ATV

Author: ATVLive

  • Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon periudha shtesë e regjistrimit të popullsisë

    Sot përfundon regjistrimi i popullsisë edhe për komunat në Kosovë të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.

    Afati i regjistrimit të popullsisë ishte nga 5 prilli deri më 17 maj, ndërsa me kërkesë në disa komuna është shtyrë edhe për një javë, deri më 24 maj.

    Shtyrja e afatit ishte bërë pasi mund të kishte individë, ekonomi familjare që nuk ishin regjistruar, si në Dragash, Prishtinë, Prizren, Drenas, Fushë Kosovë, Skenderaj, Obiliq, Ferizaj, Shtërpcë, Kaçanik dhe Gjakovë.

    Edhe në katër komunat e Veriut, në objektet e komunave zyrat kanë qenë të hapura nga ora 09:00-18:00.

    Në periudhën sa është shtyrë regjistrimi, intervistat janë zhvilluar nga stafi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).

    Ndryshe, nga këtu regjistrimi i Diasporës do të vazhdojë të bëhet përmes Platformës online eDiapsora (https://ediaspora.rks-gov.net/) deri më 31 gusht 2024.

    Pas javës së parë të regjistrimit sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), ishin regjistruar mbi 1 milion e 420 mijë banorë.

    Referuar po kësaj periudhe kohore për diasporën ishte kaluar numri mbi 400 mijë që janë regjistruar në formën online.

    Sipas zyrtarëve të ASK-së kualiteti i të dhënave në këtë regjistrim do të jetë shumë më i mirë se në vitin 2011.

    Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës dhe njohës të ekonomisë thonë se vendi ka nevojë për evidencë të mirëfilltë të qytetarëve dhe nga ky regjistrim presin të ketë përmirësim në aspektin ekonomik në vend, hartim të politikave më efektive në investime e po ashtu edhe realizim të të drejtave të qytetareve.

  • ​Rezoluta e OKB-së, Kurti: Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë

    ​Rezoluta e OKB-së, Kurti: Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përgëzuar miratimin e Rezolutës së OKB-së, për Gjenocidin në Srebrenicë.

    Në llogarinë e tij në X, Kurti ka shkruar se gjenocidi në Srebrenicë shënon masakrën më brutale të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore.

    E plotë:

    “Për paqe në Ballkan, duhet vërtetuar përgjegjësia e Serbisë dhe nevojiten përpjekje të mëtejshme për të sjellë autorët para drejtësisë”, shkroi Kurti.

    Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara sot me 84 vota pro ka kaluar Rezoluta për Srebrenicën.

    Në këtë votim morën pjesë 193 shtete prej tyre, 19 ishin kundër dhe 68 abstenuan, gjatë votimit vendet nuk patën të drejtën e vetos.

    Me këtë rezolutë 11 korriku do të caktohet si si “Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë”.

  • ​Hovenier: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me Asociacionin

    ​Hovenier: Qeveria e Kosovës të lëvizë përpara me Asociacionin

    Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se shteti i tij beson se për Kosovën është urgjente që të lëvizë përpara me dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Gjatë një interviste për transmetuesin publik të Kosovës, Hovenier tha se Kosova ka shumë miq që duan ta shohin shtetin pjesë të organizatës të Këshillit të Evropës dhe të shfaqë përkushtimin për të drejtat e pakicave dhe të drejtave të njeriut.

    “Një nga mënyrat më të dukshme për të bërë këtë e që e kemi rekomanduar të gjithë, është ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm të dërgimit të këtij drafti të BE-së të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese. Na duket se kjo është një gjë e rëndësishme për Kosovën, pa iu referuar Këshillit të Evropës, sepse do të ndihmojë për të siguruar mbrojtje të duhur për komunitetin etnik serb në Kosovë, por gjithashtu zhbllokon dhe hap këtë rrugëtimin në të cilin duam ta shohim Kosovën”, tha Hovenier.

    Kosova dështoi të futej në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës të mbajtur në mes të majit në Strasburg, pasi shtetit iu vendos kusht që të lëvizte përpara me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Një ditë para takimit në Strasburg, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, përmes një letre njoftoi Këshillin e Evropës se Kosova synon që të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe ta dërgojë në Kushtetuese deri në fund të majit, në këmbim të pranimit të shtetit në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.

    Por, në letrën e Gërvallës thuhej se draft-statuti do të frymëzohej nga një draft i prezantuar kohë më parë nga organizata gjermane Friedrich-Ebert-Stiftung, e jo draft-statuti që iu paraqit Kosovës dhe Serbisë nga BE-ja tetorin e vitit të kaluar.

    Hovenier tha se me sa e kupton ai, kjo ofertë e Gërvallës më nuk është e vlefshme, ndërkaq sa i përket se çfarë draft-statuti duhet Kosova të dërgojë në Kushtetuese, ambasadori amerikan tha:

    “Lidhur me pyetjen se cili draft dhe si dërgohet më tej, kjo është çështje e rëndësishme dhe padyshim që është një zgjedhje sovrane e Qeverisë së Kosovës se çfarë statuti zgjedh të hartojë dhe si e çfarë do të kërkojë të miratojë apo dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por, do të them se drafti i ofruar nga Bashkimi Evropian – ky draft statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe – ofron një sërë përparësish unike dhe të rëndësishme”.

    Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian, si ndërmjetës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i prezantoi palëve një draft-statut për Asociacionin, i cili u pranua në parim.

    Po vitin e kaluar, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për normalizimin e raporteve, që parasheh edhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit të komunitetit serb dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog.

    Në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga BE-ja, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin: më 2013 dhe 2015.

    Por, Gjykata Kushtetuese tha më 2015 se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionin nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit. Harmonizimi, sipas Kushtetueses, mund të bëhet përmes akteve nënligjore.

    Megjithatë, Kosova deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa drejt themelimit të tij.

    Qeveria e Kosovës është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. /rel/

  • Theren dy persona pas finales së basketbollit Trepça-Ylli

    Theren dy persona pas finales së basketbollit Trepça-Ylli

    Dy persona kanë mbetur të lënduar në Mitrovicë, të njëjtit dyshohet se janë therur.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i policies për rajonin e Mitrovisës, Avni Zahiti, teksa shtoi se të njëjtit kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

    “Rreth orës 21:30, është raportuar se dy persona të lënduar nga mjeti i mpreht kanë kërkuar tretman mjekësor në emergjencen e spitalit rajonal në Mitrovicë. Njesitet kompetente policore po merren me rastin”, tha Zahiti.

    Nuk dihet ende nëse ngjarja lidhet me ndeshjen e basketbollit, Trepça – Golden Eagle Ylli.

  • Nënshkruhet memorandumi me ambasadën britanike kundër krimit dhe korrupsionit

    Nënshkruhet memorandumi me ambasadën britanike kundër krimit dhe korrupsionit

    Përgatiti: Arton Hamiti

    Memorandumi i mirëkuptimit, për projektin e ri të Ambasadës Britanike, i cili ka për qëllim luftimin e krimit dhe korrupsionit është nënshkruar këtë të enjte.

    Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, e vlerësoi të rëndësishëm projektin, duke shtuar se ky bashkëpunim do t’i forcojë kapacitetet për t’i hetuar veprat më komplekse.

    “Jam shumë besimplotë që ky bashkëpunim do t’i forcojë kapacitetet e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, për t’i hetuar veprat komplekse që konsiderohen të rëndësishme për përfshirjen në ekipe të përbashkëta të hetimit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, tha Hajdaraj.

    Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, tha se përmes memorandumit, synohet të luftohet edhe shpëlarja e parave.

    “E dimë që krimi shkatërron jetë, krimi i organizuar dëmton dhe kërcënon sigurinë kombëtare, gjithashtu korrupsioni që shohim në shumë vende të botës. Ne gjithë e dimë që rrjeti kriminal është shpesh i fshehur duke përdorur teknologji moderne, dhe kjo është arsyeja që jemi shumë krenarë të mbështesim këtë bashkëpunim, që do të ketë rezultate dhe besimin e të gjithë neve së bashku me liderët politikë, për ta luftuar këtë fenomen”, tha Hargreaves.

    Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është shprehur optimist se objektivat e projektit do të arrihen me sukses.

    “Fillimi i projektit për mbështetje të krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër financave të paligjshme dhe krimit të organizuar në Kosovë, shënon vazhdimin e bashkëpunimit të dëshmuar e në pritje reale për zhvillimin e mëtejmë të kapaciteteve tona, që mundësojnë sundimin e ligjit. Ne jemi optimistë se objektivat e projektit do të arrihen me sukses. Ja ku jemi sot këtu për të shënuar një fillim të ri, një projekt me ambicie të mëdha, i cili nga këndvështrimi ynë vendos edhe pritje, të cilat do të fuqizojnë edhe më tej infrastrukturën ligjore dhe rrjedhimisht dhe kapacitetet profesionale për zbatimin e mandatit ligjor”, tha Isufaj.

    Në ceremoninë e nënshkrimit, i pranishëm ishte edhe drejtori i Policisë. Gazmend Hoxha theksoi se memorandumi ka për qëllim fuqizimin e kapaciteteve të Policisë në fushën e inteligjencës dhe ndihmesën në krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar.

  • 10 ambasadorë vizitojnë Suharekën për ta parë ndikimin e granteve të BE-së

    10 ambasadorë vizitojnë Suharekën për ta parë ndikimin e granteve të BE-së

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Përgatitje të veçanta bëri Komuna e Suharekës të enjten, meqë edhe mysafirët i kishte të tillë.

    Aty erdhën 10 ambasadorë të shteteve të Bashkimit Evropian, të cilët kryetari Bali Muharremaj i priti me dhurata të ekipeve lokale të basketbollit dhe futbollit.

    Ambasadorët erdhën në Suharekë, për ta parë nga afër ndikimin e investimeve evropiane në këtë komunë.

    “Është një aktivitet shumë i rëndësishëm për ne, sepse dëshirojmë të tregojmë unitetin dhe veprimin e përbashkët mes BE-së karshi Kosovës. Kemi biseduar për zhvillimin ekonomik, sfidat që përballet komuna për furnizim me rrymë elektrike dhe ujë, që do të bëjë jetën më të mirë për qytetarët. Edhe për çështjen e sigurisë dhe bizneset për interesat e tyre, e përfshimë pak edhe futbollin. Biseduam edhe për çështjen e arsimit dhe regjistrimin e popullsisë”, tha ambasadori i BE-së, Tomas Szunyog.

    Kryetari Muharremaj tha se në takimin e tij me ambasadorët, u bisedua edhe rreth mundësisë për zhvillim ekonomik, përmirësim të mjekësisë, si dhe sportit në këtë komunë.

    “Biseduam për zhvillimin ekonomik në komunën e Suharekës, për shtimin e popullatës, mjekësinë, edhe për sportin, dhe për një bashkëpunim shumë të mirë. Ne morëm përkrahjen e BE-së për projekte të reja dhe do të jemi bashkë për një mirëqenie speciale më të mirë”, ka shtuar Muharremaj.

    Me të përfunduar takimi, nikoqiri me 10 ambasadorët shkuan për të parë nga afër punën në fabrikat të cilat janë përfituese të grandit nga BE-ja.

    Njëri nga pronarët, Burim Devetaku, tha se me grantin e BE-së investoi në makineri moderne.

    “Me ndihmën e tyre ne kemi investuar shumë në makineri moderne ku 80 për qind janë për tregun e jashtëm. Një ndihmesë të madhe na ka dhënë edhe Kuvendi Komunal. Numrin e nxënësve e ndan shkolla, 4-5 nxënës çdo vit aftësohen më shumë për punë”, tha Devetaku.

    Në vizitë nëpër komunën e Suharekës, i pranishëm ishte edhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano.

  • Plagosi tre persona, i dyshuari arrestohet

    Plagosi tre persona, i dyshuari arrestohet

    Përgatiti: Armand Hoti

    Krismat e armës të mërkurën në Pejë, lanë të plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje.

    Menjëherë pas sulmit, i dyshuari, i cili nga policia u identifikua si Agron Gashi, iku nga vendi i ngjarjes.

    Por në pranga të policisë, ai ra të enjten pasdite.

    “Personi i dyshuar, pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal, me urdhër tё Prokurorit tё shtetit, ndalohet pёr 48 orё, pёr veprën penale “Vrasje e rëndë nё tentativё””, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Prokurori i rastit, Ersan Qavolli, duke mos dhënë detaje shumë për rastin, thotë për ATV-në, se konfliktit me armë mund t’i ketë prirë një mosmarrëveshje në lidhje me shitjen e një veture.

    “Lidhur me motivet e këtij rasti, nuk mund të prononcohem në këtë fazë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Po tregohem i rezervuar për motivet e rastit, mirëpo njëra ndër pistat mund të jetë edhe ajo”, tha prokurori i rastit, Ersan Qavolli.

    I dyshuari nuk është person i panjohur për organet e rendit. Ndaj tij, nw fillim tw vitit ishte ngritur aktakuzw, pasi qw akuzohet se në dhjetor të 2023-tës kishte goditur me veturë një zyrtar policor.

    “Është një rast i tillë, por ndaj tij është ngritur aktakuzë për veprën penale “rrezikim i trafikut publik dhe veprime të rrezikshme”, dhe “mosdhënia e ndihmës””, tha Qavolli.

    Gjykata Themelore në Pejë nuk iu përgjigj pyetjeve të ATV-së, lidhur me aktgjykimet eventuale dënuese të shqiptuara ndaj të riut në të kaluarën.

    Ndërkohë, njëri nga tre anëtarët e familjes Berisha, është në gjendje kritike.

    “Lëndimet kanë qenë kryesisht në regjionin e poshtëm të barkut, të cilat kanë lënduar një pjesë të kockave, të enëve të mëdha të gjakut, të cilat i kanë shkaktuar një gjendje të shokut të rëndë. Pacienti ka pasur nevojë të trajtohet me operacion, i cili ka zgjatur rreth gjashtë orë. Për momentin gjendja e përgjithshme e tij, prezantohet të jetë shumë e rëndë dhe më tutje kritike”, tha Shaqir Uka, drejtor i Klinikës Intensive.

    Po ashtu, një nga të plagosurit siç konfirmon edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, është pjesëtar i saj.

  • Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut dënohen me 10 dhe 9 vjet burgim

    Të akuzuarit për vrasjen e Lulzim Fejzullahut dënohen me 10 dhe 9 vjet burgim

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Kështu po prisnin familjarët fillimin e seancës ku do ndahej drejtësia për vrasjen e 18-vjeçarit Lulzim Fejzullau.

    Pritjes prej 4 muajsh që nga ngjarja, iu shtuan edhe 2 orë të tjera, meqë shpallja e vendimit u shty për në orën 15:00.

    Seanca zgjati fare pak.

    Trupi gjykues dy të miturit i shpalli fajtor për veprën penale “vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

    Njërin e dënoi me 10 vjet burgim e tjetrin me 9.

    Por, xhaxhai e vëllai i viktimës, u shprehën të pakënaqur me lartësinë e dënimit.

    “Lartësia e dënimit nuk na e mbyll plagën”, tha Rrahim Fejzullahu, xhaxha i viktimës.

    Andaj, vendimin thanë se do ta apelojnë, brenda afateve ligjore.

    “Do të apelojmë brenda afateve ligjore…”, tha Tomë Gashi, avokat i familjes së viktimës.

    Lulzim Fejzullahu ishte rrahur me mjete të forta mesditën e 14 janarit. Pas trajtimit fillestar në Podujevë, u dërgua në QKUK për ndërhyrje kirurgjike, ku edhe vdiq më 20 janar.

    Policia fillimisht e pati raportuar rastin si vrasje në tentativë dhe therje me thikë, pas vdekjes së tij, prokurori kishte urdhëruar që hetimet të drejtohen kah vepra penale për vrasje të rëndë.

  • Miratohen shtatë marrëveshje ndërkombëtare

    Miratohen shtatë marrëveshje ndërkombëtare

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Në tentimin e radhës, të enjten, Kuvendi arriti ta miratojë marrëveshjen me Danimarkën për burgjet.

    Bazuar në këtë marrëveshje, Danimarka do të marrë me qira 300 qeli, në burgun e Gjilanit, ndërsa të burgosurit pasi ta vuajnë dënimin, do të dëbohen nga Kosova.

    Mirëpo, përveç kësaj marrëveshjeje, deputetët e pushtetit dhe të opozitës, dhanë votën e tyre PRO edhe për disa marrëveshje të tjera ndërkombëtare.

    Me 93 vota për, u miratua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale për infermier, kirurg veterinar, farmacist dhe mami, në kontekstin e Marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

    Por pa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, është miratuar Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë mes Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës (BZHKE) për Projektin “Banimi social adekuat”.

    “Për mua ka shumë rëndësi se në bazë të cilave kritere do të bëhet përzgjedhja e familjeve, në çfarë mënyre do të operohet me komunat të cilat do të jenë bartëse, qoftë të procesit të ndërtimit në situata të caktuara, ose edhe menaxhimit të stokut të këtyre banesave”, tha deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.

    “Ministri doli na ngatërroi me atë që edhe shërbyesit civilë do të përfitojnë prej kësaj. Por, këtu në projekt nuk shkruan për atë. Janë familjet me asistencë sociale dhe familjet me të ardhura të ulëta nën mesatare. Ti nuk e gjen një shërbyes civil që ka të ardhura në mesatare. Të bëhemi serioz kur i diskutojmë këto gjëra që janë të rëndësishme për plot familje”, tha deputeti i LDK-së, Abdullah Hoti.

    Gjithashtu, në këtë seancë u miratuan edhe disa prej marrëveshjeve që të enjten e kaluar nuk morën dritën e gjelbër.

    Marrëveshja e bashkëfinancimit për hartimin e projektit për ndërtimin e tunelit në rrugën Tetovë-Prizren kaloi me 82 vota për.

    Është miratuar edhe Projektligji për ratifikimin e amendamentit numër 2 të marrëveshjes financiare, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2016.

    Mirëpo, votimi në lexim të dytë i Projektligjit për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor është shtyrë sërish.

    Deputetët nuk e kanë miratuar amendamentin e deputetit Visar Korenica, ku pati kërkuar të largohen pjesët që parashihnin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara (burrit dhe gruas).

    Shumica e votave në Kuvend për këtë amendament ishin në abstenim.

  • Dy të plagosurit në Gjonaj, jashtë rrezikut për jetë

    Dy të plagosurit në Gjonaj, jashtë rrezikut për jetë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Babë e bir, të familjes Qena nga Romaja e Prizrenit, kanë mbetur të plagosur, pas një konflikti me anëtarë të familjes Likaj, nga fshati Krajk.

    Sipas informacioneve fillestare, anëtarët e të dy familjeve ishin takuar në Gjonaj të Prizrenit, ku edhe ndodhi plagosja.

    Fillimisht ata ishin rrahur e më pas ishte përdorur edhe arma.

    Të plagosurit, sipas Shefit të emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, janë jashtë rrezikut për jetë.

    Personat e përfshirë në këtë incident, që besohet të jenë 11, janë të njohur për policinë e Kosovës, për shkak të kaluarës së tyre.

    Deri të enjten pasdite, sipas policisë, vetëm një person është arrestuar.

    Ndërkaq, Prokuroria e Prizrenit e konfirmon për ATV-në se i dyshuari A.L, është dërguar në mbajtje.

    Është arrestuar A.L., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Tentim vrasje”, nga neni 172, lidhur me nenin 28 dhe 31, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, dhe “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 321, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Ai, me vendim të prokurorit, gjendet në ndalim 48 orësh. Prokuroria Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda, brenda afatit ligjor, për të dyshuarin A.L., do të parashtrojë kërkesë për caktim të masës së paraburgimit. Prokuroria në bashkëpunim me Policinë, janë duke ndërmarrë veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin.

    ATV-ja po ashtu merr vesh se edhe në të kaluarën, familja Likaj e Qena kanë pasur mosmarrëveshje.