ATV

Blog

  • Red Bull Wings Cup në Kosovë: Fillon java vendimtare e kualifikimeve universitare

    Red Bull Wings Cup në Kosovë: Fillon java vendimtare e kualifikimeve universitare

    Pas javëve të para të garës, Red Bull Wings Cup po hyn në fazën më intensive në Kosovë. Gara globale e EA SPORTS FC™ 27 po u ofron studentëve dhe gamers-ve kosovarë mundësinë që jo vetëm të shpallen kampionë të Kosovës, por edhe të sigurojnë një vend në Finalen Botërore të Red Bull Wings Cup, që mbahet në Miami të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Janar të 2027.

    Java e ardhshme shënon fillimin e serisë së turneve universitare, ku qindra studentë do të jenë në garë për të fituar një nga biletat drejt finales kombëtare.

    Katër universitete, katër mundësi për t’u kualifikuar

    Turnetë universitare do të organizohen sipas këtij kalendari, në këto kampuse:

    • 20 Tetor – AAB Tournament 14:00 – 18:00
    • 21 Tetor – Universum Tournament 14:00 – 18:00
    • 22 Tetor – Universiteti i Prishtinës Tournament 14:00 – 18:00

    Çdo turne do t’u japë mundësi pjesëmarrësve të garojnë në formatin unik të EA SPORTS FC™ Rush, ku fokusi vendoset te loja ekipore, komunikimi dhe aftësitë individuale në fushë.

    Përveç turneve universitare, lojtarët mund të sigurojnë pjesëmarrjen edhe përmes Online Qualifiers, të cilat do të zhvillohen më 25 Tetor. Kjo është mundësia e fundit për ata që nuk arrijnë të marrin pjesë fizikisht në universitetet pjesëmarrëse.

    Më shumë se një turne gaming

    Red Bull Wings Cup është një kompeticion ndërkombëtar që kombinon kulturën studentore, gaming-un dhe futbollin virtual në një eksperiencë unike. Për dallim nga formatet tradicionale 1v1, Wings Cup përdor formatin Rush, ku bashkëpunimi mes lojtarëve është po aq i rëndësishëm sa aftësitë individuale.

    Gjatë javëve të fundit, pjesëmarrës nga e gjithë Kosova kanë konkurruar në kualifikime online dhe aktivitete të ndryshme për të siguruar vendin e tyre në fazën finale. Me zhvillimin e turneve universitare, lista e finalistëve do të kompletohet gradualisht.

    Shpërblimet brenda lojës nëpërmjet edicionit të ri të Red Bull Wings Cup

    Përtej vetë turnamentit, në mbarë botën është lansuar në treg një kanaçe e edicionit të “Red Bull Wings Cup”.

    Çdo kanaçe do t’u japë konsumatorëve që plotësojnë kriteret mundësinë

    për të zhbllokuar shpërblime brenda lojës EA SPORTS FC™ 27 dhe për të garuar për një udhëtim drejt finales botërore në Miami, duke u ofruar lojtarëve edhe më shumë mënyra për t’u bërë pjesë e përvojës “Red Bull Wings Cup”, kudo që ata luajnë.

    Më shumë informata rreth aplikimit të kodit të shpërblimeve, mund ti gjeni në këtë video: https://www.instagram.com/p/DeZfgIBok_l/

    Finalja Kombëtare vjen në Prishtina Mall

    Kulmi i kompeticionit do të jetë më 1 Nëntor, kur finalistët nga universitetet, kualifikimet online dhe aktivitetet wildcard do të përballen në Prishtina Mall për titullin e kampionit të Kosovës në Red Bull Wings Cup.

    Finalja pritet të sjellë ndeshjet më konkurruese të sezonit, me lojtarët më të mirë të vendit që do të garojnë për çmimet kryesore dhe për mundësinë e përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

    Për të gjithë ata që ende nuk janë regjistruar, dita e fundit për të siguruar një vend në garë mbetet 25 Tetori, përmes kualifikimeve online.

    Më shumë informata dhe regjistrimet mund të gjenden në platformën zyrtare të Red Bull Wings Cup: https://www.redbull.com/kv-sq/events/red-bull-wings-cup-kosovo-2026/red-bull-wings-cup-kosovo-perfito

  • ​Gjeneralmajor Vergori merr komandën e KFOR-it në Kosovë

    ​Gjeneralmajor Vergori merr komandën e KFOR-it në Kosovë

    Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë të mërkurën komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë nga gjeneralmajori turk Özkan Ulutaş, në ceremoninë e mbajtur në shtabin e misionit të KFOR-it, në kampin “Film City” në Prishtinë.

    Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, u theksua rëndësia e vazhdimit të misionit të KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt, stabilitetit rajonal dhe mbështetjes së dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajor Roberto Vergori, tha se marrja e këtij posti përbën një privilegj dhe përgjegjësi të madhe, duke u zotuar që do ti bashkohet përkushtimit të misionit për Kosovën.

    Ai siguroi se KFOR-i do të vazhdojë angazhimin për përmbushjen e mandatit të tij dhe krijimin e kushteve për një të ardhme të qëndrueshme për të gjitha komunitetet në Kosovë.

    “Edhe në vitin 1999, kur fillova dislokimin tim të parë operacional, nuk do ta kisha menduar se një ditë do të shërbeja në operacionin më të gjatë dhe, ndoshta, më të madh të NATO-s. Sot, të jem pjesë e këtij misioni nuk është vetëm detyrë, por një privilegj i jashtëzakonshëm dhe një përgjegjësi e madhe. Ashtu siç u tha, edhe unë i bashkohem këtij përkushtimi ndaj Kosovës. Ne mbetemi thellësisht të përkushtuar për përmbushjen e mandatit tonë afatgjatë, me angazhim të vazhdueshëm operacional. Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit. Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit. Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, tha ai.

    Komandanti në largim, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, tha se prania e këtij misioni mbetet dëshmi konkrete e përkushtimit të bashkësisë ndërkombëtare ndaj stabilitetit rajonal, duke theksuar se KFOR – i do të vazhdojë të jetë i angazhuar edhe në zonat në veri të Kosovës.

    “Përmes pranisë sonë, ne mbetemi të angazhuar në mënyrë të vazhdueshme, të rregullt dhe fleksibil, me vëmendje të veçantë ndaj zonave në veri të Kosovës dhe zhvillimeve afatgjata në vend. Pavarësisht dallimeve, të gjithë njerëzit në Kosovë ndajnë një qëllim të përbashkët: një të ardhme paqësore dhe të begatë. Prandaj, detyra jonë është të dëgjojmë të gjitha palët dhe të vazhdojmë të ofrojmë hapësirë për dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, duke bashkëpunuar me misionin për të çuar përpara këtë proces.”, ka deklaruar Ulutas.

    Më tej ai ka theksuar që enda ka sfida në procesin e negociatave me Serbinë, porse është optimist që të njëjtat do të kapërcehen.

    “KFOR-i është i përkushtuar të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin, si dhe të mbështesë përparimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ky dialog përbën një kornizë për trajtimin e çështjeve të pazgjidhura dhe arritjen e zgjidhjeve të qëndrueshme që respektojnë të drejtat e të gjithë njerëzve në Kosovë. Pa dyshim, ende ka sfida gjatë këtij procesi, por mbetem optimist se, me durim, këmbëngulje, udhëheqje dhe një qasje konstruktive nga të gjithë, këto pengesa mund të tejkalohen në të mirë të të gjithëve”, tha ai.

    E Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, në fjalën e saj theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet synim i Kosovës, duke shprehur gatishmërinë që vendi të kontribuojë drejtpërdrejt në përpjekjet e përbashkëta për paqe dhe siguri.

    “Dua të shpreh mirënjohjen më të thellë për të gjithë ushtarët e shteteve kontribuuese që kanë shërbyer në kuadër te KFOR-it qe nga viti 1999. Shumë prej tyre kane kaluar periudha të gjata larg familjeve të tyte, kontributi i tyre është pjesë e historisë sonë dhe do të nderohet gjithmonë nga qytetarët e Kosovës. Anëtarësimi në NATO mbetet e qarte, që Kosova të jetë edhe kontribuuese e drejtpërdrejtë në te. Do marrim pjesë në përpjekjet e përbashkëta për paqe e siguri, si anëtare e NATO-s”, tha ajo.

    Ndërkaq, admirali George M. Wikoff, komandant i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli (JFC Naples), vlerësoi misionin e KFOR-it dhe përkushtimin e pjesëtarëve të tij gjatë më shumë se 27 vjetëve të shërbimit në Kosovë.

    “Mandati është i qartë: të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë një mjedis të sigurt në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe. Për më shumë se 27 vjet, burrat dhe gratë nga mbi 31 shtete kanë shërbyer me krenari në kuadër të këtij mandati fisnik, me profesionalizëm dhe guxim. Për 27 vjet, ata janë përkushtuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet në Kosovë. Për 27 vjet, pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg shtëpive të tyre dhe të ndarë nga familjet, për”, tha ai.

    Në Kosovë, në kuadër të Aleancës më të madhe ushtarake shërbejnë rreth 4 mijë e 657 trupa nga 31 vende të botës./kp

  • Sërish tensione në Shqipëri, studentët shkulin rrethojat e Ministrisë së Arsimit

    Sërish tensione në Shqipëri, studentët shkulin rrethojat e Ministrisë së Arsimit

    Protesta e studentëve para Ministrisë së Arsimit në Shqipëri ka nisur me tensione të mërkurën. Një grup protestuesish kanë shkulur rrethojat metalike dhe sinjalistikën rrugore pranë ndërtesës, ndërsa kanë hedhur sende të forta në drejtim të forcave të policisë.

    Më herët, studentët iu drejtuan Forcave Speciale me thirrjen: “Mos na provokoni!”. Ndryshe nga një ditë më parë, policët ende s’janë kundërpërgjigjur dhe po qëndrojnë brenda perimetrit të ndërtesës.

    Ndonëse protesta ishte njoftuar të niste në orën 14:00, demonstrata nisi shumë më herët. Studentë të Fakultetit të Mjekësisë, Fakultetit të Shkencave dhe fakulteteve të tjera bojkotuan mësimin duke u grumbulluar në rrugë për të marshuar në drejtim të MAS, raportoi A2News.

    Bojkoti ishte paralajmëruar nga disa universitete dhe fakultete pas përplasjeve të dhunshme të një dite më parë.

    Protestës i janë bashkuar edhe nxënësit e gjimnazit “Partizani”, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë bllokuar rrugën para shkollës së tyre.

    Gjithsej 27 persona kanë marrë trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve gjatë protestës të së martës në Tiranë, përfshirë punonjës të policisë, protestues, gazetarë, kalimtarë të rastit dhe një diplomat i huaj.

  • Alexander Zverev drejt historisë, gjermani pritet ta mbyllë vitin si numri një në botë

    Alexander Zverev drejt historisë, gjermani pritet ta mbyllë vitin si numri një në botë

    Alexander Zverev pritet të përmbyllë vitin 2026 në krye të renditjes botërore të tenisit për meshkuj, duke u përgatitur për të shkruar një kapitull të ri në historinë e sportit gjerman.

    Nëse ky skenar konfirmohet, 29-vjeçari do të bëhet tenisti i parë gjerman që e përfundon një vit kalendarik në pozitën e parë të renditjes së ATP-së.

    Për Zverevin, kjo do të ishte një arritje e jashtëzakonshme, që do ta kurorëzonte një sezon të suksesshëm dhe do ta vendoste emrin e tij mes tenistëve më të spikatur të këtij brezi.

    Përveç historisë që do të shkruante për Gjermaninë, Zverev do të bëhej edhe lojtari më i moshuar që arrin për herë të parë në krye të renditjes botërore, në moshën 29-vjeçare.

    Gjermani ka treguar vazhdimësi dhe nivel të lartë në paraqitjet e tij gjatë këtij sezoni, duke konfirmuar ambiciet për të qenë në mesin e më të mirëve të tenisit botëror.

    Nëse përfundon vitin në pozitën e parë, Zverev do ta shndërronte këtë sukses në një moment historik për karrierën e tij dhe për tenisin gjerman.

    Megjithatë, renditja përfundimtare do të varet nga rezultatet e turneve të mbetur të sezonit, ndaj konfirmimi i këtij objektivi do të jetë vendimtar për të ardhmen e afërt të tenistit gjerman.

  • Genc Nuza delegohet nga UEFA për një ndeshje të rëndësishme evropiane

    Genc Nuza delegohet nga UEFA për një ndeshje të rëndësishme evropiane

    Gjyqtari kosovar Genc Nuza do të jetë në qendër të vëmendjes në një tjetër përballje ndërkombëtare, pasi UEFA e ka deleguar për të drejtuar ndeshjen mes Twentes dhe Thunit në Ligën e Konferencës.

    Takimi ndërmjet skuadrës holandeze FC Twente dhe ekipit zviceran FC Thun është paraparë të zhvillohet më 15 tetor në Enschede të Holandës, në kuadër të fazës së ligës së këtij kompeticioni.

    Nuza do ta drejtojë ndeshjen si gjyqtar kryesor, ndërsa në këtë angazhim evropian do të shoqërohet edhe nga një ekip arbitrimi nga Kosova.

    Granit Hyseni dhe Fatmir Sekiraqa janë caktuar si gjyqtarë asistentë, Mentor Ajeti do të jetë gjyqtari i katërt, ndërsa Alban Shala do të kryejë detyrën e AVAR-it.

    Ky delegim përbën një tjetër mundësi për gjyqtarët kosovarë që të dëshmojnë aftësitë dhe profesionalizmin e tyre në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar vendin në garat e organizuara nga UEFA.

    Prania e një ekipi të përbërë nga gjyqtarë kosovarë në këtë përballje evropiane është gjithashtu një vlerësim për punën e tyre dhe një mundësi për të vazhduar përvojën në nivele të larta të futbollit kontinental.

  • Tifozët e Galatasarayt nuk i lënë të flenë lojtarët e Barcelonës para ndeshjes

    Tifozët e Galatasarayt nuk i lënë të flenë lojtarët e Barcelonës para ndeshjes

    Barcelona është përballur me një pritje të zhurmshme në Stamboll, ku tifozët e Galatasarayt kanë përdorur fishekzjarrë dhe mjete piroteknike në orët e vona të natës, pranë hotelit ku po qëndron skuadra katalunase.

    Barcelona luan sonte (e martë) në udhëtim ndaj Galatasarayt, në kuadër të raundit të dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve, në një përballje që pritet të zhvillohet në atmosferë të zjarrtë.

    Stambolli njihet si një nga qytetet më sfiduese për skuadrat mysafire në futbollin evropian, falë atmosferës së krijuar nga tifozët vendas, ndërsa kësaj radhe në qendër të vëmendjes është gjendur Barcelona.

    Sipas raportimeve, një numër i madh tifozësh të Galatasarayt janë mbledhur gjatë natës pranë hotelit të skuadrës spanjolle. Pas orës 02:00, ata kanë ndezur fishekzjarrë dhe mjete të tjera piroteknike, duke krijuar zhurmë në afërsi të vendqëndrimit të futbollistëve katalunas.

    Mbetet të shihet nëse kjo situatë do të ndikojë në përgatitjen dhe paraqitjen e Barcelonës në ndeshjen e sontme, apo nëse skuadra e drejtuar nga trajneri i saj do të arrijë ta përballojë presionin e atmosferës në Stamboll.

    Përballja mes Galatasarayt dhe Barcelonës zhvillohet në stadiumin “Rams Park”, me fillim nga ora 21:00.

  • Mbappe pranë rekordit historik të Messit në Ligën e Kampionëve

    Mbappe pranë rekordit historik të Messit në Ligën e Kampionëve

    Kylian Mbappe është shumë pranë një arritjeje të veçantë në Ligën e Kampionëve, pasi mund të bëhet futbollisti më i ri në histori që regjistron 100 paraqitje në këtë kompeticion.

    Sulmuesi francez mund ta arrijë këtë rekord nëse paraqitet me fanellën e Real Madridit në ndeshjen kundër Romës, duke kaluar kështu një tjetër legjendë të futbollit botëror, Lionel Messin.

    Deri më tani, Mbappe ka regjistruar 99 paraqitje në garën më prestigjioze evropiane për klube. Prej tyre, nëntë i ka zhvilluar me Monacon, 64 me Paris Saint-Germainin dhe 26 me Real Madridin.

    Në moshën 27-vjeçare, më saktësisht 27 vjet e 298 ditë, francezi do ta thyente rekordin e Messit, i cili arriti kuotën e 100 ndeshjeve në Ligën e Kampionëve kur ishte 28 vjeç e 84 ditë.

    Interesant është fakti se Messi e kishte arritur këtë shifër historike në shtator të vitit 2015, pikërisht në një përballje ndaj Romës, skuadrës që tani mund t’i ndihmojë Mbappes të shkruajë historinë.

    Kështu, ylli i Real Madridit është vetëm një paraqitje larg një rekordi të ri, që do ta vendoste në një tjetër kapitull të veçantë të historisë së Ligës së Kampionëve.

  • Cristiano Ronaldo i afrohet historisë, portugezi shkon në kuotën e 981 golave

    Cristiano Ronaldo i afrohet historisë, portugezi shkon në kuotën e 981 golave

    Cristiano Ronaldo vazhdon rrugëtimin drejt një prej rekordeve më të mëdha në futbollin botëror, atë të 1.000 golave në karrierë. Ylli portugez ka realizuar golin e 981-të, duke iu afruar edhe më shumë një shifre historike.

    Sulmuesi i Al Nassr gjeti rrugën drejt rrjetës në fitoren 3-1 ndaj Neftchi Fargonas nga Uzbekistani, në kuadër të xhiros së dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve të Azisë.

    Ronaldo realizoi në minutën e 42-të për rezultatin 2-0, duke i dhënë skuadrës së tij një epërsi të rëndësishme para përfundimit të pjesës së parë. Portugezi 41-vjeçar qëndroi në fushë deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit.

    Me këtë realizim, pesë herë fituesi i Topit të Artë numëron 981 gola në karrierën e tij profesionale dhe tashmë i nevojiten vetëm 19 të tjerë për të arritur shifrën e jashtëzakonshme prej 1.000 golash.

    Objektivi historik mbetet në horizont për yllin portugez, i cili vazhdon të shtojë realizime në karrierën e tij, pavarësisht moshës, duke mbajtur gjallë pritshmëritë për një arritje që do të shënonte një tjetër kapitull të veçantë në historinë e futbollit.

    Tashmë, vëmendja mbetet te ndeshjet e ardhshme të Ronaldos dhe te ritmi me të cilin ai do t’i afrohet momentit historik të 1.000 golave.

  • Rikthehet Liga e Kampionëve, spikasin Atletico-Manchester United dhe Galatasaray-Barcelona

    Rikthehet Liga e Kampionëve, spikasin Atletico-Manchester United dhe Galatasaray-Barcelona

    Liga e Kampionëve vazhdon këtë të martë me ndeshjet e xhiros së dytë të fazës së ligës, ku në program janë disa përballje interesante që pritet të sjellin emocione dhe rivalitet të fortë në futbollin evropian.

    Vëmendja kryesore do të jetë te dueli mes Atletico Madridit dhe Manchester Unitedit, si dhe te përballja Galatasaray-Barcelona, dy ndeshje që pritet të tërheqin interesimin e madh të futbolldashësve.

    Atletico Madridi dhe Manchester Unitedi do të përballen në një duel të rëndësishëm, ku të dyja skuadrat synojnë të marrin rezultat pozitiv dhe të vazhdojnë me ambiciet e tyre në garën më prestigjioze evropiane për klube.

    Interesim të madh pritet të ketë edhe për ndeshjen mes Galatasarayt dhe Barcelonës. Skuadra turke do të synojë ta shfrytëzojë përparësinë e terrenit vendas, ndërsa Barcelona kërkon të dëshmojë forcën e saj dhe të arkëtojë pikë të rëndësishme në këtë fazë të garës.

    Programi i së martës sjell edhe përballje të tjera interesante. Arsenali do të ndeshet me Lille, Interi përballet me Club Brugge, ndërsa Bayern Munichu luan ndaj Vikingut.

    Në aksion do të jenë gjithashtu Lens dhe Sporting Lisbona, Sabah dhe Slavia Praga, Leipzig dhe PSV Eindhoven, si dhe Villarreal e Napoli.

    Dy ndeshje do të zhvillohen nga ora 18:45, ndërsa takimet e tjera të kësaj mbrëmjeje do të nisin në orën 21:00.

    Me një program të pasur dhe përballje mes skuadrave të njohura evropiane, kjo e martë pritet të sjellë një tjetër mbrëmje të zjarrtë në Ligën e Kampionëve.

  • Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje, vëmendja te Ballkani-Drita

    Superliga e Kosovës vazhdon sot me dy ndeshje, vëmendja te Ballkani-Drita

    Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet këtë të martë me dy ndeshje në kuadër të javës së nëntë, ku spikat përballja mes Ballkanit dhe Dritës, ndërsa Gjilani do të përballet me Drenicën.

    Ndeshja më interesante e ditës zhvillohet në Suharekë, ku Ballkani e pret Dritën nga ora 14:00. Dy skuadrat synojnë të marrin pikë të rëndësishme në vazhdimësinë e kampionatit, në një përballje që pritet të sjellë rivalitet të fortë.

    Ballkani do të kërkojë ta shfrytëzojë përparësinë e fushës vendase për të arritur te fitorja, ndërsa Drita udhëton drejt Suharekës me synimin për të marrë rezultat pozitiv.

    Në ndeshjen e dytë të ditës, Gjilani pret Drenicën në stadiumin me bar artificial, me fillim nga ora 18:00. Skuadra vendase synon të shfrytëzojë faktorin fushë për të arkëtuar pikë, ndërsa mysafirët do të tentojnë të befasojnë dhe të largohen me rezultat të favorshëm.

    Java e nëntë e Superligës do të vazhdojë të mërkurën, më 14 tetor, me dy ndeshje të tjera. Feronikeli ’74 përballet me Llapin në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, nga ora 14:00, ndërsa Dukagjini e pret Vushtrrinë në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, nga ora 18:00.

    Xhiroja mbyllet të enjten, më 15 tetor, me ndeshjen mes Malishevës dhe Prishtinës, e cila zhvillohet në stadiumin “Liman Gegaj”, me fillim nga ora 14:00.

    Pesë ndeshjet e kësaj jave pritet të kenë rëndësi në garën për pikë dhe përmirësimin e pozitave në tabelën e kampionatit kosovar.