ATV

Edon Zhegrova pranë formacionit titullar te Juventusi, Spalletti gati t’i besojë një rol të rëndësishëm ndaj Lazios

Written by

in

Edon Zhegrova po fiton gjithnjë e më shumë besimin e Luciano Spallettit dhe mund të marrë një mundësi të rëndësishme te Juventusi, duke e nisur nga minuta e parë përballjen ndaj Lazios në Serie A, e planifikuar për të dielën në orën 20:45.

Paraqitjet pozitive në ndeshjet e fundit dhe vlerësimet e trajnerit italian kanë rritur gjasat që anësori i Kosovës të fitojë më shumë hapësirë në skuadrën bardhezi.

Sipas mediumit italian “Tuttosport”, Zhegrova është shndërruar në një kandidat serioz për formacionin titullar, ndryshe nga situata në fillim të shtatorit, kur konsiderohej ndër alternativat e fundit në repartin ofensiv të Juventusit.

Gjendja e 27-vjeçarit ka ndryshuar gradualisht. Pas aktivizimit nga stoli në ndeshjen ndaj Sassuolos, futbollisti kosovar la gjurmë edhe në përballjen me Atalantën, ku asistoi në golin e Bremerit.

Këto paraqitje duket se kanë ndikuar në rritjen e besimit të stafit teknik, ndërsa Zhegrova po synon të shfrytëzojë çdo mundësi për të siguruar një rol më të rëndësishëm te Juventusi.

Një tjetër faktor që mund t’i hapë rrugë aktivizimit të tij nga minuta e parë është gjendja fizike e Francisco Conceiçãos, i cili ka shpenzuar shumë energji në ndeshjen ndaj Celta Vigos. Kjo situatë mund ta shtyjë Spallettin të shqyrtojë mundësinë e aktivizimit të kosovarit në formacionin bazë.

Trajneri italian ka dhënë sinjale pozitive për anësorin kosovar, duke vlerësuar kontributin e tij dhe duke lënë të kuptohet se mundësitë për të luajtur më shumë mund të shtohen.

Sipas “Tuttosport”, Zhegrova po fiton terren në projektin e Juventusit dhe po hyn në mesin e futbollistëve që mund të kenë një rol më të rëndësishëm në vazhdim të sezonit.

Përballja me Lazion mund të përfaqësojë një mundësi të rëndësishme për reprezentuesin e Kosovës, i cili synon të bindë plotësisht Spallettin dhe të konsolidojë pozitat e tij në skuadrën bardhezi.

Megjithatë, aktivizimi nga minuta e parë nuk është ende i konfirmuar, pasi vendimi përfundimtar do të merret nga trajneri italian para fillimit të takimit.