ATV

Author: A.M.

  • Shpati Zekaj fiton medaljen e bronztë për Kosovën në “Taranto 2026”

    Shpati Zekaj fiton medaljen e bronztë për Kosovën në “Taranto 2026”

    Xhudisti kosovar, Shpati Zekaj, ka arritur të sigurojë medaljen e bronztë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, në kategorinë deri në 100 kilogramë.

    Zekaj triumfoi në duelin për medaljen e bronztë ndaj algjerianit Rayane Zakaria Benatia, të cilin e mposhti me Ippon.

    Xhudisti kosovar zhvilloi një garë të suksesshme, duke u rikthyer fuqishëm pas humbjes në çerekfinale dhe duke i sjellë Kosovës një tjetër medalje në “Taranto 2026”.

    Zekaj e nisi garën në mënyrë të shkëlqyer, pasi në xhiron e parë mposhti me Ippon malazezin Aleksandar Tomic.

    Megjithatë, në çerekfinale ai u mposht me Ippon nga tuniziani Koussay Ben Gares, rezultat që e dërgoi në fazën e repesazhit.

    Por Zekaj nuk u dorëzua dhe përmes repesazhit arriti të rikthehej fuqishëm në garë. Ai fitoi duelin për medaljen e bronztë ndaj Benatias dhe siguroi kështu një tjetër sukses për Kosovën në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”.

  • Laura Fazliu siguron medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

    Laura Fazliu siguron medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

    Xhudistja Laura Fazliu ka siguruar medaljen e argjendtë në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto të Italisë.

    Fazliu në finalen deri në 63 kg pësoi humbje ndaj italianes Carlotta Avanzato,ku kjo e fundit me Yuko.

    Deri në finale Fazliu arriti duke mposhtur në luftën e parë xhudisten turke Ozlem Yildiz,teksa më pas mposhti francezen Doris Boursas në gjysmëfinale dhe atë më Ippon.

    Në finale ndaj italianes Avanzato Fazliu nuk arriti që të siguroj medaljen e artë në finalen deri në 63 kg,teksa italianja me përkrahjen edhe të publikut vendas arriti që me Yuko të siguroj edhe medajlen e artë.

    Arritja e medaljes së argjendtë nga Laura konfirmon edhe një herë suksesin e rradhës së Kosovës në arenën ndërkombvëare në sportin e xhudos.

    Kujtojmë që medajle nga këto lojëra mesdhetare në xhudo kanë siguruar edhe   Fatjona Kasapi, Akil Gjakova dhe Flaka Loxha.

  • Liverpooli ndalet nga Nottingham Forest, barazim 2-2 në “Anfield”

    Liverpooli ndalet nga Nottingham Forest, barazim 2-2 në “Anfield”

    Liverpooli ka barazuar 2-2 në shtëpi ndaj Nottingham Forestit në ndeshjen e vlefshme për javën e dytë të Ligës Premier.

    Ekipi i Andoni Iraolës nuk ka arritur ta marrë fitoren e parë të sezonit as në ndeshjen e dytë, duke u ndalur me barazim, pas humbjes në javën hapëse ndaj Newcastle Unitedit.

    Pjesa e parë u karakterizua nga një lojë më e mirë e mysafirëve, të cilët, përveç disa rasteve të krijuara, arritën edhe të gjejnë golin.

    Goli i vetëm i kësaj pjese erdhi në minutën e 24-t, kur Dan Ndoye shënoi për 0-1. Ky rezultat mbeti deri në pushim, pasi goli i Florian Wirtzit në minutën e 32-të u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it.

    Në pjesën e dytë, Liverpooli u shfaq më kërkues dhe ishte skuadra më dominuese në fushë. Megjithatë, vendasit pësuan sërish dhe u detyruan të rikthehen për të barazuar rezultatin.

    Goli i parë i pjesës së dytë erdhi në minutën e 60-të, kur Alexander Isak barazoi shifrat në 1-1. Megjithatë, Nottingham Foresti reagoi shpejt dhe në minutën e 70-të Morgan Gibbs-White shënoi nga penalltia për 1-2.

    Liverpooli nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë sërish rezultatin. Victor Muñoz shënoi për 2-2 dhe vulosi rezultatin përfundimtar të takimit.

    Në ndeshjen e ardhshme, Liverpooli do të udhëtojë te Ipswich Town, ndërsa Nottingham Foresti do të presë Tottenham Hotspur.

  • UEFA publikon datat e Ligës së Kampionëve 2026/27, finalja në Madrid

    UEFA publikon datat e Ligës së Kampionëve 2026/27, finalja në Madrid

    UEFA ka bërë të ditur datat e fazës së ligës së Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27, ku do të marrin pjesë 36 skuadra.

    Faza e ligës do të nisë më 8 shtator 2026 dhe do të përfundojë më 27 janar 2027, me gjithsej tetë xhiro.

    Kalendari do të hapet me xhiron e parë, e cila do të zhvillohet nga 8 deri më 10 shtator 2026. Ndeshjet do të luhen të martën, të mërkurën dhe të enjten, duke e bërë këtë të vetmen xhiro që përfshin edhe ditën e enjte.

    Dy xhirot e radhës do të zhvillohen gjatë muajit tetor. Xhiroja e dytë është planifikuar për 13 dhe 14 tetor, ndërsa xhiroja e tretë për 20 dhe 21 tetor 2026.

    Në nëntor do të zhvillohen edhe dy xhiro. Ndeshjet e xhiros së katërt do të luhen më 3 dhe 4 nëntor, ndërsa ato të xhiros së pestë më 24 dhe 25 nëntor.

    Xhiroja e gjashtë do të zhvillohet më 8 dhe 9 dhjetor 2026. Gara do të vazhdojë në janar 2027 me xhiron e shtatë, e cila është paraparë për 19 dhe 20 janar, ndërsa xhiroja e tetë dhe e fundit do të luhet më 27 janar. Të gjitha ndeshjet e kësaj xhiroje do të zhvillohen në të njëjtën kohë.

    Pas përfundimit të tetë xhirove, tetë skuadrat e renditura në pozitat e para do të kualifikohen direkt në 1/8 e finales. Ekipet nga vendi i 9-të deri në vendin e 24-t do të përballen në fazën “play-off” për një vend në 1/8 e finales, ndërsa skuadrat që përfundojnë nga vendi i 25-të e poshtë do të eliminohen nga garat evropiane.

    Faza nokaut do të nisë në shkurt, ndërsa finalja e Ligës së Kampionëve për sezonin 2026/27 do të zhvillohet më 5 qershor 2027 në Madrid, në stadiumin “Metropolitano”.

  • Edon Zhegrova mungon ndaj Parmës, rriten zërat për një transferim te Lazio

    Edon Zhegrova mungon ndaj Parmës, rriten zërat për një transferim te Lazio

    Sulmuesi anësor kosovar, Edon Zhegrova, nuk është grumbulluar për ndeshjen e sotme (e shtunë) të Juventusit ndaj Parmës, duke shtuar edhe më shumë zërat për një largim të mundshëm të tij drejt Lazios në ditët e fundit të afatit kalimtar veror.

    Juventusi do të luajë sonte ndeshjen e javës së dytë në Serie A, ku në “Allianz Stadium” pret Parmën nga ora 20:45.

    Vetëm disa orë para takimit, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, bëri publike listën e lojtarëve të grumbulluar. Në të mungojnë Kenan Yildiz, Khéphren Thuram dhe Weston McKennie për shkak të lëndimeve, por vërehet edhe mungesa e Edon Zhegrovës.

    Sipas gazetës italiane “Tuttosport”, mungesa e Zhegrovës mund të lidhet me mundësinë e një transferimi në ditët e fundit të afatit kalimtar.

    Futbollisti prishtinas është vënë në shënjestër të Lazios, me klubin nga Roma që tashmë ka nisur kontaktet fillestare dhe diskutimet eksploruese me drejtuesit e Juventusit.

    Me Nico Gonzalezin tashmë pjesë të skuadrës, mundësia e largimit të Zhegrovës nuk përjashtohet, duke marrë parasysh numrin e madh të lojtarëve ofensivë në dispozicion të Spallettit.

    Ditët e fundit të afatit kalimtar pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e yllit kosovar, i cili mund të largohet nga Torino vetëm pak muaj pas transferimit të tij te Juventusi.

  • Goditje për Arsenalin, Julian Alvarez refuzon transferimin te “Topçinjtë”

    Goditje për Arsenalin, Julian Alvarez refuzon transferimin te “Topçinjtë”

    Arsenali ka pësuar një goditje të madhe në përpjekjet për të transferuar Julian Alvarezin, pasi sulmuesi i Atletico Madridit raportohet se i ka bërë të qartë Mikel Artetas se nuk dëshiron t’i bashkohet klubit londinez.

    Gazetari i njohur David Ornstein ka dhënë përditësimin e fundit rreth situatës, duke konfirmuar se argjentinasi ka komunikuar drejtpërdrejt me trajnerin e Arsenalit.

    “Ai ka folur me Mikel Artetan dhe i ka thënë se nuk dëshiron të vijë”, ka deklaruar Ornstein.

    Ky zhvillim mund t’u japë fund shpresave të Arsenalit për të siguruar shërbimet e sulmuesit të Kombëtares së Argjentinës, pavarësisht gatishmërisë së klubit anglez për të bërë një investim të madh në repartin ofensiv.

    Arsenali e kishte identifikuar Alvarezin si objektivin kryesor për të përforcuar sulmin e Artetas dhe ishte i gatshëm të shqyrtonte një marrëveshje që mund të kapte shifrën e mbi 120 milionë eurove.

    Ndërkohë, Atletico Madridi është bërë gjithnjë e më i hapur ndaj mundësisë së shitjes së 26-vjeçarit, veçanërisht për shkak të tensioneve të krijuara rreth situatës së tij.

    Megjithatë, dëshira e Alvarezit për destinacionin e ardhshëm mbetet pengesa kryesore. Barcelona ka qenë më herët destinacioni i preferuar i argjentinasit, por Atletico Madridi e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të negociojë me rivalët e tyre spanjollë.

    Kështu, e ardhmja e Alvarezit mbetet e hapur, ndërsa Arsenali duhet të shikojë alternativa të tjera për të përforcuar sulmin para mbylljes së afatit kalimtar.

  • Faton Ademi drejt Bundesligës? Elversbergu interesohet për talentin kosovar

    Faton Ademi drejt Bundesligës? Elversbergu interesohet për talentin kosovar

    Faton Ademi po përjeton një ngritje të shpejtë në karrierën e tij dhe nga Liga e Tretë e futbollit gjerman mund të bëjë hapin e madh drejt elitës, Bundesligës.

    Mesfushori 20-vjeçar, i cili ka debutuar me Kosovën U21 nën drejtimin e Afrim Tovërlanit dhe deri tani numëron tetë paraqitje, është aktualisht pjesë e Alemannia Aachenit.

    Ademi pati mundësinë të punojë edhe me ish-selektorin e Kosovës U19, Adil Maliqin, me të cilin zhvilloi një ndeshje.

    Megjithatë, sipas mediumit të njohur gjerman “Sky”, të shtunën është raportuar se për Ademin ka shfaqur interesim Elversbergu, klub që këtë sezon ka siguruar debutimin në Bundesligë. Për këtë skuadër, në të kaluarën ka shkëlqyer edhe sulmuesi kosovar Fisnik Asllani.

    Ademi luan si mesfushor qendror dhe në sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët më të rëndësishëm të Alemannia Aachenit. Ai zhvilloi 35 paraqitje, duke realizuar gjashtë gola dhe duke dhënë dy asistime.

    Edhe këtë sezon, Ademi ka nisur mirë, pasi ka luajtur në dy ndeshjet e para dhe ka shënuar një gol në fitoren 4:1 ndaj Verl-it.

    Për shërbimet e talentit kosovar interesim ka shfaqur edhe Greuther Fürthi, që garon në Bundesligën 2.

    Afati kalimtar në Gjermani mbyllet të martën, ndaj ditët në vijim pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e Faton Ademit.

  • Lando Norris rinovon me McLaren deri në vitin 2030, merr edhe makinën e sezonit 2025

    Lando Norris rinovon me McLaren deri në vitin 2030, merr edhe makinën e sezonit 2025

    Pak ditë pas rinovimit rekord të Max Verstappen me Red Bull, ka ardhur edhe përgjigjja e Lando Norris. Kampioni në fuqi i botës në Formula 1 ka nënshkruar një kontratë të re me McLaren, e cila e lidh atë me skuderinë britanike deri në vitin 2030.

    Në marrëveshje është përfshirë edhe një opsion shumëvjeçar, që mundëson zgjatjen e kontratës edhe përtej këtij viti.

    Lidhja mes Norrisit dhe McLarenit ka nisur në vitin 2017, kur britaniku iu bashkua skuadrës përmes programit të të rinjve, fillimisht duke marrë rolin e pilotit testues dhe duke punuar në simulator.

    Në vitin 2019, Norris u bë pilot titullar i skuderisë britanike dhe që nga atëherë ka zhvilluar 163 gara, një rekord absolut për një pilot të McLarenit.

    Gjatë kësaj periudhe, Norris ka regjistruar 18 pole position, 48 podiume dhe 13 fitore në gara, ndërsa ka kontribuar në dy tituj botërorë për konstruktorë dhe ka fituar edhe titullin botëror për pilotë.

    Rinovimi i Norrisit vjen pas atij të Oscar Piastrit, i cili u realizua në mars të vitit të kaluar, ndërsa i bashkohet kontratave afatgjata të nënshkruara gjatë dy viteve të fundit edhe nga drejtori ekzekutiv Zak Brown dhe drejtori i ekipit, Andrea Stella.

    Por dhurata për Norris nuk përfundon me kontratën e re. Britaniku do të marrë edhe makinën MCL39, me të cilën garoi gjatë sezonit 2025 dhe që e ndihmoi të kurorëzohej kampion bote.

    Kjo dhuratë dëshmon edhe një herë për rëndësinë e Norrisit për McLarenin dhe kontributin e tij në sukseset e fundit të skuadrës, veçanërisht në fitimin e titullit të dytë radhazi për konstruktorë dhe në triumfin e tij personal në Formula 1, duke u bërë piloti i parë i McLarenit që fiton titullin botëror që nga viti 2008.

  • “Prishtina Open 2026” nis me spektakël, Domaniku triumfon në U21

    “Prishtina Open 2026” nis me spektakël, Domaniku triumfon në U21

    “Prishtina Open 2026” ka nisur në Prishtinë, duke mbledhur për tri ditë sportistë nga vende të ndryshme. Dita e parë solli garat e kategorisë U21 dhe të veteranëve, me paraqitje të shkëlqyera edhe nga sportistët kosovarë.

    Kryefjala e ditës ishte Anisa Domaniku, e cila triumfoi në kategorinë U21. Pas një rrugëtimi të suksesshëm, ajo mposhti në finale maqedonasen Stojanovska me rezultat 3:2 në sete. Në vendin e tretë u rendit Sara Hoxha.

    Te djemtë U21, Akil Mahmuti zuri vendin e dytë, pasi u mposht në finale nga turku Ibrahim Zer, ndërsa Adriatik Maloku fitoi medaljen e bronztë pas fitores ndaj Eron Karabaxhakut.

    Gara interesante u zhvilluan edhe në kategoritë e veteranëve. Oleh Biletskyi triumfoi në kategorinë 40–49 vjeç, Oleksii Naplokov në atë 50–59, Jonuz Tufa nga Shqipëria në kategorinë 60–64, Remzi Shala në 65–69, ndërsa Sheshivar Veliu triumfoi në kategorinë 70+.

    Një risi e veçantë e këtij edicioni ishte prezantimi i “VR Table Tennis Experience”. Pjesëmarrësit dhe vizitorët patën mundësinë të provojnë pingpongun përmes realitetit virtual, duke i dhënë turneut një dimension të ri teknologjik dhe argëtues.

    “Prishtina Open 2026” vazhdon sot, të shtunën, me garat e kategorisë U13 nga ora 10:00, ndërsa nga ora 14:00 nis faza e grupeve për seniorë.

  • Laura Fazliu siguron gjysmëfinalen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

    Laura Fazliu siguron gjysmëfinalen në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

    Xhudistja kosovare, Laura Fazliu, ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinale të Lojërave Mesdhetare “Taranto 2026”.

    Pasi e nisi garën pa luftë, Fazliu u tregua e fortë në çerekfinale, duke e siguruar fitoren e parë në këtë garë.

    Xhudistja jonë dominoi ndaj kundërshtares turke, Özlem Yıldız, të cilën e detyroi të merrte tri dënime dhe, në këtë mënyrë, siguroi eliminimin e saj.

    Fazliu tashmë do të garojë në gjysmëfinale, ku do të synojë të avancojë edhe më tej dhe të luftojë për medaljen e artë në “Taranto 2026”.