Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në kampionatin amerikan të futbollit. Ylli argjentinas realizoi dy gola në fitoren 3-1 të Inter Miamit në transfertën ndaj Atlanta United, duke çuar në 25 numrin e golave të shënuar këtë sezon në MLS.
Inter Miami siguroi një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat, falë një paraqitjeje vendimtare të kapitenit të tij, Lionel Messi, i cili edhe një herë bëri diferencën në fushën e lojës.Skuadra nga Florida kaloi në avantazh në minutën e 45-të, kur Germán Berterame shënoi me kokë pas asistimit të Luis Suárezit.
Në këtë aksion kontribuoi edhe Messi, duke ndihmuar në ndërtimin e golit që i dha epërsinë skuadrës mike.
Spektakli i argjentinasit shpërtheu në pjesën e dytë. Në minutën e 56-të, Messi kombinoi bukur me Berteramen, depërtoi drejt zonës kundërshtare dhe realizoi me një goditje të saktë me të majtën, duke dyfishuar avantazhin e Inter Miamit.
Vetëm katër minuta më vonë, 39-vjeçari goditi sërish. Pas një pasimi të shkëlqyer nga Luis Suárez, Messi përshpejtoi drejt portës, kaloi mbrojtësin kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë, duke e çuar rezultatin në 3-0.
Atlanta United arriti të shënonte golin e nderit në minutën e 89-të, kur Fafà Picault realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Megjithatë, vendasit nuk arritën të ndryshonin fatin e takimit, që përfundoi me fitoren 3-1 të Inter Miamit.
Me këtë dygolësh, Messi shkon në kuotën e 25 golave në MLS për këtë sezon, duke vijuar garën për Këpucën e Artë të kampionatit amerikan.Për Inter Miamin, kjo ishte fitorja e tretë radhazi në kampionat, ndërsa Messi konfirmoi edhe një herë rëndësinë e tij për skuadrën, duke udhëhequr ekipin drejt një tjetër suksesi me klasin dhe efikasitetin e tij para portës.
