ATV

Author: A.M.

  • Bordalas pa dyshime: Lamine Yamal mund ta fitojë Topin e Artë

    Bordalas pa dyshime: Lamine Yamal mund ta fitojë Topin e Artë

    Trajneri i Getafes, Jose Bordalas, ka vlerësuar talentin e yllit të Barcelonës, Lamine Yamal, duke thënë se sulmuesi i ri ka potencialin për ta fituar Topin e Artë në të ardhmen.

    Pas humbjes 3-0 ndaj Barcelonës, Bordalas theksoi se Yamal është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe shumë i vështirë për t’u ndalur.

    “Është fantastik dhe shumë i vështirë për t’u ndalur, pavarësisht masave që merr kundërshtari. Është shumë i mirë në duelet një kundër një, në finalizim dhe në pasime”, deklaroi ai.

    Trajneri i Getafes shprehu bindjen se talenti spanjoll do të vazhdojë të përmirësohet dhe mund të arrijë majat e futbollit botëror.

    “Ai do të përmirësohet edhe më shumë dhe mund ta fitojë Topin e Artë. Nuk kam asnjë dyshim”, u shpreh Bordalas.

    Ndërkohë, sa i përket ndeshjes, trajneri kritikoi gabimet individuale të skuadrës së tij, duke theksuar se ato ia lehtësuan punën Barcelonës për të siguruar fitoren.

     

  • Jose Mourinho bojkoton konferencën për shtyp pas fitores ndaj Villarrealit

    Jose Mourinho bojkoton konferencën për shtyp pas fitores ndaj Villarrealit

    Jose Mourinho ka vendosur të mos paraqitet në konferencën për shtyp pas fitores 1-0 të Real Madridit ndaj Villarrealit në “Santiago Bernabeu”.

    Sipas mediumit “El Mundo”, trajneri portugez ka zgjedhur të heshtë nga frika se deklaratat e tij për gjykimin mund t’i kushtonin me pezullim në ndeshjet e ardhshme ndaj Sevillas dhe Barcelonës.

    Vendimi erdhi pas një përballjeje të tensionuar, e cila u shoqërua me polemika për vendimet e gjyqtarit. Në qendër të vëmendjes ishte edhe kartoni i kuq i Vinicius Juniorit, pas një incidenti me një lojtar kundërshtar.

    Ndërkohë, sipas raportimeve, Real Madridi po shqyrton mundësinë e paraqitjes së një ankese zyrtare për gjykimin.

    Mourinho, në këtë mënyrë, ka shmangur komentet publike në një moment delikat, me synimin për të qenë në stol në dy sfidat e rëndësishme që e presin skuadrën madrilene.

  • Arda Turan pritet të marrë drejtimin e Kombëtares së Turqisë

    Arda Turan pritet të marrë drejtimin e Kombëtares së Turqisë

    Arda Turan mund të marrë një detyrë të re në karrierën e tij si trajner, pasi raportohet se është pranë emërimit në krye të Kombëtares së Turqisë.

    Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur i merkatos, Nicolo Schira, i cili ka raportuar në rrjetet sociale për mundësinë që ish-futbollisti i Atletico Madridit dhe Barcelonës të drejtojë përfaqësuesen turke.

    Aktualisht, 39-vjeçari është trajner i Shakhtar Donetskut, skuadër që e mori në drejtim në vitin 2025.

    Gjatë karrierës si futbollist, Turan ishte një nga emrat më të njohur të futbollit turk, duke luajtur për klube të mëdha evropiane si Atletico Madridi dhe Barcelona.

    Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmim zyrtar për emërimin e tij. Kombëtarja e Turqisë drejtohej nga italiani Vincenzo Montella, i cili mori detyrën në shtator të vitit 2023.

    Nëse realizohet, emërimi i Turanit do të shënonte një hap të rëndësishëm në karrierën e tij si trajner.

  • Hansi Flick i kënaqur me Barcelonën pas fitores ndaj Getafes: Po luajmë në nivel të lartë

    Hansi Flick i kënaqur me Barcelonën pas fitores ndaj Getafes: Po luajmë në nivel të lartë

    Barcelona e Hansi Flickut po vazhdon me rezultate pozitive, duke e mposhtur Getafen me rezultat 3-0 në La Liga, pas rikthimit nga pushimi i ndeshjeve ndërkombëtare.

    Pas ndeshjes, trajneri gjerman u shpreh i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, duke theksuar rëndësinë e golit të hershëm dhe kontrollin që Barcelona pati gjatë gjithë takimit.

    “Shënimi i golit shumë herët ishte i rëndësishëm për vetëbesimin. Nuk është e lehtë të rikthehesh pas pushimit ndërkombëtar, por ne bëmë një punë shumë të mirë”, deklaroi Flick.

    Ai vlerësoi gjithashtu Gerard Martinin, duke përgëzuar mbrojtësin për paraqitjet dhe zhvillimin e tij, si dhe Anthony Gordonin për kontributin në fazën ofensive.

    Flick foli edhe për Gabriel Jesusin, i cili shënoi në ndeshjen e tij të parë si titullar me Barcelonën, duke theksuar se skuadra ka nevojë për kontributin e të gjithë lojtarëve, si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.

    Trajneri gjerman vlerësoi edhe profesionalizmin e Jules Koundes, ndërsa atmosferën brenda skuadrës e cilësoi si një nga pikat e forta të ekipit.

    Tashmë, vëmendja e Barcelonës zhvendoset te Liga e Kampionëve, ku të martën e pret përballja ndaj Galatasarayt në Turqi.

    Flick paralajmëroi se skuadrën e pret një sfidë e vështirë, duke theksuar se atmosfera në stadium do të jetë krejtësisht ndryshe nga ajo e ndeshjeve në kampionat.

  • Marco Bezzecchi triumfon në Indonezi, Aprilia shkruan histori me katër vendet e para

    Marco Bezzecchi triumfon në Indonezi, Aprilia shkruan histori me katër vendet e para

    Marco Bezzecchi ka fituar Çmimin e Madh të Indonezisë në MotoGP, në pistën e Mandalikës, duke i dhënë Italisë fitoren e 300-të në klasën mbretërore të motoçiklizmit. Gara ishte historike edhe për Aprilian, e cila dominoi katër pozitat e para.

    Bezzecchi fitoi duelin me spanjollin Raul Fernandez, ndërsa Jorge Martin u rendit i treti. Ai Ogura përfundoi në vendin e katërt, duke kompletuar dominimin e Aprilias.

    Gara nisi me Fernandez në pole position, ndërsa Marc Marquez tentoi të merrte kryesimin që në start. Megjithatë, piloti i Ducatit humbi terren dhe nuk arriti të luftonte për fitoren. Në garë pati edhe dy braktisje të rëndësishme, pasi Fermin Aldeguer dhe Francesco Bagnaia u rrëzuan.

    Në xhirot e fundit, Bezzecchi realizoi parakalimin vendimtar ndaj Fernandezit dhe siguroi fitoren, ndërsa Martin plotësoi podiumin.

    Marc Marquez u rendit i gjashti, duke humbur pozita në luftën për titullin. Jorge Martin kryeson klasifikimin e përgjithshëm me 355 pikë, ndërsa Marquez ndodhet vetëm dy pikë prapa tij. Bezzecchi renditet në vendin e tretë.

  • Ylli pret Pejën, Rahoveci 029 përballet me Sigal Prishtinën

    Ylli pret Pejën, Rahoveci 029 përballet me Sigal Prishtinën

    Java e katërt e Superligës së Kosovës në basketboll vazhdon të dielën me dy përballje interesante, ku skuadrat synojnë pikë të rëndësishme për ecurinë e sezonit.

    Nga ora 17:00, Golden Eagle Ylli pret Pejën në palestrën “13 Qershori” në Suharekë. Ylli vjen pas fitores së parë sezonale ndaj Sigal Prishtinës, ndërsa Peja synon rikthimin te rezultatet pozitive pas humbjes nga Vëllaznimi.

    Ndërkohë, xhiroja mbyllet me duelin Rahoveci 029 – Sigal Prishtina, që zhvillohet nga ora 19:30 në palestrën “Mizahir Isma”.

    Rahovecasit janë ende në kërkim të fitores së parë këtë sezon dhe shpresojnë ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendas. Në anën tjetër, Sigal Prishtina synon të reagojë pas humbjes ndaj Yllit dhe të rikthehet te fitorja.

  • Gjilani ndan rrugët me Debatik Currin pas humbjes nga Vushtrria

    Gjilani ndan rrugët me Debatik Currin pas humbjes nga Vushtrria

    Debatik Curri nuk është më trajner i Gjilanit. Klubi gjilanas ka njoftuar të dielën për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin, pas humbjes 1-0 ndaj Vushtrrisë në kuadër të Albi Mall Superligës së Kosovës.

    Përmes një njoftimi zyrtar, Gjilani e ka falënderuar Currin për angazhimin dhe kontributin e dhënë gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke i uruar suksese në vazhdim të karrierës profesionale.

    Sport Club Gjilani njofton opinionin publik, tifozët dhe mediat se ka mbyllur bashkëpunimin me kryetrajnerin Debatik Curri.

    Pas përmbylljes së këtij bashkëpunimi, klubi shpreh vlerësimin për angazhimin dhe kontributin e trajnerit Curri gjatë periudhës në krye të skuadrës, duke i dëshiruar suksese të mëtejshme në karrierën e tij profesionale.

    Ndërkohë, klubi ka bërë të ditur se për zhvillimet e ardhshme lidhur me organizimin e shtabit teknik do të njoftojë me kohë përmes kanaleve zyrtare.

  • Vinicius rrezikon deri në katër ndeshje pezullim, në dyshim për El Clásicon

    Vinicius rrezikon deri në katër ndeshje pezullim, në dyshim për El Clásicon

    Vinicius Junior rrezikon të dënohet me dy deri në katër ndeshje pezullim pas kartonit të kuq të marrë ndaj Villarrealit, bëjnë të ditur mediat spanjolle.

    Sulmuesi i Real Madridit u përjashtua në minutën e 71-të, pasi tërhoqi nga flokët një kundërshtar. Sipas raportit të gjyqtarit Isidro Díaz de Mera, braziliani vazhdoi të protestonte edhe pas përjashtimit, duke e komplikuar më tej situatën e tij.

    Komiteti i Disiplinës do të shqyrtojë incidentin dhe reagimin e futbollistit për të përcaktuar masën e dënimit.

    Në rastin më të rëndë, Vinicius mund të mungojë në katër ndeshje, duke rrezikuar të mos jetë i gatshëm për El Clásicon ndaj Barcelonës, të planifikuar për 25 tetor.

    Vendimi përfundimtar pritet të merret nga organet disiplinore të futbollit spanjoll.

  • Messi dhe Suarez shkëlqejnë me nga dy gola, Inter Miami triumfon 4-0 ndaj DC Unitedit

    Messi dhe Suarez shkëlqejnë me nga dy gola, Inter Miami triumfon 4-0 ndaj DC Unitedit

    Inter Miami ka shënuar fitore bindëse me rezultat 4-0 ndaj DC Unitedit, në ndeshjen e zhvilluar të shtunën mbrëma në kuadër të Major League Soccer (MLS).

    Protagonistët kryesorë të skuadrës nga Florida ishin Lionel Messi dhe Luis Suarez, të cilët realizuan nga dy gola secili, duke i dhuruar ekipit të tyre një fitore të rëndësishme.

    Inter Miami e nisi takimin në mënyrë perfekte, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë. Luis Suarez zhbllokoi rezultatin pas asistimit të German Berterames, duke i dhënë skuadrës vendase avantazhin e hershëm.

    Sulmuesi uruguaian shënoi sërish në minutën e 39-të, duke realizuar golin e dytë personal dhe duke thelluar epërsinë e Inter Miamit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve.

    Në pjesën e dytë, Lionel Messi mori skenën kryesore. Ylli argjentinas realizoi në minutën e 47-të, duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke regjistruar golin e 933-të në karrierën e tij profesionale.

    Vetëm 13 minuta më vonë, Messi shënoi edhe golin e dytë personal. Pas një harkimi nga krahu i djathtë, argjentinasi reagoi shpejt dhe e dërgoi topin në rrjetë, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4-0.

    Me nga dy gola secili, Messi dhe Suarez ishin vendimtarë në këtë sukses të Inter Miamit, që konfirmoi forcën sulmuese të skuadrës në këtë përballje të MLS-së.

    Për Messin, kjo ishte ndeshja e parë zyrtare me klubin pas lamtumirës nga Kombëtarja e Argjentinës.

  • Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Prishtina – Dukagjini, dueli që mbyll javën e tetë në Superligën e Kosovës

    Java e tetë në Albi Mall Superligën e Kosovës do të mbyllet sonte me përballjen ndërmjet Prishtinës dhe Dukagjinit, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Kampioni Nacional”, me fillim nga ora 18:00.

    Kjo është ndeshja e fundit e kësaj xhiroje, e cila deri më tani është karakterizuar nga rezultate të ngushta dhe befasi në disa prej përballjeve.

    Vushtrria shënoi fitore minimale ndaj Gjilanit, duke triumfuar me rezultat 1-0. Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Malisheva në udhëtim ndaj Dritës, ndërsa Ballkani mori tri pikë të plota në Podujevë, duke e mposhtur Llapin po ashtu me rezultat 1-0.

    Ndërkohë, dueli ndërmjet Drenicës dhe Feronikelit ishte i vetmi që përfundoi pa fitues, me rezultatin 2-2.

    Tashmë, vëmendja është te përballja Prishtina – Dukagjini, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv për ta mbyllur xhiron e tetë në mënyrën më të mirë të mundshme.