ATV

Author: A.M.

  • Manchester City pranë marrëveshjes për Bouaddin, por nuk ndalet në merkato

    Manchester City pranë marrëveshjes për Bouaddin, por nuk ndalet në merkato

    Manchester City është shumë pranë finalizimit të transferimit të mesfushorit të Lille, Ayyoub Bouaddi, me marrëveshjen që pritet të mbyllet gjatë ditëve të ardhshme, raporton Manchester Evening News.

    Negociatat mes dy klubeve kanë zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar fillimisht, pasi City dhe Lille ende nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të gjitha detajet e transferimit. Megjithatë, në Manchester mbizotëron optimizmi se marrëveshja do të finalizohet së shpejti.

    Drejtuesit e klubit anglez kanë ruajtur qetësinë gjatë gjithë procesit, edhe për faktin se Manchester City aktualisht është skuadra që po shtyn më seriozisht për transferimin e talentit francez. Vonesa ka shkaktuar njëfarë shqetësimi te tifozët, por brenda klubit ekziston besimi se situata është nën kontroll.

    Për momentin, Ayyoub Bouaddi mbetet operacioni më konkret për Manchester Cityn. Nëse marrëveshja me Lille përfundon sipas parashikimeve, kampionët e Anglisë mund të hidhen menjëherë në kërkim të përforcimit të radhës, me Enzo Fernandezin dhe Adam Whartonin si dy nga emrat që mbeten në radar.

  • PSG lë jashtë Barcolan, Liverpooli përgatit ofertën e re për yllin francez

    PSG lë jashtë Barcolan, Liverpooli përgatit ofertën e re për yllin francez

    Bradley Barcola nuk është përfshirë në listën e Paris Saint-Germain për transfertën e së dielës ndaj Rennes, në një moment kur e ardhmja e sulmuesit francez po shoqërohet me interesim të fortë nga Liverpooli.

    Reprezentuesi i Francës mori pjesë normalisht në stërvitjen e PSG-së të shtunën, por Luis Enrique vendosi të mos e grumbullojë për sfidën e radhës në Ligue 1. Mungesa e Barcolës nuk besohet të jetë për shkak të një dëmtimi, por lidhet me situatën e krijuar rreth të ardhmes së tij.

    Në prapaskenë, negociatat mes PSG-së dhe Liverpoolit vazhdojnë. Klubi anglez ka bërë tashmë një ofertë të parë prej rreth 80-90 milionë eurosh, por propozimi është refuzuar nga kampionët e Francës.

    Megjithatë, Liverpooli nuk ka hequr dorë nga tentativa për të siguruar shërbimet e Barcolës dhe pritet të rikthehet me një ofertë të re.

    Sipas gazetarit Fabrice Hawkins, PSG-ja e vlerëson sulmuesin francez rreth 170 milionë euro, një shifër që tregon qartë se klubi parisien nuk dëshiron të heqë dorë lehtësisht nga një prej talenteve të tij kryesorë.

    Për momentin, Barcola mbetet lojtar i PSG-së, por fakti që ai nuk është grumbulluar për ndeshjen ndaj Rennes, në një kohë kur negociatat me Liverpoolin janë aktive, ka shtuar edhe më shumë pikëpyetjet mbi të ardhmen e tij.

  • Jose Mourinho shpërthen për Viniciusin: “Kjo është bullizëm”

    Jose Mourinho shpërthen për Viniciusin: “Kjo është bullizëm”

    José Mourinho e ka nisur rikthimin e tij në stolin e Real Madridit me një deklaratë të fortë për mënyrën se si Vinicius Jr po trajtohet nga kundërshtarët në La Liga.

    Pas fitores 2-1 ndaj Espanyolit, trajneri portugez foli hapur për ndërhyrjet dhe provokimet ndaj sulmuesit brazilian, duke pranuar se Vinicius nuk është pa të meta, por duke theksuar se ajo që po ndodh ndaj tij ka kaluar çdo kufi.

    “Vinicius? Ai nuk është një shenjtor, por ajo që po i bëjnë është e tepërt. E godasin dhe kjo është shumë zhgënjyese. Ai duhet të ketë një kontroll të madh emocional. Është një situatë e vështirë. Kjo është bullizëm”, deklaroi Mourinho.

    Trajneri i Real Madridit theksoi se Vinicius duhet të ruajë qetësinë dhe vetëpërmbajtjen, pavarësisht presionit të madh që përjeton në çdo ndeshje. Sipas Mourinhos, kundërshtarët shpesh tentojnë ta provokojnë brazilianin dhe ta nxjerrin nga loja e tij, duke krijuar tension të panevojshëm në fushë.

    Fitorja ndaj Espanyolit ishte një start pozitiv për Mourinhon në rikthimin e tij në drejtimin e Real Madridit. Ndeshja ishte veçanërisht e rëndësishme për trajnerin portugez, i cili është rikthyer në klub me synimin për të rikthyer skuadrën në majat e futbollit spanjoll dhe evropian.

  • Manchester United nis sezonin me humbje, Hull City befason “Djajtë e Kuq”

    Manchester United nis sezonin me humbje, Hull City befason “Djajtë e Kuq”

    Manchester Unitedi e ka nisur në mënyrën më të keqe sezonin e ri në Ligën Premier, duke u mposhtur në udhëtim nga Hull City me rezultat 2-0, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e parë të sezonit 2026/27.

    “Djajtë e Kuq” zhgënjyen që në start të kampionatit, duke pësuar humbje ndaj Hull Cityt, ekipit të sapoardhur në elitën e futbollit anglez nga Championshipi.

    Pjesa e parë u karakterizua me më shumë kontroll të lojës nga Manchester Unitedi, por ishin vendasit ata që treguan më shumë efikasitet para portës. Fillimisht, Semi Ajayi shënoi në minutën e 17-të për epërsinë 1-0, ndërsa në minutën e 38-të, Nobel Mendy realizoi për 2-0.

    Në pjesën e dytë, Michael Carrick bëri disa ndryshime, duke aktivizuar lojtarë më ofensivë. Unitedi rriti presionin dhe dominoi në posedim dhe në krijimin e rasteve, por nuk arriti ta gjejë golin.

    Vendasit u mbajtën mirë në mbrojtje dhe ruajtën epërsinë e krijuar në pjesën e parë deri në fund, duke siguruar tri pikë të mëdha në ndeshjen e parë të sezonit.

    Në xhiron e ardhshme, Manchester Unitedi do ta presë Ipswich Townin, ndërsa Hull City do të udhëtojë te Coventry City.

  • George Russell fiton Garën Sprint në Holandë, triumf i Mercedes në Zandvoort

    George Russell fiton Garën Sprint në Holandë, triumf i Mercedes në Zandvoort

    George Russell e bën të tijën Garën Sprint të Çmimit të Madh të Holandës në Botërorin e Formula 1. Piloti anglez i Mercedes triumfoi në pistën e Zandvoort, në një garë që u zhvillua pa reshje shiu, me shiu që nisi vetëm pasi Russell kishte kaluar vijën e finishit.

    Starti i Garës Sprint ishte perfekt për George Russell, i cili një ditë më parë kishte fituar pole positionin. Piloti i Mercedesit arriti ta ruajë kryesimin nga fillimi deri në fund, duke regjistruar suksesin e tij të tretë në Garat Sprint.

    Në podium u ngjitën edhe pilotët e Ferrarit dhe McLaren, Charles Leclerc dhe Lando Norris, të cilët u renditën respektivisht në vendin e dytë dhe të tretë.

    Lideri i kampionatit, Andrea Kimi Antonelli, e mbylli Garën Sprint në vendin e katërt, duke lënë pas pilotin tjetër të McLaren, Oscar Piastri.

    Klasifikimin e tetë pilotëve më të mirë të Garës Sprint të Holandës, duke nisur nga vendi i gjashtë, e plotësojnë Max Verstappen, Lewis Hamilton dhe Pierre Gasly.

  • PSG nuk planifikon largime, Zabarnyi dhe Chevalier pritet të qëndrojnë në skuadër

    PSG nuk planifikon largime, Zabarnyi dhe Chevalier pritet të qëndrojnë në skuadër

    Paris Saint-Germain nuk ka ndërmend të largojë lojtarët që janë pjesë e organikës së skuadrës, edhe në rastet kur ata nuk kanë një rol titullari.

    Sipas gazetarit Bruno Solomon, Illia Zabarnyi dhe Lucas Chevalier pritet të qëndrojnë te PSG edhe këtë sezon, pavarësisht pasigurisë për pozicionet e tyre në formacionin e Luis Enriques.

    E ardhmja e Chevalier ka qenë në qendër të spekulimeve që kur ai humbi vendin e titullarit ndaj Matvey Safonov, i cili është shndërruar në zgjedhjen e parë të trajnerit spanjoll pas paraqitjeve të tij të mira.

    Megjithatë, pas dështimit të marrëveshjes së PSG-së për Zion Suzuki, Chevalier mund ta forcojë pozicionin e tij për të mbetur zëvendësuesi i Safonov dhe të vazhdojë të luftojë për një vend në formacionin titullar.

    Nga ana tjetër, Zabarnyi nuk ka arritur ende të fitojë një vend të padiskutueshëm në qendër të mbrojtjes, për shkak të konkurrencës nga Marquinhos dhe Willian Pacho, dy lojtarë që kanë qenë shumë të rëndësishëm në sukseset e PSG-së gjatë dy sezoneve të fundit.

    Megjithatë, drejtuesit e klubit parisien vazhdojnë ta vlerësojnë potencialin e qendërmbrojtësit ukrainas, ndërsa në ndeshjet e fundit është vërejtur edhe një përmirësim i dukshëm në paraqitjet e tij.

    Kështu, pavarësisht roleve të tyre jo të padiskutueshme, Zabarnyi dhe Chevalier nuk pritet të largohen nga PSG gjatë kësaj vere.

  • MLS gjobit Messin dhe Fray pas përleshjeve në ndeshjen ndaj Philadelphia Union

    MLS gjobit Messin dhe Fray pas përleshjeve në ndeshjen ndaj Philadelphia Union

    Major League Soccer ka gjobitur sulmuesin e Inter Miamit, Lionel Messi, dhe mbrojtësin Ian Fray, me shuma të pazbuluara, pas dy incidenteve të ndara fizike në zonën e kokës dhe qafës gjatë barazimit 2-2 ndaj Philadelphia Union.

    Messi u ndëshkua për goditjen me shuplakë në pjesën e pasme të qafës së lojtarit të Philadelphia Union, Quinn Sullivan, teksa të dy po shkëmbenin fjalë në mesin e fushës. Incidenti ndodhi në minutat e fundit të takimit, ndërsa liga e konsideroi shkelje të rregullores që ndalon kontaktin me fytyrën, kokën ose qafën e kundërshtarit.

    Ndeshja kishte një rëndësi të veçantë për Messin, i cili shënoi golin e tij të parë pas vdekjes së babait, Jorge Messi, ndërsa regjistroi edhe një asistim.

    Ndëshkimi i Ian Fray erdhi pas një përleshjeje të mëvonshme me Quinn Sullivan brenda zonës së penalltisë. Fray e kapi kundërshtarin për qafe, ndërsa situata u tensionua edhe më shumë mes lojtarëve.

    Ndeshja përfundoi me kartonë të kuq për Yannick Bright të Inter Miamit dhe Cavan Sullivan të Philadelphia Union, por më pas Paneli i Pavarur i Rishikimit vendosi unanimisht të anulojë kartonin e kuq dhe pezullimin prej një ndeshjeje për Cavan Sullivan.

    Kështu, Messi dhe Fray do të përballen me gjoba financiare, por pa pezullim, ndërsa Inter Miami vijon përgatitjet për ndeshjet e radhës në MLS.

     

  • Ish-kampioni i botës, Zolani Tete, vritet me armë zjarri në moshën 38-vjeçare

    Ish-kampioni i botës, Zolani Tete, vritet me armë zjarri në moshën 38-vjeçare

    Ish-kampioni i botës në dy kategori të peshave, Zolani “Last Born” Tete, është vrarë me armë zjarri në moshën 38-vjeçare në Afrikën e Jugut.

    Ngjarja e rëndë ndodhi të premten mbrëma në Mdantsane, në provincën Eastern Cape, kur Tete po kthehej në shtëpinë e tij dhe ishte duke pritur që të hapej porta e oborrit.

    Sipas policisë, dy persona të armatosur dhe me maska dolën nga një automjet tjetër dhe hapën zjarr ndaj boksierit dhe një 27-vjeçareje që ndodhej me të në veturë. Tete tentoi t’i shpëtonte breshërisë së plumbave duke futur automjetin në oborr, por u plagos rëndë dhe ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

    Gruaja që ishte me të u qëllua disa herë dhe u dërgua në spital, ku vazhdon të marrë trajtim. Policia ka nisur hetimet për vrasjen, ndërsa deri tani nuk raportohet për ndonjë arrestim. Motivi i sulmit mbetet ende i paqartë.

    Tete ishte një nga emrat më të njohur të boksit në Afrikën e Jugut. Ai fitoi titullin botëror të IBF-së në kategorinë junior-bantamweight në vitin 2014, ndërsa më vonë u shpall kampion bote edhe në kategorinë bantamweight të WBO-së.

    Megjithatë, momenti që e bëri atë të njohur në mbarë botën erdhi në vitin 2017. Tete nokautoi bashkëkombësin e tij Siboniso Gonya vetëm pas 11 sekondash, duke regjistruar atë që njihet si nokauti më i shpejtë në një meç për titull botëror.

    Vitet e fundit të karrierës së tij u shoqëruan me një periudhë të vështirë. Pas një testi pozitiv për substancën e ndaluar stanozolol, pas duelit me Jason Cunningham në vitin 2022, Tete u suspendua për katër vjet. Dënimi i tij përfundoi më 29 korrik të këtij viti.

    Tete po përgatitej për rikthimin në ring dhe kishte synime për ta vazhduar karrierën profesionale. Madje, sipas raportimeve lokale, ai kishte planifikuar të rikthehej në ring më 29 nëntor.

    Vdekja e tij ka tronditur komunitetin e boksit në Afrikën e Jugut, ndërsa autoritetet lokale e kanë cilësuar humbjen e Tetes si një goditje të rëndë për sportin dhe komunitetin e Mdantsane, vendi që e nxori një prej kampionëve më të suksesshëm të boksit të vendit.

  • Agjenti i Julian Alvarez thumbon drejtuesit e Atletico Madridit

    Agjenti i Julian Alvarez thumbon drejtuesit e Atletico Madridit

    Agjenti i yllit të Atletico Madridit, Julian Alvarez, Fernando Hidalgo, ka publikuar një mesazh të drejtpërdrejtë për drejtuesit e klubit spanjoll nga “Metropolitano”.

    Hidalgo shkroi në llogarinë e tij në Instagram një thënie mjaft thumbuese ndaj drejtuesve të Atletico Madridit, në një moment kur e ardhmja e sulmuesit argjentinas vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes.

    Kjo deklaratë erdhi pasi Atletico Madridi refuzoi ta shiste Alvarezin te Barcelona gjatë kësaj vere, pavarësisht interesimit dhe kërkesave të shumta nga kampionët spanjollë.

    Zyrtarët e klubit madrilen këmbëngulin se lojtari nuk ka marrë asnjë premtim nga drejtuesit se mund të largohet nga “Metropolitano”.

    Siç dihet, Alvarez është një objektiv i madh i Barcelonës, por Atletico Madridi nuk dëshiron ta lejojë sulmuesin argjentinas të bashkohet me një prej rivalëve të tyre.

    Më saktësisht, klubi madrilen po kërkon një shumë shumë më të lartë për transferimin e tij te Barcelona, krahasuar me klubet e tjera. Në këtë kontekst, është përmendur edhe shifra prej 500 milionë eurosh, aq sa klauzola e lirimit të lojtarit.

  • “Mora Fjalë” ndez atmosferën për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

    “Mora Fjalë” ndez atmosferën për Kosovën në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026

    Kosova ka nisur në mënyrë të veçantë pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026, ku atmosfera është ndezur nga tingujt e këngës “Mora Fjalë” të Shkurte Fejzës.

    Kënga e njohur shqiptare është kthyer në një lloj kolone zanore për delegacionin kosovar, duke u dëgjuar në fshatin mesdhetar, në rrugët ku lëvizin sportistët dhe në ambientet ku zhvillohen garat. Kjo atmosferë ka sjellë emocione dhe krenari te sportistët kosovarë, të cilët po përfaqësojnë vendin në një prej ngjarjeve më të rëndësishme shumësportëshe të rajonit.

    Kosova ka shkëlqyer edhe gjatë ceremonisë së hapjes, ku delegacioni kosovar parakaloi me krenari dhe mori ovacione të shumta nga të pranishmit.

    Pjesëmarrja në Taranto 2026 është historike edhe për nga numri i sportistëve. Kosova përfaqësohet me një delegacion rekord prej 163 sportistësh, 87 meshkuj dhe 76 femra, të cilët do të garojnë në 21 sporte.

    Lojërat Mesdhetare po zhvillohen nga 21 gushti deri më 3 shtator në Itali, ndërsa pas ceremonisë së hapjes, vëmendja tashmë është te garat.

    Sportistët kosovarë synojnë rezultate sa më të mira dhe medalje, me shpresën që kjo pjesëmarrje rekord të kurorëzohet edhe me suksese në arenën sportive.