Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka gjetur sërish rrugën e rrjetës në Major League Soccer, por goli i tij nuk ka mjaftuar për t’i siguruar pikë Austin FC-së, që u mposht me rezultatin 2-1 nga Vancouver Whitecaps.
Uzuni kaloi në avantazh skuadrën teksane në minutën e 41-të të takimit, duke përfituar nga një gabim i kundërshtarëve dhe duke dërguar topin në rrjetë. Një gol që i dha shpresë Austin-it për të marrë një rezultat pozitiv përballë një prej skuadrave më të forta të Konferencës së Perëndimit.
Megjithatë, pjesa e dytë foli për Vancouver Whitecaps, që reagoi duke shënuar dy gola dhe përmbysi rezultatin në 2-1. Ky ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës, me skuadrën kanadeze që siguroi tri pikë të rëndësishme dhe shkoi në kuotën e 55 pikëve.
Nga ana tjetër, situata vijon të jetë e vështirë për Austin FC-në. Pas kësaj humbjeje, skuadra e Myrto Uzunit mbetet me 31 pikë, duke u renditur në vendin e parafundit në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit.
Pavarësisht rezultatit negativ të ekipit të tij, goli i Uzunit mbetet një sinjal pozitiv për sulmuesin shqiptar, i cili synon të vijojë të kontribuojë me paraqitje dhe gola në kampionatin amerikan.
