ATV

Blog

  • Hapini sytë, ofertat janë këtu! Black Friday në Interex me EXTRA zbritje deri në 80%!

    Hapini sytë, ofertat janë këtu! Black Friday në Interex me EXTRA zbritje deri në 80%!

    Hapini sytë mirë, sepse këto zbritje nuk kalojnë pa u vënë re!
    Black Friday po vjen në Interex me EXTRA oferta dhe zbritje deri në 80% në produkte shtëpiake dhe tekstil!

    Nga 25 nëntori deri më 1 dhjetor 2026, Interex sjell 7 ditë me çmime dhe mundësi të jashtëzakonshme për të përfituar nga ofertat më të shumëpritura të vitit.

    Po mendoni t’i jepni një pamje të re shtëpisë? Apo keni lënë disa blerje për momentin e duhur? Momenti është tani! Nga produktet shtëpiake deri te tekstili, EXTRA ofertat ju japin më shumë arsye për të blerë dhe më pak arsye për të pritur.

    Nën moton “Hapini sytë, ofertat janë këtu!”, Interex e kthen Black Friday në 7 ditë plot mundësi për blerje të zgjuara dhe kursime të mëdha.

    Hapini sytë, bëjeni gati listën dhe drejtohuni në Interex! Mos lejoni që EXTRA ofertat t’ju kalojnë para syve pa përfituar!

    BLACK FRIDAY NË INTEREX – 7 ditë EXTRA oferta, deri në 80% zbritje!

    25 nëntor – 1 dhjetor 2026

  • Hoti takohet me ministrin kroat, dakordohen për bashkëpunim për çështjen e personave të zhdukur

    Hoti takohet me ministrin kroat, dakordohen për bashkëpunim për çështjen e personave të zhdukur

    Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin dhe ministrin kroat të Veteranëve, Tomo Medved.

    Përmes një postimi në facebook, Hoti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, mbrojtjen e trashëgimisë historike, të drejtat e kategorive të luftës dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

    Hoti i është kushtuar modelit kroat të memorializimit, përfshirë Qendrën Memoriale të Vukovarit, si përvojë që mund t’i shërbejë Kosovës në dokumentimin dhe promovimin e historisë së luftës çlirimtare.

    Gjatë takimit, Hoti ka përkujtuar edhe Xhelal Hajdën – Tonin dhe Selajdin Mullabazin – Micin, nga Rahoveci, të cilët fillimisht kontribuuan në luftën për çlirimin e Kroacisë dhe më pas ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës.

    Ai ka falënderuar ministrin Medved për respektin që shteti kroat vazhdon të tregojë ndaj tyre dhe familjeve të tyre.

    Një nga temat e diskutimit ishte edhe çështja e personave të zhdukur, me ç’rast, sipas Hotit, është arritur dakordim për konkretizimin e bashkëpunimit përmes një marrëveshjeje ndërmjet ministrive përkatëse të të dy shteteve.

  • Konjufca në Athinë kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Konjufca në Athinë kërkon nga Greqia njohjen e pavarësisë së Kosovës

    Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar sot në Athinë me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, George Gerapetritis.

    Përmes një postimi, Konjufca ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Greqisë, duke vënë theksin te dialogu politik dhe forcimi i lidhjeve ekonomike.

    Ai ka vlerësuar mbështetjen e Greqisë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, duke e cilësuar atë si një kontribut të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Përkrahja që Greqia dha për liberalizimin e vizave për Kosovën është ndër hapat që i kanë dhënë vlerë të drejtpërdrejtë bashkëpunimit mes dy vendeve tona. E çmojmë këtë përkrahje dhe duam që bashkëpunimi mes Kosovës dhe Greqisë të marrë edhe më shumë hov përmes dialogut politik më të rregullt e lidhjeve më të forta ekonomike”.

    Konjufca ka theksuar gjithashtu se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të përbënte një hap të rëndësishëm për marrëdhëniet dypalëshe dhe fqinjësinë e mirë në rajon.

    Ai ka bërë të ditur se i ka drejtuar ftesë homologut grek, George Gerapetritis, që takimin e ardhshëm ta zhvillojnë në Kosovë.

    “Njohja e Republikës së Kosovës nga Greqia do të ishte një hap me peshë për marrëdhëniet tona dhe për fqinjësinë e mirë në rajon. Këtë bindje e ndava me ministrin Gerapetritis, bashkë me ftesën që bisedën e rradhës ta vazhdojmë në Kosovë”.

  • Gjashtë kandidatë në garë për drejtor të Policisë së Kosovës, këta janë emrat

    Gjashtë kandidatë në garë për drejtor të Policisë së Kosovës, këta janë emrat

    Gjashtë kandidatë kanë aplikuar për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, pas hapjes së konkursit që pasoi dorëheqjen e ish-drejtorit Gazmend Hoxha.

    Këtë e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, në një përgjigje për Lajmi.net, duke njoftuar se afati për aplikim ka qenë i hapur nga 5 deri më 19 nëntor 2026.

    Sipas Policisë, në këtë konkurs kanë aplikuar Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi.

    Policia ka njoftuar se Komisioni për Emërime të Larta në Polici (KELP) do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për vazhdimin e procesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

    Konkursi për këtë pozitë u hap pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës, më 30 tetor 2026, dorëheqje të cilën e pranoi kryeministri Albin Kurti. Në vend të tij, me propozim të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm u emërua Fehmi Hoti.

    Hoxha kishte dhënë dorëheqje pas vrasjes së 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës, rast që nxiti reagime publike dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale.

    Në letrën e dorëheqjes, ai e kishte cilësuar vendimin si dorëheqje morale, duke theksuar se përgjegjësia udhëheqëse nuk përfundon vetëm te veprimet individuale, por përfshin edhe përgjegjësinë për standardet e institucionit që drejtohet.

    Hoxha kishte ngritur shqetësime edhe për trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, duke vlerësuar se nevojitet një qasje më e koordinuar ndërmjet Policisë, Prokurorisë, gjykatave dhe institucioneve të tjera përgjegjëse.

    Ai kishte deklaruar se sistemi aktual nuk po funksionon në nivelin e duhur të përgjegjësisë dhe efikasitetit.

    Gazmend Hoxha kishte udhëhequr Policinë e Kosovës që nga marsi i vitit 2023.

    Dorëheqja e tij erdhi në një kohë kur për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt kishte pasur kritika ndaj institucioneve për mënyrën e trajtimit të raportimeve të mëhershme për dhunë në familje.

    Qeveria nuk kishte dhënë arsye të hollësishme për dorëheqjen në njoftimin për pranimin e saj. 

  • Luksemburgu mbështet Kosovën me 50 milionë euro, Shiroka Pula kërkon përkrahje edhe për BE dhe NATO

    Luksemburgu mbështet Kosovën me 50 milionë euro, Shiroka Pula kërkon përkrahje edhe për BE dhe NATO

    Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë të Luksemburgut në Kosovë, Eric Dietz, me të cilin ka diskutuar për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral.

    Gjatë takimit, presidentja ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme të Luksemburgut për Kosovën, duke theksuar veçanërisht kornizën e re të bashkëpunimit financiar në vlerë prej 50 milionë eurosh për periudhën 2026–2030.

    Sipas saj, kjo mbështetje dëshmon përkushtimin afatgjatë të Luksemburgut ndaj zhvillimit të Kosovës dhe besimin në potencialin e saj.

    Shiroka Pula ka shprehur mirënjohje për kontributin shumëdimensional që Luksemburgu ka dhënë ndër vite në zhvillimin dhe fuqizimin e Kosovës.

    Në takim është diskutuar edhe për proceset integruese, me ç’rast presidentja ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së Luksemburgut për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës dhe realizimin e aspiratës për anëtarësim në NATO.

  • Ndërprerjet teknologjike janë vetëm fillimi: AI po nxjerr në pah borxhin e fshehur të softuerit

    Ndërprerjet teknologjike janë vetëm fillimi: AI po nxjerr në pah borxhin e fshehur të softuerit

    Inteligjenca artificiale po ndryshon me shpejtësi mënyrën si zbulohen dobësitë e softuerit. Kjo ka nisur të ndihet edhe në jetën e përditshme në Shtetet e Bashkuara. Sipas një analize të The New York Times, vala e fundit e ndërprerjeve mund të jetë vetëm hyrja në një periudhë me më shumë prishje digjitale.

    Një gabim 38-vjeçar që hapte dyert e gjigantëve

    Hulumtuesi i sigurisë kibernetike Paulos Yibelo, themelues i kompanisë PWN AI, përdori AI për të analizuar se çfarë ndodh kur përdoruesit ngarkojnë skedarë në shërbime të ndryshme online. Ai gjeti një cenueshmëri të quajtur Upload2Shell në Ghostscript, një program i krijuar 38 vjet më parë për konvertimin e imazheve.

    Mjaftonte një skedar me një font të manipuluar për të ekzekutuar kod keqdashës. Sipas gjetjeve, kjo mund t’u hapte rrugë sulmuesve te sisteme të Google, Zoom dhe potencialisht mijëra kompanive të tjera. Yibelo e raportoi problemin te zhvilluesi Artifex dhe te kompanitë e prekura, të cilat nxorën përditësime.

    Çfarë ndodhi gjatë dy javëve të fundit

    Në dy javët e fundit, një varg ndërprerjesh prekën bankat, produktet e Microsoft, shërbimet e Apple dhe një sistem kyç të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA). Një ndalesë e përkohshme goditi edhe trafikun ajror komercial në SHBA.

    Zyrtarët thonë se nuk ka prova për sulme kibernetike. Për shumicën e rasteve, përveç ndalesës së fluturimeve, ata dhanë një shpjegim më të thjeshtë: kompanitë dhe agjencitë po forcojnë sistemet kundër dobësive të reja, dhe disa përditësime po dalin të gabuara. Në disa raste, përfshirë NSA-në, dobësitë ishin zbuluar me ndihmën e AI.

    Pse AI e përshpejton krizën

    Modelet e reja të AI mund të gjejnë gabime që njerëzit nuk i kishin vënë re dhe, në disa raste, të ndërtojnë prova koncepti për sulme brenda orësh. Frika se edhe sulmuesit përdorin të njëjtat mjete i shtyn mbrojtësit të nxitojnë me riparimet, ndërsa nxitimi shkakton përditësime më të papërpunuara.

    Microsoft publikoi mbi 1.400 përditësime sigurie në tetor, rreth dhjetë herë më shumë se niveli i saj historik. Njëkohësisht, shumë kompanitë e mëdha kanë bërë shkurtime masive të stafit këtë vit, pjesërisht për shkak të zëvendësimit me AI, dhe humbasin njohuritë se si është shkruar kodi i vjetër. Të dhënat e LinkedIn tregojnë se punësimet në sigurinë kibernetike në SHBA kanë qëndruar pas rritjes së përgjithshme të punësimit.

    Borxhi teknik: problemi që nuk u zgjidh kurrë

    Industria teknologjike ka vite që i jep përparësi shpejtësisë mbi sigurinë. Gabimet e grumbulluara në kodin e nxituar njihen si “borxh teknik”. Juan Andrés Guerrero-Saade nga SentinelOne e përshkroi situatën duke thënë se kompanitë shpërblehen për lançime të reja, jo për mirëmbajtje.

    NSA vetë nuk shpëtoi: rrjeti i saj i klasifikuar pati një ndërprerje disaditore pas përditësimeve të gabuara që synonin të riparonin cenueshmëri në gjuhën e programimit PHP.

    Sulmet e vërteta shpesh janë më banale

    Sipas raportimit, shumica e sulmeve të mëdha të fundit nuk kanë pasur nevojë për AI. Sulmet iraniane ndaj sistemeve komunale të ujit shfrytëzuan fjalëkalime të dobëta ose standarde. Një grup kriminal hyri te të dhënat e FBI-së përmes softuerit Oracle të papërditësuar. Nga 1.400 gabimet e Microsoft, vetëm një ishte shfrytëzuar tashmë nga hakerët.

    Michael Yeh i Microsoft tha se pesë cenueshmëritë më të përdorura nga sulmuesit kanë përditësime që ekzistojnë prej tre deri në gjashtë vjetësh. Sipas tij, rreziku më i madh mbetet mospërditësimi i problemeve të vjetra, jo AI.

    Çfarë pritet përpara

    Eksperti Rob Joyce, ish-zyrtar i lartë i NSA-së, krahasoi situatën me një zjarr pylli: shumë teknologji do të digjen, por pastaj do të rritet diçka më e fortë. Paul Nakasone, ish-drejtues i NSA-së dhe anëtar i bordit të OpenAI, e quajti AI teknologjinë më shkatërruese në histori.

    Yibelo është skeptik se do të vijë një qetësi. Modelet më të fuqishme do të gjejnë gabime të reja, madje edhe në kodin e shkruar nga AI e brezave të mëparshëm, prandaj ai pret një lojë të vazhdueshme “mace e miu”.

    Dy senatorë amerikanë, Maria Cantwell (demokrate) dhe Mike Rounds (republikan), i dërguan Shtëpisë së Bardhë një letër ku paralajmërojnë se mbrojtjet aktuale nuk po ecin me ritmin e kërcënimeve të mundësuara nga AI.

    Burimi: The New York Times, 21 nëntor 2026 (Dustin Volz, Kate Conger, Dylan Freedman, Sheera Frenkel).

  • GTA 6 në PC me 60 FPS mund të kërkojë më pak fuqi se sa pritej

    GTA 6 në PC me 60 FPS mund të kërkojë më pak fuqi se sa pritej

    Lojtarët që presin publikimin e Grand Theft Auto VI për PC mund të mos kenë nevojë për procesorët më të fuqishëm të AMD-së për ta ekzekutuar lojën me 60 FPS). Sipas analizës së kanalit teknologjik Geekerwan, një konfigurim më i përballueshëm mund të jetë i mjaftueshëm për të arritur performancë të ngjashme me atë të PlayStation 5.

    Bazuar në testimet e versioneve për konzola, Geekerwan vlerëson se për të arritur rezolucionin 1440p dhe 60 FPS, me cilësi grafike të krahasueshme me PS5, do të nevojitet të paktën një procesor me arkitekturë Zen 5, si AMD Ryzen 7 9700X, i kombinuar me një kartelë grafike Nvidia RTX 5070 ose një model me performancë të ngjashme.

    Megjithatë, edhe një konfigurim i tillë mund të kushtojë afër 2,000 dollarë, në varësi të komponentëve të zgjedhur.

    Nuk është i domosdoshëm procesori më i shtrenjtë

    Vlerësimi i Geekerwan është më optimist krahasuar me disa parashikime të mëparshme, të cilat sugjeronin se lojtarët mund të kenë nevojë për procesorë më të fuqishëm të serisë Ryzen X3D, përfshirë Ryzen 7 9800X3D.

    Edhe Oliver Mackenzie nga Digital Foundry kishte deklaruar se procesorët Intel të gjeneratave të 13-të dhe 14-të, si dhe modelet AMD Ryzen 7000 dhe 9000, mund të jenë të aftë të arrijnë 60 FPS.

    Megjithatë, jo të gjithë kompjuterët ekzistues do të mund ta përballojnë lojën në këtë nivel. Geekerwan parashikon se shumë sisteme më të vjetra dhe të kategorisë së mesme mund të mbeten rreth 30 FPS, duke bërë që lojtarët të mbështeten te teknologjitë e gjenerimit të kuadrove (Frame Generation) për të përmirësuar rrjedhshmërinë.

    Edhe Hardware Unboxed ka paralajmëruar se procesorë si Ryzen 7 5800X3D mund të kenë vështirësi në ekzekutimin e lojës.

    PS5 arrin vetëm 30 FPS në rezolucionin 1440p

    Për të shpjeguar kërkesat e mundshme të versionit për PC, Geekerwan e krahason harduerin e PlayStation 5 me një kompjuter që përdor procesor me tetë bërthama Zen 2 dhe kartelë grafike të klasës Nvidia RTX 3060.

    Sipas testimeve të publikuara, edhe me optimizimin e dedikuar për konzola, ky konfigurim e ekzekuton GTA VI me rreth 30 FPS në rezolucionin 1440p.

    Problemi kryesor, sipas analizës, nuk lidhet vetëm me fuqinë grafike. Procesori mund të bëhet pengesë për performancën, ndërsa ulja e cilësimeve grafike nuk mjafton për ta tejkaluar këtë kufizim.

    Një test tjetër në Xbox Series X e ilustron këtë problem. Përmes një defekti të lidhur me funksionin Quick Resume, i cili mundësoi heqjen e kufizimit prej 30 FPS, loja arriti mbi 50 FPS kur kamera drejtohej nga toka. Por gjatë drejtimit të automjeteve, performanca zbriste në rreth 32–35 FPS.

    Kjo tregon se ngarkesa e procesorit ndryshon ndjeshëm në varësi të situatës brenda lojës dhe se arritja e 60 FPS kërkon më shumë sesa një kartelë grafike të fuqishme.

    Kur do të publikohet GTA VI për PC?

    GTA VI është aktualisht e disponueshme për PlayStation 5, PlayStation 5 Pro dhe Xbox Series X|S. Edicioni standard kushton 79.99 dollarë, ndërsa Ultimate Edition shitet për 99.99 dollarë.

    Rockstar Games ende nuk ka konfirmuar datën e publikimit të versionit për PC. Për këtë arsye, kërkesat përfundimtare të sistemit dhe performanca që do të ofrojë loja në konfigurime të ndryshme kompjuterike mbeten të panjohura.

    Deri atëherë, vlerësimet e Geekerwan ofrojnë një orientim për harduerin që mund të nevojitet, por nuk përbëjnë kërkesa zyrtare të publikuara nga Rockstar Games.

  • GTA VI thyen rekorde: 3.79 miliardë dollarë shitje vetëm në ditën e parë

    GTA VI thyen rekorde: 3.79 miliardë dollarë shitje vetëm në ditën e parë

    Grand Theft Auto VI ka shënuar një rekord të jashtëzakonshëm në industrinë e videolojërave, duke gjeneruar 3.79 miliardë dollarë nga shitjet globale me pakicë vetëm gjatë ditës së parë të publikimit. Shifra është bërë e ditur nga Rockstar Games të premten dhe dëshmon kërkesën e jashtëzakonshme për kapitullin e ri të serisë, pas 13 vitesh pritjeje.

    Sipas kompanisë, të dhënat bazohen në vlerësimet e shitjeve në mbarë botën deri në përfundim të së enjtes, ditën kur loja doli zyrtarisht në treg. Rockstar bëri të ditur gjithashtu se para publikimit ishin shitur 32.5 milionë kopje përmes porosive paraprake, duke vendosur një tjetër rekord në platformat e ndryshme.

    “Jemi jashtëzakonisht mirënjohës për reagimin e lojtarëve nga e gjithë bota dhe nuk mund të ishim më të entuziazmuar që po e ndajmë këtë moment me ju”, deklaroi Sam Houser, president dhe bashkëthemelues i Rockstar Games.

    GTA VI tejkalon ndjeshëm suksesin e paraardhësit

    Rezultati i GTA VI e tejkalon dukshëm performancën fillestare të Grand Theft Auto V, e publikuar në vitin 2013.

    GTA V gjeneroi një miliard dollarë shitje gjatë tri ditëve të para, ndërsa kapitulli i ri arriti 3.79 miliardë dollarë vetëm në ditën e parë.

    Sipas të dhënave të publikuara nga kompania Take-Two Interactive, GTA V ka shitur më shumë se 230 milionë kopje, nga mbi 470 milionë kopjet e shitura gjithsej nga seria Grand Theft Auto në mbarë botën.

    Ndërkohë, kompania kërkimore Sensor Tower kishte publikuar më herët të premten një vlerësim prej 2.36 miliardë dollarësh të ardhura dhe rreth 24.6 milionë kopjesh të shitura për GTA VI. Shifrat e Rockstar, të publikuara më vonë, bazohen në vlerësimet e vetë kompanisë për shitjet globale të ditës së parë.

    Edicioni standard i lojës shitet për rreth 80 dollarë në Shtetet e Bashkuara.

    Rekord edhe në porositë paraprake në PlayStation

    Interesi për GTA VI ishte i jashtëzakonshëm edhe para lansimit. Në fillim të muajit, PlayStation bëri të ditur se loja ishte titulli me numrin më të madh të porosive paraprake në historinë e dyqanit të saj online.

    Për shkak të kërkesës së lartë, PlayStation bashkëpunoi me Rockstar Games për t’u mundësuar lojtarëve shkarkimin paraprak të lojës nëntë ditë para publikimit, në mënyrë që ajo të ishte gati për t’u luajtur që në ditën e lansimit.

    Një burrë luan Grand Theft Auto VI në një aktivitet prezantimi në XP Tavern në Aldgate East, Londër, të enjten, më 19 nëntor 2026. (Foto AP/Kirsty Wigglesworth)

    Rikthimi në Vice City me personazhe të rinj

    GTA VI rikthen lojtarët në Vice City, qytetin imagjinar të frymëzuar nga Miami, brenda shtetit fiktiv Leonida, i cili bazohet në Florida.

    Historia përqendrohet te Lucia Caminos dhe Jason Duval, një çift që përpiqet të përmirësojë jetën e tij përmes aktiviteteve kriminale. Loja ruan elementet karakteristike të serisë, përfshirë botën e hapur, grabitjet, përplasjet dhe satirën ndaj kulturës amerikane.

    Megjithatë, recensionet e para kanë vënë në pah një theks më të madh te marrëdhënia mes dy protagonistëve, përtej aksionit dhe aktiviteteve kriminale që kanë karakterizuar lojërat e mëparshme.

    Publikimi i GTA VI i dha fund edhe viteve të misterit rreth kastit të aktorëve. Manni L. Perez interpreton Lucia Caminos, ndërsa Dylan Rourke i jep zë Jason Duval. Në listën e aktorëve përfshihen gjithashtu Bobby Moynihan, Stephen Root, Taryn Manning, Roselyn Sanchez dhe reperi Denzel Curry.

    Me këtë lansim, Rockstar Games ka shënuar një nga sukseset më të mëdha komerciale në historinë e industrisë së argëtimit, duke konfirmuar se interesi për serinë Grand Theft Auto mbetet jashtëzakonisht i lartë edhe pas më shumë se një dekade pritjeje.

  • Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” për herë të tretë

    Assane Diatta shpallet “Ylli i Javës” për herë të tretë

    Futbollisti i FC Prishtinës, Assane Diatta, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 14-të në Superligën e Kosovës.

    Sulmuesi i skuadrës kryeqytetase u shpërblye me këtë çmim pas paraqitjes fantastike në përballjen ndaj FC Drenicës, ku arriti të realizojë hat-trick, duke qenë vendimtar në suksesin e ekipit të tij.

    Ky është çmimi i tretë “Ylli i Javës” për Diattan gjatë këtij edicioni, duke konfirmuar formën e shkëlqyer që po kalon në kampionatin kosovar.

    Çmimi tradicional ndahet nga Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ndërsa përzgjedhja bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.

    Me këtë rast, FFK-ja e ka uruar Diattan për këtë arritje, duke vlerësuar kontributin e tij në sukseset e FC Prishtinës.

  • Barcelona konfirmon mungesën e Lamine Yamalit ndaj Sabahut

    Barcelona konfirmon mungesën e Lamine Yamalit ndaj Sabahut

    Barcelona do të duhet të përballet me Sabahun në Ligën e Kampionëve pa një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës, Lamine Yamal.

    Talenti spanjoll nuk do të udhëtojë drejt Azerbajxhanit për sfidën e së mërkurës, pasi drejtuesit e klubit kanë vendosur t’i japin kohë për rikuperim të plotë nga shqetësimet në kyçin e djathtë të këmbës.

    Yamal pësoi këtë shqetësim gjatë fitores 3-2 ndaj Villarrealit të dielën, ndërsa Barcelona ka konfirmuar se mungesa e tij ndaj Sabahut është masë parandaluese.

    “Lojtari i ekipit të parë, Lamine Yamal, ka shqetësime të lehta në kyçin e djathtë të këmbës. Si masë parandaluese, ai do ta humbasë ndeshjen ndaj Sabahut dhe do të jetë në dispozicion për takimin e së dielës së ardhshme kundër Deportivos”, thuhet në njoftimin e klubit.

    Pavarësisht problemeve fizike, sulmuesi i ri ishte aktiv për të gjitha 90 minutat ndaj Villarrealit. Gjatë asaj ndeshjeje, ai fillimisht dështoi të realizonte nga pika e bardhë, por më pas asistoi për Fermin Lopezin në golin e barazimit 2-2.

    Yamal nuk do të jetë mungesa e vetme e Barcelonës për këtë përballje, pasi jashtë ekipit do të mbeten edhe Xavi Espart dhe Roony Bardghji, të cilët po ashtu po vuajnë nga lëndimet.

    Ndërkohë, gjendja e Pau Cubarsit, Andreas Christensenit dhe Rodrit mbetet ende e paqartë, me të tre futbollistët që janë në dyshim për ndeshjen ndaj skuadrës azere.

    Barcelona shpreson që Yamal të rikuperohet në kohë për t’u rikthyer në dispozicion të ekipit për sfidën e fundjavës.