ATV

Drita merr tri pikë në Podujevë, Llapi fundoset edhe më shumë

Written by

in

Drita ka triumfuar me rezultat 2-1 në udhëtim ndaj Llapit, në kuadër të javës së dhjetë të Albi Mall Superligës së Kosovës, duke konfirmuar momentin pozitiv dhe duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat.

Pas suksesit ndaj Ballkanit, skuadra e Ardian Nuhiut ka vazhduar me rezultate pozitive, ndërsa Llapi i Tahir Batatinës po kalon një periudhë të vështirë, duke mbetur në fundin e tabelës.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, por në fraksionin e dytë Drita bëri diferencën brenda pak minutash. Vesel Limaj zhbllokoi rezultatin në minutën e 46-të me një goditje të bukur nga distanca, ndërsa vetëm katër minuta më vonë, Liridon Balaj përfitoi nga një gabim i Benjamin Eminit për të dyfishuar epërsinë në 0-2.

Llapi u rikthye në lojë në minutën e 77-të, kur Arbnor Aliu realizoi një gol të bukur nga distanca, por vendasit nuk arritën të shmangnin humbjen, pavarësisht përpjekjeve deri në fund.

Me këtë fitore, Drita ngjitet në vendin e tretë me 17 pikë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e nëntë me vetëm katër pikë.

Në xhiron e ardhshme, Drita do të përballet me Prishtinën në udhëtim, kurse Llapi do të kërkojë pikë ndaj Gjilanit.