ATV

Blog

  • Kosova shkruan historinë, Dardanët arrijnë renditjen më të lartë në FIFA

    Kosova shkruan historinë, Dardanët arrijnë renditjen më të lartë në FIFA

    Kombëtarja e Kosovës ka vendosur një rekord të ri historik në renditjen e FIFA-s.

    Pas ndeshjeve të fundit në Ligën e Kombeve, Dardanët kanë bërë një tjetër hap përpara, duke u ngjitur në pozitën e 76-të në ranglistën botërore – pozita më e lartë e arritur ndonjëherë nga Kosova.

    Rekordi i mëparshëm ishte vendi i 78-të, të cilin përfaqësuesja kosovare e kishte arritur në vitin 2026. Në renditjen e korrikut, Kosova ndodhej pikërisht në këtë pozitë, ndërsa tash ka avancuar edhe dy vende, duke lënë pas Izraelin dhe Bolivinë.

    Përparimi i Dardanëve bëhet edhe më i dukshëm kur shihet në një perspektivë më të gjerë. Kosova e kishte mbyllur vitin 2025 në vendin e 80-të, ndërsa një vit më herët, në fund të vitit 2024, ishte në pozitën e 99-të.

    Ngjitja ka qenë e vazhdueshme edhe në vitet paraprake. Në vitin 2023, Kosova renditej e 101-ta, ndërsa në vitin 2022 ishte në vendin e 107-të.

    Kjo do të thotë se brenda vetëm katër vitesh, Dardanët kanë përparuar plot 31 pozita, nga vendi i 107-të në të 76-in. Ndërkohë, krahasimi me vitin 2017 e tregon edhe më qartë rritjen e Kosovës, pasi atëherë përfaqësuesja renditej në pozitën e 177-të.

    Ky rekord i ri vjen pas paraqitjeve të fundit në Ligën e Kombeve, ku Kosova ka grumbulluar pesë pikë në katër ndeshjet e para dhe aktualisht mban pozitën e dytë në grup.

    Por Dardanët ende kanë mundësi për të avancuar edhe më shumë. Në nëntor i presin edhe dy përballje, ndaj Izraelit dhe Irlandës, rezultate të cilat mund t’i sjellin Kosovës një tjetër ngjitje në ranglistën botërore.

    Dardanët tashmë kanë shkruar një faqe të re në historinë e futbollit kosovar dhe rrugëtimi drejt pozitave edhe më të larta vazhdon.

  • Dardan Cena shkëlqen në Baku, eliminon kampionin olimpik

    Dardan Cena shkëlqen në Baku, eliminon kampionin olimpik

    Dardan Cena ka realizuar një nga triumfet më të rëndësishme të karrierës së tij, duke eliminuar një prej emrave më të mëdhenj të xhudos botërore, gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili, në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Baku të Azerbajxhanit.

    Xhudisti kosovar zhvilloi një përballje të jashtëzakonshme ndaj 34-vjeçarit gjeorgjian, në një duel që zgjati më shumë se tetë minuta dhe u vendos vetëm në “golden score”.

    Cena tregoi qetësi dhe qëndrueshmëri përballë presionit të një kundërshtari me përvojë të jashtëzakonshme. Pas një beteje të gjatë dhe të fortë, fitorja e kosovarit erdhi pasi Shavdatuashvili mori dënimin e tretë, duke i dhënë kështu Cenës biletën për në raundin e tretë.

    Me këtë sukses, Cena vazhdon rrugëtimin e tij në kategorinë deri në 73 kilogramë, duke regjistruar një fitore të madhe ndaj një prej xhudistëve më të dekoruar në histori.

    Shavdatuashvili ka në CV një titull olimpik, një titull botëror dhe medalje të shumta të fituara në garat më prestigjioze të këtij sporti. Për këtë arsye, eliminimi i tij i jep edhe më shumë peshë triumfit të xhudistit kosovar.

    Cena e kishte nisur ditën me sukses ndaj irlandezit Joshua Green, të cilin e mposhti me uazari.

    Tashmë, kosovari do të kërkojë të vazhdojë paraqitjen e tij të fuqishme në Botërorin e Bakut, pas një prej fitoreve më të bujshme të karrierës së tij.

  • 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic

    12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore, njëri prej tyre polic

    Drejtori i Emergjencës, Naser Syla ka bërë të ditur se 12 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore si pasojë e lëndimeve në protestën e sotme.

    Prej të lënduarve një është zyrtar policor ndërsa 11 të tjerë janë protestues.

    Syla ka bërë të ditur gjithashtu se gjendja e tyre është stabile dhe pas trajtimit janë lëshuar në shtëpi. Nga të lënduarit, tre janë trajtuar prej plagëve prerëse.

  • Tahiri: LVV-ja të kthehet në Kuvend për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Tahiri: LVV-ja të kthehet në Kuvend për ta votuar Ligjin për Dhomat e Specializuara

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Altin Krasniqi kanë dalë në sheshet e Prishtinës për t’u përshëndetur me protestuesit që po kërkojnë miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

    Tahiri ka theksuar nevojën për miratimin e ligjit, duke kërkuar që kjo çështje të mos lidhet me zgjedhjen e presidentit.

    “Kanë mbetur edhe disa orë. Ajo që po kërkojmë është që Vetëvendosja dhe Albin Kurti të kthehen në Kuvend dhe ta votojnë ligjin. Ligji është obligim kombëtar i të gjithëve ne dhe duhet të kthehemi në Kuvend. Ligjin me presidentin nuk duhet me lidh. Ligji është obligim kombëtar, presidenti është përgjegjësi politike. Ata tentojnë ta lidhin me çështjen e presidentit, por këto tema nuk lidhen”, tha ai.
    Ndërkaq, deputeti Altin Krasniqi ka kërkuar nga Policia e Kosovës që të mos ndërhyjë në mënyrë brutale ndaj protestuesve.

    “Kjo çështje nuk është e një partie, por e popullit. Kjo protestë nuk duhet të luftohet në këtë mënyrë brutale”, tha Krasniqi.

  • Ramush Haradinaj hyn në mesin e protestuesve: Shpresuam që po votojmë sonte, po na dhimbeni ju, vendi dhe ata atje

    Ramush Haradinaj hyn në mesin e protestuesve: Shpresuam që po votojmë sonte, po na dhimbeni ju, vendi dhe ata atje

    sh-kryetari i Aleancës, Ramush Haradina i është bashkuar protestuesve që po protestojnë pranë Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj, duke iu drejtuar protestuesve, ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara mund të ishte miratuar edhe në leximin e dytë, ashtu siç ishte votuar në leximin e parë.

    Ai gjithashtu e ka konsideruar këtë si një situatë të dhimbshme.

    “Ashtu siç u votua në lexim të parë, mundem ta kryenim edhe në lexim të dytë. Është e dhimbshme. Po na dhimbseni edhe ju, po na dhimbset vendi, po na dhimbsen ata që janë atje”, u shpreh Haradinaj.

  • Kontejnerë duke u djegur, kjo është gjendja aktuale në rrugën “Agim Ramadani”

    Kontejnerë duke u djegur, kjo është gjendja aktuale në rrugën “Agim Ramadani”

    Ka eskaluar protesta në Prishtinë, ku po kërkohet të kalohet ndryshim-ligji për Gjykatën Speciale.

    Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës, ndërkaq janë parë edhe kontejnerë të djegur.

    Disa protestues kanë pasur nevojë për ndihmë mjekësore pas hedhjes së gazit lotsjellës.

  • PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve

    PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve

    Partia Demokratike e Kosovës, në një reagim, “dënon ashpër përdorimin e dhunës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në. PDK kërkon nga Qeveria përgjegjësi të menjëhershme dhe nga organet shtetërore ndaljen e çdo veprimi joproporcional që po cenon rëndë të drejtën e qytetarëve për protestë”.

    Tutje, në reagimin e PDK-së thuhet:

    “Lufta e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga UÇK-ja, ka qenë e drejtë, e pastër dhe e pashmangshme. UÇK-ja dhe lufta e saj çlirimtare janë pjesë e pandashme e historisë, identitetit dhe lirisë së Kosovës. Mbrojtja e kësaj trashëgimie është përgjegjësi qytetare dhe shtetërore që lidhet me të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

    PDK rithekson se nuk ka asnjë pengesë ligjore për miratimin e ligjit që mbron UÇK-në dhe përmbylljen e këtij procesi. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë Qeveria në opinionin e saj. Prandaj, zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve.

    Qytetarët, fëmijët e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, po protestojnë me një kërkesë të qartë për një çështje jashtëzakonisht të rëndësishme për vendin. Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe të marrë përgjigje përmes veprimeve konkrete institucionale. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë përgjegjësinë për vendimmarrje me përdorimin e forcës ndaj qytetarëve.

    PDK kërkon nga organet shtetërore të ndalin dhunën ndaj protestuesve. Masat e përdorura ndaj një proteste që ka qenë e qetë për 20 ditë me radhë janë tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme. Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune.

    Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve. Ato kanë për detyrë t’u shërbejnë qytetarëve dhe të mbrojnë të drejtat e tyre. Çdo përpjekje për t’i vënë në shërbim të interesave të pushtetit përbën abuzim të rëndë me përgjegjësinë shtetërore.

    Asnjë urdhër politik nuk mund ta justifikojë dhunën ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën për protestë“.

    PDK u bën thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që të veprojnë pa vonesë dhe ta përmbyllin miratimin e ligjit që mbron UÇK-në.

    “Përgjegjësia institucionale në këtë moment kërkon vendimmarrje, respekt për qytetarët dhe mbrojtje të dinjitetit të çlirimtarëve“.

  • Francë-Belgjikë, sonte përballja që mund të vendosë kreun e grupit

    Francë-Belgjikë, sonte përballja që mund të vendosë kreun e grupit

    Franca dhe Belgjika përballen sonte në “Stade de France”, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për kreun e grupit në Ligën e Kombeve.

    “Les Bleus” vijnë në këtë takim me një seri pozitive dhe synojnë ta vazhdojnë dominimin në grup. Për trajnerin Zinedine Zidane, kjo është edhe një mundësi për të regjistruar fitoren e parë në shtëpi që prej marrjes së drejtimit të Francës.

    Në anën tjetër, Belgjika, që aktualisht renditet e dyta, kërkon tri pikët që do ta ngjisnin në krye të tabelës dhe do t’i jepnin një avantazh të rëndësishëm në vazhdim të garës.

    Të dyja skuadrat do të kenë mungesa të rëndësishme.

    Belgjika nuk mund të llogarisë në Kevin De Bruynen dhe Youri Tielemansin, të cilët janë të pezulluar pas kartonëve të verdhë të marrë në përballjen ndaj Turqisë.

    Ndërkohë, Franca do të jetë pa Dayot Upamecanon, gjithashtu për shkak të pezullimit, ndërsa Kylian Mbappe pritet të mos jetë në formacionin startues. Në vend të tij, Zidane mund t’i japë hapësirë njërit prej Désiré Doué, Rayan Cherkit, Bradley Barcolas apo Maghnes Akliouches.

    Franca hyn në këtë duel edhe me një statistikë që i jep avantazh.

    “Les Bleus” kanë fituar gjashtë përballjet e fundit direkte ndaj Belgjikës, ndërsa takimi i fundit mes tyre përfundoi me fitoren e Francës, 1-0.

    Belgjika e di se vetëm fitorja në “Stade de France” mund ta çojë në krye të grupit, por Franca shihet si favorite.

    Me mungesa të rëndësishme në të dyja kampet dhe kreun e grupit në lojë, kjo pritet të jetë një tjetër përballje e madhe mes dy rivalëve historikë evropianë.

  • Tensionet shpërthejnë në tunel, trajneri irlandez akuzon futbollistin izraelit për pështyrje

    Tensionet shpërthejnë në tunel, trajneri irlandez akuzon futbollistin izraelit për pështyrje

    Ndeshja mes Irlandës dhe Izraelit nuk përfundoi vetëm me rezultatin 1-1, pasi tensionet mes dy përfaqësueseve u bartën edhe jashtë fushës.

    Një incident i dyshuar ka ndodhur në tunelin e stadiumit gjatë pushimit mes pjesëve, ku trajneri i fitnesit të Kombëtares së Irlandës, Damien Doyle, raportohet se është pështyrë nga një futbollist i Izraelit.

    Sipas pretendimeve të stafit irlandez, incidenti ndodhi teksa të dyja skuadrat po drejtoheshin drejt dhomave të zhveshjes pas përfundimit të pjesës së parë.

    Gjyqtari spanjoll Juan Martinez Munuera nuk e kishte parë momentin e pretenduar, por ndërhyri menjëherë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës dhe një përplasje fizike mes palëve.

    Përballja ishte zhvilluar në një atmosferë të tensionuar edhe për shkak të situatës politike dhe luftës në Gaza. Irlanda, e cila ka kritikuar në mënyrë të vazhdueshme ofensivën izraelite në Gaza, vendosi që ndeshja “vendase” të luhej në Baçka Topolë të Serbisë, për arsye sigurie.

    Tensionet ishin të dukshme edhe para fillimit të takimit. Futbollistët irlandezë ulën kokat gjatë himnit kombëtar të Izraelit, ndërsa në krahë mbanin shirita të zinj në shenjë solidariteti me komunitetin në Gaza. Ata gjithashtu nuk pranuan t’u jepnin dorën lojtarëve kundërshtarë.

    Pas ndeshjes, trajneri i Irlandës, Heimir Hallgrimsson, konfirmoi se Doyle kishte pretenduar se ishte pështyrë, por la të kuptohej se incidenti nuk do të ndiqej më tej.

    “Ka pasur shumë prej këtyre ‘aksidenteve’ dhe ne ishim mjaftueshëm të mençur për t’i shmangur ato para se situata të shkonte shumë larg”, deklaroi Hallgrimsson.

    Ai shtoi se besonte se qëllimi ishte provokimi i futbollistëve irlandezë.

    “Ndjeva se qëllimi i tyre ishte të na frikësonin dhe të na bënin të bënim diçka të pamatur. I jap shumë merita mënyrës se si lojtarët tanë i menaxhuan emocionet e tyre”, tha ai.

    Ndërkohë, në momentin e raportimit, as Federata Irlandeze dhe as ajo Izraelite nuk kishin dhënë një qëndrim zyrtar për incidentin.

    UEFA, nga ana tjetër, bëri të ditur se nuk kishte pranuar ndonjë ankesë zyrtare lidhur me rastin dhe për këtë arsye nuk kishte bazë për të ndërmarrë masa.

    Ndeshja përfundoi me rezultat 1-1, por përballja u shoqërua me tensione të forta para, gjatë dhe pas saj.

  • Real Madridi blindon Arda Gulerin, marrëveshja për kontratën e re është arritur

    Real Madridi blindon Arda Gulerin, marrëveshja për kontratën e re është arritur

    Real Madridi ka bërë një tjetër lëvizje për të siguruar të ardhmen e Arda Gulerit, duke arritur marrëveshje të plotë me talentin turk për vazhdimin e kontratës.

    Sipas ekspertit të njohur të transferimeve, Fabrizio Romano, palët kanë gjetur tashmë gjuhën e përbashkët dhe marrëveshja konsiderohet e mbyllur. Tani mbetet vetëm që klubi madrilen të vendosë momentin e duhur për ta bërë zyrtar rinovimin.

    Kontrata aktuale e Gulerit me “Los Blancos” skadon në vitin 2029, por drejtuesit e klubit kanë dashur të sigurojnë qëndrimin e tij edhe përtej kësaj periudhe.

    Si pjesë e marrëveshjes së re, 21-vjeçari pritet të përfitojë një rritje të ndjeshme të pagës, si vlerësim për paraqitjet dhe progresin e tij në skuadër.

    Guleri ishte një nga futbollistët që la më shumë gjurmë te Reali sezonin e kaluar, ndërsa këtë edicion ka vazhduar të dëshmojë se po shndërrohet në një pjesë të rëndësishme të ekipit.

    Në katër paraqitje këtë sezon, turku ka regjistruar një gol dhe tri asistime, duke konfirmuar ndikimin e tij në repartin ofensiv.

    Me rinovimin e kontratës, Real Madridi synon të mbyllë derën për çdo interesim të mundshëm nga klubet e tjera dhe të sigurojë një prej talenteve më premtues për vitet e ardhshme.

    Arda Guler, ndërkohë, duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e projektit afatgjatë të “Los Blancos”.