ATV

Author: A.M.

  • Bradley Barcola drejt Liverpoolit, transferim rekord prej 125 milionë eurosh

    Bradley Barcola drejt Liverpoolit, transferim rekord prej 125 milionë eurosh

    Pak ditë përpara se të festojë ditëlindjen e 24-t, Bradley Barcola pritet të marrë një dhuratë të veçantë, një transferim historik në karrierën e tij.

    Sulmuesi francez, i cili aktivizohet në krahun e majtë dhe është autor i tre golave në Kupën e Botës së fundit, është shumë pranë largimit nga Paris Saint-Germain për t’iu bashkuar Liverpoolit.

    Detajet e marrëveshjes mes dy klubeve janë bërë publike nga gazetari i njohur David Ornstein, i cili raporton se transferimi i Barcolas në Anfield është mbyllur.

    Sipas tij, Liverpooli dhe PSG-ja kanë arritur marrëveshjen përfundimtare. Klubi anglez do të paguajë 106 milionë funte, rreth 125 milionë euro, si shumë fikse, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 17 milionë funte, rreth 20 milionë euro, në formën e bonuseve.

    Reprezentuesi i Francës pritet t’i kryejë testet mjekësore brenda 24 orëve, përpara se të firmosë një kontratë pesëvjeçare me Liverpoolin.

    Gjatë periudhës së tij te PSG-ja, Barcola ka zhvilluar 152 ndeshje, duke shënuar 39 gola dhe dhënë 37 asistime.

    Me klubin parisien, francezi ka fituar tre tituj kampionë, dy trofe të Ligës së Kampionëve, dy kupa vendase dhe një Kupë Ndërkontinentale.

    Barcola iu bashkua PSG-së nga Lyon tre vjet më parë, për një shumë prej 45 milionë eurosh. Tashmë, ai është pranë një transferimi që do ta çojë në një tjetër nivel karrierën e tij dhe do ta bëjë një nga blerjet më të shtrenjta të Liverpoolit.

  • Real Madridi shqyrton largimin e Trent Alexander-Arnold, Liverpooli dhe Newcastle në garë

    Real Madridi shqyrton largimin e Trent Alexander-Arnold, Liverpooli dhe Newcastle në garë

    Real Madridi po shqyrton mundësinë e largimit të mbrojtësit 27-vjeçar, Trent Alexander-Arnold, me Liverpoolin dhe Newcastle Unitedin si dy opsione të mundshme për të ardhmen e tij.

    Situata e transferimeve te Real Madridi mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në orët në vijim, ndërsa Alexander-Arnold po shqyrton një rikthim të menjëhershëm në Ligën Premier.

    Mbrojtësi anglez ka humbur vendin e titullarit pas ardhjes së Denzel Dumfries nga Interi, me trajnerin Jose Mourinho që i ka dhënë përparësi holandezit në krahun e djathtë të mbrojtjes.

    Alexander-Arnold iu bashkua Real Madridit si lojtar i lirë, pasi kontrata e tij me Liverpoolin skadoi. Megjithatë, sezoni i tij i parë në Spanjë u shoqërua me ndryshime taktike dhe probleme fizike, ndërsa transferimi i Dumfries ka reduktuar ndjeshëm minutat e tij në fushë.

    Pakënaqësia për situatën aktuale ka bërë që përfaqësuesit e lojtarit të kërkojnë përshpejtimin e negociatave për një largim nga kryeqyteti spanjoll përpara 1 shtatorit.

    Bordi i Real Madridit nuk e ka përjashtuar mundësinë e një transferimi zyrtar në ditët e fundit të afatit kalimtar, nëse vjen një ofertë që përmbush kërkesat financiare të klubit.

    Liverpooli po e shqyrton gjithashtu mundësinë e rikthimit të Alexander-Arnold. Drejtuesit e klubit anglez e shohin atë si një alternativë për të konkurruar për vendin e titullarit në krahun e djathtë, si dhe për të ofruar më shumë opsione në mesfushë.

    Aftësia e tij për të dhënë pasime të gjata dhe për të ndërtuar aksione nga thellësia mbetet një nga pikat e tij më të forta, duke e bërë atë një profil tërheqës për Liverpoolin.

    Ndërkohë, Newcastle Unitedi është gjithashtu një opsion i mundshëm, ndërsa orët e ardhshme pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e mbrojtësit anglez.

    Real Madridi dhe klubet e interesuara pritet të zhvillojnë bisedime intensive në 48 orët e ardhshme. Drejtuesit madrilenë do të përcaktojnë shumën përfundimtare të transferimit për të vendosur nëse do të pranojnë një ofertë zyrtare për Alexander-Arnold përpara mbylljes së afatit kalimtar të verës.

  • Enzo Fernández arrin marrëveshje verbale me Manchester Cityn, mbetet vetëm Chelsea

    Enzo Fernández arrin marrëveshje verbale me Manchester Cityn, mbetet vetëm Chelsea

    Enzo Fernández raportohet se ka arritur një marrëveshje verbale me Manchester Cityn për kushtet personale, ndërsa kampionët e Ligës Premier vazhdojnë të ndjekin nga afër mesfushorin argjentinas të Chelseat.

    Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, Fernández dhe Manchester City kanë gjetur tashmë gjuhën e përbashkët për kushtet personale të kontratës. Megjithatë, transferimi nuk është ende pranë përfundimit, pasi klubi nga Etihad Stadium nuk i ka paraqitur ende një ofertë zyrtare Chelseat.

    Hapi i radhës pritet të jetë kontakti mes dy klubeve, me Chelsean që do të përcaktojë çmimin përfundimtar për të lejuar largimin e mesfushorit.

    Chelsea e ka vlerësuar më parë Fernándezin rreth 140 milionë euro, një shifër që do ta detyronte Manchester Cityn të bëjë një investim të madh financiar për ta transferuar argjentinasin.

    Ndërkohë, Fernández mund të mungojë edhe në ndeshjen e ardhshme të Chelseat në fundjavë, duke shtuar edhe më shumë pasigurinë rreth të ardhmes së tij.

    Për momentin, marrëveshja mes lojtarit dhe Manchester Cityt është arritur në parim, por gjithçka varet nga negociatat që do të zhvillohen mes dy klubeve.

  • Julian Alvarez kërkon largimin nga Atletico, Barcelona mbetet dëshira e tij

    Julian Alvarez kërkon largimin nga Atletico, Barcelona mbetet dëshira e tij

    Julian Alvarez është në qendër të një sage të re te Atletico Madrid, pasi sulmuesi argjentinas raportohet se dëshiron të largohet nga klubi dhe të transferohet te Barcelona.

    Sipas raportimeve në Spanjë, Atletico ka arritur marrëveshje me Arsenalin për transferimin e tij, por Alvarezi e ka refuzuar këtë mundësi, pasi dëshiron vetëm kalimin te Barcelona.

    Situata është tensionuar edhe më shumë ditët e fundit. Sipas “COPE”, argjentinasi është paraqitur te klubi me një raport mjekësor që lidhet me gjendjen e tij psikologjike dhe nuk është stërvitur me skuadrën për tri ditë radhazi.

    Alvarezi thuhet se ka pasur një përplasje me drejtuesit e klubit, duke shprehur hapur pakënaqësinë për situatën. Madje, sipas burimeve jozyrtare, gjatë bisedës ai ka përjetuar një krizë emocionale dhe një sulm paniku.

    Sulmuesi ka kontratë edhe për katër vite me Atleticon, por raportohet se u ka bërë të qartë drejtuesve se nuk dëshiron të vazhdojë aventurën në Madrid. Për momentin, klubi spanjoll mbetet i vendosur të mos e shesë atë te një rival i drejtpërdrejtë si Barcelona.

  • Tre xhudistë kosovarë një fitore larg medaljes në “Taranto 2026”

    Tre xhudistë kosovarë një fitore larg medaljes në “Taranto 2026”

    Akil Gjakova, Dardan Cena dhe Flaka Loxha janë vetëm një fitore larg sigurimit të medaljes së bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

    Gjakova dhe Cena kanë shënuar nga dy fitore në repasazh, ndërsa Loxha, pas humbjes në gjysmëfinale, do të kërkojë rikthimin përmes repasazhit.

    Në këtë fazë pritet të garojnë edhe xhudistet kosovare Erza Muminoviq dhe Fatjona Kasapi.

    Luftërat për medalje nisin nga ora 16:00, me përfaqësuesit e Kosovës që synojnë të shtojnë medalje të tjera në “Taranto 2026”.

  • Egnatia mëson kundërshtarët në Ligën e Konferencës

    Egnatia mëson kundërshtarët në Ligën e Konferencës

    Sot, të premten e 28 gushtit, është hedhur shorti për fazën e ligës së Ligës së Konferencës për sezonin 2026/27.

    Në short morën pjesë 36 skuadra, të ndara në gjashtë vazo me nga gjashtë ekipe.

    Pjesë e kësaj faze është edhe Egnatia, që do të përballet me Braga, Midtjylland, Lincoln Red Imps, Craiova, Kauno Žalgiris dhe Aarhus.

    Në short janë përfshirë edhe disa emra të njohur të futbollit evropian, si Atalanta, Ajax, Freiburg, Monaco, Copenhagen, Gent, Brighton, Twente, Trabzonspor dhe Hajduk Split.

    Egnatia do të kërkojë të bëjë një tjetër paraqitje të mirë në arenën evropiane, përballë kundërshtarëve të fortë në këtë edicion të Ligës së Konferencës.

  • U hodh shorti i Europa League, mësohen përballjet e sezonit 2026/27

    U hodh shorti i Europa League, mësohen përballjet e sezonit 2026/27

    Sot, të premten e 28 gushtit, është hedhur shorti për fazën e ligës së Europa League për sezonin 2026/27.

    Në short morën pjesë 36 skuadra, të ndara në katër vazo me nga nëntë ekipe. Pas shortit, të gjitha klubet mësuan kundërshtarët me të cilët do të përballen në këtë fazë të garës.

    Edicioni i ri sjell disa emra të mëdhenj të futbollit evropian. Juventus, Milan, Benfica, Bayer Leverkusen, Lyon dhe Marseille janë mes skuadrave që synojnë të shkojnë larg në këtë kompeticion.

    Në garë janë edhe Real Sociedad, Dinamo Zagrebi, Celtic, Sparta e Pragës, Besiktasi dhe Hoffenheimi, duke premtuar përballje interesante që në fazën e ligës.

  • FIFA lehtëson pezullimet e yjeve të Argjentinës

    FIFA lehtëson pezullimet e yjeve të Argjentinës

    FIFA ka miratuar kërkesën e Federatës Argjentinase të Futbollit për mënyrën e vuajtjes së pezullimeve të vendosura pas incidenteve në finalen e Kupës së Botës 2026 ndaj Spanjës.

    Sipas vendimit fillestar, Leandro Paredes u dënua me 10 ndeshje, Nahuel Molina me 7, ndërsa ndihmëstrajneri Roberto Ayala me 3 ndeshje pezullim. Thiago Almada dhe spanjolli Gavi morën nga një ndeshje.

    Pezullimet vlejnë vetëm në ndeshjet e kombëtares dhe nuk prekin angazhimet e lojtarëve me klubet. Me kërkesën e AFA-së, dënimet mund të shlyhen gjatë ndeshjeve miqësore të kategorisë “A” ose takimeve ndërkombëtare zyrtare me rëndësi më të vogël.

    Kjo i jep Argjentinës mundësinë që lojtarët të jenë të gatshëm për ndeshjet më të rëndësishme. Ndërkohë, AFA po shqyrton edhe një apel të mëtejshëm në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv për të reduktuar sërish pezullimet.

    Përveç dënimeve sportive, federata argjentinase është gjobitur me 321 mijë dollarë, ndërsa 100 mijë dollarë do të përdoren për iniciativa kundër diskriminimit.

    Gjithashtu, Argjentina do ta zhvillojë ndeshjen e ardhshme në shtëpi me vetëm 50 për qind të kapacitetit të stadiumit.

  • Lazio mendon për transferimin e Edon Zhegrovës nga Juventus

    Lazio mendon për transferimin e Edon Zhegrovës nga Juventus

    Merkatoja e Lazios mund të sjellë lëvizje në ditët e fundit të afatit kalimtar.

    Klubi italian pritet të largojë Matteo Cancellierin, i cili është nën monitorimin e Genoas. Kjo e fundit po punon për të mbyllur marrëveshjen për rreth 4 deri në 5 milionë euro.

    Nëse largimi i Cancellierit realizohet, Lazio ka piketuar Edon Zhegrovën si një nga alternativat për repartin ofensiv.

    Bardhekaltrit po shqyrtojnë mundësinë e huazimit të sulmuesit kosovar nga Juventusi, pa detyrim blerjeje. Kjo formulë raportohet se është e pranueshme edhe për klubin torinez.

    Zhegrova, i cili përfiton rreth 2.5 milionë euro në sezon, shihet si një lojtar që mund të mbulojë disa role në sulm dhe të jetë alternativë edhe për Mattia Zaccagnin.

    27-vjeçari ka eksperiencë në futbollin italian dhe sezonin e kaluar zhvilloi 20 ndeshje në Serie A.

    Megjithatë, përpara se të nisë operacioni për Zhegrovën, Lazio duhet fillimisht të mbyllë largimin e Cancellierit.

  • Juventus pranë marrëveshjes me Franck Kessie, rikthim i bujshëm në Serie A

    Juventus pranë marrëveshjes me Franck Kessie, rikthim i bujshëm në Serie A

    Juventus është shumë pranë transferimit të Franck Kessies. “Zonja e Vjetër” ka zhvilluar një takim pozitiv me përfaqësuesit e mesfushorit në Milano dhe tashmë kanë mbetur vetëm detajet e fundit për të mbyllur marrëveshjen.

    Kessie pritet të firmosë një kontratë dyvjeçare, me opsion për një sezon të tretë, ndërsa paga e tij do të jetë rreth 4.5 milionë euro në sezon, plus bonuse.

    Pas tre sezonesh në Arabinë Saudite, mesfushori nga Bregu i Fildishtë është gati të rikthehet në Serie A si lojtar i lirë. Transferimi i tij shihet si një përforcim i rëndësishëm për mesfushën e Juventusit, veçanërisht për trajnerin Luciano Spalletti, i cili e ka vlerësuar prej kohësh profilin e 29-vjeçarit.

    Me eksperiencën dhe forcën fizike që sjell në mesfushë, Kessie pritet t’i japë Juventusit më shumë ekuilibër dhe personalitet në sezonin e ri.