoftë, që nga themelimi i “Trainkosit” si ndërmarrje publike, afarizmi me udhëtarë nuk ka prodhuar profit për kompaninë.