ATV

Author: G.O.

  • Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për veprime urgjente kundër dhunës ndaj grave

    Shefi i UNMIK-ut bën thirrje për veprime urgjente kundër dhunës ndaj grave

    Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka bërë thirrje për veprime urgjente nga institucionet dhe autoritetet përkatëse në Kosovë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave.

    Reagimi i tij vjen pas vdekjes së dy grave, të cilat, sipas raportimeve, u vranë nga bashkëshortët e tyre brenda pak ditësh.

    Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka shprehur trishtim të thellë për këto raste, ndërsa familjeve dhe të afërmve të viktimave u ka shprehur ngushëllimet më të thella.

    “Këto vdekje tronditëse janë një kujtesë e dhimbshme se dhuna ndaj grave mbetet një çështje serioze dhe urgjente e të drejtave të njeriut. Një dhunë e tillë nuk duhet të tolerohet, normalizohet apo trajtohet kurrë si çështje private”, tha Due.

    Ai u ka bërë thirrje institucioneve dhe autoriteteve përkatëse që të sigurojnë hetime të shpejta, të plota dhe të paanshme për rastet, si dhe respektimin e procesit të rregullt ligjor dhe vendosjen e përgjegjësisë së plotë.

    Në reagimin e tij, Due ka kërkuar gjithashtu intensifikimin dhe koordinimin e veprimeve për parandalimin e dhunës me bazë gjinore.

    Ai ka kërkuar që gratë në rrezik të kenë mbrojtjen e nevojshme, ndërsa të mbijetuarat të kenë qasje në kohë në shërbime mbështetëse, mbrojtje dhe drejtësi.

  • OSBE-ja i bën thirrje KGJK-së të plotësojë shpejt pozitat e lira pas lirimit të gjyqtarëve serbë

    OSBE-ja i bën thirrje KGJK-së të plotësojë shpejt pozitat e lira pas lirimit të gjyqtarëve serbë

    Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me gjyqtarët dhe stafin gjyqësor serb që kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022.

    Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu, njoftoi sot se KGJK-ja i ka liruar nga detyra gjyqtarët serbë që kishin dhënë dorëheqje.

    Pas këtij vendimi, OSBE-ja i ka bërë thirrje KGJK-së që pozitat e lira në sistemin gjyqësor të plotësohen sa më shpejt, duke respektuar procedurat transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë.

    “Misioni i OSBE-së në Kosovë merr në dijeni vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës lidhur me kërkesat e gjyqtarëve dhe stafit gjyqësor serb të Kosovës për të tërhequr dorëheqjet e tyre”, thuhet në reagimin e OSBE-së.

    OSBE-ja ka theksuar se plotësimi i pozitave duhet të bëhet në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore në fuqi, duke garantuar edhe përfaqësimin e komuniteteve.

    “Misioni i bën thirrje KGJK-së që, në mënyrë të shpejtë, t’i plotësojë pozitat e lira përmes procedurave transparente, gjithëpërfshirëse dhe të bazuara në meritë për rekrutim dhe emërim, në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi për përfaqësimin e komuniteteve”, thuhet në reagim.

    Sipas OSBE-së, përfaqësimi i komuniteteve në sistemin e drejtësisë është i rëndësishëm për garantimin e qasjes së barabartë në drejtësi.

    “Një sistem gjyqësor që pasqyron komunitetet të cilave u shërben është thelbësor për të siguruar qasje të barabartë dhe efektive në drejtësi për të gjithë”, përfundon reagimi i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

  • Vdes krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

    Vdes krimineli i luftës Ratko Mlladiq, i dënuar për gjenocid në Srebrenicë

    Ratko Mlladiq, krimineli i luftës dhe ish-komandanti ushtarak i serbëve të Bosnjës, ka vdekur në qendrën e paraburgimit të Kombeve të Bashkuara në Hagë, raportojnë mediat shtetërore serbe.

    Mlladiq po vuante dënim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte të kryera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

    Ai u shpall fajtor për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik të vitit 1995 u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë.

    Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë e dënoi atë me burgim të përjetshëm, ndërsa dënimi u konfirmua edhe në apel.

    Mlladiq ishte një nga figurat kryesore përgjegjëse për krimet e kryera nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës së viteve 1992–1995.

  • Shtatë të lënduar nga aksidenti mes tri veturave në Malishevë, jashtë rrezikut për jetë

    Shtatë të lënduar nga aksidenti mes tri veturave në Malishevë, jashtë rrezikut për jetë

    Shtatë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti të trafikut që ka ndodhur sot në fshatin Kijevë, në rrugën Pejë–Prishtinë.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili bëri të ditur se në aksident janë përfshirë tri automjete.

    “Sot rreth orës 13:10 jemi njoftuar për aksident trafiku në fshatin Kijevë, në rrugën Pejë–Prishtinë. Në aksident janë përfshirë tri automjete, ndërsa, sipas informatave të deritanishme, raportohet se shtatë persona janë dërguar për trajtim mjekësor. Aktualisht gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë”, ka deklaruar Elezaj.

    Sipas tij, në vendin e ngjarjes është angazhuar Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, e cila po merret me trajtimin e rastit.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i zhdukur që nga 2 korriku

    Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për gjetjen e Xhafer Raqit, i zhdukur që nga 2 korriku

    Në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë, më 2 korrik 2026, është raportuar si i zhdukur Xhafer Raqi, i lindur në vitin 1948.

    Që nga dita e raportimit, njësitet policore të hetimeve, Njësiti për Kërkim-Shpëtim i FSK-së dhe patrullat policore, në koordinim me Prokurorinë dhe në bashkëpunim me familjarët, kanë ndërmarrë një varg veprimesh për gjetjen e tij.

    Gjatë kërkimeve janë intervistuar persona që mund të kenë informacione për vendndodhjen e tij, janë kontrolluar hyrje-daljet në pikat kufitare, si dhe janë kryer kërkime në zona që personi i kishte frekuentuar zakonisht, në ambiente të hapura dhe të mbyllura. Po ashtu, është analizuar dhe hetuar çdo informacion që mund të ndërlidhet me rastin.

    Edhe pse kërkimet dhe veprimet policore janë duke vazhduar, Policia e Kosovës, pas autorizimit nga Prokurori i Shtetit, kërkon kontributin e qytetarëve.

    Të gjithë ata që kanë çfarëdo informacioni që mund të ndihmojë në gjetjen e Xhafer Raqit, ftohen ta njoftojnë Policinë e Kosovës përmes numrit 192 ose në adresën elektronike [email protected].

  • Policia ndalon garën e shpejtësisë në dalje të Prizrenit, gjobiten dy shofer

    Policia ndalon garën e shpejtësisë në dalje të Prizrenit, gjobiten dy shofer

    Në kuadër të angazhimeve në terren për parandalimin e aksidenteve të trafikut, garave të kundërligjshme dhe kundërvajtjeve të tjera në komunikacion, njësitet rajonale të trafikut rrugor në Prizren, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së trafikut rrugor, sot rreth orës 01:10, në rrugën Prizren-Landovicë, kanë hasur dy automjete duke zhvilluar gara shpejtësie.

    Të dy kundërvajtësit janë ndaluar menjëherë dhe ndaj tyre janë marrë masat ligjore për kundërvajtjet e shkaktuara.

    Konkretisht, secili prej tyre është dënuar me 400 euro gjobë dhe masën e ndalimit të drejtimit të mjetit, përkatësisht sekuestrimit të patentëshoferit për 10 muaj.

    Policia e Kosovës deklaron se mbetet e përkushtuar në rritjen e sigurisë në trafikun rrugor dhe u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat e qarkullimit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

  • Kërkohet paraburgim për burrin që vrau gruan në Prizren

    Kërkohet paraburgim për burrin që vrau gruan në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Bardh Dushit, i dyshuar për veprën penale “Vrasja e rëndë”.

    Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 26 gusht 2026, rreth orës 00:05, në shtëpinë e të dyshuarit në Prizren.

    I dyshuari pas një fjalosjeje me bashkëshorten e tij, viktimën me inicialet L.D., dyshohet se e ka sulmuar fizikisht atë dhe e ka goditur e përplasur disa herë kokën e saj në tokë. Si pasojë e lëndimeve të marra, gruaja ka vdekur në vendin e ngjarjes.

    “Po ashtu, pas ngjarjes B.D., ka tentuar të fshijë gjurmët e ngjarjes, dhe më pas ka njoftuar familjarët për rastin.Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë”, thuhet në njoftim.

  • Palatova në takim lamtumirës me Haxhiun: Kosova të sigurojë unitet politik, ta bëjë anëtarësimin në BE synim të përbashkët

    Palatova në takim lamtumirës me Haxhiun: Kosova të sigurojë unitet politik, ta bëjë anëtarësimin në BE synim të përbashkët

    Ushtruesja e detyrës së shefes së Zyrës së BE-së, Eva Palatova, ka zhvilluar sot takimin e saj lamtumirës me u.d të Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Palatova ka thënë se është krenare që ka ndihmuar Kosovën në avancimin drejt rrugës për BE.

    Ajo ka thënë se Kosova duhet të ketë unitetin politik, për ta bërë anëtarësimin në BE synim të përbashkët.

    Palatova në takim lamtumirës me Kurtin, përsërit thirrjen e BE-së për formimin e institucioneve

  • I dehur shtiu me armë në oborr, Policia në Prishtinë konfiskoi katër gëzhoja të armës

    I dehur shtiu me armë në oborr, Policia në Prishtinë konfiskoi katër gëzhoja të armës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se një rast të të shtënave me armë në Prishtinë.

    Rasti ka ndodhur të enjten, në ora 00:10.

    “Njësitë relevante të policisë pas pranimit të informatave për të shtëna me armë zjarri në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit mashkull Kosovar, kanë gjetur dhe konfiskuar katër gëzhoja të armës së zjarrit”, thuhet në raport.

    I dyshuari nuk është hasur në shtëpi, sipas familjarëve ai ishte dehur dhe ishte larguar nga shtëpia.

    Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, i cili ka kërkuar inicimin e rastit. /Telegrafi/

  • PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    PDK dorëzon kallëzim penal ndaj Avni Deharit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

    Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dorëzon sot në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kallëzim penal ndaj deputetit Avni Dehari, në cilësinë e drejtuesit të përkohshëm të seancës konstituive të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

    Në një konferencë për media, deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, bëri të ditur se kallëzimi do të dorëzohet nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal të Kosovës.

    Sipas kallëzimit të PDK-së, Dehari, në cilësinë e deputetit më të vjetër në moshë dhe kryesuesit të seancës konstituive të Legjislaturës XI, dyshohet se nga 8 gushti 2026 e në vazhdim nuk e ka përmbushur detyrën e tij për vazhdimin e seancës konstituive brenda afatit prej 48 orësh.

    PDK vlerëson se Dehari ka tejkaluar kompetencat e rolit të tij procedural duke e kushtëzuar vazhdimin e seancës me arritjen e një “marrëveshjeje politike”, pavarësisht kërkesave të përsëritura me shkrim nga grupet parlamentare opozitare.

    Në kallëzim përmenden kërkesat e opozitës të datave 13, 17, 19 dhe 23 gusht, përmes të cilave është kërkuar vazhdimi i seancës konstituive.

    PDK vlerëson se mosvazhdimi i seancës ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit dhe ushtrimin e kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë në dorëheqje, ndërsa veprimet e Deharit i kanë shërbyer kësaj agjende.

    Deputeti Përparim Gruda tha se PDK pret nga Prokuroria Speciale trajtimin e kallëzimit në përputhje me ligjin dhe zbardhjen e përgjegjësisë së mundshme penale lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.

    “Partia Demokratike e Kosovës sot do të depozitojë një kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj deputetit Avni Dehari, i cili, siç e dini, për shkak të moshës është drejtues i seancës konstituive, ose kryesues i saj, dhe detyrë të cilën ai nuk po e ushtron në përputhje me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës dhe me Kushtetutën e Kosovës. Siç e dini, Rregullorja e Kuvendit të Kosovës kërkon që Kuvendi të mblidhet çdo 48 orë. Avni Dehari, si kryesues i kësaj seance, duhet ta mbledhë Kuvendin çdo 48 orë që të vazhdonte seancën konstituive. Përkundër se ne kemi dërguar disa letra, nuk, nuk ka reflektuar dhe nuk e ka thirrur seancën, vazhdimin e seancës konstituive. Prandaj, ne do të paraqesim kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare në përputhje me nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, tha ai.