Përgatiti: Fatlum Jashari
Tregtimi i energjisë elektrike me kompaninë e palicencuar në Kosovë, Holding Slovenske Elektrarne – HSE, në periudhën 2021 – 2023, është një prej çështjeve kyçe në aktakuzën ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Por, energji elektrike nga kompania e njëjtë – pa licencë – në fillim të vitit 2022, me mjete financiare nga subvencioni i Qeverisë, kishte blerë edhe kompania për furnizim KESCO.
Sipas dokumenteve që posedon ATV-ja rezulton se, në kohën kur importi kryhej nga KESCO-ja bazuar në marrëveshjen me KEK-un, rreth 12 milionë euro të taksapaguesve ishin shpenzuar për energjinë e blerë nga marrëveshja me HSE-në, pa tender – sipas metodës një ditë para.
Këtë e kishte pranuar në Tetor të vitit 2022, kryeshefi financiar i KESCO-s, Ermal Koci, në raportimin e tij në komisionin parlamentar hetimor për menaxhimin e krizës energjetike.
Megjithatë, as pas një javë pritjeje, Prokuroria Speciale nuk dha përgjigje nëse ka ose jo ndonjë hetim lidhur me këtë.
Duke përmendur ngjashmërinë me rastin Krasniqi, në Institutin e Kosovës për Drejtësi vlerësojnë se, Prokuroria ka dy shkaqe për hetim.
“E para do të duhej të ishte çështja e subvencionit. Dhe, e dyta do të duhej të ishte se si është futur energji elektrike nga një kompani e palicencuar për të shitur energji elektrike. Kjo mund të ndodhë edhe në sektor të tjerë – ta zëmë në sektorin farmaceutik, përderisa i gjithë sektori është privat prapëseprapë personat, të cilët shesin barna të caktuara duhet të licencohen për të operuar në Kosovë”, tha Gëzim Shala, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi.
Referuar importit nëpërmjet subvencionit nga Qeveria, Shala theksoi nevojën për përdorim të standardit të njëjtë nga Prokuroria.
“Nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të veçantë kur është shitur distribuimi i energjisë, ose ndonjë marrëveshje e mëvonshme me fuqi juridike, atëherë është situatë tjetër. Mirëpo, përballë kësaj situate, përballë këtyre paraleleve, i takon prokurorit të shtetit ta hetojë, shqyrtojë dhe ta informojë publikun lidhur me këtë rast”, tha Shala.
Me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji, në Maj 2022, KESCO kishte ndërprerë kontratën me HSE-në, për import të energjisë për shërbimin universal.
Bazuar në dokumentet e importit, në muajt janar, shkurt dhe mars 2022, me mjetet nga subvencioni, KESCO-ja kishte blerë energji me çmim mesatar më të lartë sesa mesatarja në bursën hungareze.

Leave a Reply