ATV

Blog

  • Dardan Cena ndalet në luftën e tretë, por shkëlqen në Botërorin e Bakut

    Dardan Cena ndalet në luftën e tretë, por shkëlqen në Botërorin e Bakut

    Dardan Cena e ka përmbyllur aventurën në Kampionatin Botëror të xhudos në Baku të Azerbajxhanit, duke u ndalur në luftën e tretë, por me një paraqitje që i jep shumë arsye për të qenë krenar.

    23-vjeçari kosovar, i cili garon në kategorinë deri në 73 kilogramë, e nisi ditën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në duelin e parë, Cena mposhti irlandezin Joshua Green me uazari, duke siguruar kalimin në raundin tjetër.

    Por sfida e dytë ishte edhe më e veçantë. Përballë tij ishte një prej emrave më të mëdhenj të kësaj kategorie, kampioni olimpik dhe botëror, Lasha Shavdatuashvili.

    Cena zhvilloi një luftë të jashtëzakonshme ndaj gjeorgjianit, me duelin që zgjati më shumë se tetë minuta dhe u vendos në “Golden Score”. Pas një beteje të gjatë dhe intensive, kosovari arriti ta fitojë përballjen pasi Shavdatuashvili mori shidoun e tretë.

    Eliminimi i një xhudisti me një CV të tillë ishte padyshim momenti kulmor i ditës për Cenën dhe një prej fitoreve më të rëndësishme të karrierës së tij.

    Megjithatë, rrugëtimi i kosovarit në Baku përfundoi në luftën e tretë. Kundërshtari i tij ishte italiani Leonardo Valeriani, i cili e nisi më mirë përballjen dhe arriti të marrë avantazhin me uazari.

    Cena u përpoq të reagonte dhe të gjente hapësirën për ta rikthyer duelin, por Valeriani arriti ta kontrollonte situatën dhe në fund e mbylli përballjen me një mbërthim për ippon.

    Edhe pse nuk arriti të siguronte një tjetër fitore, paraqitja e Cenës në Baku mbetet një rezultat i rëndësishëm. Në një kategori me 50 garues, kosovari arriti të kalojë dy raunde dhe, mbi të gjitha, të eliminojë një nga xhudistët më të dekoruar të skenës ndërkombëtare.

    Kampionati Botëror në Baku po zhvillohet nga 4 deri më 10 tetor, me pjesëmarrjen e 622 xhudistëve nga 93 shtete. Kategoria deri në 73 kilogramë ishte ndër më të fortat dhe më të ngjeshurat e këtij Botërori.

    Cena largohet nga Baku me dy fitore, një triumf të madh ndaj një kampioni dhe një paraqitje që tregon se e ardhmja e tij në skenën e madhe të xhudos premton shumë.

  • Kenia konfirmon rastin dhe viktimën e parë nga Ebola

    Kenia konfirmon rastin dhe viktimën e parë nga Ebola

    Kenia ka konfirmuar rastin e parë të Ebolës, teksa një shtetas kenian, i cili kishte jetuar në Republikën Demokratike të Kongos për shtatë vitet e fundit, ka humbur jetën në Nairobi.

    Ministri i Shëndetësisë, Aden Duale, tha se pacienti ishte sëmurur rreth një muaj më parë dhe ishte trajtuar në disa spitale në RD e Kongos. Ai mbërriti në Nairobi të shtunën dhe iu nënshtrua kontrolleve rutinë në aeroport, përpara se të dërgohej nga një i afërm në një spital në kryeqytet.

    Testet laboratorike konfirmuan se pacienti ishte infektuar me virusin Ebola Bundibugyo. Sipas ministrit Duale, ai vdiq disa ditë pas mbërritjes në Nairobi.

    Autoritetet keniane kanë nisur gjurmimin e personave që mund të kenë pasur kontakt me pacientin, ndërsa po monitorohet situata për të parandaluar përhapjen e virusit, shkruan euronews.al.

    Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet, shpërthimi në Republikën Demokratike të Kongos ka shkaktuar më shumë se 4,000 viktima këtë vit, duke u renditur ndër shpërthimet më vdekjeprurëse të Ebolës të regjistruara.

  • Haxhiu i drejtohet Kushtetueses: Çfarë ndodh me kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit?

    Haxhiu i drejtohet Kushtetueses: Çfarë ndodh me kompetencat presidenciale pas përfundimit të mandatit?

    Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretim lidhur me ushtrimin e kompetencave të presidentit në rast se Kuvendi nuk arrin ta zgjedhë presidentin e ri.

    Këtë e ka konfirmuar Zyra e Presidentes në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, sot në ditën kur përfundon afati për zgjedhjen e presidentit të ri.

    Sipas Zyrës së Presidentes, Haxhiu e ka dorëzuar kërkesën në Kushtetuese më 5 tetor, duke u bazuar në nenin 113, paragrafin 3, nënparagrafin 1 të Kushtetutës.

    “Kemi kërkuar të përcaktohet se si dhe nga kush ushtrohen kompetencat e domosdoshme presidenciale pas përfundimit të periudhës gjashtëmujore, kur presidenti i ri ende nuk është zgjedhur”, ka thënë Zyra e Presidentes.

    Afati gjashtëmujor i ushtrimit të detyrës nga Haxhiu përfundon më 6 tetor, ndërsa Kuvendi ende nuk ka zgjedhur presidentin e ri.

  • Protesta popullore në Prishtinë, Policia me njoftim për angazhimin në mbarëvajtje të sigurisë

    Protesta popullore në Prishtinë, Policia me njoftim për angazhimin në mbarëvajtje të sigurisë

    Policia e Kosovës, lidhur me vazhdimin e protestës së paralajmëruar për sot, në sheshin ‘Skënderbeu’ pranë objekteve shtetërore në Prishtinë, lidhur me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe plotësim-ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, ka ndërmarrë masat e nevojshme policore për ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit e qetësisë publike si dhe mbarëvajtjen e protestës para, gjatë dhe deri në përfundimin e saj.

    Në njoftim thuhet se në vazhdimësi, Policia e Kosovës, sipas Ligjit mbi tubimet publike, e njeh të drejtën e qytetarëve për shprehjen e lirë përmes tubimeve e protestave të qeta dhe sipas detyrës zyrtare angazhohet që mbarëvajtja e protestës të kalojë e qetë dhe që pjesëmarrësit në protestë të shprehin qëllimin e tyre në mënyrë demokratike dhe në suaza ligjore.

    “Varësisht nevojës operative policore dhe zhvillimeve në terren, mund të ketë kufizime apo ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në rrugët përreth lokacionit ku zhvillohet protesta, andaj Policia ka paraparë edhe angazhime të njësive policore, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu siç bëhet e ditur: “Referuar situatës dhe zhvillimeve të ndodhura në protestën e mbrëmshme, ku disa protestues në vazhdimësi kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë e mjete të forta, ndaj objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë, Policia e Kosovës, me qëllim të vënies së situatës nën kontroll, mundësimit të lirisë së lëvizjes dhe parandalimit të eskalimit të mëtejme të situatës, është detyruar të veprojë ndaj personave që kanë shfaqur dhunë, duke përdorur mjetet e ligjshme policore, sprejin, gazin lotsjellës si dhe topin e ujit për shpërndarje të turmës”.

    Tutje thuhet se bazuar në raportet zyrtare, për mosrespektim të thirrjeve të vazhdueshme policore për qetësi dhe rënies ndesh me ligjin, janë arrestuar tre persona ku dy prej tyre me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa një është liruar në procedurë të rregullt.

    “Si pasojë e zhvillimeve dhe sulmeve me mjete të ndryshme, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të natyrave të ndryshme, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor. Ndërsa ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar të cilët poashtu kanë pranuar tretman mjekësorë.

    “Policia e Kosovës duke qenë institucion demokratik dhe llogaridhënës, sipas detyrës zyrtare pas çdo planifikimi operacional, bën vlerësimet pasoperacionale të veprimeve policore në terren dhe varësisht nga të gjeturat mbi veprimet dhe dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve policore, ka njoftuar IPK-në si autoritet kompetent. Policia e Kosovës, vazhdon të falënderoj qytetarët për bashkëpunim dhe njëherit ju bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestë, që të protestojnë në mënyrë të qetë dhe demokratike, të respektojnë ligjet dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë në interes të sigurisë së përgjithshme. Në menaxhim dhe koordinim të situatës kanë kontribuar edhe institucionet tjera emergjente si ekipet mjekësore, zjarrfikësit dhe të tjera”.

    Policia e Kosovës me zyrtarët e saj do të jetë e pranishme në terren, për të garantuar rendin kushtetues, sigurinë publike, sigurinë e qytetarëve, lirinë e lëvizjes dhe mbarëvajtjen e protestës, të cilat mbesin prioritet i Policisë së Kosovës. /Telegrafi/

  • Përplasja me Jorge Jesusin rrezikon të mbyllë kapitullin e Ronaldos me Portugalinë

    Përplasja me Jorge Jesusin rrezikon të mbyllë kapitullin e Ronaldos me Portugalinë

    E ardhmja e Cristiano Ronaldos me Kombëtaren e Portugalisë është vënë seriozisht në pikëpyetje pas përplasjes së fundit me përzgjedhësin Jorge Jesus.

    Sipas gazetarit portugez Rui Santos, sulmuesi 41-vjeçar mund të mos rikthehet më te Portugalia për sa kohë që Jesus vazhdon të jetë në krye të përfaqësueses.

    Përplasja mes tyre ndodhi gjatë grumbullimit të fundit, kur Ronaldo u largua nga ekipi në mes të pushimit ndërkombëtar. Shkak raportohet të ketë qenë vendimi i Jesusit për ta lënë yllin portugez jashtë formacionit në ndeshjen ndaj Norvegjisë.

    Trajneri nuk u tërhoq nga vendimi i tij as pas përfundimit të takimit, duke theksuar se në Kombëtare të gjithë lojtarët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë dhe se askush nuk mund të ketë privilegje të veçanta.

    Në ditët pas incidentit, situata mes dy palëve dukej se ishte qetësuar. Madje, Jorge Jesus e kishte konsideruar përplasjen si një çështje të kaluar dhe kishte lënë të hapur mundësinë e rikthimit të Ronaldos në grumbullimin e ardhshëm.

    Megjithatë, gazetari Rui Santos sjell një version tjetër të situatës. Sipas tij, marrëdhënia mes Ronaldos dhe Jesusit është dëmtuar ndjeshëm dhe situata është shumë më serioze nga sa është paraqitur në publik.

    Santos pretendon se Ronaldo nuk është i kënaqur me deklaratat e fundit të Jesusit në konferencën për shtyp dhe se raporti mes dy figurave kryesore të Portugalisë tashmë ka arritur në një pikë kritike.

    Nëse këto pretendime rezultojnë të sakta, atëherë Ronaldo mund të mos rikthehet në Kombëtare për aq kohë sa Jorge Jesus qëndron në postin e përzgjedhësit.

    Një zhvillim i tillë do të ishte një kthesë e madhe për Portugalinë, sidomos duke pasur parasysh peshën që Ronaldo ka pasur për vite me radhë në përfaqësuesen portugeze.

  • Verstappen rikthehet te fitorja, Red Bulli jep sinjale positive

    Verstappen rikthehet te fitorja, Red Bulli jep sinjale positive

    Max Verstappen ka regjistruar fitoren e parë të sezonit 2026 në Formula 1, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Bahreinit, në një garë ku Red Bull RB22 tregoi një ritëm të lartë gjatë gjithë garës.

    Piloti holandez e nisi garën nga “pole position”, por një start i dobët bëri që të humbiste dy pozita dhe të zbriste në vendin e tretë, pas dy makinave Mercedes. Megjithatë, Verstappen reagoi shpejt, i parakaloi rivalët dhe më pas arriti ta menaxhonte garën me qetësi deri në fund.

    Ky triumf ishte veçanërisht i rëndësishëm për katër herë kampionin e botës, duke marrë parasysh vështirësitë që Red Bull kishte përjetuar në fillim të sezonit. Verstappen pranoi se, duke parë problemet e ekipit në garat e para, nuk e kishte menduar se do të arrinte një fitore kaq shpejt.

    Ai theksoi se merita kryesore i takon edhe ekipit, i cili vazhdoi të besonte te projekti dhe punoi vazhdimisht për përmirësimin e makinës. Sipas Verstappenit, suksesi në Bahrein është një moment i veçantë dhe dëshmi se puna e bërë gjatë javëve të fundit ka filluar të japë rezultat.

    Sa i përket luftës për titullin, holandezi bëri të qartë se aktualisht nuk është i fokusuar te kampionati. Për të, më e rëndësishme është që Red Bulli të vazhdojë në drejtimin e duhur, të përmirësojë makinën dhe të mbledhë sa më shumë informacion të vlefshëm për sezonin e ardhshëm.

    Verstappen theksoi gjithashtu se, në këtë pikë të sezonit, pozita e dytë apo e gjashtë në një garë nuk është ajo që e shqetëson më shumë. Fokusi i tij kryesor mbetet progresi i ekipit dhe fakti që Red Bulli po tregon një trajektore pozitive.

    Fitorja në Bahrein i jep një shtysë të rëndësishme Verstappenit dhe Red Bullit, ndërsa paraqitja e RB22 tregon se ekipi mund të jetë shumë më konkurrues në garat e ardhshme.

  • Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Haziri para nisjes së protestës kundër Speciales: Duam drejtësi të bazuar në prova e fakte

    Organizatori i iniciativës “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, ka thënë se sot iu është bashkuar protestës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pas thirrjes së tyre për protestë.

    Haziri ka bërë të ditur se iniciativa “Jo në emrin tim” ka thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00, duke theksuar se këto dy protesta nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

    “Unë sot u bashkova bashkë me veteranët, pasi ishte një thirrje e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për protestë dhe tani u bashkuam. Ndërsa ‘Jo në emrin tim’ kemi thirrur protestë gjithëpopullore për orën 12:00. Kjo nuk i përjashton protestat njëra-tjetrën. Jemi të gjithë bashkë këtu në sheshin ‘Skënderbeu’, tash e 21 ditë”, ka deklaruar Haziri.

    Ai ka thënë se protesta po mbahet para institucioneve të Republikës së Kosovës, me kërkesën për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    “Para institucioneve të Republikës së Kosovës, me një kërkesë të thjeshtë: ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Përmes kësaj kërkese dhe këtij ndryshimi, ne nuk mendojmë dhe as besojmë të ikim nga drejtësia, por përmes këtij ligji kërkojmë drejtësi të drejtë, të bazuar në prova dhe fakte”, ka thënë Haziri.

  • Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Tahiri u bën thirrje deputetëve: Kthehuni në Kuvend dhe votojeni Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, u ka bërë thirrje deputetëve që të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se kanë mbetur edhe 13 orë deri në përfundimin e afatit, raporton Ekonomia Online.

    Tahiri tha se votimi i këtij ligji është i rëndësishëm edhe për konstituimin e plotë të institucioneve, ndërsa u bëri thirrje deputetëve që, siç tha ai, të bashkohen në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    “Është ora 11:00 dhe jemi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, kur kanë mbetur vetëm edhe 13 orë deri në votimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe konstituimin e plotë të institucioneve. Ju bëjmë thirrje kolegëve deputetë: ejani në Kuvend ta votojmë Ligjin për Dhomat e Specializuara, të bashkohemi sot, gjithmonë në anën e drejtë të historisë, rreth UÇK-së, vlerës më të lartë të kombit. Kosova na thërret”, tha ai.

  • PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    PK: 20 policë të lënduar, 12 protestues dhe një gazetar kërkuan ndihmë mjekësore

    Policia e Kosovës ka njoftuar për masat që ka marrë për protestën e paralajmëruar sot në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ndërsa ka dhënë detaje edhe për zhvillimet e mbrëmshme.

    Sipas Policisë, gjatë protestës së kaluar disa pjesëmarrës kanë hedhur mjete piroteknike, fishekzjarrë dhe mjete të forta në drejtim të objekteve shtetërore dhe zyrtarëve policorë.

    Policia ka thënë se, për ta kontrolluar situatën, ka përdorur sprej, gaz lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

    Tre persona janë arrestuar, sipas njoftimit. Dy prej tyre janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Sipas Policisë, 20 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime dhe kanë marrë trajtim mjekësor. Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 12 qytetarë/protestues dhe një gazetar.

    Policia ka bërë të ditur se pas vlerësimit të veprimeve policore gjatë protestës, për dyshimet e mundshme për tejkalim të autorizimeve është njoftuar Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).

    Për protestën e sotme, Policia ka paralajmëruar angazhim të njësive policore dhe ka bërë të ditur se mund të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në rrugët përreth sheshit “Skënderbeu”, varësisht nga situata në terren.

    Ndërkohë, Policia u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin pakënaqësitë në mënyrë të qetë dhe demokratike, duke respektuar ligjin dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë.

    Protesta e sotme lidhet me aktgjykimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkesat për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

  • Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Musliu-Shoshi: Edhe pak orë kemi mundësi për unitet

    Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, ka bërë thirrje për unitet politik, duke thënë se ende kanë mbetur pak orë për një qëndrim të përbashkët.

    Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se çelësi për zgjidhjen e çështjes është në duart e kryeministrit Albin Kurti.

    “Edhe pak orë kemi mundësi për unitet. Mos t’i kënaqim armiqtë tanë! Çelësin e ka vetëm Albin Kurti në dorë: të VOTOHEN ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Kaq e thjeshtë. Uniteti kërkon veprim, jo fjalë!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.