ATV

Author: ATVLive

  • Kryeministri Kurti sheh rrezik të vërtet për luftë në Ballkan

    Kryeministri Kurti sheh rrezik të vërtet për luftë në Ballkan

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Forcimi i lidhjeve të Serbisë me Rusinë, në njërën anë, dhe armatosja e shpejtë dhe enorme e shtetit fqinj, në anën tjetër, sipas kryeministrit Albin Kurti përbëjnë kërcënim serioz për luftë të re në Ballkan.

    Krahas 48 bazave ushtarake serbe, përgjatë kufirit me Kosovën, në konferencën për Mbrojtje në Londër, kryeministri përmendi edhe rrëmbimin e tre policëve dhe sulmin terrorist paramilitar në Banjskë, vitin e kaluar.

    “Kërcënimi nuk është thjesht teorik, rreziku për një luftë të re është i vërtetë. Kohezioni dhe çiltërsia e para 25 vjetëve duhet të ripërtërihet sot… Serbia aktualisht po i forcon, më shumë se kurrë më parë, lidhjet, veçmas me Rusinë dhe Kinën. Në një kohë kur ne po përjetojmë një luftë në Evropë, nuk mund të injorojmë kërcënimin për një luftë tjetër në rajon, që të gjithë e dimë shumë mirë se çfarë do të thoshte”, tha Kurti.

    Pasi foli për ambiciet territoriale të Serbisë, Kurti theksoi nevojën që shtetet anëtare të mbështesin rrugëtimin e Kosovës për në Aleancën Veri-Atlantike.

    “Shtetet demokratike duhet të mbyllin vakumin praktik dhe politik, që i bën autokratët të besojnë se një sulm në një vend tjetër evropian, është i mundshëm… Ne duam t’i bashkohemi NATO-s sa më parë të jetë e mundur. Ne duhet të punojmë së bashku, në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e NATO-s në këtë dekadë. Ne duam të kontribuojmë në siguri, e po ashtu të përfitojmë prej saj”, tha Kurti.

    Pjesë e agjendës në vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Mbretërinë e Bashkuar, është takimi me Sekretarin për Punë të Jashtme, David Cameron, si dhe anëtarë të parlamentit britanik.

  • Më shumë se 300 të prekur nga rriqrat në Malishevë

    Më shumë se 300 të prekur nga rriqrat në Malishevë

    Përgatiti: Sara Shehu

    Me rritjen e temperaturave është rritur edhe rreziku nga pickimi i rriqrave.

    Edhe këtë vit, Malisheva vazhdon të jetë zona ku më së shumti po raportohen rastet e thumbimit nga rriqrat.

    Kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati, tha se nga dita e djeshme kanë filluar me dezinsektimin e zonave endemike.

    “Pavarësisht numrit të rasteve të thumbimeve nga rriqrat, është fat i mirë se tani e një dekadë nuk kemi raste të infektimit me këtë virus vdekjeprurës, por ne si komunë, brenda përgjegjësive dhe kompetencave, jemi duke bërë të pamundurën për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Jemi duke dezinsektuar zonat endemike të komunës sonë. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë që janë të angazhuar në luftimin dhe parandalimin e kësaj sëmundjeje, duke filluar nga punëtorët shëndetësorë, zyrtarët përgjegjës komunalë, si dhe të gjithë qytetarët, të cilët po tregohen shumë të kujdesshëm”, tha Kastrati.

    Kastrati thotë se desinsektimin po e bëjnë pa ndihmën e institucioneve qendrore, për të cilat ka edhe kritika.

    “Pasi e kemi nisur desinsektimin dje, ne s’kemi pasur mbështetje nga institucionet qendrore, siç janë Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK, Ministria e Bujqësisë, AUV, në mënyrë që luftimi dhe parandalimi i EHKK, të ketë rezultate dhe të mbrohet jeta dhe shëndeti i qytetarëve. Por do ia dalim vetë. Në QKMF kemi mjaftueshëm staf për trajtimin e rasteve, i trajtojmë më mirë se qytetet e tjera pasi që jemi mësuar me raste të tilla, i kuptojnë më lehtë mjekët kur është thumbim apo infektim”, tha Kastrati.

    Iniciativën e komunës po e mirëpresin qytetarët.

    “Është e qëlluar kjo ide pasi që parandalohen pickimet, komuna e ka bërë të duhurën”, tha një qytetar.

    “Është një plan i qëlluar, megjithatë, duhet të bëhet në të gjitha fshatrat e jo vetëm në qendër”, tha një tjetër qytetar.

    Përpos Malishevës, zona të rrezikuara nga ethet hemorragjike apo siç njihen Krimo kongo janë edhe Suhareka, Rahoveci, Gjakova dhe Klina.

    Drejtori i Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Arben Vishaj, tha në një përgjigje me shkrim për ATV-në se që nga fillimi i vitit deri në muajin maj, janë regjistruar mbi 200 raste të pickimit nga rriqrat nga të gjitha regjionet e Kosovës, por asnjë nuk ka përfunduar me vdekje.

    Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u ka apeluar qytetarëve që jetojnë në zonat endemike, të kenë kujdes të shtuar.

  • Miratohet në OKB rezoluta për Srebrenicën

    Miratohet në OKB rezoluta për Srebrenicën

    Përgatiti: Haris Ademi

    Me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, është miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezoluta që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Ky dokument dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës.

    Sponsorizuese të rezolutës ishin Ruanda dhe Gjermania, ambasadorja e së cilës, Antje Leendertse, tha se kjo nuk i drejtohet Serbisë, por shënjestron vetëm autorët e gjenocidit.

    Fjalim të ashpër kundër rezolutës mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ia përkujtoi Asamblesë homazhet në Srebrenicë më 2015.

    “Unë vetë kam shkuar në Srebrenicë, për ta përulur kokën dhe për të vënë kurora lulesh, por gati më kanë mbytur, kurse një ditë më vonë e kam zgjatur dorën për ata që e kanë organizuar. Kjo nuk ka të bëjë me pajtimin, kjo s’ka të bëjë me përkujtimin, kjo është diçka që i hap plagët e vjetra dhe do të krijojë kaos politik, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në këtë sallë”, tha Vuçiq.

    Ai i akuzoi, siç tha, shtetet e forta për politizim të kësaj nisme dhe presion ndaj anëtarëve të OKB-së që të votojnë pro.

    “Nëse flasim për përgjegjësinë penale individuale, kjo tashmë është kryer përmes aktakuzave, verdikteve dhe të gjithë ata që janë akuzuar, tashmë janë dënuar dhe janë në burg”, tha Vuçiq.

    Vuçiq tha se kjo do t’i thellojë përçarjet në rajon dhe më gjerë, ndërsa paralajmëroi se miratimi do ta hapë kutinë e Pandorës për më shumë rezoluta të tilla për çështje të gjenocidit nëpër vende të ndryshme.

    “A do ta unifikojë ndokënd kjo rezolutë, në Bosnjë e Hercegovinë? A do të krijojë përçarje në rajon? Po. Përçarjet do të thellohen. A do të sigurojë kjo paqe dhe stabilitet në të ardhmen? Kam shumë dyshime”, tha Vuçiq.

    Prej shteteve që votuan kundër rezolutës ishin Federata Ruse, Kina e Hungaria. Ndërsa, abstenuan Greqia e Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Në korrik të 1995-ës forcat serbe në Srebrenicë vranë mbi tetë mijë e 300 burra e djem myslimanë, krim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi si gjenocid, më 2007.

  • Policia lëshon kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e Enver Sekiraqës

    Policia lëshon kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e Enver Sekiraqës

    Përgatiti: Nora Luta

    Gjashtë ditë pasi nuk e gjeti në shtëpi Enver Sekiraqën, për ta zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit, Policia lëshoi kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e tij. Këtë e bëri me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    Nga e shtuna e javës së kaluar, Sekiraqa është i paarritshëm për organet e rendit.

    Njohës të fushës së drejtësisë tregojnë se si veprojnë institucionet zakonisht në rastet e tilla për të siguruar prezencën e të dënuarit.

    Nga institucionet ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimi i mbrojtjes së Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt, nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.

    E nëse kjo vërtetohet, sipas juristëve, do të duhej të lëshohej urdhërarrest ndërkombëtar.

    Nga e mërkura, televizioni e ka pyetur Gjykatën Themelore të Prishtinës nëse tashmë ka vendim për urdhërarrest ndaj Sekiraqës, por nuk ka kthyer një përgjigje.

    Disa nga juristët e justifikojnë heshtjen e gjykatës nën arsyetimin se në raste të tilla, çdo informacion mund të pengojë rrjedhën e procedurës.

    Më 3 maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.

  • Hovenier me porosi për Kurtin: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

    Hovenier me porosi për Kurtin: Qeveria të lëvizë para me Asociacionin

    Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me Kosovën për ta parë atë duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë po aq fuqishëm, si gjithmonë, me popullin e Kosovës në këtë projekt për ta parë Kosovën duke zënë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike.

    Gjatë vizitës së saj në fundjavë, nënsekretarja jonë e Shtetit për Çështjet Publike tha se ne besojmë se vendi i Kosovës është në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë se ne besojmë se Kosova duhet të jetë anëtare e BE-së, Kosova duhet të jetë anëtare e NATO-s, se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

    Natyrisht, këto gjëra nuk ndodhin vetvetiu, automatikisht, dhe një pjesë e punës sonë diplomatike është të ndihmojmë qeverinë e Kosovës që të bëjë gjërat e nevojshme për të shtyrë përpara çështjen e anëtarësimit dhe kjo na sjell tani në çështjen e Këshillit të Evropës.

    Siç e thatë edhe ju, javën e kaluar është mbajtur një takim i Këshillit të Evropës, por aplikimi i Kosovës për anëtarësim nuk u përfshi në rend dite. Nga këndvështrimi ynë, është për të ardhur keq. Siç thashë, ne do të dëshironim ta shohim Kosovën anëtare, por kjo do të thotë se Qeveria e Kosovës ndoshta duhet të ndërmarrë veprime shtesë përtej veprimeve të ndërmarra deri më tani në mënyrë që kjo të realizohet. Ne nuk votojmë aty. Këshilli i Evropës është një organizatë ndërqeveritare që nuk përfshin qeverinë time. Ne jemi vëzhgues në të, por këshilla jonë për qeverinë e Kosovës, si dhe këshilla e partnerëve tanë evropianë, ka qenë që t’i bëjë gjërat e vështira që po iu kërkohen, të cilat besojmë se do të jenë në dobi të popullit të Kosovës për të mundësuar anëtarësimin.“

    Por a ka ende shpresë se mund të arrihet qëllimi?

    “Natyrisht, ka shpresë se qëllimi mund të arrihet dhe kam besim se në të ardhmen do ta shohim Kosovën si anëtare të plotë të Këshillit të Evropës. Por, dua të theksoj përsëri kjo nuk do të thotë se kjo do të ndodhë automatikisht. Ka disa gjëra specifike që qeveria ende duhet t’i bëjë, që ia kanë kërkuar partnerët dhe miqtë e saj. Më duhet të them se nga këndvështrimi i SHBA-së, këshilla jonë për qeverinë ka qenë të ndërmarrë veprimet e kërkuara nga vendet e tjera në Këshillin e Evropës për të treguar angazhimin e saj të qartë dhe të vendosur ndaj të drejtave të pakicave.

    Shumë anëtare të Këshillit të Evropës i kanë kërkuar Kosovës që të ndërmarrë hapin që të dërgojë draftin e propozuar të BE-së për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Dhe lidhur me këtë, mendoj se shumë shtete evropiane kanë sugjeruar se do të jenë të përgatitur të marrin parasysh dhe ta shqyrtojnë pozitivisht kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne e nxisim ndërmarrjen e këtij hapi, e inkurajojmë Kosovën të bëjë çka duhet të bëjë për të marrë atë votë pozitive. Ne duam të jemi avokues të fortë dhe efektivë për Kosovën, por kjo do të thotë se qeveria duhet të bëjë gjëra që na lejojnë të jemi avokues të fortë dhe efektivë.“

    Hovenier e komentoi edhe deklaratën e Escobarit se Kosova ende nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, duke përmendur Asociacionin.

    “Pra, nuk mendoj se më takon mua të them nëse qeveria e kuptoi apo zgjodhi të mos e kuptojë, thjesht, shpresoj që qeveria njëmend e kupton atë. Dhe ajo që dua është që qeveria të kuptojë janë dy gjëra. E para, Kosova ka shumë miq dhe ata miq duan ta shohin Kosovën në organizata si Këshilli i Evropës, por e dyta, ata miq duan të shohin vendin duke ndërmarrë veprime shtesë në mënyrë që të jenë të bindur për përkushtimin e vendit ndaj të drejtave të pakicave dhe të drejtave të njeriut.

    Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë , është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën.” – tha ai në RTK.

  • Trepça rikthen titullin në Mitrovicë pas 12 vitesh

    Trepça rikthen titullin në Mitrovicë pas 12 vitesh

    Trepça është shpallur kampion i Superligës së Kosovës për edicionin 2023-24.

    Klubi mitrovicas ka mposhtur pas duelit të 5-të skuadrën e Golden Eagle Ylli me rezultat 67-66.

    Ky është triumfi i parë i Trepçës në ligë që nga 2012, duke e rikthyer titullin pas plot 12 vitesh.

  • Nënat e Srebrenicës e falënderojnë Vjosa Osmanin për mbështetje

    Nënat e Srebrenicës e falënderojnë Vjosa Osmanin për mbështetje

    Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën që njeh gjenocidin në Srebrenicë.

    Për rezolutën kanë votuar 84 shtete, 19 kundër dhe 68 abstenuan.

    Përmes rezolutës, 11 korriku do të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.

    Rezoluta ishte sponsorizuar nga tridhjetë vende ndërsa propozuesit zyrtar ishin Gjermania dhe Ruanda.

    Pas miratimit të kësaj rezolute, ka reaguar edhe presidentja Osmani, përmes një shkrimi në platformën “X”, duke thënë se me vendimin e sotëm nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë, bota po i jep brezave të ardhshëm një mundësi për të mësuar nga mësimet e nxjerra nga Srebrenica, shkruan atvlive.tv.

    Me këtë rast, nënat e Srebrenicës kanë shprehur mirënjohjen e tyre ndaj Vjosa Osmanit për mbështetjen e dhënë. /atvlive.tv

  • Axha i Lulzim Fejzullahut i pakënaqur me dënimin e dy të miturve

    Axha i Lulzim Fejzullahut i pakënaqur me dënimin e dy të miturve

    Rrahim Fejzullahu – axha i Lulëzim Fejzullahut, ka folur pas seancës ku u dënuan dy të miturit që vranë 18 vjecarin nga Podujeva, muaj më parë.

    Fejzullahu nuk është ndarë i kënaqur me dënimin prej 19 vitesh total për dy të miturit.

    Madje, ai ka thënë se me këtë vendim i ka mbetur plaga e hapur, duke shtuar se nuk i beson drejtësisë kosovare.

    “Lulëzimi i ndjerë i ka pasur 18 vite. Kështu që s’ma plotëson mu zemrën – e para – dhe e dyta nuk i besoj shkurt e shqip kësaj drejtësie. Të më pyesësh pse nuk i beson, ky me mbiemër Artioli i ka pasur edhe 10 vepra më herët. Këtu nuk e di sa janë marrë parasysh. Këtu me një fjalë mua ma ka lënë varrën e hapur. Nuk i besoj kësaj drejtësie dhe pikë”, ka thënë Fejzullahu.

  • Inteligjenca artificiale ka nevojë për të paktën 10 vjet për të kaluar inteligjencën njerëzore

    Inteligjenca artificiale ka nevojë për të paktën 10 vjet për të kaluar inteligjencën njerëzore

    Inteligjenca artificiale do të marrë të paktën 10 vjet për të kapërcyer inteligjencën njerëzore, tha CEO i kompanisë kineze të teknologjisë Baidu, Robin Li, këtë të enjte në konferencën Vivatech në Paris.

    “Për inteligjencën e përgjithshme artificiale (AGI) që do të ishte më e zgjuar se një njeri, do të duhen shumë vite të tjera. Shumë njerëz thonë se është e mundur në dy ose pesë vjet, unë besoj se është e mundur vetëm në më shumë se 10 vjet.”, theksoi Lee.

    Sipas tij, modelet më të fuqishme të inteligjencës artificiale të sotme janë ende larg nivelit të inteligjencës njerëzore.

    Siç raportohet nga CNN, CEO i Baidu është dukshëm më pak optimist për zhvillimin e AI sesa liderët e tjerë botërorë në këtë fushë.

    CEO i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi në fillim të këtij viti se AGI më i zgjuar se njerëzit do të jetë i disponueshëm deri në vitin 2026, ndërsa kreu i Open AI tha se pret zhvillim të fortë AGI në të ardhmen e afërt./abcnews.al

  • Republika Serbe kërcënon me ndarje nga BeH nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

    Republika Serbe kërcënon me ndarje nga BeH nëse miratohet rezoluta për Srebrenicën

    Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Serbe do të krijojë një marrëveshje që do t’i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për “ndarje paqësore”, njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviq, pas mbledhjes së Qeverisë së Republikës Serbe në Srebrenicë të enjten, më 23 maj.

    Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

    “Kjo nuk është shkëputje, ndarja paqësore nuk është shkëputje. Ndarja paqësore është e drejtë e garantuar me Kushtetutë. Ne do të ofrojmë atë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku”, tha Vishkoviq, pa dhënë detaje të tjera për hapat që do të ndërmarrin.

    Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

    Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.

    Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

    Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Serbe.

    Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

    Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
    Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.

    Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Serbe, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.

    Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

    Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

    Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Serbe, e as Serbia.

    Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.

    Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë./rel