ATV

Blog

  • Katër ndeshje, pesë pikë, gjithçka mbetet e hapur për Kosovën në Ligën e Kombeve

    Katër ndeshje, pesë pikë, gjithçka mbetet e hapur për Kosovën në Ligën e Kombeve

    Kombëtarja e Kosovës e ka mbyllur fazën e shtatorit dhe tetorit në Ligën e Kombeve me katër pikë, pas një fitoreje, dy barazimeve  dhe një humbje.

    “Dardanët” e nisën garën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mundur Irlandën me rezultat 1-0 në Prishtinë.

    Por vetëm tri ditë më vonë, Kosova pësoi humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.

    Sfida e radhës ishte ajo me Izraelin, ku “Dardanët” nuk arritën të shënonin, ndërsa ndeshja përfundoi pa gola.

    Në përballjen e katërt, Kosova pati mundësinë të merrte tri pikë ndaj Austrisë në Prishtinë.

    Fisnik Asllani shënoi për 1-0 në minutën e 70-të, por Austria reagoi në fund dhe barazoi në minutën e 85-të.

    Pas katër ndeshjeve, Austria dhe Irlanda kanë nga tetë pikë, Kosova katër, ndërsa Izraeli dy.

    Kjo do të thotë se dy ndeshjet e nëntorit janë vendimtare për “Dardanët”.

    Kosova më 14 nëntor pret Izraelin në Prishtinë, ndërsa tri ditë më vonë udhëton në Dublin për përballjen me Irlandën.

    Objektivi është i qartë, sa më shumë pikë dhe luftë deri në fund për vendin e dytë.

    Por këto ndeshje kanë rëndësi edhe për një tjetër arsye. Rezultatet në Ligën e Kombeve ndikojnë në renditjen që do të përdoret për vazot e shortit të Euro 2028.

    Aktualisht, projeksionet e vendosin Kosovën në vazon e tretë, por kjo renditje mund të ndryshojë pas dy ndeshjeve të fundit.

    Kujtoojmq që shorti për Euro 2028 do të hidhet më 6 dhjetor. Pra, nëntori mund të jetë vendimtar për Kosovën, jo vetëm për fatin e saj në Ligën e Kombeve, por edhe për një short sa më të favorshëm në rrugëtimin drejt Evropianit.

  • Kuvendi miraton kredinë 60 milionë euro për rinovimin e kampusit të UP-së

    Kuvendi miraton kredinë 60 milionë euro për rinovimin e kampusit të UP-së

    Kuvendi i Kosovës ka dhënë dritën jeshile për financimin e projektit të rinovimit dhe zgjerimit të kampusit të studentëve të Universitetit të Prishtinës, në kuadër të përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

    Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim u miratua me 95 vota për, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

    Marrëveshja parasheh një kredi prej 60 milionë eurosh, ndërsa projekti mund të përfitojë edhe një grant shtesë prej 10 milionë eurosh.

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, gjatë prezantimit të marrëveshjes në Kuvend, shpjegoi se fondet do të përdoren për modernizimin e hapësirave të kampusit universitar, veçanërisht të konvikteve, si dhe për rinovimin dhe ndërtimin e objekteve sportive në institucionet arsimore përreth.

    Sipas tij, investimi nuk do t’i shërbejë vetëm organizimit të Lojërave Mesdhetare, por do të krijojë përfitime afatgjata për studentët dhe qytetarët.

    Gjatë “Prishtina 2030”, kampusi i studentëve pritet të shndërrohet përkohësisht në fshatin e atletëve, ndërsa objektet sportive të shkollave përreth do të funksionojnë si qendra stërvitore për pjesëmarrësit e Lojërave.

    “Përtej Lojërave Mesdhetare, projekti është i dizajnuar për të vendosur një trashëgimi të qëndrueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës si dhe banorët e qytetit”, ka deklaruar Murati.

    Investimi synon kështu që, krahas përgatitjes së infrastrukturës për një ngjarje të rëndësishme sportive ndërkombëtare, të përmirësojë në mënyrë të qëndrueshme kushtet e akomodimit, hapësirat universitare dhe kapacitetet sportive në Prishtinë.

    Pas përfundimit të Lojërave Mesdhetare, infrastruktura e rinovuar pritet të mbetet në funksion të studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe komunitetit.

  • Hap llogari bankare 100% online me NLB, direkt nga telefoni

    Hap llogari bankare 100% online me NLB, direkt nga telefoni

    Të bëhesh klient i NLB-së tani është më e thjeshtë dhe më e shpejtë. Përmes aplikacionit mobil NLB mKlik, klientët e rinj mund ta hapin llogarinë bankare 100% online, pa pasur nevojë të vizitojnë bankën.

    I gjithë procesi realizohet direkt nga telefoni, nga aplikimi dhe verifikimi i identitetit, deri te nënshkrimi digjital i kontratës.
    Gjithçka fillon në NLB mKlik

    Procesi i hapjes së llogarisë është krijuar për të ofruar një eksperiencë sa më të thjeshtë dhe digjitale. Klienti shkarkon aplikacionin NLB mKlik, ndjek hapat për hapjen e llogarisë, verifikon
    identitetin dhe përfundon aplikimin online.

    Pas përfundimit të procesit, klienti ka qasje në llogarinë dhe kartelën digjitale, duke i pasur shërbimet kryesore bankare në dispozicion direkt nga telefoni.

    1 vit falas për llogaritë e hapura online

    Në kuadër të kampanjës aktuale, klientët që hapin llogarinë online deri më 31 dhjetor 2026 përfitojnë 1 vit falas.

    Oferta përfshin llogarinë rrjedhëse, llogarinë e kursimit, kartelën digjitale, SMS Top Up dhe NLB mKlik Mobile Banking, duke u mundësuar klientëve t’i menaxhojnë financat e tyre në mënyrë të
    thjeshtë dhe digjitale.

    Tërheqje në ATM pa pagesë deri në fund të vitit

    Një tjetër përfitim i kampanjës janë tërheqjet e parave në ATM pa pagesë deri më 31 dhjetor 2026, duke e bërë përdorimin e shërbimeve bankare edhe më praktik.

    Me mundësinë e hapjes së llogarisë 100% online, nuk është më e nevojshme që klientët ta përshtatin ditën e tyre për një vizitë në bankë. Procesi mund të fillojë dhe të përfundojë nga telefoni, kudo që ndodhen.

    Shkarko NLB mKlik, hape llogarinë 100% online dhe bëhu klient i NLB-së direkt nga telefoni.

    Thjesht. Shpejt. 100% online.

    Për më shumë informata rreth hapjes së llogarisë dhe kushteve të kampanjës, vizito faqen zyrtare të NLB-së: https://www.nlb-kos.com/sq/klientet-individual/llogarite-dhe-pakot/hap-llogari-online

  • Kosova ndalet në barazim me Austrinë, “Dardanët” marrin vetëm një pikë në Prishtinë

    Kosova ndalet në barazim me Austrinë, “Dardanët” marrin vetëm një pikë në Prishtinë

    Kombëtarja e Kosovës është ndalur në një barazim me Austrinë, në përballjen e xhiros së katërt të Ligës B të Ligës së Kombeve.

    “Dardanët” ishin në epërsi, por Austria, me një gol me fat, arriti ta marrë një pikë në Prishtinë, ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 1-1.

    Përballja ishte tepër dramatike që nga minuta e parë, ku të dy kombëtaret kërkuan ta gjenin rrjetën.

    Kosova rrezikoi me Vedat Muriqin dhe Veldin Hoxhën, mirëpo asnjëri prej tyre nuk arriti ta mposhtë portierin e Austrisë.

    Ndërkohë, edhe Amir Shaipi bëri disa pritje të bukura për t’ua mohuar golin austriakëve.

    Pjesa e dytë ishte shumë më e zjarrtë. Kosova e nisi fuqishëm, duke rrezikuar me Hoxhën, i cili kishte një mundësi të mirë me kokë, por goditja rezultoi të ishte qendrore.

    Pas një aksioni të bukur, Edon Zhegrova asistoi për Fisnik Asllanin, i cili mposhti portierin mysafir për t’i dhënë epërsinë Kosovës në minutën e 70-të.

    Vetëm tre minuta më vonë, Kosova kishte rastin për ta dyfishuar epërsinë, por Milot Rashica goditi shtyllën.

    Kur askush nuk e priste, Austria ndërtoi një aksion përmes rivënies anësore, ku Kalajdzic asistoi te Lang, i cili shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin në minutën e 85-të.

    Kësisoj, Kosova ndalet në Prishtinë, ndërsa mbledh pesë pikë dhe mban pozitën e dytë, tri më pak se Austria. Në anën tjetër, Irlanda mund të ngjitet mbi Kosovën në rast se fiton ndaj Izraelit.

    Kosova do të rikthehet në Prishtinë sërish më 14 nëntor, ku do ta presë Izraelin. Më pas, tri ditë më vonë, udhëton drejt Irlandës, ku do ta mbyllë ciklin e Ligës së Kombeve.

  • Valon Berisha nderohet para ndeshjes Kosovë–Austri

    Valon Berisha nderohet para ndeshjes Kosovë–Austri

    Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka njoftuar se para ndeshjes Kosovë–Austri do të zhvillohet një ceremoni përshëndetëse për Valon Berishën.

    Mesfushori i Zurichut ka njoftuar më herët pensionimin nga futbolli ndërkombëtar, duke i dhënë fund aventurës me fanellën e Kosovës.

    Berisha është një prej futbollistëve që ka lënë gjurmë në historinë e Kombëtares së Kosovës, pasi ishte ndër lojtarët që zgjodhën fanellën dardane, duke u larguar nga përfaqësuesja e Norvegjisë.

    FFK-ja ka bërë të ditur se ceremonia do të zhvillohet para fillimit të sfidës në stadiumin “Fadil Vokrri”, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe përkushtimin e tij.

    “Sonte, një moment i veçantë për një nga Dardanët që la gjurmë! Në kuadër të ndeshjes së Kombëtares së Kosovës, do të organizohet ceremonia përshëndetëse për Valon Berishën, në shenjë mirënjohjeje për kontributin, përkushtimin dhe emocionet që i dhuroi fanellës së Kosovës.

    Faleminderit për gjithçka, Valon!”, ka shkruar FFK-ja.

  • Kosova kërkon hakmarrjen ndaj Austrisë, Foda publikon formacionin

    Kosova kërkon hakmarrjen ndaj Austrisë, Foda publikon formacionin

    Kombëtarja e Kosovës do të kërkojë fitoren ndaj Austrisë, për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e parë në Ligën B të Ligës së Kombeve.

    Përzgjedhësi Franco Foda ka vendosur sërish për një formacion ofensiv, duke iu besuar në sulm Milot Rashicës, Edon Zhegrovës dhe Vedat Muriqit.

    Në mesfushë janë Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha, ndërsa në krahë do të luajnë Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni.

    Në mbrojtje, Foda ka vendosur për Ron Raçin, Lumbardh Dellovën dhe Ilir Krasniqin, ndërsa në portë do të jetë Amir Shaipi.

    Formacioni i Kosovës: Shaipi; Krasniqi, Dellova, Raçi; Vojvoda, Avdullahu, Hoxha, Gallapeni; Rashica, Zhegrova; Muriqi.

    Austria ndërkohë pritet të zbresë në fushë me formacionin e saj më të mirë.

    Ndeshja Kosovë–Austri zhvillohet sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe nis nga ora 18:00.

    May be a graphic of text

  • António Nobre gjykon ndeshjen Kosovë–Austri

    António Nobre gjykon ndeshjen Kosovë–Austri

    Gjyqtari portugez António Nobre do të ndajë drejtësinë në ndeshjen mes Kosovës dhe Austrisë, që zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Nobre është pjesë e elitës së arbitrimit në Portugali dhe ka përvojë në garat evropiane të UEFA-s, përfshirë Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

    Ai ka drejtuar edhe ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2025, ishte arbitër kryesor në përballjen Francë–Irlandë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Nobre do të ketë një ekip tërësisht portugez në “Fadil Vokrri”. Asistentët e tij do të jenë Nelson Pereira dhe Paulo Brás, ndërsa Miguel Nogueira është caktuar gjyqtar i katërt.

    Në VAR do të jenë André Narciso dhe Fábio Oliveira Melo. Kështu, UEFA ka caktuar një ekip të plotë portugez për sfidën Kosovë–Austri.

  • Max Verstappen rikthehet te fitorja, Hamilton në podium pas një gare kaotike

    Max Verstappen rikthehet te fitorja, Hamilton në podium pas një gare kaotike

    Max Verstappen është rikthyer te fitorja, duke i dhuruar Red Bullit suksesin e parë të sezonit në një garë kaotike të Formula 1.

    Holandezi triumfoi përpara Kimi Antonellit, ndërsa Lewis Hamilton realizoi një rikuperim të jashtëzakonshëm për të siguruar vendin e tretë.

    Gara, e zhvilluar në Malajzi, nisi me rreth 90 minuta vonesë për shkak të reshjeve të dendura dhe problemeve teknike. Disa makina, përfshirë ato të Verstappenit dhe Hamiltonit, patën probleme elektronike gjatë xhirove të formacionit.

    Pas nisjes, Mercedes mori kryesimin me Antonellin dhe George Russellin, por Verstappen reagoi shpejt. Fillimisht parakaloi Russellin dhe më pas, pas ndërhyrjes së makinës së sigurisë dhe kalimit në goma për pistë të thatë, kaloi edhe Antonellin.

    Prej atij momenti, Verstappen kontrolloi garën deri në finish, duke siguruar fitoren e parë të sezonit për Red Bullin.

  • Bayern Munich interesohet për yllin anglez Phil Foden

    Bayern Munich interesohet për yllin anglez Phil Foden

    Phil Foden mund të bëhet një nga objektivat e Bayern Munichut, nëse situata financiare e Manchester Cityt e detyron klubin anglez të shesë disa prej lojtarëve kryesorë.

    Sipas raportimeve, trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, e pëlqen Fodenin dhe do të ishte i gatshëm të tentonte transferimin e tij. Megjithatë, aktualisht nuk ka ofertë konkrete apo negociata mes dy klubeve.

    Interesimi i Kompanyt për 26-vjeçarin nuk është i ri, pasi trajneri belg e kishte ndjekur situatën e tij edhe gjatë sezonit të kaluar.

    E ardhmja e Fodenit mund të ndikohet nga çështja financiare e Manchester Cityt. Klubi anglez është shpallur fajtor për shkelje të rregullave financiare të Premier League dhe tashmë është në proces apelimi, ndërsa dënimi përfundimtar ende nuk është përcaktuar.

    Foden rinovoi kontratën me Manchester Cityn në korrik të vitit 2026 dhe është i lidhur me klubin deri në vitin 2030, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon.

    Për momentin, Bayern Munichu vetëm po monitoron situatën, ndërsa çdo lëvizje e mundshme për Fodenin do të varet edhe nga vendimi përfundimtar për Manchester Cityn.

  • Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta të Ferizajt në Ligën e Parë të Kosovës i kanë kushtuar shtrenjtë trajnerit Alban Dragusha.

    FC Ferizaj ka njoftuar se ka përfunduar bashkëpunimin me Dragushën, pas një marrëveshjeje të përbashkët mes palëve.

    Pas tetë javësh kampionat, Ferizaj renditet në vendin e nëntë me 10 pikë të grumbulluara, një start që nuk i ka përmbushur pritshmëritë e klubit.

    “FC Ferizaj njofton se ka përfunduar bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha.

    Pas një mirëkuptimi të ndërsjellë, palët kanë vendosur që bashkëpunimi të përfundojë në këtë fazë.

    Klubi e falënderon trajnerin Dragusha për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së tij në klub.

    I urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës dhe e sigurojmë se do të ketë gjithmonë respektin e FC Ferizajt”, thuhet në njoftimin e klubit.