ATV

Arrin në 6 numri i personave të vdekur pas infektimit nga Covid-19

Written by

in

Përgatiti: Sara Shehu

Ka arritur në 6 numri i personave që kanë vdekur, pas infektimit me Covid-19 në Kosovë. Kështu, konfirmuan për ATV-në nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.

Që të gjitha rastet e vdekjeve kanë ndodhur në Klinikën Infektive të QKUK-së, derisa po trajtoheshin edhe për sëmundje të tjera shoqëruese.

Grupi më i prekur në mjediset spitalore, sipas IKSHPK-së, janë individët e moshës 65 vjeç e lart, duke theksuar faktin se kjo grupmoshë mbetet në rrezik më të lartë për të zhvilluar sëmundje të rëndë.

Sipas IKSHPK-së, vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 24 raste të reja të infektimit me koronavirus. Ndërkaq, që nga 1 gushti janë regjistruar 1250 raste me Covid-19.

Javëve të fundit ka rritje të fluksit të pacientëve me covid pozitiv edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë. Kryeshefi i kësaj qendre, Valdet Hashani, tha se këto raste trajtohen dhe shërohen shumë shpejt.

Por, sipas tij, numri i rasteve është shumë më i lartë sesa që po raportohet.

“….Sigurisht se pjesa dërmuese e kësaj rritje korrespondon me diagnozën e virozave sezonale, të verës. Në kuadër të kësaj numri më i madh i pacientëve është me Covid pozitiv. Numrin e saktë nuk mund ta themi në shifra, me qenë këto të dhëna i keni nga IKSHPK-ja. Po mund të ju themi sigurisht se numri i pacientëve është shumë më i madh me qenë se pjesa më e madhe e pacienteve nuk janë duke u testuar për covid-19, për këtë virozë e cila hyn edhe kjo në kuadër të këtyre virozave të rëndomta, nuk ka asgjë shqetësuese. Ndoshta pak a shumë simtomatologjia është më e shprehur se virozat e tjera, por megjithatë edhe me terapi jo invazive, pa infuzione e të ngjashme ajo po kalon brenda dy tri ditëve”, tha Hashani.

Sipas IKSHPK-së, bazuar në planin e imunizimit, vaksinimi i popullatës duhet të vazhdojë për personat me sëmundje kronike jongjitëse, personat mbi 65 vjeç e kategori të tjera.

Megjithatë, ka gjasa që edhe personat e vaksinuar të infektohen me virusin që shkakton Covid-19. Sipas profesionistëve shëndetësorë, rivaksinimi me vaksinat kundër Covid-19 ul ndjeshëm rrezikun për rastet me fatalitet, ndërsa rastet që rezultojnë pozitiv me SARS-CoV 2, rekomandohet që të izolohen për pesë ditë.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *