ATV

Author: G.O.

  • KOMF bë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit

    KOMF bë thirrje për vaksinimin e fëmijëve kundër fruthit

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, Action for Mothers and Children, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK dhe Institute of Southeast Europe for Health and Social Policy (IEJL-PShS) shprehin shqetësimin për rritjen e rasteve me fruth në Kosovë dhe u bëjnë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të sigurojnë vaksinimin në kohë të fëmijëve, si një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen e shëndetit të tyre.

    Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), gjatë periudhës 16 prill – 1 nëntor 2026 janë konfirmuar gjithsej 269 raste me fruth, prej të cilave 27 janë regjistruar gjatë javës së fundit.

    “Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse që mund të shkaktojë ndërlikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Këto të dhëna rikujtojnë rëndësinë e vaksinimit në kohë dhe të përpjekjeve të përbashkëta për parandalimin e përhapjes së sëmundjes”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se programi i vaksinimit të fëmijëve në Kosovë përfaqëson një arritje të rëndësishme të shëndetit publik, të mundësuar falë angazhimit të vazhdueshëm të institucioneve shëndetësore, profesionistëve, komunave, prindërve dhe partnerëve të tjerë.

    “Megjithatë, rënia e mbulueshmërisë me dozën e parë të vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR), nga 95% në vitin 2019 në 89% në vitin 2024 dhe 82% në vitin 2025, thekson rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të përbashkëta për rritjen e mbulueshmërisë me vaksinim. KOMF, AMC, PRAK dhe IEJL-PShS u bëjnë thirrje të gjithë prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë marrjen e të gjitha dozave të rekomanduara sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit. Prindërit, fëmijët e të cilëve nuk i kanë marrë të gjitha dozat e rekomanduara, inkurajohen të drejtohen në qendrat e mjekësisë familjare për këshillim dhe vaksinim plotësues”.

    Në njoftim thuhet se profesionistët shëndetësorë janë ndër burimet më të besueshme të informacionit dhe këshillimit për prindërit dhe familjet.

    “Prandaj, është e rëndësishme që pyetjet dhe shqetësimet e prindërve lidhur me vaksinimin të trajtohen përmes komunikimit të hapur, të respektueshëm dhe informacionit të bazuar në dëshmi shkencore. Në këtë drejtim, vlerësimi më i fundit i OBSH-së, i publikuar në shtator 2026, rikonfirmon se dëshmitë shkencore nuk mbështesin ekzistencën e një lidhjeje shkakësore ndërmjet vaksinave, përfshirë vaksinën MMR, dhe çrregullimeve të spektrit të autizmit”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

  • Maqedonci takohet me ministrin gjerman, diskutojnë për bashkëpunimin në mbrojtje

    Maqedonci takohet me ministrin gjerman, diskutojnë për bashkëpunimin në mbrojtje

    Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është takuar me Ministrin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, në kuadër të takimeve që po zhvillon gjatë Konferencës së Sigurisë në Berlin.

    Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci ka bërë të ditur se në këtë takim janë diskutuar zhvillimet e fundit në rajon, thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe forcimi i partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.

    Një tjetër temë e diskutimit ishte edhe avancimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

    “Gjatë takimit diskutuam për zhvillimet e fundit në rajon, thellimin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë, forcimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake, si dhe avancimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Maqedonci.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë takimit, ministri gjerman Florian Hahn ka shprehur mbështetjen për proceset integruese të Kosovës dhe perspektivën e saj euroatlantike.

  • Hoti kritikon Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale: Vetëm 37% e buxhetit të shpenzuar në gjashtë muaj

    Hoti kritikon Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale: Vetëm 37% e buxhetit të shpenzuar në gjashtë muaj

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë për realizimin e ulët të investimeve kapitale, duke thënë se pavarësisht tenderëve të shumtë me negocim, në gjashtë muajt e parë të vitit është shpenzuar vetëm 37 për qind e buxhetit të planifikuar.

    Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hoti ka shkruar se nga 1.02 miliardë euro të parapara për investime kapitale gjatë këtij viti, janë shpenzuar vetëm 377 milionë euro, ndërsa 643 milionë euro kanë mbetur të parealizuara.

    Ai ka theksuar se nga shuma e shpenzuar përfshihen edhe 82 milionë euro për pagesa sipas vendimeve gjyqësore, çka nënkupton se investimet reale kapitale arrijnë në vetëm 295 milionë euro.

    Hoti ka publikuar edhe të dhënat për realizimin e investimeve sipas ministrive, ku disa prej tyre kanë shënuar përqindje tejet të ulëta.

    Sipas tij, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nuk ka realizuar asnjë për qind të investimeve të planifikuara, ndërsa Ministria për Punë, Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare ka realizuar vetëm 1 për qind.

    Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë ka realizuar 9 për qind, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës 11 për qind, ndërsa Ministria e Digjitalizimit dhe Administratës Publike dhe ajo e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nga 15 për qind.

    Përqindje të ulëta të realizimit, sipas Hotit, kanë edhe Ministria e Bujqësisë dhe ajo e Shëndetësisë me nga 24 për qind, Ministria e Mbrojtjes me 29 për qind dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit me 35 për qind.

    Hoti ka vlerësuar se mosrealizimi i investimeve kapitale po i shkakton dëme ekonomisë së vendit, pasi qindra miliona euro që duhej të qarkullonin në biznese dhe të siguronin paga për mijëra punëtorë kanë mbetur të pashpenzuara.

    Ai ka paralajmëruar se pjesa e mbetur e buxhetit vështirë se mund të realizohet deri në fund të vitit.

  • Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit

    Pas 15 vjetësh, ngrihet aktakuzë në mungesë ndaj të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj Adnan Jasharit, të dyshuarit për vrasjen e Diana Kastratit.

    “Po, është ngritur aktakuzë në mungesë më 22 tetor 2026. Aktakuza është deponuar në Gjykatë”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Kaltrina Shala.

    Ndryshe, Dosja e Prokurorisë e akuzon Adnan Jasharin për dy vepra, atë të vrasjes dhe të mbajtjes së armës pa leje.

    Diana Kastrati është vrarë më 18 maj të vitit 2011 në Prishtinë në moshën 27-vjeçare nga ish bashkëshorti Adnan Jashari.

    Ajo ishte vrarë derisa ishte duke shkuar në fakultet, duke u qëlluar me armë zjarri në qafë. /Telegrafi/

  • ZKA: Sistemi i regjistrimit të bizneseve të Kosovës ka nevojë për përmirësime të mëtejshme në kontrollet e aplikacionit

    ZKA: Sistemi i regjistrimit të bizneseve të Kosovës ka nevojë për përmirësime të mëtejshme në kontrollet e aplikacionit

    Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (RBK), i cili përbën një komponent të rëndësishëm të infrastrukturës shtetërore për regjistrimin, administrimin dhe menaxhimin e të dhënave të bizneseve.

    Sistemi mundëson regjistrimin, ndryshimin dhe çregjistrimin e bizneseve dhe përmes integrimit me platformën e-Kosova mbështet avancimin e ofrimit të shërbimeve digjitale.

    ZKA përmes një komunikate për media bën të ditur se rezultatet e auditimit tregojnë se sistemi mbështet në masë të konsiderueshme proceset bazë, por ka nevojë për përmirësime në automatizimin e proceseve, kontrollet e aplikacionit dhe sigurinë e informacionit.

    “Në kontrollet e hyrjes sistemi nuk siguron në tërësi validimin automatik të të dhënave dhe zbatimin e kërkesave ligjore e biznesore. Mungesa e disa kontrolleve të automatizuara, përfshirë kriteret për dallueshmërinë e emrit të biznesit, krijon nevojën për verifikime manuale dhe mund të ndikojë në efikasitetin dhe kohën e ofrimit të shërbimeve.

    Në kontrollet dalëse, auditimi ka evidentuar kufizime në raportim, analiza dhe statistika, si dhe në funksionalitetet për korrigjimin e lëndëve. Gjithashtu, proceset e regjistrimit, ndryshimit dhe çregjistrimit nuk janë plotësisht të digjitalizuara dhe vazhdojnë të mbështeten pjesërisht në dokumentacion fizik dhe procedura manuale, për shkak të kufizimeve ligjore, mungesës së disa funksionaliteteve dhe integrimeve ndërinstitucionale”, thuhet në komunikatë.

    Kurse, sa i përket sigurisë së aplikacionit, megjithëse janë në funksion masa teknike për menaxhimin e ndryshimeve dhe kopjet rezervë, mungojnë politika dhe procedura të formalizuara për menaxhimin e sigurisë dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Dobësitë në menaxhimin e fjalëkalimeve, menaxhimin e ndryshimeve, ndarjen e roleve kritike dhe procedurat për rikthim nga fatkeqësitë paraqesin rreziqe për sigurinë dhevazhdimësinë e shërbimeve.

    Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, theksoi se Sistemi i Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës ka kontribuar në standardizimin e proceseve, centralizimin e informatave dhe lehtësimin e ndërveprimit ndërmjet ARBK-së, komunave dhe qytetarëve, megjithatë kontrollet e implementuara nuk sigurojnë në tërësi nivelin e nevojshëm të automatizimit, validimit, raportimit dhe sigurisë së informacionit.

    Për adresimin e këtyre çështjeve dhe avancimin e mëtejshëm të funksionalitetit, automatizimit dhe sigurisë së Sistemit, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 16 rekomandime për Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit,përkatësisht Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK), e cila administron sistemin.

  • Von der Leyen: Bllokimi i Hormuzit i kushtoi BE-së 127 miliardë euro shtesë

    Von der Leyen: Bllokimi i Hormuzit i kushtoi BE-së 127 miliardë euro shtesë

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka rritur ndjeshëm shpenzimet energjetike të Bashkimit Evropian. Sipas saj, importet e naftës dhe gazit i kanë kushtuar bllokut 127 miliardë euro më shumë.

    Pasojat ekonomike të ndërprerjes së lundrimit në këtë rrugë detare u përmendën nga Von der Leyen gjatë samitit “WinWin Brussels Summit”, të mbajtur në Bruksel dhe të përqendruar te sipërmarrjet e reja.

    “Evropa ka paguar 127 miliardë euro shtesë për të importuar lëndë djegëse fosile, por nuk ka marrë më shumë energji. Kjo kosto vjen e gjitha nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit”, u shpreh ajo.

    Von der Leyen paralajmëroi se mbështetja te energjia e importuar e ekspozon më shumë Evropën ndaj zhvillimeve të krizave globale.

    “Importimi i naftës dhe gazit mund të sjellë me vete edhe ndikimin e krizave dhe goditjeve ndërkombëtare”, tha presidentja e Komisionit Evropian.

  • Pesë lokacione u bastisen, tre persona u arrestuan, policia publikon pamjet nga aksioni i sotëm

    Pesë lokacione u bastisen, tre persona u arrestuan, policia publikon pamjet nga aksioni i sotëm

    Në kuadër të një hetimi për veprimtari të dyshuar kriminale përmes qendrave të thirrjeve dhe platformave të rreme të investimeve, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit nga Drejtoria Ekonomike dhe ajo Kibernetike në Policinë e Kosovës kanë zhvilluar një operacion në pesë lokacione në komunën e Prishtinës, Fushë Kosovës dhe Ferizajt.

    Sipas njoftimit të policisë, si rezultat i këtij operacioni janë arrestuar tre persona M.P., I.H., dhe F.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, mashtrimit, hyrjes së paautorizuar kompjuterike dhe mashtrimit kompjuterik.

    Bëhet e ditur se operacioni i zhvilluar në Kosovë, është pjesë e një operacioni ndërkombëtar, në kuadër të të cilit janë zhvilluar urdhër- kontrolle edhe në Shqipëri, Qipro, Izrael, Finlandë dhe Maqedoninë e Veriut.

    Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit në Kosovë janë sekuestruar përkohësisht: vetura, telefona celularë, kompjuterë dhe pajisje të tjera elektronike që mund të shërbejnë si prova në procedurën penale.

    Me urdhër të Prokurorisë Speciale, tre të pandehurit janë ndaluar për 48 orë.

    Tutje, policia bën të ditur se, sipas dyshimeve të deritanishme, personat e përfshirë, duke u paraqitur si agjentë apo ndërmjetës financiarë, dyshohet se kanë mashtruar qytetarë, kryesisht gjermanishtfolës, duke i nxitur të transferonin mjete financiare për investime të pretenduara në instrumente financiare dhe kriptovaluta.

    “Fitimet e paraqitura në platformat përkatëse dyshohet se ishin fiktive, ndërsa mjetet e transferuara nuk investoheshin sipas premtimeve të dhëna”

    Operacioni në Kosovë, është realizuar në koordinim dhe bashkëpunim me autoritetet gjermane dhe partnerët ndërkombëtarë. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit prezent ishin: prokurori nga Prokuroria Speciale, nga Prokuroria në Gjermani së bashku me hetues, dhe ekspert te kibernetikës nga Europol. Ndërsa bashkëpunimi ështe lehtësuar, edhe nga Eurojust.

  • Rama në Bruksel, priten takime me drejtuesit e BE-së dhe NATO-s

    Rama në Bruksel, priten takime me drejtuesit e BE-së dhe NATO-s

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama zhvillon sot një vizitë zyrtare në Bruksel, ku do të marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë kushtuar zgjerimit të Bashkimit Europian dhe perspektivës europiane të vendeve aspirante për anëtarësim.

    Në kuadër të Samitit, Rama do të bisedojë me gazetarë për ecurinë e Shqipërisë në këtë proces ku paralelisht vijon puna dhe takimet teknike për mbylljen e grupkapitujve të radhës, si dhe do të zhvillojë takime me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

    Më 13 tetor të këtij viti, Shqipëria mbylli kapitullin 20, që ka të bëjë me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe politikat industriale, bisedimet për të cilat u hapën zyrtarisht më 22 maj të 2025, raporton Tv Klan.

    Në fokus është promovimi i një ekonomie konkurruese, të qëndrueshme dhe të orientuar nga inovacioni.

    Ky kapitull është negociuar së bashku me shtatë kapitujt e tjerë, si pjesë e grupkapitullit të 3-të, që përfshin fusha si transformimi dixhital, taksimi, politika ekonomike dhe shkenca.

    Më 14 korrik të këtij viti, Shqipëria mbylli tre kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Vendi konsiderohet i njësuar me standardet europiane në kapitullin 25 “Kërkimi shkencor”, kapitullin 26 “Arsimi dhe kultura” dhe kapitullin 30 “Marrëdhëniet me jashtë”.

    Objektivi i qeverisë shqiptare është përmbyllja e të gjithë grupkapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm, me qëllim që anëtarësimi i plotë në familjen europiane të ndodhë brenda 2030.

  • “Shifrat në buxhet nuk ua ndryshojnë jetën qytetarëve”, Mustafa kritikon Qeverinë për buxhetin

    “Shifrat në buxhet nuk ua ndryshojnë jetën qytetarëve”, Mustafa kritikon Qeverinë për buxhetin

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për siç tha shkeljen e vazhdueshme të afateve ligjore dhe dështimin në realizimin e investimeve kapitale të planifikuara në buxhet.

    Mustafa në një intervistë për Ekonomia Online tha se mosrespektimi i afateve ligjore është shndërruar në praktikë të kësaj qeverisjeje, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të rrezikshme për rendin juridik në Kosovë.

    “Fillimisht duhet të potencuar faktin që kemi të bëjmë përsëri me një shkelje të afateve ligjore, gjë që u shndërrua në një praktikë të kësaj qeverisjeje, një praktikë që në vazhdimësi i sfidon ligjet, i sfidon afatet ligjore dhe mendoj që është praktikë e papranueshme dhe e rrezikshme për rendin juridik në Kosovë. Për shkak se ligjet, afatet ligjore që janë nxjerrë nga ky Kuvend i Republikës së Kosovës janë nxjerrë për t’u zbatuar dhe nuk janë në diskrecion të qeverisë për të vendosur se cilin e afat e respekton dhe cilin e afat nuk e respekton. Për sa i përket buxhetit, kemi të bëjmë me një qeveri që është shumë e zëshme në fazën e propozimit të buxhetit, mirëpo pastaj është shumë e heshtur kur vjen koha për të dhënë përgjegjësi për zbatimin e buxhetit. Pra, buxheti si dokument është një planifikim. Mund të vendosësh çfarëdo shifra në buxhet, por aty nuk i ndryshojnë jetën e qytetarit. Jeta e qytetarit ndryshohet kur zbatohen politika të duhura që rrjedhin edhe nga ai buxhet”, tha Mustafa.

    Deputeti i PDK-së ka theksuar se këtu kemi të bëjmë pra me një qeveri e cila në vazhdimësi ka propozuar shuma, vlera pompoze në buxhet, mirëpo pastaj kemi pasur, bëjmë me dështime të vazhdueshme në implementimin e atij buxheti.

    “Flasim për investime kapitale në vlerë prej 1 miliard euro. Përfshirja e 1 miliard eurove në buxhet nuk nënkupton 1 miliard euro investime nëse ato projekte nuk zbatohen. Shohim që për këtë vit, deri në shtator, janë zbatuar më pak se 30% e investimeve kapitale të planifikuara për vitin 2026. Pra, kemi të bëjmë me mungesë të aftësive, me dështim të vazhdueshëm të kësaj qeverie për të zbatuar atë që e planifikon në buxhet. Në buxhet mund të planifikosh edhe 1 miliard, mund të planifikosh edhe 2 miliard euro investime, por pyetja është se a po realizon ato. Dhe në këto planifikime prej 1 miliard euro janë edhe projekte, siç është Autostrada e Gjilanit, rrugë të tjera, të cilat nuk po përfundojnë asnjëherë. Dhe ato figurojnë në atë buxhet, kanë figuruar edhe para një viti, kanë figuruar edhe para dy viteve, mirëpo nuk është zbatuar. Dhe ne do të shohim, do ta shohim me kujdes dokumentin kur të na vjen për diskutim dhe sigurisht do t’ju japim opinione edhe më të detajuara lidhur me buxhetin”, shtoi ai.

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ndarjet buxhetore të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2027, në mbledhjen e nëntë të saj. Kryeministri Albin Kurti foli në një mbledhje të Qeverisë për “performancë të jashtëzakonshme të të hyrave”.

    Kurti tha se për vitin 2027, “buxheti i projektuar parasheh nivelin prej 4.27 miliardë euro”, që tha se është “për 200 milionë euro më i lartë sesa buxheti i rishikuar i vitit 2026 dhe për 300 milionë euro më i lartë sesa buxheti bazë i vitit 2026”.

    Ai tha se po e bënë qëndrueshmërinë fiskale “duke e mbajtur deficitin dhe borxhin publik në nivelet më të ulëta historikisht”.

  • Kryetarja e Kuvendit, presidentja dhe ministri i Shëndetësisë vaksinohen kundër gripit sezonal

    Kryetarja e Kuvendit, presidentja dhe ministri i Shëndetësisë vaksinohen kundër gripit sezonal

    Kryetarja e Kuvendit, së bashku me Presidenten Justina Shiroka Pula dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, janë vaksinuar sot kundër gripit sezonal në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, raporton Ekonomia Online.

    Me këtë rast, kryetarja e Kuvendit ka theksuar rëndësinë e vaksinimit si një mënyrë e rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit individual dhe kolektiv, veçanërisht në prag të sezonit të gripit.

    “Shëndeti ynë varet edhe nga kujdesi që tregojmë për njëri-tjetrin. Vaksinimi kërkon vetëm pak minuta, por ndihmon në uljen e rrezikut nga gripi sezonal dhe komplikimet që mund të shkaktojë, si për ne, ashtu edhe për njerëzit përreth nesh”, ka deklaruar ajo.

    Ajo ka rikujtuar se me rënien e temperaturave rritet edhe përhapja e gripit, ndërsa pasojat mund të jenë më të rënda për të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike.

    “Ju ftoj të vaksinoheni, sepse kujdesi për shëndetin është përgjegjësi e përbashkët. Duke u vaksinuar, kontribuojmë jo vetëm në mbrojtjen e vetes, por edhe në mbrojtjen e familjarëve dhe gjithë komunitetit”, ka theksuar kryetarja e Kuvendit.

    Në fund, ajo ka falënderuar personelin shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë për mikpritjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të shëndetit të qytetarëve.

    Vaksinimi kundër gripit sezonal mbetet një nga masat parandaluese për të zvogëluar rrezikun e infektimit dhe të komplikimeve, veçanërisht te kategoritë më të ndjeshme të popullsisë.