Përgatiti: Haris Ademi
Me 84 vota pro, 19 kundër dhe 68 abstenime, është miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, rezoluta që shpall 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit në Srebrenicë.
Ky dokument dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës, ndërsa gjithashtu dënon pa rezerva veprimet që i madhërojnë të dënuarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ata që janë përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës.
Sponsorizuese të rezolutës ishin Ruanda dhe Gjermania, ambasadorja e së cilës, Antje Leendertse, tha se kjo nuk i drejtohet Serbisë, por shënjestron vetëm autorët e gjenocidit.
Fjalim të ashpër kundër rezolutës mbajti presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ia përkujtoi Asamblesë homazhet në Srebrenicë më 2015.
“Unë vetë kam shkuar në Srebrenicë, për ta përulur kokën dhe për të vënë kurora lulesh, por gati më kanë mbytur, kurse një ditë më vonë e kam zgjatur dorën për ata që e kanë organizuar. Kjo nuk ka të bëjë me pajtimin, kjo s’ka të bëjë me përkujtimin, kjo është diçka që i hap plagët e vjetra dhe do të krijojë kaos politik, jo vetëm në rajonin tonë, por edhe në këtë sallë”, tha Vuçiq.
Ai i akuzoi, siç tha, shtetet e forta për politizim të kësaj nisme dhe presion ndaj anëtarëve të OKB-së që të votojnë pro.
“Nëse flasim për përgjegjësinë penale individuale, kjo tashmë është kryer përmes aktakuzave, verdikteve dhe të gjithë ata që janë akuzuar, tashmë janë dënuar dhe janë në burg”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha se kjo do t’i thellojë përçarjet në rajon dhe më gjerë, ndërsa paralajmëroi se miratimi do ta hapë kutinë e Pandorës për më shumë rezoluta të tilla për çështje të gjenocidit nëpër vende të ndryshme.
“A do ta unifikojë ndokënd kjo rezolutë, në Bosnjë e Hercegovinë? A do të krijojë përçarje në rajon? Po. Përçarjet do të thellohen. A do të sigurojë kjo paqe dhe stabilitet në të ardhmen? Kam shumë dyshime”, tha Vuçiq.
Prej shteteve që votuan kundër rezolutës ishin Federata Ruse, Kina e Hungaria. Ndërsa, abstenuan Greqia e Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në korrik të 1995-ës forcat serbe në Srebrenicë vranë mbi tetë mijë e 300 burra e djem myslimanë, krim që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e cilësoi si gjenocid, më 2007.

Leave a Reply