ATV

Author: ATVLive

  • 10 vjet burgim për njërin e 9 për të miturin tjetër për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

    10 vjet burgim për njërin e 9 për të miturin tjetër për vrasjen e Lulzim Fejzullahut

    Departamenti për të Mitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj dy të miturve lidhur me vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë. I mituri i parë u dënua me 10 vjet burgim, kurse i mituri i dytë u dënua me 9 vjet burgim.

    Shpallja e aktgjykimit sikurse edhe i gjithë procesi gjyqësor ka qenë i mbyllur për publikun, për shkak se në rast janë të përfshirë të mitur, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Betimi për Drejtësi “ekskluzivisht kishte raportuar për dosjen e Prokurorisë ndaj dy të pandehurve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë.

    Më 20 janar 2024, 18-vjeçari, L.F., kishte vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë. Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje e rëndë”. Përleshja mes viktimës dhe dy të miturve kishte ndodhur më 15 janar.

    Sipas Prokurorisë, dy të miturit e kishin goditur 18-vjeçarin me shkop, duke shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima ishte dërguar në QKUK.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 25 mars 2024 kishte përpiluar propozimin për shqiptimin e dënimit me burgim për të mitur, ndaj dy të miturve për veprën penale “Vrasje rëndë” nga neni 173, par.1, pika.1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

  • Korenica: Vetëm çiftet të kenë fëmijë, jo gruaja e pamartuar

    Korenica: Vetëm çiftet të kenë fëmijë, jo gruaja e pamartuar

    Deputeti i LVV-së, Visar Korenica ka propozuar që të ndryshohet një amandament në projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    Sipas propozimit të tij, “vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendos për të pasur fëmijë, asessi individi ose gruaja e pamartuar duke u mohuar të drejtën fëmiut me pasë babë dhe nënë”.

    Nëse ndodh e kundërta, Korenica tha se është e dëmshme për shoqërinë.

    “Amandamenti 5 paragrafi 4 duhet të ndryshohet si në vijim. Çifti ka të drejtë të vendos lirisht por duke respektuar vullnetin e njëri-tjetrit nëse duan të kenë fëmijë. Për kohën pastaj, numrin e intervaleve të lindjeve dhe të informohen për mjetet e duhura për realizimin e tyre.

    Po jap edhe arsyeshmërinë. Ligji i cili na ka ardhë në draft për votim thotë që i jep të drejtën individit për me vendos lirshëm e ne jemi kundër për me vendos kësaj që i është propozu. Është shumë e dëmshme për shoqërinë tonë nëse mendojmë me kalu.

    Pra vetëm çiftet bashkëshortore kanë të drejtë me vendos për të pasë fëmijë, asesi individi ose gruaja e pamartuar duke ua mohuar të drejtën fëmiut me pasë babë dhe nënë. Kërkoj me mirëkuptim që ky amandament të përkrahet”, tha Korenica në Kuvend.

  • ​Kuvendi dështon të votojë Projektligjin për fertilizim të asistuar mjekësor

    ​Kuvendi dështon të votojë Projektligjin për fertilizim të asistuar mjekësor

    Kuvendi i Kosovës sërish ka dështuar të votojë Projektligjin për shëndetin riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.

    I njëjti është shtyrë për një seancë tjetër, pasi që deputetët nuk e kanë miratuar amendamentin e deputetit Visar Korenica, me të cilin kërkohej largimi i pjesëve që parashihnin se e drejta për riprodhim u takon edhe individëve, përveç çifteve të martuara.

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se projektligji do të hidhet në votim kur të ketë konsensus.

    Ndërkaq, të zgjedhurit e popullit votuan në lexim të dytë Projektligjin për Verëra.

    Pas kësaj, deputetët shkuan në pauzë deri në orën 15:30. /kp

  • ​Szunyog e bën të qartë: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk varet nga BE-ja

    ​Szunyog e bën të qartë: Anëtarësimi i Kosovës në KiE nuk varet nga BE-ja

    Ambasadori i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, ka deklaruar se çështja e anëtarësimit në Këshillin e Evropës nuk varet nga Bashkimi Evropian, por nga shtetet anëtarë të KiE-së, të cilat sipas tij, vendosin kushtet që Kosova të bëhet anëtare.

    Szunyog nuk ka dashur të komentojë nëse asociacioni është kusht për hyrjen e Kosovës në organizatën evropiane.

    “Nuk mund të flas për çështjen e Këshillit të Evropës. BE nuk është anëtare e saj. Varet nga shtetet anëtare, të cilat duhet të vendosin çfarë kushtesh të vendosin që të bëhet anëtare”, ka thënë Szunyog gjatë një vizite sot në Suharekë.

    Mos përfshirja e Kosovës në agjendën e KiE vjen pas letrës së tre liderëve evropianë dërguar kryeministrit Albin Kurti përmes së cilës kërkohet asociacioni si kusht për anëtarësimin e vendit në Këshillin e Evropës.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe presidenti francez Emmanuel Macron thanë në letër se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar të asociacionit, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të merr mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.

  • ​Dëmet nga lajmet e paverifikuara, zyrtarët e drejtësisë në punëtori theksojnë pasojat në hetime

    ​Dëmet nga lajmet e paverifikuara, zyrtarët e drejtësisë në punëtori theksojnë pasojat në hetime

    Publikimi i lajmeve të pakonfirmuara ka shkaktuar dëm të madh tek viktimat dhe në vet procesin e hetimeve. Kështu u tha në punëtorinë “Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, ku po marrin pjesë rreth 30 zyrtarë për informim nga sistemi prokurorial e gjyqësor në Kosovë.

    Kjo punëtori po organizohet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID), ku pjesëmarrësit janë zyrtarët për informim nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, të gjitha prokurorive themelore, si dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe gjykatave në vend.

    Në ditën e dytë të punëtorisë po vijohet me sesionet, ku po diskutohet për komunikimin me median dhe publikun në epokën digjitale.

    Udhëheqësja e Zyrës për Informim në Gjykatën Supreme, Antigona Uka-Lutfiu theksoi nevojën për numër më të madh të stafit në fushën e komunikimit.

    “Ne vazhdojmë të jemi nga një person në zyrat për informim që paraqet një sfidë te veçantë në mundësinë për të transmetuar sa më shumë informacion, për të informuar sa më shumë publikun për zhvillimet në gjyqësor, për aktgjykimet. Kështu që kjo është sfida kryesore aktuale. Përndryshe nga viti në vit transparenca po shkon duke u rritur. Numër shumë i madh i aktgjykimeve publikohen çdo ditë. Nëse nuk gaboj tani i kemi mbi 150 mijë aktgjykime të publikuara në uebfaqe”, deklaroi Uka-Lutfiu.

    Ajo përmend edhe rastet e publikimit të lajmeve pa konfirmimin e zëdhënësve të gjykatave, për çka konsideron se është gabimi themelor.

    “Kemi një numër të madh të portaleve që shkojnë më shumë me gazetarinë copy-paste edhe që nuk i njohin mirë ligjet dhe nuk e njohin dëmin që mund të shkaktojnë në publik apo në hetim të rasteve. Dhe në këtë aspekt mendoj që kishte qenë nevojë urgjente që të rregullohet kjo fushë sepse ka raste që janë dëmtuar hetimet, kur është shkaktuar dëm i madh tek viktimat. Ideja e plasimit të një lajmi pa konfirmimin prej personave kompetent, në këtë rast prej zëdhënësve të gjykatave, është gabimi themelor qe bëhet në transmetim të lajmit në publik”, shtoi ajo.

    E përgjegjësi për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës, Bedri Gashi tha se ka sfida në realizimin e niveleve të komunikimit.

    “Jemi avokatë të institucionit tonë, avokojmë për punët, veprimtaritë dhe detyrat që kemi kompetencë në detyrat që na përshkruan dhe njëkohësisht mundohemi vazhdimisht që ta rrisim nivelin e bashkëpunimit me mediat, shoqërinë civile dhe të tjerat, palët qe janë të interesuara të bashkëpunojnë me neve. Ne kryejmë një mision të dyfishtë si komunitet, për shkak se avokojmë edhe për mediat brenda institucionit, pra është një mision i dyfishtë. Për të cilin kemi diskutuar edhe sot në sesionet e ditës së sytë të punëtorisë. Me Ligjin e ri të Pagave por edhe me rregullore të brendshme të sistemit prokurorial mendojmë se duhet të arrihet shpërblimi karshi punës së tyre që bëjnë sepse mendoj që për tu krijuar një zyrtar për komunikim publik me përvojën e tij dhe me gjithë shtrirjen e tij në publik duhet të kalojë një periudhë kohore edhe nuk krijohen lehte shërbyesit e komunikimit publik, ata duhen ruajtur në sistem , theksoi ai.

    Punëtoria e cila po mbahet në Durrës po vijon sesionet, ku do të diskutohet edhe për menaxhimin e komunikimit ndërinstitucional me publikun në situata krizash.

    Kjo punëtori me temën “Forcimi i transparencës në sistemin e drejtësisë në Kosovë”, po mbahet nga Qendra për Inovacione dhe Zhvillim (CFID) në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD). /kp

  • Zyrtare: Valon Berisha ftohet sërish në Përfaqësuese

    Zyrtare: Valon Berisha ftohet sërish në Përfaqësuese

    Përfaqësuesja e Kosovës gjatë muajit qershor më datën pesë luan miqësore ndaj Norvegjisë.

    Nga skuadra austriake, LASK Linz mësohet se lojtari i parë që merr ftesë nga Franco Foda, është Valon Berisha.

    Berisha do të jetë në listën e trajnerit Foda për ndeshjen miqësore ndaj Norvegjisë.

    Kosova pritet ta gjejë edhe një kundërshtar tjetër për miqësoret e muajit qershor, kurse Franco Foda pritet ta bëjë zyrtare listën gjatë këtyre ditëve.

  • ​Biznesmeni Muharrem Saliu, kandidat shqiptar për deputet në Parlamentin Evropian

    ​Biznesmeni Muharrem Saliu, kandidat shqiptar për deputet në Parlamentin Evropian

    Për biznesmenin, Marco Salihun kanditatin e parë shqiptar nga Italia për deputet në Parlamentin Evropian, zgjerohet gjeografia e takimeve dhe e mbështetjes së shqiptarëve. Ai ka thënë se ‘Do lobojmë për votën e diasporës, celjen e konsullatave dhe kurseve të shqipes në gjithë territorin’.

    “Jam Muharrem Salihu, në fletë votimin shënohem Marco, ashtu si më kanë shkruar në dokumentat e Serbisë ku jam lindur zyrtarisht, dhe për lehtësi, autoritetet zgjedhore kanë pranuar këtë zgjedhje”-i tha kandidati i vetëm shqiptar në listat e kandidatëve italianë për zgjedhjet europiane, mbi 100 të mbledhurve në mjediset e CNA, Parma, një shoqatë biznesi drejtuar nga ndërmarrësi dhe filantropi shqiptar Shpend Ndreu. Ky ishte vetëm takimi i tretë në Parma, i kandidatit shqiptar, me grupe interesi, individë të realizuar, në një komunitet si ai i rreth 6000 shqiptarëve të Parmës, ku kanë të drejtë votimi midis 2500 dhe 3000 vetëve.

    Në prezantimin e tij, ai shpjegoi i pyetur nga të pranishmit sesi u gjend në Itali, pas diskriminimit në Republikën e Serbisë, studimeve elitare në Zvicër dhe përqëndrimit në Venecia, ku zotëron 12 restorante ,-një pjesë e administron vetë dhe një pjesë nëpërmjet të tjerëve; biznesit hotelier, atij në fushën e sigurisë dhe ekspozitave itinerante sportive- ku ka të punësuar afro 200 persona. Kandidati Marco (Salihu) parashtroi disa prej ideve të veta në biznes dhe politikë, duke vlerësuar rolin e Italisë si shtet mikpritës i afro një milionë shqiptarëve dhe që është i vlerësuar nga të gjithë në Ballkan, si emëruesi më i vogël i përbashkët i vendeve që kanë histori konflikti me njeri tjetrin. “Italia është pëlqyer nga ne dhe gjatë pushtimit, sepse ndikoi në zhvillim, megjithatë-tha ai, i cili shtoi se “Italia duhet të ndjekë shembullin e Gjermanisë për të formuar personelin e punësimit në territor. “ Kandidati shqiptar dha idenë e votimit unik në krejt Europën, dhe jo mbi bazën e shteteve, që krijon mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve më të mirë dhe forcon epërsinë e kandidatëve shqiptarë në një territor të bashkuar elektoralisht. Kjo është një ide e tij në frymën e programit të Ema Boninos, politikane veterane, drejtuese e Listës “Shtetet e Bashkuara të Europës”.

    Marco (Muharrem Salihu), tha para të pranishmëve se ishte dhuratë të gjendej para ndërmarrësve kryesisht shqiptarë, sepse “ne jemi njerëz që falë sakrificave kemi arritur shumë në jetë, dhe më vjen mirë që dhe ju në pak vite keni shkuar kaq larg”. Ai shpjegoi përbërjen e grupit të vet, duke shpjeguar posacërisht përbërësen e sigurisë në aeroporte ku bëjnë pjesë disa subjekte, si Bosch, Thales, Italsicurezza, Università di Verona, etj.

    Ai premtoi se pasi të zgjidhet do të lobonte tek qeveria italiane që të amendonte Ligjin Bosi Fini, që i ndalon rinovimin e lejeve të qëndrimit atyre të huajve që mund të kenë bërë shkelje të vogla në territor, ndonëse të lindur në Itali. Po ashtu ai premtoi se sipas modelit tunizian, që ka frenuar trafikun klandestin në ujrat e veta, do të kërkonte që Italia ’’i ofronte kushte lehtësuese bizneseve shqiptare dhe atyre Italiane te vendosura ne Ballkan që shesin produktet e tyre në Itali dhe Evrope”. Shqipëria ka pozitë preferenciale ndaj qeverisë italiane, për shkak të vendimit për të strehuar disa qendra emigrantësh në Shëngjin, dhe kjo pozitë duhet shfrytëzuar për të kërkuar disa avantazhe. Marco (Salihu), premtoi se do të kërkonte tek kryeministri Rama dhe forcat politike të Shqipërisë të mundësonin votën e diasporës në zgjedhjet nacionale, dhe po ashtu të zgjeronin rrjetin e konsullatave, e të hapnin shkollat shqipe dhe qendrat e kulturës në gjithë territorin italian.

    Një takim tjetër i rëndësishëm ishte me disa prej themeluesve të shoqatës Skanderbeg, por dhe të tjerëve, ndërmarrës të dëshmuar Italian me origjine Shqiptare, në zyrën e konsulencës së Erion Begajt që bashkë me të shoqen kishin themeluar dhe Shoqatën e kontabilistëve shqiptarë në Itali. Të pranishmit, Shpendi Spahiu, Sara Blliku, Elton Pashaj, Gasper Keka,Mirian Marku,Elsid Guraj, avokati i shquar Gentian Alimadhi,i angazhuar dhe në Kasacionin italian, premtuan mbështetje absolute për kandidatin e vetëm shqiptar në këto zgjedhje.

    Zoti Marco (Salihu), vizitoi dhe monumentin e Skënderbeut, heroit tonë kombëtar, në një park publik të bukur në qendër të Parmës, së bashku me iniciatorët e tij. Takimet do të vazhdojnë.

  • Dy të lënduar nga një aksident trafiku në rrugën Lipjan – Ferizaj

    Dy të lënduar nga një aksident trafiku në rrugën Lipjan – Ferizaj

    Dy persona janë lënduar si pasojë e një aksident trafiku të ndodhur në rrugën Lipjan-Ferizaj, këtë të enjte.

    Lajmin e konfirmoi për portalin Dukagjini, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

    Sipas saj, në aksident janë përfshirë tri vetura.

    “Sot rreth orës 10:00, në rrugën Lipjan -Ferizaj, ka ndodhur një aksident trafiku, ku janë përfshirë tri automjete. Si pasojë e aksidentit, janë lënduar dy persona. Me rastin po merret njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.

  • Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të në rastin Thaçi dhe të tjerët

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari i 65-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mbanë kodin W04710 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Ky dëshmitar, dëshminë e ka nisur të mërkurën dhe sipas përmbledhjes së lexuar nga prokurorja Alexandra Insinga ai është i afërm i një viktime e cila është zhdukur dhe vrarë nga Drenoci, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Përpara se të vazhdohet me dëgjimin e dëshmisë së këtij dëshmitari, kryetari i trupit gjykues Charles Smith III tha se do të diskutojnë lidhur me një çështje fillimisht, por që seanca kaloi në sesion privat me arsyetimin e mbrojtjes së dëshmitarit dhe informacionit konfidencial.

    Megjithatë, vlen të theksohet se është bërë modifikimi për pushimet në orarin e sotëm të seancës për sesionin e paradites ndërsa, orari i pasdites mbetet i pandryshuar.

    “Seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00. Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30”, thuhet gjithashtu edhe në njoftimin e DhSK-së.

    Kujtojmë që gjatë fundit të seancës së djeshme, kryegjykatësi Charles Smith III tha se ZPS-ja ka propozuar që dy dëshmitarë të tjerë të dëshmojnë përmes video-lidhjes për çka tha se vendimi do të merret me vonë. Ndryshe, palët mbrojtëse nuk e kundërshtuan këtë parashtrim të ZPS-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Haxhiu falënderon deputetët që votuan pro marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

    Haxhiu falënderon deputetët që votuan pro marrëveshjes me Danimarkën për burgjet

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka falënderuar deputetët për votimin e marrëveshjes me Danimarkën për burgjet.

    Haxhiu tha se kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve.

    Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës për miratimin e kësaj Marrëveshje të dobishme për Republikën e Kosovës. Kjo marrëveshje është një dëshmi e besimit dhe respektit reciprok mes dy vendeve tona. Ajo do të sjellë përfitime të ndërsjella dhe do të hapë dyer të reja për bashkëpunime të ardhshme”, ka thënë Haxhiu.