Përgatiti: Nora Luta
Gjashtë ditë pasi nuk e gjeti në shtëpi Enver Sekiraqën, për ta zbatuar vendimin e Gjykatës së Apelit, Policia lëshoi kërkesë për bashkëpunim për arrestimin e tij. Këtë e bëri me autorizim të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Nga e shtuna e javës së kaluar, Sekiraqa është i paarritshëm për organet e rendit.
Njohës të fushës së drejtësisë tregojnë se si veprojnë institucionet zakonisht në rastet e tilla për të siguruar prezencën e të dënuarit.
Nga institucionet ende nuk është konfirmuar e as hedhur poshtë pretendimi i mbrojtjes së Sekiraqës, se ai ka dalë jashtë vendit në mënyrë të rregullt, nëpërmjet njërës nga pikat kufitare, në kohën sa ndaj tij nuk kishte masë sigurie.
E nëse kjo vërtetohet, sipas juristëve, do të duhej të lëshohej urdhërarrest ndërkombëtar.
Nga e mërkura, televizioni e ka pyetur Gjykatën Themelore të Prishtinës nëse tashmë ka vendim për urdhërarrest ndaj Sekiraqës, por nuk ka kthyer një përgjigje.
Disa nga juristët e justifikojnë heshtjen e gjykatës nën arsyetimin se në raste të tilla, çdo informacion mund të pengojë rrjedhën e procedurës.
Më 3 maj, Gjykata Themelore e dënoi Enver Sekiraqën me 25 vjet burgim për nxitjen e vrasjes së Triumf Rizës, por ia ndërpreu masën e arrestit shtëpiak, duke e lënë të lirë deri në konfirmimin e plotfuqishmërisë së vendimit.

Leave a Reply