ATV

Blog

  • António Nobre gjykon ndeshjen Kosovë–Austri

    António Nobre gjykon ndeshjen Kosovë–Austri

    Gjyqtari portugez António Nobre do të ndajë drejtësinë në ndeshjen mes Kosovës dhe Austrisë, që zhvillohet të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të Ligës së Kombeve.

    Nobre është pjesë e elitës së arbitrimit në Portugali dhe ka përvojë në garat evropiane të UEFA-s, përfshirë Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

    Ai ka drejtuar edhe ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Në vitin 2025, ishte arbitër kryesor në përballjen Francë–Irlandë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

    Nobre do të ketë një ekip tërësisht portugez në “Fadil Vokrri”. Asistentët e tij do të jenë Nelson Pereira dhe Paulo Brás, ndërsa Miguel Nogueira është caktuar gjyqtar i katërt.

    Në VAR do të jenë André Narciso dhe Fábio Oliveira Melo. Kështu, UEFA ka caktuar një ekip të plotë portugez për sfidën Kosovë–Austri.

  • Max Verstappen rikthehet te fitorja, Hamilton në podium pas një gare kaotike

    Max Verstappen rikthehet te fitorja, Hamilton në podium pas një gare kaotike

    Max Verstappen është rikthyer te fitorja, duke i dhuruar Red Bullit suksesin e parë të sezonit në një garë kaotike të Formula 1.

    Holandezi triumfoi përpara Kimi Antonellit, ndërsa Lewis Hamilton realizoi një rikuperim të jashtëzakonshëm për të siguruar vendin e tretë.

    Gara, e zhvilluar në Malajzi, nisi me rreth 90 minuta vonesë për shkak të reshjeve të dendura dhe problemeve teknike. Disa makina, përfshirë ato të Verstappenit dhe Hamiltonit, patën probleme elektronike gjatë xhirove të formacionit.

    Pas nisjes, Mercedes mori kryesimin me Antonellin dhe George Russellin, por Verstappen reagoi shpejt. Fillimisht parakaloi Russellin dhe më pas, pas ndërhyrjes së makinës së sigurisë dhe kalimit në goma për pistë të thatë, kaloi edhe Antonellin.

    Prej atij momenti, Verstappen kontrolloi garën deri në finish, duke siguruar fitoren e parë të sezonit për Red Bullin.

  • Bayern Munich interesohet për yllin anglez Phil Foden

    Bayern Munich interesohet për yllin anglez Phil Foden

    Phil Foden mund të bëhet një nga objektivat e Bayern Munichut, nëse situata financiare e Manchester Cityt e detyron klubin anglez të shesë disa prej lojtarëve kryesorë.

    Sipas raportimeve, trajneri i Bayern Munichut, Vincent Kompany, e pëlqen Fodenin dhe do të ishte i gatshëm të tentonte transferimin e tij. Megjithatë, aktualisht nuk ka ofertë konkrete apo negociata mes dy klubeve.

    Interesimi i Kompanyt për 26-vjeçarin nuk është i ri, pasi trajneri belg e kishte ndjekur situatën e tij edhe gjatë sezonit të kaluar.

    E ardhmja e Fodenit mund të ndikohet nga çështja financiare e Manchester Cityt. Klubi anglez është shpallur fajtor për shkelje të rregullave financiare të Premier League dhe tashmë është në proces apelimi, ndërsa dënimi përfundimtar ende nuk është përcaktuar.

    Foden rinovoi kontratën me Manchester Cityn në korrik të vitit 2026 dhe është i lidhur me klubin deri në vitin 2030, me mundësi zgjatjeje edhe për një sezon.

    Për momentin, Bayern Munichu vetëm po monitoron situatën, ndërsa çdo lëvizje e mundshme për Fodenin do të varet edhe nga vendimi përfundimtar për Manchester Cityn.

  • Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta i kushtojnë shtrenjtë Alban Dragushës

    Rezultatet e dobëta të Ferizajt në Ligën e Parë të Kosovës i kanë kushtuar shtrenjtë trajnerit Alban Dragusha.

    FC Ferizaj ka njoftuar se ka përfunduar bashkëpunimin me Dragushën, pas një marrëveshjeje të përbashkët mes palëve.

    Pas tetë javësh kampionat, Ferizaj renditet në vendin e nëntë me 10 pikë të grumbulluara, një start që nuk i ka përmbushur pritshmëritë e klubit.

    “FC Ferizaj njofton se ka përfunduar bashkëpunimin me trajnerin Alban Dragusha.

    Pas një mirëkuptimi të ndërsjellë, palët kanë vendosur që bashkëpunimi të përfundojë në këtë fazë.

    Klubi e falënderon trajnerin Dragusha për punën, përkushtimin dhe profesionalizmin e treguar gjatë periudhës së tij në klub.

    I urojmë shumë suksese në vazhdim të karrierës dhe e sigurojmë se do të ketë gjithmonë respektin e FC Ferizajt”, thuhet në njoftimin e klubit.

  • Real Madridi rikthehet për Kenan Yildizin, Juventusi kërkon 100 milionë euro

    Real Madridi rikthehet për Kenan Yildizin, Juventusi kërkon 100 milionë euro

    Real Madridi ka rikthyer interesimin për Kenan Yildizin, ndërsa Juventusi e vlerëson talentin turk rreth 100 milionë euro.

    Sipas “Corriere dello Sport”, 21-vjeçari është rikthyer në listën e dëshirave të klubit madrilen për afatin kalimtar të verës së vitit 2027. Yildiz shihet si një prej opsioneve për përforcimin e repartit ofensiv.

    Interesimi i Real Madridit për sulmuesin nuk është i ri, pasi klubi spanjoll kishte kërkuar informacione për të edhe në vitin 2025. Megjithatë, për momentin nuk ka ofertë zyrtare apo negociata mes dy klubeve.

    Juventusi është në një pozitë të fortë, pasi Yildiz ka kontratë deri në vitin 2030. Klubi italian nuk pritet të pranojë një ofertë nën 100 milionë euro dhe mund të kërkojë edhe më shumë.

    Për shërbimet e turkut interesohen gjithashtu Arsenali dhe Bayern Munichu, duke e bërë garën për të edhe më të fortë.

    Yildiz është një prej lojtarëve kryesorë të projektit të Juventusit. Ai mban fanellën me numrin 10 dhe sezonin e kaluar regjistroi 45 paraqitje, 11 gola dhe 10 asistime në të gjitha garat.

    Për momentin, Real Madridi vetëm po monitoron situatën, ndërsa një vendim për të ardhmen e Yildizit pritet të merret gjatë verës së vitit 2027.

  • Roma rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun

    Roma rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun

    Roma po rikthehet fuqishëm në garën për Endrickun, me klubin italian që synon ta transferojë sulmuesin e Real Madridit në formë huazimi gjatë afatit kalimtar të janarit.

    Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, Roma e ka vendosur 20-vjeçarin ndër objektivat kryesorë për repartin ofensiv, ndërsa vetë Endrick është i hapur për një transferim në Serie A, pasi kërkon më shumë minuta në dispozicion.

    Braziliani po e ka të vështirë të gjejë hapësirë te Real Madridi këtë sezon. Deri tani, ai ka regjistruar vetëm katër minuta lojë në La Liga, ndërsa konkurrenca e madhe në repartin ofensiv e ka lënë kryesisht në stol.

    Roma kishte tentuar ta transferonte Endrickun edhe gjatë verës, por atëherë lëvizja nuk u realizua. Tani, situata mund të ndryshojë në janar, me sulmuesin brazilian që po e shqyrton seriozisht mundësinë e një huazimi.

    Një eksperiencë e tillë mund t’i shërbejë Endrickut për të fituar më shumë minuta, ritëm dhe besim, ndërsa Real Madridi nuk raportohet se dëshiron ta shesë përfundimisht talentin brazilian.

    Për këtë arsye, një huazim në janar mund të jetë zgjidhja ideale për të gjitha palët. Roma, në anën tjetër, është e gatshme ta rihapë bisedën me “Los Blancos” për transferimin e sulmuesit.

  • Akil Gjakova përballet me kampionin olimpik-Kosova mëson kundërshtarët në Botërorin e xhudos

    Akil Gjakova përballet me kampionin olimpik-Kosova mëson kundërshtarët në Botërorin e xhudos

    Kampionati Botëror i xhudos ka nisur të dielën në Baku të Azerbajxhanit,teksa  xhudistët kosovarë tashmë kanë mësuar kundërshtarët e tyre.

    Vëmendja kryesore të martën do të jetë te Akil Gjakova dhe Dardan Cena, të cilët do të garojnë në kategorinë deri në 73 kilogramë,kurse garën ndaj një kundërshtari tejet të fortë, pasi përballë do ta ketë Hidayat Heydarov.

    Azerbajxhanasi është kampion olimpik në fuqi, ndërsa në vitin 2024 fitoi edhe titullin e botës,ku ka arritur të fitoj katër tituj evropianë.

    Në xhiron e parë do të garojë edhe Dardan Cena ku do të përballet me irlandezin Joshua Green,dhe në rast të fitores, Cena në raundin e dytë do të takohet me gjeorgjianin Lasha Shavdatuashvili, një tjetër emër i madh i xhudos botërore.

    Ndërkohë, Distria Krasniqi nuk do të garojë në kategorinë deri në 52 kilogramë,teksa Krasniqi ishte bartësja e parë dhe një prej pretendenteve për medalje, por po rikuperohet nga një lëndim.

    Të mërkurën në tatami do të zbresë Laura Fazliu, në kategorinë deri në 63 kilogramë,ku ajo do ta nisë garën nga xhiroja e dytë dhe është një prej pretendenteve për medalje. Fazliu ka fituar medaljen e bronztë botërore në dy edicionet e fundit.

    Të premten do të garojë Shpati Zekaj, në kategorinë deri në 100 kilogramë,ku për kundërshtar i tij në xhiron e parë do të jetë moldavi Vadim Ghimbovschi.

    Në Botërorin e Bakusë po marrin pjesë 622 xhudistë nga 93 shtete,kuse Kosova synon rezultate të larta në këtë garë, me xhudistët e saj të udhëhequr nga kryemjeshtri Driton Kuka.

  • Marc Marquez triumfon në Japoni, fiton edhe garën e Sprintit dhe ngushton diferencën në MotoGP

    Marc Marquez triumfon në Japoni, fiton edhe garën e Sprintit dhe ngushton diferencën në MotoGP

    Marc Marquez ka fituar Çmimin e Madh të Japonisë në MotoGP, në garën e zhvilluar të dielën në pistën e Motegit, duke kompletuar një fundjavë perfekte.

    Piloti spanjoll i Ducati-t ishte i pandalshëm gjatë gjithë fundjavës, pasi një ditë më parë kishte triumfuar edhe në garën Sprint.

    Në mesin e garës, Marquez arriti të parakalojë bashkëkombësin e tij Jorge Martin, i cili garon me Aprilia, dhe më pas e kontrolloi kryesimin deri në vijën e finishit.

    Martin u desh të kënaqej me vendin e dytë, por rezultati i mundësoi të ruajë kreun e renditjes së përgjithshme në MotoGP. Diferenca mes dy pilotëve tashmë është vetëm dy pikë, duke e bërë garën për titull edhe më interesante.

    Në podium u ngjit edhe italiani Marco Bezzecchi me Aprilia, i cili e mbylli garën në vendin e tretë.

    Pas tij u renditën Enea Bastianini me KTM, Fernandez dhe Ogura me Trackhouse, si dhe Pedro Acosta me KTM. Gjatë gjithë garës, këta pilotë zhvilluan beteja të forta për pozicionet.

    Me këtë triumf në Motegi, Marquez vazhdon të jetë në ndjekje të kreut, ndërsa lufta për titullin e MotoGP-së po bëhet gjithnjë e më emocionuese.

  • Kroacia turpërohet 0-7 nga Anglia, mediat vendase në alarm: “Jemi bërë San Marino!”

    Kroacia turpërohet 0-7 nga Anglia, mediat vendase në alarm: “Jemi bërë San Marino!”

    Kombëtarja e Kroacisë ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj 0-7 ndaj Anglisë në Ligën e Kombeve. Rezultati ka shkaktuar reagime të ashpra në mediat kroate, të cilat e kanë cilësuar paraqitjen si një katastrofë të vërtetë.

    E përditshmja “Jutarnji List” e përshkroi humbjen si një “katastrofë të panatyrshme dhe të papranueshme”, duke shtuar me tone të forta: “Jo vetëm që nuk i përkasim elitës, por jemi bërë San Marino!”

    Gazeta shkroi gjithashtu se ëndrrat për një vend në çerekfinale janë shuar dhe se realiteti pas kësaj humbjeje është edhe më i dhimbshëm.

    Edhe mediat e tjera kroate nuk kursyen kritikat.

    “Index Sport” shkroi se Kroacia “pësoi humbjen më të thellë në historinë e saj”, ndërsa “24Sata” e cilësoi rezultatin si një “turp të madh”. Në të njëjtën linjë ishte edhe “telegram.hr”, që e përshkroi paraqitjen si një kolaps të paprecedentë.

    Në anën tjetër, mediat angleze e përjetuan mbrëmjen krejt ndryshe.

    “Daily Mail” shkroi: “Anglia në qiellin e shtatë. Burra kundër djemve”, ndërsa “The Sun” e cilësoi paraqitjen e skuadrës së Thomas Tuchelit si një nga ndeshjet më të mëdha të Anglisë në transfertë.

    Në Rijekë, Anglia dominoi ndeshjen nga fillimi deri në fund. Edhe pse stadiumi ishte i mbyllur për tifozët për shkak të masave disiplinore të UEFA-s, në tribuna ishin rreth 6 mijë fëmijë dhe të rinj, të cilët u lejuan të ndiqnin takimin.

    Anglia ishte e pamëshirshme para portës. Harry Kane dhe Bukayo Saka shënuan nga dy gola, ndërsa Jude Bellingham, Anthony Gordon dhe Morgan Rogers realizuan nga një gol.

    Humbja ishte aq e rëndë saqë trajneri i Kroacisë, Slaven Bilić, kërkoi falje publikisht pas ndeshjes.

    “Më vjen keq. Jemi të zhgënjyer. Më vjen keq për tifozët, për fëmijët në tribuna dhe për të gjithë tifozët kroatë. Kurrë nuk do ta kishim pritur këtë”, deklaroi ai.

    Pas tri ndeshjeve, Kroacia mbetet me tri pikë në Grupin 3 të Ligës A. Spanja kryeson me nëntë pikë, Anglia ka gjashtë, ndërsa Çekia është e fundit pa pikë.

    0-7 ndaj Anglisë tashmë është regjistruar si nata më e zezë në historinë e futbollit kroat.

  • Kosovë–Austri, sonte luftohet për kreun e grupit! “Dardanët” kërkojnë fitoren në “Fadil Vokrri”

    Kosovë–Austri, sonte luftohet për kreun e grupit! “Dardanët” kërkojnë fitoren në “Fadil Vokrri”

    Prishtina sonte bëhet epiqendra e futbollit, teksa Kosova pret Austrinë në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij cikli në Ligën e Kombeve.

    Përballja në stadiumin “Fadil Vokrri” nis në orën 18:00, ndërsa pritet që tribunat të jenë të mbushura me tifozë kosovarë, të cilët do të kërkojnë ta shtyjnë skuadrën drejt një rezultati pozitiv.

    Kosova vjen në këtë sfidë pas barazimit pa gola ndaj Izraelit. Më herët, “Dardanët” e nisën ciklin me fitore 1-0 ndaj Irlandës, ndërsa pësuan humbje 3-1 në udhëtim ndaj Austrisë.

    Me katër pikë, Kosova synon të afrohet me kreun e grupit, ku aktualisht gjendet Austria me shtatë pikë. Një fitore sonte do t’i jepte skuadrës së Franco Fodës një shtysë të madhe në garën për pozitën e parë.

    Në anën tjetër, Austria e drejtuar nga Ralf Rangnick vjen në Prishtinë me synimin për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për të marrë një tjetër rezultat të rëndësishëm në grup.

    Për Kosovën, kjo është edhe një mundësi për të reaguar pas humbjes në Vjenë. Faktori vendas dhe mbështetja e tifozëve pritet të jenë ndër armët kryesore të “Dardanëve” në këtë duel.