ATV

Author: A.M.

  • Chelsea triumfon ndaj Evertonit, Pedro Neto vendimtar me dy gola

    Chelsea triumfon ndaj Evertonit, Pedro Neto vendimtar me dy gola

    Chelsea ka marrë një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Evertonit, duke triumfuar me rezultatin 2-0 në kuadër të javës së shtatë të Premier League.

    Skuadra londineze vazhdon të tregojë formë të mirë pas pushimit ndërkombëtar, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në kampionat.

    Pjesa e parë ishte e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që krijuan raste shënimi, por pa arritur të gjenin rrugën drejt rrjetës.

    Në pjesën e dytë, Chelsea u shfaq më kërkues dhe kaloi në epërsi që në minutën e 46-të, kur Pedro Neto realizoi për 0-1.

    Evertoni tentoi të reagonte, por në minutat shtesë ishte sërish Neto që shënoi golin e dytë personal, duke vulosur fitoren 2-0 të mysafirëve.

    Me këtë sukses, Chelsea ngjitet në vendin e katërt me 13 pikë, ndërsa Evertoni mbetet në pozitën e gjashtë me 10 pikë.

    Në ndeshjen e radhës, Chelsea do të presë Tottenhamin, kurse Evertoni do të përballet në udhëtim me Arsenalin.

  • Viktor Gyökeres mund të largohet nga Arsenali, Arteta piketon katër zëvendësues

    Viktor Gyökeres mund të largohet nga Arsenali, Arteta piketon katër zëvendësues

    Viktor Gyökeres mund të largohet nga Arsenali në merkaton e janarit, pasi mungesa e minutave të lojës ka vënë në pikëpyetje të ardhmen e tij në Londër.Sipas raportimeve të “TEAMtalk”, Mikel Arteta po shqyrton alternativat për sulmin, ndërsa “SPORTbible” përmend katër emra të mundshëm: Julián Álvarez, Eli Junior Kroupi, Nicolo Tresoldi dhe Erling Haaland.Álvarez shihet si një objektiv i rëndësishëm, por transferimi i tij nga Atlético Madridi nuk do të jetë i lehtë. Në listë janë edhe Kroupi i Bournemouthit dhe Tresoldi i Club Brugge, ndërsa Haaland mbetet një ëndërr e vështirë për t’u realizuar për shkak të kontratës dhe kostos së lartë.Për momentin, Arsenali nuk ka konfirmuar negociata konkrete për asnjërin prej sulmuesve. Megjithatë, nëse Gyökeres largohet në janar, drejtuesit londinezë mund të detyrohen të kërkojnë një zëvendësues për repartin ofensiv.

    1. Kupa e Italisë drejt ndryshimeve, shqyrtohet rikthimi i fazës së grupeve

      Kupa e Italisë drejt ndryshimeve, shqyrtohet rikthimi i fazës së grupeve

      Drejtuesit e futbollit italian po shqyrtojnë mundësinë e ndryshimeve në formatin e Kupës së Italisë, me synimin për ta bërë garën më tërheqëse dhe për të rritur pjesëmarrjen e klubeve nga kategoritë më të ulëta.

      Sipas gazetës “La Gazzetta dello Sport”, Lega Serie A po vlerëson disa propozime që mund të hyjnë në fuqi nga sezoni 2027/28. Kjo temë është diskutuar edhe gjatë asamblesë së klubeve të zhvilluar të premten, në prag të tenderit të ri për të drejtat televizive të kompeticionit.

      Marrëveshja aktuale me “Mediaset”, me vlerë 56 milionë euro në vit dhe që garanton transmetim falas për tifozët, skadon në fund të këtij sezoni. Përmes tenderit të ardhshëm, drejtuesit e futbollit italian synojnë të rrisin të ardhurat nga të drejtat televizive dhe njëkohësisht t’i japin një shtysë të re Kupës së Italisë.

      Një nga objektivat kryesorë është zgjerimi i pjesëmarrjes, duke u krijuar më shumë mundësi skuadrave të Serie C për të garuar në këtë kompeticion. Një ndryshim i tillë do t’u jepte klubeve të kategorive më të ulëta mundësinë të përballeshin me ekipet e mëdha të futbollit italian.

      Në mesin e propozimeve që po shqyrtohen është edhe rikthimi i fazës së grupeve në raundet e para. Ky sistem është përdorur për herë të fundit në sezonin 2004/05, përpara se Kupa e Italisë të kalonte në formatin aktual, të bazuar në eliminimin direkt.

      Megjithatë, deri tani nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar. Diskutimet pritet të vazhdojnë gjatë muajve të ardhshëm, ndërsa drejtuesit e Lega Serie A do të vlerësojnë alternativat përpara se të përcaktojnë formatin e ri të mundshëm.

      Nëse propozimet miratohen, Kupa e Italisë mund të pësojë ndryshime të rëndësishme nga sezoni 2027/28, si në organizimin e garës, ashtu edhe në numrin e skuadrave pjesëmarrëse.

    2. Jose Mourinho mbyll derën për përforcime në janar: “Jam i kënaqur me skuadrën aktuale”

      Jose Mourinho mbyll derën për përforcime në janar: “Jam i kënaqur me skuadrën aktuale”

      Trajneri i Real Madridit, José Mourinho, ka përjashtuar mundësinë e afrimeve të reja gjatë afatit kalimtar të janarit, duke theksuar se është i kënaqur me grupin e lojtarëve që ka në dispozicion.

      Klubi madrilen investoi shuma të konsiderueshme gjatë merkatos së verës, duke përforcuar skuadrën me emra si Yan Diomande, Marc Cucurella, Ibrahima Konaté, Carlos Espí, Denzel Dumfries, Bernardo Silva dhe Sergio Martínez.

      Megjithatë, rezultatet e luhatshme në fillim të sezonit në La Liga kanë bërë që skuadra dhe trajneri portugez të përballen herë pas here me kritika. Pavarësisht kësaj, Mourinho nuk sheh nevojën për të ndërhyrë në përbërjen e ekipit gjatë merkatos së dimrit.

      “Merkatoja e dimrit? Nuk po kërkoj përforcime të reja. Jam i kënaqur”, deklaroi fillimisht trajneri portugez.

      Mourinho theksoi se prioriteti i tij është zhvillimi i lojtarëve që ka në dispozicion, duke nënvizuar rëndësinë e kohës dhe qetësisë në procesin e punës.

      “Lojtarët po përmirësohen, veçanërisht kur kemi kohë dhe qetësi. Puna ime është t’i ndihmoj ata të zhvillohen. Nuk jam tipi i trajnerit që kërkon vazhdimisht lojtarë. Preferoj një skuadër të vogël”, u shpreh ai.

      Në fund, trajneri i Real Madridit la të hapur mundësinë që drejtuesit e klubit të shqyrtojnë ndonjë opsion nëse e shohin të nevojshme, por bëri të qartë se një iniciativë e tillë nuk do të vijë prej tij.

      “Nëse drejtuesit e klubit shqyrtojnë ndonjë mundësi, do ta vlerësojmë. Por unë nuk po marr iniciativën për të kërkuar lojtarë. Nuk dua lojtarë të rinj”, përfundoi Mourinho.

      Kështu, të paktën sipas deklaratave të trajnerit, Real Madridi nuk pritet të jetë aktiv në kërkim të përforcimeve gjatë merkatos së janarit, ndërsa fokusi mbetet te përmirësimi i skuadrës aktuale.

    3. PSG-ja, makthi i klubeve angleze në Ligën e Kampionëve

      PSG-ja, makthi i klubeve angleze në Ligën e Kampionëve

      Paris Saint-Germain po konfirmon gjithnjë e më shumë statusin e një prej skuadrave më të frikshme në Evropë, veçanërisht për klubet angleze. Fitorja 4-2 ndaj Manchester Cityt në udhëtim është dëshmia më e fundit e forcës së parisienëve, të cilët, nën drejtimin e Luis Enriques, po kalojnë një periudhë mbresëlënëse në arenën evropiane.

      Shifrat flasin qartë për dominimin e kampionëve francezë ndaj ekipeve të Ligës Premier. PSG-ja ka fituar katër ndeshjet e fundit si mysafire në Angli, duke mposhtur Arsenalin 1-0, Chelsean 3-0, Liverpoolin 2-0 dhe Manchester Cityn 4-2. Një seri rezultatesh që dëshmon se skuadra nga Parisi tashmë di si t’i përballojë dhe t’i mposhtë kundërshtarët më të fortë anglezë, edhe në fushën e tyre.

      Pas largimit të Kylian Mbappes, shumëkush vuri në dyshim aftësinë e skuadrës për të ruajtur potencialin ofensiv. Megjithatë, Luis Enrique zgjodhi një rrugë tjetër: ndërtimin e një ekipi ku përgjegjësitë ndahen mes lojtarëve dhe suksesi nuk varet nga një individ i vetëm. Sulmuesit, mesfushorët dhe mbrojtësit përfshihen në fazën ofensive, duke i dhënë skuadrës më shumë alternativa dhe duke e bërë më të vështirë për t’u parashikuar nga kundërshtarët.

      Një tjetër armë e rëndësishme është kontrolli i mesfushës. Vitinha, Warren Zaïre-Emery dhe Fabián Ruiz i japin ekipit cilësi teknike, qetësi në qarkullimin e topit dhe aftësi për të diktuar ritmin e lojës. PSG-ja nuk mbështetet vetëm te shpejtësia dhe intensiteti, por edhe te aftësia për të kontrolluar hapësirat dhe për ta detyruar kundërshtarin të ndjekë topin. Kjo mënyrë loje ua vështirëson skuadrave angleze zbatimin e presionit të lartë dhe të tranzicioneve të shpejta.

      Në këtë sukses, rol të rëndësishëm luan edhe menaxhimi taktik i Luis Enriques. Trajneri spanjoll ka krijuar një skuadër me alternativa të shumta, duke i dhënë mundësi të bëjë rotacion dhe të ruajë freskinë fizike të lojtarëve gjatë një sezoni të ngarkuar. Ndërkohë, kalendari intensiv i klubeve angleze mund të ndikojë në përgatitjen dhe energjinë e tyre në ndeshjet evropiane.

      Fitorja ndaj Manchester Cityt ishte një ilustrim i qartë i kësaj epërsie. PSG-ja arriti të krijonte një avantazh prej tri golash që në pjesën e parë, duke shfrytëzuar hapësirat dhe duke ushtruar presion në momentet e duhura. Më pas, skuadra parisiene tregoi pjekuri në menaxhimin e ndeshjes, përpara se të vuloste rezultatin përfundimtar 4-2.

      Përtej aspektit taktik dhe cilësisë individuale, rezultatet e fundit kanë ndikuar edhe në aspektin psikologjik. PSG-ja hyn në përballjet me klubet angleze me besimin se mund t’i mposhtë, pavarësisht emrit të kundërshtarit apo faktit që luan në transfertë. Në të kundërt, këto humbje mund të shtojnë presionin mbi rivalët, të cilët tashmë e dinë se përballë kanë një skuadër të aftë për të shfrytëzuar çdo gabim.

      Kombinimi i organizimit taktik, kontrollit të mesfushës, kontributit të të gjithë lojtarëve dhe vetëbesimit e ka kthyer klubin francez në një kërcënim serioz për çdo kundërshtar në Ligën e Kampionëve, veçanërisht për gjigantët e futbollit anglez.

    4. FIFA pritet të ndryshojë rregulloren pas kërkesës së federatës belge për transparencë

      FIFA pritet të ndryshojë rregulloren pas kërkesës së federatës belge për transparencë

      Gjatë një mbledhjeje të Këshillit të FIFA-s në Cyrih, presidentja e Federatës Belge të Futbollit, Pascale Van Damme, kërkoi sqarime për ndërhyrjen e presidentit amerikan, Donald Trump, në këtë çështje, si dhe garanci se procedura disiplinore nuk ishte ndikuar nga presione të jashtme.

      Federata belge kërkoi gjithashtu transparencë lidhur me rrethanat që çuan në marrjen e vendimit dhe mënyrën e zbatimit të nenit 27 në raste të ngjashme.

      Në përgjigje të këtyre shqetësimeve, FIFA ka konfirmuar se rregullorja do të ndryshohet, ndërsa propozimi pritet të hidhet në votim më 16 dhjetor në Doha.

      Van Damme e mirëpriti këtë zotim, por theksoi se çështja nuk përfundon vetëm me ndryshimin e rregullave. Sipas saj, është po aq e rëndësishme që të ketë qartësi në mënyrën se si ato zbatohen.

      “Ne kërkojmë jo vetëm ndryshimin e rregullave, por edhe qartësi për mënyrën se si ato zbatohen”, deklaroi ajo.

      Presidentja e federatës belge nënvizoi rëndësinë e transparencës, sigurisë juridike dhe qeverisjes së mirë në futbollin ndërkombëtar, duke lënë të kuptohet se institucionet duhet të garantojnë zbatimin e njëjtë të rregullave në çdo rast, pa ndikime të jashtme.

    5. Bayern Munich mohon interesimin për Dani Olmon dhe Jules Koundé në merkaton e janarit

      Bayern Munich mohon interesimin për Dani Olmon dhe Jules Koundé në merkaton e janarit

      Bayern Munich nuk po përgatit, të paktën për momentin, asnjë lëvizje për transferimin e Dani Olmos apo Jules Koundé nga Barcelona në merkaton e dimrit.

      Lajmi është bërë i ditur nga Christian Falk, gazetari i njohur për informacionet rreth klubit gjerman, i cili ka përgënjeshtruar raportimet për një ofensivë të mundshme të kampionëve të Bundesligës për dy futbollistët katalanas.

      Sipas Falk, përgjegjës për mbulimin e lajmeve të Bayern Munichut në grupin mediatik “BILD”, aktualisht nuk ka negociata dhe as plane për konkretizimin e ndonjërit prej këtyre dy operacioneve gjatë muajit janar.

      Megjithatë, interesi i bavarezëve për lojtarët e Barcelonës nuk është i ri. Në fillim të tetorit, gazeta spanjolle “Mundo Deportivo” raportoi se Bayern Munich po e ndiqte nga afër Dani Olmon. Më herët, “Sky Sports” kishte bërë të ditur se klubi gjerman mund të ofronte deri në 90 milionë euro për mesfushorin spanjoll.

      Pavarësisht këtyre raportimeve, Falk mohon se Bayerni po përgatit aktualisht një ofertë për Olmon, i cili është lindur në Terrassa të Spanjës.

      Megjithatë, gazetari thekson se mesfushori mund të mbetet një alternativë tërheqëse për klubin gjerman në planin afatgjatë, ndërsa vëzhgimi i tij nga drejtuesit bavarezë pritet të vazhdojë.

      Për momentin, Bayern Munich nuk ka ndërmend të ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e Olmos apo Koundé në merkaton e janarit.

    6. Javier Tebas rrezikon ndëshkimin pas deklaratave kontroverse për Real Madridin

      Javier Tebas rrezikon ndëshkimin pas deklaratave kontroverse për Real Madridin

      Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, mund të përballet me masa disiplinore pas deklaratave të tij kontroverse për Real Madridin, pasi krahasoi strategjinë e komunikimit të klubit madrilen, përmes Real Madrid TV, me taktikat e propagandës së Gjermanisë naziste.

      Reagimi i klubit mbretëror ishte i menjëhershëm. Real Madridi publikoi të premten një deklaratë zyrtare, në të cilën kërkoi dorëheqjen e menjëhershme të Tebas, i cili mban gjithashtu postin e nënkryetarit të Federatës Mbretërore Spanjolle të Futbollit (RFEF).

      Sipas gazetës spanjolle Marca, Këshilli i Lartë i Sportit në Spanjë (CSD) po shqyrton nëse Tebas ka shkelur protokollet institucionale përmes deklaratave të tij publike.

      Kjo situatë e fundit pritet të thellojë edhe më tej përplasjen mes drejtuesit të La Ligës dhe Real Madridit, marrëdhëniet e të cilëve kanë qenë prej kohësh të tensionuara.

      Për momentin, nuk është bërë e ditur nëse ndaj Tebas do të merret ndonjë masë konkrete

    7. Real Madridi kërkon dorëheqjen e Javier Tebasit: Përplasja mes tyre ashpërsohet

      Real Madridi kërkon dorëheqjen e Javier Tebasit: Përplasja mes tyre ashpërsohet

      Real Madridi ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Javier Tebasit nga posti i presidentit të LaLigës dhe ai i zëvendëspresidentit të Federatës Spanjolle të Futbollit, pas deklaratave të tij lidhur me strategjinë mediatike të klubit madrilen.

      Përmes një komunikate zyrtare, gjiganti spanjoll ka reaguar ashpër ndaj krahasimeve që, sipas klubit, Tebasi ka bërë mes strategjisë së televizionit zyrtar të Real Madridit, RMTV, dhe metodave të propagandës naziste të Joseph Goebbelsit.

      Drejtuesit e klubit madrilen i kanë cilësuar këto deklarata si “absolutisht të papranueshme” dhe tejet serioze, duke pretenduar se ato synojnë të dëmtojnë imazhin e klubit, drejtuesve të tij dhe kanalit televiziv.

      “Real Madridi konsideron absolutisht të papranueshme dhe tejet serioze që një person që mban dy pozitat me përgjegjësinë më të lartë në futbollin spanjoll të përdorë krahasime të tilla me qëllim diskreditimin e klubit tonë”, thuhet në komunikatën e klubit.

      Në reagimin e tij, Real Madridi ka vënë gjithashtu në pikëpyetje neutralitetin, respektin dhe paanshmërinë e Tebasit, duke theksuar se deklaratat e tilla, sipas vlerësimit të klubit, nuk përputhen me përgjegjësitë që bartin pozitat e tij drejtuese.

      Për këtë arsye, klubi madrilen ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Tebasit nga të dyja pozitat.

      Përplasjet mes Real Madridit dhe presidentit të LaLigës kanë qenë të shpeshta gjatë viteve të fundit, për çështje që lidhen me menaxhimin dhe të ardhmen e futbollit spanjoll.

      Reagimi i fundit dëshmon se raportet mes palëve vazhdojnë të jenë të tensionuara, ndërsa mbetet të shihet nëse Javier Tebasi do t’i përgjigjet kërkesës së klubit madrilen.

    8. Liverpooli në avantazh ndaj Chelseat për Alex Scott, Bournemouthi kërkon 115 milionë euro

      Liverpooli në avantazh ndaj Chelseat për Alex Scott, Bournemouthi kërkon 115 milionë euro

      Liverpooli ka marrë epërsi në garën për transferimin e mesfushorit të Bournemouthit, Alex Scott, i cili po tërheq interesimin e disa klubeve të mëdha angleze. Sipas raportimeve, “Të Kuqtë” janë në pozitë të favorshme ndaj Chelseat për ta siguruar nënshkrimin e 23-vjeçarit.

      Scott është shndërruar në një prej mesfushorëve më premtues në Premier League që nga transferimi nga Bristol City te Bournemouthi në vitin 2023. Paraqitjet e tij të mira i kanë siguruar edhe ftesën e parë në Kombëtaren e Anglisë, ku ka lënë përshtypje pozitive.

      Forma e tij ka shtuar interesimin nga klubet e mëdha, ndërsa Chelsea ishte një prej skuadrave që tentoi ta transferonte gjatë afatit kalimtar të verës. Bournemouthi thuhet se refuzoi disa oferta nga londinezët, përfshirë një propozim që raportohet të ketë arritur vlerën e 78 milionë eurove.

      Megjithatë, situata mund të ndryshojë në muajt e ardhshëm. Sipas raportimeve, Bournemouthi mund të shqyrtojë shitjen e mesfushorit gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi ai nuk ka pranuar të nënshkruajë kontratë të re. Marrëveshja aktuale e Scottit skadon në qershor të vitit 2028.

      Gazeta Daily Mail raporton se Bournemouthi kërkon rreth 115 milionë euro për kartonin e tij, një shumë që mund ta vështirësojë realizimin e transferimit.

      Një faktor që mund t’i japë Liverpoolit avantazh është trajneri Andoni Iraola, i cili e njeh mirë mesfushorin nga koha e tyre te Bournemouthi. Iraola e kishte transferuar Scottin nga Bristol City në gusht të vitit 2023, për një shumë prej rreth 29 milionë eurosh.

      Njohja e potencialit dhe cilësive të mesfushorit mund të ndikojë në interesimin e Liverpoolit, megjithëse mbetet të shihet nëse klubi do të jetë i gatshëm të paguajë shumën e kërkuar.

      Për momentin, gara për Alex Scott mbetet e hapur, me Liverpoolin dhe Chelsean që përmenden si dy nga klubet e interesuara për shërbimet e tij.