ATV

Author: ATVLive

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të martën do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht vranët.

    Sipas institutit, vranësirat vende-vende mund të sjellin riga shiu të përcjellura me shkarkime rrufesh.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 -17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 28-33 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë dhe lokalisht e fortë.

  • Arrin në 6 numri i personave të vdekur pas infektimit nga Covid-19

    Arrin në 6 numri i personave të vdekur pas infektimit nga Covid-19

    Përgatiti: Sara Shehu

    Ka arritur në 6 numri i personave që kanë vdekur, pas infektimit me Covid-19 në Kosovë. Kështu, konfirmuan për ATV-në nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

    Që të gjitha rastet e vdekjeve kanë ndodhur në Klinikën Infektive të QKUK-së, derisa po trajtoheshin edhe për sëmundje të tjera shoqëruese.

    Grupi më i prekur në mjediset spitalore, sipas IKSHPK-së, janë individët e moshës 65 vjeç e lart, duke theksuar faktin se kjo grupmoshë mbetet në rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të rëndë.

    Sipas IKSHPK-së, vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 24 raste të reja të infektimit me koronavirus. Ndërkaq, që nga 1 gushti janë regjistruar 1250 raste me Covid-19.

    Javëve të fundit ka rritje të fluksit të pacientëve me covid pozitiv edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Kryeshefi i kësaj qendre, Valdet Hashani, tha se këto raste trajtohen dhe shërohen shumë shpejt.

    Por, sipas tij, numri i rasteve është shumë më i lartë sesa që po raportohet.

    “….Sigurisht se pjesa dërmuese e kësaj rritje korrespondon me diagnozën e virozave sezonale, të verës. Në kuadër të kësaj numri më i madh i pacientëve është me Covid pozitiv. Numrin e saktë nuk mund ta themi në shifra, me qenë këto të dhëna i keni nga IKSHPK-ja. Po mund të ju themi sigurisht se numri i pacientëve është shumë më i madh me qenë se pjesa më e madhe e pacienteve nuk janë duke u testuar për covid-19, për këtë virozë e cila hyn edhe kjo në kuadër të këtyre virozave të rëndomta, nuk ka asgjë shqetësuese. Ndoshta pak a shumë simtomatologjia është më e shprehur se virozat e tjera, por megjithatë edhe me terapi jo invazive, pa infuzione e të ngjashme ajo po kalon brenda dy tri ditëve”, tha Hashani.

    Sipas IKSHPK-së, bazuar në planin e imunizimit, vaksinimi i popullatës duhet të vazhdojë për personat me sëmundje kronike jongjitëse, personat mbi 65 vjeç e kategori të tjera.

    Megjithatë, ka gjasa që edhe personat e vaksinuar të infektohen me virusin që shkakton Covid-19. Sipas profesionistëve shëndetësorë, rivaksinimi me vaksinat kundër Covid-19 ul ndjeshëm rrezikun për rastet me fatalitet, ndërsa rastet që rezultojnë pozitiv me SARS-CoV 2, rekomandohet që të izolohen për pesë ditë.

  • Hapet thirrja e dytë për subvencionim të izolimit të shtëpive

    Hapet thirrja e dytë për subvencionim të izolimit të shtëpive

    Raporti: Fatlum Jashari

    Nga mëngjesi i së martës, deri në përmbushje të kuotës ose më së largu për dy javë, qytetarët do të mund të aplikojnë për të përfituar nga thirrja e dytë e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, për subvencionim të izolimit të shtëpive.

    Me rreth 5 milionë euro buxhet në dispozicion, Fondi parasheh subvencionimin e rreth 1300 familjeve – të cilat mund të përfitojnë deri në 45% të shumës së investimit në masa si: izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme.

    Në rastet e bashkëpronësisë së çiftit, ose kur gruaja është pronare e vetme, parashihet subvencionim deri në 50% të totalit të investimit, që në asnjërin rast nuk mund të tejkalojë vlerën 5500 euro.

    Krahas përmbushjes së kritereve, shpejtësia e aplikimit mund të jetë përcaktuese në përfitimin eventual.

    “Kësaj radhe thirrja parashihet të jetë e hapur për dy javë, por duke pasur parasysh përvojën pozitive të familjeve dhe interesimin e madh për këtë thirrje, ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë, sepse kush aplikon i pari shërbehet i pari”, tha kryeministri Albin Kurti.

    Pasi tregoi se vitin e kaluar përfituan rreth 2150 familje, drejtori i Fondit Driton Hetemi listoi disa prej rezultateve.

    “Rezulton se nga të gjitha masat e realizuara nga ato shtëpi, kemi izoluar rreth 600 mijë metra katrorë të sipërfaqeve të mureve të jashtme, kemi bërë 90 mijë kilometra katrorë të sipërfaqeve të kulmeve dhe kemi ndërruar rreth 13 mijë metra katrorë të dritareve dhe dyerve të jashtme. Përmes këtyre masave pritet që konsumi i energjisë për metër katror në vit të reduktohet nga 155 kilovat orë, në rreth 111 kilovat orë për këto shtëpi”, tha Hetemi.

    Aplikimi për përfitim bëhet nëpërmjet llogarisë në platformën E-Kosova, sipas hapave të përshkruar në udhëzuesin e publikuar nga Fondi.

  • Me para nga subvencioni, edhe KESCO-ja kishte blerë nga kompania e palicencuar

    Me para nga subvencioni, edhe KESCO-ja kishte blerë nga kompania e palicencuar

    Përgatiti: Fatlum Jashari

    Tregtimi i energjisë elektrike me kompaninë e palicencuar në Kosovë, Holding Slovenske Elektrarne – HSE, në periudhën 2021 – 2023, është një prej çështjeve kyçe në aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

    Por, energji elektrike nga kompania e njëjtë – pa licencë – në fillim të vitit 2022, me mjete financiare nga subvencioni i Qeverisë, kishte blerë edhe kompania për furnizim KESCO.

    Sipas dokumenteve që posedon ATV-ja rezulton se, në kohën kur importi kryhej nga KESCO-ja bazuar në marrëveshjen me KEK-un, rreth 12 milionë euro të taksapaguesve ishin shpenzuar për energjinë e blerë nga marrëveshja me HSE-në, pa tender – sipas metodës një ditë para.

    Këtë e kishte pranuar në Tetor të vitit 2022, kryeshefi financiar i KESCO-s, Ermal Koci, në raportimin e tij në komisionin parlamentar hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.

    Megjithatë, as pas një javë pritjeje, Prokuroria Speciale nuk dha përgjigje nëse ka ose jo ndonjë hetim lidhur me këtë.

    Duke përmendur ngjashmërinë me rastin Krasniqi, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, Prokuroria ka dy shkaqe për hetim.

    “E para do të duhej të ishte çështja e subvencionit. Dhe, e dyta do të duhej të ishte se si është futur energji elektrike nga një kompani e palicencuar për të shitur energji elektrike. Kjo mund të ndodhë edhe në sektor të tjerë – ta zëmë në sektorin farmaceutik, përderisa i gjithë sektori është privat prapëseprapë personat, të cilët shesin barna të caktuara duhet të licencohen për të operuar në Kosovë”, tha Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.

    Referuar importit nëpërmjet subvencionit nga Qeveria, Shala theksoi nevojën për përdorim të standardit të njëjtë nga Prokuroria.

    “Nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të veçantë kur është shitur distribuimi i energjisë, ose ndonjë marrëveshje e mëvonshme me fuqi juridike, atëherë është situatë tjetër. Mirëpo, përballë kësaj situate, përballë këtyre paraleleve, i takon prokurorit të shtetit ta hetojë, shqyrtojë dhe ta informojë publikun lidhur me këtë rast”, tha Shala.

    Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji, në Maj 2022, KESCO kishte ndërprerë kontratën me HSE-në, për import të energjisë për shërbimin universal.

    Bazuar në dokumentet e importit, në muajt janar, shkurt dhe mars 2022, me mjetet nga subvencioni, KESCO-ja kishte blerë energji me çmim mesatar më të lartë sesa mesatarja në bursën hungareze.

  • Rrënimi i “Sarajit të vjetër”, Totaj i kundërpërgjigjet Çekut

    Rrënimi i “Sarajit të vjetër”, Totaj i kundërpërgjigjet Çekut

    Përgatiti: Sara Shehu

    Të padrejtë dhe të gabuar, e ka vlerësuar veprimin e Ministrit Hajrulla Çeku në lidhje me kallëzimin penal për rrënimin e Kompleksit “Saraji i Vjetër”, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

    Në një kundërpërgjigje pas pesë ditësh, Totaj mes tjerash tha se ky objekt në bazë të hartave zonale nuk i takon zonës së mbrojtur historike.

    “Arsyeja që jemi sot këtu është se MKRS-ja ka mbajtur një konferencë për media, kinse komuna e Prizrenit ka anashkalu dhe nuk ka respektuar të dhënat ligjore për Sarajin e vjetër për ndërtimet. I gjithë plani u udhëheqë nga drejtoria e urbanizmit. Për sqarim të opinionit publik. Ju njoftoj se ky rast ka histori, nuk ka ndodhë shpejt, më 2018 kërkesa e parë ka qenë për ndërtim, komuna e ka refuzar këtë kërkesë, komuna ka shkuar në gjykatë pas disa veprimeve më në fund është konfirmuar se komunës së Prizrenit e ka obligim të zbatojë vendimin e Ministrisë së planifikimit hapësinor, që investitori ta bëj me leje. Komuna ka vazhduar me procedura të dhënies së lejes, pasi komuna e ka hupë rastin në institucionet. MKRS-ja çuditërisht ka tentua që lokacioni të vendoset në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, i cili është i kundërligjshëm. Pa u njoftuar komuna nuk lejohet na nuk kemi pas kurrfarë njoftimi. Në librat kadastralë nuk është si zonë e mbrojtur historike, çka ka mujtë komuna me ba. Vlen të theksohet se me harta zonale është jashtë zonës historike dhe lejohet ndërtimi”, tha Totaj.

    Gjatë konferencës, kryetari i Prizrenit tha se Ministri i Kulturës do të ishte më mirë t’i kryejë obligimet që i takojnë dikasterit të tij, e jo të merret me çështjet që iu takojnë gjykatave e komunave.

    “MKRS-ja nuk ka iniciuar asnjë në rast në Gjykatë për këtë çështje. Dështimet e MKRS-së për moskryerjen e detyrave të tyre nuk duhet t’i drejtojë në komunën e Prizrenit”, shtoi Totaj.

    Kompleksi “Saraji i Vjetër”, ishte rrëzuar nga komuna e Prizrenit, më 27 maj të këtij viti, ndërkaq të mërkurën e kaluar Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, derisa tregoi që ka dorëzuar kallëzim penal për këtë çështje, tha se kompleksi u rrënua dy muaj para se t’i kthehet shtetit kjo pronë.

  • Shporta e konsumatorit, “më e shtrenjtë” këtë verë

    Shporta e konsumatorit, “më e shtrenjtë” këtë verë

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Shporta e konsumatorit ishte më e shtrenjtë këtë verë, se në të kaluarën.

    Sipas Agjencisë së Statistikave, inflacioni në muajin korrik ishte 2,2%.

    Prej produkteve bazike që iu rrit çmimi janë kafeja e çaji me 7,7%, pemët me 6,3 dhe buka me 3,1%. Diçka më pak u shtrenjtuan produktet e qumështit, me 0,3%. Ndërsa, perimeve iu ul çmim për 5,2%, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

    Megjithatë, sipas Odës Ekonomike, këto të dhëna janë brenda parashikimeve.

    ”Në qoftë se i shohim të dhënat e fundit të ASK-së, ne e shohim një dallim ose një ngritje të çmimeve në 2,2 për qind që është një rritje paralel me inflacionin. Në qoftë se ndalim tek rritja e çmimeve besoj që është në marzhën e arsyeshme dhe nuk është një rritje shumë e madhe që vërehet te qytetarët”, tha kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

    Ekonomistët thonë se në rritjen e çmimeve gjatë verës, ndikon edhe fluksi i mërgimtarëve, gjë që bën të rritet kërkesa.

    Por, kjo rritje sezonale, sipas ekonomistit Fidan Qerimi, po vazhdon edhe përtej verës, e po ndikon te banorët rezidentë.

    “Pas shkuarjes së mërgimtarëve ose kalimit të kohës së festave çmimet mbesin të larta edhe për një periudhë më të gjatë. d.t.th ofruesit e produkteve dhe shërbimeve kanë një tendencë më të ngadalshme të uljes së çmimeve sesa të rritjes dhe kjo ka një ndikim negativ në buxhetin e qytetarëve”, tha Qerimi.

    Derisa vendi ka ekonomi të tregut të lirë, shteti nuk mund të ndërhyjë edhe aq te çmimet, por një rol të madh mund ta luajë autoriteti i konkurrencës, megjithatë nga aty nuk treguan për televizionin nëse kanë gjobitur ndokënd për abuzim me çmime.

    Sipas të dhënave të korrikut, përveç produkteve të shportës, për 22% u shtrenjtuan biletat e fluturimeve. Lëndët djegëse, druri e peleti janë më të shtrenjta për 6%, ndërsa karburantet për 2,1%.

  • Tentimi i llunes për t’i ikur paraburgimit, në këmbim të 70 mijë eurove

    Tentimi i llunes për t’i ikur paraburgimit, në këmbim të 70 mijë eurove

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Në publik e në rrjete sociale paraqitej si trajner i kik-boksit.

    Këto aftësi fizike, Milun Milenkovic, dyshohet se i përdori edhe për t’i sulmuar ushtarët e KFOR-it në Zveçan, në majin e vitit 2023, për çka ishte arrestuar derisa po qethej në Mitrovicë të Veriut, pak muaj më vonë.

    Në seancën gjyqësore të 21 gushtit, avokati i ofroi 70.000 euro dorëzani që Llune pastaj të mbrohet në liri. Por, Gjykata ende nuk ka vendosur për këtë kërkesë.

    “Ju njoftojmë se kërkesa e mbrojtjes për të pandehurin M.M për zëvendësimin e masës së paraburgimit me atë të dorëzanisë është ende në shqyrtim dhe vendosje”, tha Medina Gashi, bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

    Në fakt, praktika e lirimit me dorëzani, është e njohur në sistemin gjyqësor të Kosovës.

    Por, nëse Gjykata eventualisht e aprovon një kërkesë të tillë, gjasat janë që pastaj të kërkohet prejardhja e të hollave.

    Paraprakisht me dorëzani ishin liruar për t’u mbrojtur në liri edhe Nemanja Vllaskoviq dhe Dalibor Spasiq, të cilët akuzoheshin për sulm ndaj gazetarëve, po në Zveçan.

  • Vetëm gjatë gushtit zjarrfikësit suharekas shuan 90 zjarre

    Vetëm gjatë gushtit zjarrfikësit suharekas shuan 90 zjarre

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Vatra e zjarrit të së dielës ishte një grumbull mbeturinash, por nuk përfundoi me kaq.

    Veç tyre, flakët kapluan edhe rreth 100 metra katrorë të një sipërfaqeje fushore në fshatin Nëpërbisht të Suharekës.

    Falë intervenimit të zjarrfikësve, zjarri u shua për një orë.

    Sipas kryetarit të komunës, Bali Muharremaj, ky zjarr është vetëm një prej 90 rasteve që u intervenua në më pak se një muaj.

    “Kemi pasë jashtëzakonisht shumë raste, rasti i fundit qe edhe ky në Nëpërbisht por pati edhe shumë të tjera, në disa fshatra përreth…”, tha Muharremaj.

    Komandanti i Zjarrfikësve në Suharekë, Vehbi Krasniqi, thotë se kishte raste kur në të njëjtën kohe ishin aktive deri në pesë zjarre.

    “Po veç na kanë ndihmuar komunat e tjera si Mamusha, se nuk do t’ia kishim dalë…”, tha Krasniqi.

    Andaj, brigadës, gjatë muajit gusht iu shtuan edhe pesë zjarrfikës.

    Por krahas numrit të madh të rasteve, sipas Krasniqit, nuk mjaftojnë.

    “Na u kanë shtua edhe pesë po pak janë, prapë nuk e kemi as pakicën…”, shtoi Krasniqi.

    Shumica e rasteve të zjarrit dyshohet të ishin zjarrvënie të qëllimshme por deri tash nuk pati asnjë të arrestuar.

    Zbardhjen e këtyre rasteve me qëllim që të parandalohen të tjera të mundshme, po e kërkon kryetari i komunës.

    “Kjo mbetet përgjegjësi e organeve kompetente, kishte qenë mirë të identifikohen shkaktarët…”, tha Muharremaj.

    Në mungesë të stafit, zjarrfikësit suharekas nuk patën mundësi t’i ofrojnë ndihmë komunës fqinje, Prizrenit, në kohën kur një zjarr i përmasave të mëdha kishte përfshire mbi 50 hektarë tokë të maleve të Sharrit.

  • “Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, Kurti fton qytetarët të aplikojnë për masat e efiçiencës së energjisë

    “Kush vjen i pari, shërbehet i pari”, Kurti fton qytetarët të aplikojnë për masat e efiçiencës së energjisë

    Kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të aplikojnë sa më parë për subvencionimin e izolimit të shtëpive të tyre dhe pajisjeve efiçente të ngrohjes, sepse “kush vjen i pari, shërbehet i pari”, raporton EO.

    Në lansimin e thirrjes së dytë publike për projektin “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për shtëpitë individuale të banimit”, ai ka theksuar se kjo masë ka qenë ndër më të mirëpriturat vitin e kaluar, ndërsa këtë vit synim është subvencionimi i 1 300 familjeve.

    Tutje, ai ka bërë të ditur se për shkak të interesimit të lartë, pakoja do të jetë e hapur për vetëm dy javë, ndryshe nga planifikimi fillestar, ndërsa ka shtuar se pakoja është pjesë e përkrahjes emergjente të BE-së, ku Kosova përfitoi 75 milionë euro, shumën më të lartë për kokë banori në rajon.

    “Bashkimi Evropian ka lansuar pakon përkrahëse emergjente për shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku Republika e Kosovës përfitoi 75 milionë euro, apo shumën më të lartë për kokë banori në rajon. Qëllimi i kësaj pakoje ishte zbutja e efekteve socio-ekonomike. Kur kemi dizajnuar këtë pako, jemi siguruar që përfitimet të jenë të menjëhershme, por jo afat-shkurte. Masat janë dizajnuar ashtu që të përmirësohet cilësia e jetesës e të ulen shpenzimet e energjisë për familjet e bizneset tona”.

    “Një ndër masat më të mirëpritura vitin e kaluara, është pikërisht kjo që po e lansojmë sot, pra masat për efiçiencën e energjisë në shtëpitë e juaja. Thirrja ka qenë e parimit të njëjtë, kush vjen i pari shërbehet i pari. Interesimi ka qenë e lartë dhe si rezultat, thirrja për 13 ditë, ndonëse ka qenë e paraparë që të jetë e hapur për 45 ditë, kësaj radhe mbetet e hapur për dy javë”.

    “Duke pasur parasysh interesimin e madh të familjeve ju ftoj të gjithëve që të aplikoni sa më parë. Nga thirrja e parë ka përfituar 2 100 familje me mbi 12 mijë anëtarë, vlera totale e subvencionit ka arritur vlerën 7.9 milionë euro. Kësaj here synojmë të subvencionojmë 1 300 familje të tjera për të izoluar shtëpitë e tyre”, ka thënë Kurti, raporton EO.

  • ​Mbyllet afati kalimtar në basketboll

    ​Mbyllet afati kalimtar në basketboll

    Ka përfunduar afati kalimtar në basketbollin e Kosovës në të dyja konkurrencat. Klubet kanë qenë mjaft aktive në këtë afat, duke u përforcuar varësisht nga synimet që kanë.

    Të gjitha klubet e elitës së basketbollit të meshkujve janë përforcuar me lojtarë vendorë dhe ndërkombëtare. Mjaft aktive kanë qenë edhe ato të Ligës së Parë të meshkujve, pwrcjellw KosovaPress.

    Gjithashtu edhe te Superliga Femrat, gjashtë skuadrat kanë bërë përforcimet e nevojshme, si dhe disa duke vazhduar me lojtaret kryesore nga edicioni i kaluar. Gara pritet të jetë mjaft interesante në këtë edicion te femrat, duke marrë parasysh përforcimet e bërë.