ATV

Author: ATVLive

  • Forumi Ekonomik i Grave i reagon Qeverisë

    Forumi Ekonomik i Grave i reagon Qeverisë

    Forumi Ekonomik i Grave, ka reaguar ndaj Qeverisë së Kosovës, pas vendimit të saj për të hequr Ligjin për Punën nga Kalendari Legjislativ.

    Në reagim thuhet se përkundër kërkesave të përsëritura dhe reagimeve të shumta nga grupet e interesit, përfshirë një letër të dërguar më 15 shkurt 2024, qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për këtë çështje jetike.

    “Ky ligj ka qenë në proces ndryshimi që nga viti 2018 dhe konsiderohet thelbësor për avancimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e mirëqenies sociale në vend. Në fushatën elektorale, qeveria kishte premtuar se mirëqenia sociale do të ishte ndër prioritetet kryesore, por deri më tani nuk janë adresuar çështjet themelore të mbrojtjes së të drejtave të punës dhe barazisë në Kosovë”, thuhet në reagim.

    Më tej potencohet se “Disa nga pikat kyçe që neve na shqetësojnë janë se vetëm 2 në 10 gra janë të punësuara, dhe ky realitet ka ndryshuar shumë pak me kalimin e kohës. Për shkak të mangësive në mbrojtjen e punës, gratë vazhdojnë të kryejnë punë joformale në shtëpi, pa pagesë, pa njohje, pa mbrojtje të të drejtave të punës ose pa pensione, gjë që ndikon në varfërinë e tyre më vonë në jetë”.

    “Ligji aktual i punës ndikon drejtpërdrejt në përjashtimin e grave nga fuqia punëtore për shkak të diskriminimit gjinor në punësim, pasi punëdhënësit shmangin përgjegjësinë e pagesës së pushimit të lehonisë. Ndërkohë, burrat nuk kanë të drejta të barabarta për të kaluar kohë me fëmijët e tyre. Ky ligj diskriminon drejtpërdrejt baballarët, duke shkelur të drejtat e tyre të barabarta sipas Ligjit për Barazi Gjinore. Po ashtu, Kosova ende nuk e ka harmonizuar Ligjin e Punës me Direktivën e BE-së për Balancën midis Punës dhe Jetës, dhe ende nuk i mbron të drejtat e kujdestarëve, të vetëpunësuarve dhe shumë të tjerëve”, thuhet në reagim.

    Forumi Ekonomik i Grave thekson po ashtu se shtyrja e mëtejshme e miratimit të amendamenteve në Ligjin për Punën do të rezultojë në vazhdimin e shkeljeve të të drejtave të grave dhe burrave në Kosovë. Kërkojmë nga qeveria që menjëherë të publikojë për diskutim Projektligjin e ri, të zhvillojë konsultime të gjera me të gjitha palët e interesuara, përfshirë organizatat për të drejtat e grave dhe sindikatat, dhe ta përfshijë këtë ligj thelbësor në kalendarin legjislativ të këtij viti.

    Nëse brenda një periudhe të shkurtër nuk ndërmerren veprime konkrete, Forumi Ekonomik i Grave paralajmëron mobilizim të gjerë dhe reagime të vazhdueshme derisa të përmbushen kërkesat.

  • ​“Trepça” largon nga puna edhe një minator

    ​“Trepça” largon nga puna edhe një minator

    Ndërmarrja “Trepça”, ka njoftuar se ka larguar nga puna minatorin V.G.

    Në njoftimin e ndërmarrjes, thuhet se Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës.

    “Me datën 26.8.2024 Komisioni Disiplinor mbajti shqyrtimin publik lidhur me rastin e z. V.G. bazuar në kërkesën për inicimin e procedurës disiplinore me nr.prot:1480 e dt. 9.11.2023, pas mbajtjes së shqyrtimit publik Komisioni Disiplinor ka vërtetuar se i njëjti ka kryer shkelje të rëndë të detyrave të punës nga neni 10 paragrafi 1 nën paragrafi 1.5, 1.8, 1.16, 1.24, 1.39 dhe 1.52 i Rregullores nr.prot. 2906 dt. 30.7.2020 për përgjegjësinë disiplinore dhe materiale të punëtorëve të Trepça Sh.A.

  • ​Ibra futet në zhveshtore dhe qorton lojtarët e Milanit

    ​Ibra futet në zhveshtore dhe qorton lojtarët e Milanit

    Roli i Zlatan Ibrahimovic në Milano, për të cilin u përfol shumë menjëherë pas hyrjes së suedezit në botën e RedBird, është bërë shumë i qartë që nga ky sezon: ai është zëri i Cardinale në Milano, pikë referimi e korporatës për sa i përket anës sportive.

    Dhe pikërisht për këtë arsye, Ibra u dëgjua me ekipin dhe trajnerin pas humbjes së keqe në Parma, një fjalim me tone të qarta, por jo shumë të ashpra, bazuar mbi të gjitha në ndjenjën e përgjegjësisë që u kërkohet lojtarëve pasi klubi është i bindur se ka vënë në dispozicion të trajnerit një skuadër cilësore.

    “La Gazzetta dello Sport” shpjegon sfondin e fjalëve të zgjedhura nga suedezi në dhomat e zhveshjes me lojtarët që dëgjuan, kuptohet të zhgënjyer. “Cilësia është aty, skuadra në fakt është e kompletuar, tani duhet të motivoheni”, është koncepti me të cilin mund të përmblidhen mendimet e Ibrës. Diçka mund të vijë ende nga tregu i transferimeve, por do të ishin përmirësime, shtesa dhe sigurisht jo goditje spektakolare, përcjellë KosovaPress.

    Nga ana tjetër, Zlatan e ka përsëritur disa herë këtë ditët e fundit kur ka folur për fushatën e nënshkrimeve: “Kemi nënshkruar me lojtarë me karakter, të cilët sjellin diçka ekstra edhe nga pikëpamja njerëzore”. Ndaj, problemet e shfaqura në dy ditët e para do të ishin kryesisht të kokës, diçka për të cilën menaxheri i kuqezinjve donte të ndërhynte menjëherë për të tentuar të ndryshonte tonin edhe sepse ndeshja e radhës nuk do të jetë e lehtë, në Olimpico kundër Lazios, dhe pastaj do të ketë pushim kombëtar.

  • Vdes nëna e Silvinjos

    Vdes nëna e Silvinjos

    Trajnerit të Kombëtares së Shqipërisë Silvinjos, i ka vdekur nëna. Lajmin e ka bërë të ditur Federata Shqiptare e futbollit përmes një njoftimi në faqen zyrtare.

    “Me keqardhje të thellë, Federata Shqiptare e Futbollit, është njohur sot me lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares shqiptare, Silvinjo. Federata Shqiptare e Futbollit i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes së trajnerit Silvinjo dhe të afërmve, për këtë humbje të madhe dhe të pazëvendësueshme”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.

    Për këtë ka reaguar edhe presidenti i kësaj federate, Armand Duka. Ai ka thënë se ky është nja lajm shumë i hidhur, përcjellë KosovaPress.

    “Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të nënës së trajnerit të Kombëtares sonë, Silvinjo. Në emrin tim, në emër të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të çdo anëtari të komunitetit të futbollit i përcjell trajnerit Silvinjo ngushëllimet më të sinqerta për këtë humbje të madhe. Në këtë moment të vështirë i gjendemi pranë Silvinjos dhe familjes së tij, që humbën një njeri shumë të dashur për ta”, ka thënë Duka.

  • Arrestohet një shtetase e Maqedonisë së Veriut, dyshohet për mashtrim

    Arrestohet një shtetase e Maqedonisë së Veriut, dyshohet për mashtrim

    Një shtetase e Maqedonisë së Veriut është arrestuar dje në Podujevë.

    Sipas Policisë së Kosovës, ajo dyshohet se e ka mashtruar një burrë me pagesë.

    “Podujevë 12.07.2024-15:00. Me datë 25.08.2024 është arrestuar e dyshuara femër shtetase e Maqedonisë veriore pasi që e njëjta kishte mashtruar viktimën mashkull kosovar lidhur me një pagesë. Me vendim të prokurorit e dyshuara dërgohet në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

    Po ashtu dje, një grua ka raportuar në polici se është sulmuar fizikisht nga burri i saj te hyrja e QKUK-së.

    I dyshuari është arrestuar dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

    “Prishtinë 25.08.2024-17:00. Viktima femër kosovare ka njoftuar se gjersa ishte tek hyrja e QKUK-së është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit lirohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

  • Trupi gjykues: S’ka urdhër që të monitorohen komunikimet mes të akuzuarve dhe avokatëve

    Trupi gjykues: S’ka urdhër që të monitorohen komunikimet mes të akuzuarve dhe avokatëve

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të hënën, kryetari i trupit gjykues, Charels Smith III njoftoi se nuk ka urdhër për monitorimin e komunikimeve në mes të akuzuarve dhe avokatëve në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Po ashtu, Smith III njoftoi se edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ka konfirmuar se nuk ka bërë përgjime të asnjë prej komunikimeve që mbrohen sipas Rregullores së gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Kjo deklaratë e gjykatësit erdhi gjatë një urdhri gojor në mocionin e përbashkët të mbrojtjes së katër të akuzuarve, të cilin e kishin dorëzuar më 17 qershor për mbrojtjen e privilegjit ligjor.

    “Ishte një kërkesë e përbashkët e mbrojtjes për mbrojtjen e privilegjit ligjor… më 28 qershor 2024 u përgjigj prokurori i specializuar dhe mbrojtja nuk u kundërpërgjigj. Më 16 korrik 2024, gjykatësja e vetme lëshoi vendim mbi kërkesën e mbrojtjes për garantimin e mbrojtjes së privilegjit ligjor. Trupi gjykues vëren që në vendimin e 16 korrikut dhe 24 korrikut, gjykatësi i vetëm konfirmoi se nuk kishte bërë monitorimin i komunikimeve të privilegjuara në asnjë formë, as tek vizitat personale, as të telekomunikimit, as të korrespodencës me shkrim dhe as të dokumentacionit në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit. Së dyti; garantojmë mbrojtjen se nuk ka asnjë urdhër për monitorimin e komunikimit të tyre në asnjë formë të akuzuarve në objektin e paraburgimit”, tha Smith III.

    Gjykatësi theksoi se tashmë është e qartë që mbrojtja e ka marrë nga organet përkatëse informacionin që duhet të merrte në këto rrethana.

    “Trupi gjykues vëren se nuk ka asnjë bazë ligjore për të bërë një garanci të atillë dhe mbrojtja mund të refuzojë një garanci të ngjashme nëse ofrohet në një rast të ngjashëm. Theksojmë se trupi gjykues nuk ka urdhëruar asnjëherë që të përgjohen komunikimet në mes të akuzuarve dhe avokatëve të tyre në objektin e paraburgimit”, tha tutje Smith III.

    Kurse urdhri i dytë me gojë kishte të bënte me dëshmitarin Stiven Russell për ndryshimin e një numri të dokumenti që i ishte prezantuar këtij dëshmitari.

    Po ashtu, Charles Smith III tha se administratorja do të nxjerrë kalendarin e seancave nga janari deri më 1 maj 2025 në këtë çështje gjyqësore.

    Avokatja e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra njoftoi për një bashkë-mbrojtës të ri në ekipin e tyre, e që ishte Detoshama Alagendra.

    Kryetari i trupit gjykues njoftoi se të gjithë të akuzuarit janë të pranishëm në sallën e gjyqit.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Digjitalizimi i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit në dhënien e subvencioneve nga MKRS-ja

    Digjitalizimi i domosdoshëm për rritjen e efikasitetit në dhënien e subvencioneve nga MKRS-ja

    Procesi i digjitalizimit po konsiderohet i domosdoshëm në dhënien e subvencioneve nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçanërisht në rritjen e efikasitetit. Kështu u tha në konferencën për media të organizuar nga Instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), raporton EO.

    Aty u tha se kjo analizë ka ardhur pasi MKRS-ja është ministria e dytë, pas Ministrisë së Bujqësisë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione dhe për këtë u tha se digjitalizimi i këtyre proceseve është domosdoshëm.

    Rrona Zhuri, koordinatore e hulumtimeve në GAP, ka thënë se 38 për qind e gjithsej buxhetit të përgjithshëm të MKRS është dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve.

    Ajo ka thënë se procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve të cilat kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS.

    “Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është një ndër ministritë me buxhetin më të madh të ndarë për grante dhe subvencione, me rreth 38 për qind të gjithsej buxhetit të përgjithshëm të saj të dedikuar për kategorinë e subvencioneve dhe transfereve. Megjithatë, procesi i ndarjes së këtyre fondeve, duke filluar nga faza e hapjes së thirrjeve e deri në përmbylljen e projekteve, ka shfaqur sfida të ndryshme përgjatë viteve. Këto sfida kanë pasur ndikim në efikasitetin dhe efektivitetin e subvencioneve kundrejt përmbushjes së përgjithshme të objektivave strategjike të MKRS”, ka thënë Zhuri.

    Ajo po ashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat përballet MKRS në këtë çështje.

    “Disa nga sfidat që janë evidentuar ndër vite janë mos funksionimi i sistemit online të Ministrisë si dhe platformës E-Kosova, humbja e dosjeve ose dokumenteve të aplikuesve nga ministria. Mungesa e transparencës gjatë proceseve të vlerësimit. Deri më tani, aplikimet janë bërë përmes dorëzimit fizik të dokumenteve ose përmes e-mailit. Si zgjidhje e duhur në këtë situatë është digjitalizimi i procesit të dhënies së granteve dhe subvencioneve nga MKRS”, ka thënë ajo.

    Besart Zhuja, hulumtues në Institutin GAP, ka thënë se ky studim bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve.

    “Ky është një studim që ka ardhë si pasojë e nevojës për adresimin e sfidave që kanë derivuar si rezultat i problemeve të shumta në aspektin e dhënies së granteve dhe subvencioneve të përvitshme nga ana e MKRS-së. Në thelb, studimi bënë thirrje për digjitalizim të krejt procesit të dhënies së granteve nga hapja e thirrjeve, e deri tek vlerësimi i tyre dhe menaxhimi i zbatimit të projekteve nga ana e përfituesve”.

    “Përgjatë periudhës 2021-2023 janë analizuar 51 thirrje të hapura. Ato janë analizuar sistematikisht. Aty përfshihet korniza ligjore ku përfshihen ligje e rregullore, e gjithashtu janë analizuar strategjitë aktuale për trashëgimi kulturore dhe rini, derisa për sport, MKRS vazhdon mos me pas një strategji që adreson atë. Në periudhën 2021-2023 MKRS ka ndarë 17 milionë euro për 2,399 projekte për individë dhe organizata të shoqërisë civile”.

    “Ne fazën e vlerësimit përmes digjitalizimit do te krijohej një siguri me e lartë për kredibilitetin e vlerësimeve, secili anëtar i komisionit do te jepte piken në sistem pa u ndikuar nga kolegët, kjo do të mundësonte në kredibilitet të rezultateve. Në aspektin e monitorimit te zbatimit, do te lehtësohej puna e stafit të MKRS-së, dhe do të rritej transparenca dhe llogaridhënia. Një problem tjetër që e kemi vërejt është aspekti i mbylljes së projektit, dokumentacioni origjinal ka humbur ose është ngatërruar, me digjitalizim kjo do të lehtësohej”, ka thënë ai.

  • ​Ademi tregon nëse po planifikohet ‘Final Four’ në Superligën e Kosovës

    ​Ademi tregon nëse po planifikohet ‘Final Four’ në Superligën e Kosovës

    Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka dal kundër idesë që në Superligën e Kosovës në futboll të aplikohet edhe sistemi i ‘Final Four’ për titullin e kampion, një sistem që po aplikohet në shumë vende, madje së fundit edhe në Shqipëri.

    Ademi për KosovaPress ka thënë se një gjë e tillë nuk është në planet e tij për momentin dhe kjo për shkak se në Kosovë mungon infrastruktura e duhur e stadiumeve.

    “Nuk e mendoj ta bëjë atë në ligën e Kosovës për momentin sepse ne së pari nuk e kemi infrastrukturën e nevojshme, nuk i kemi stadiumet e tilla. ‘Final Four’ bëhet për t’i pasur disa ndeshje më interesante dhe thjeshtë kjo është bërë për përfitim të të drejtave televizive dhe për bileta për klubet për të pasur shikueshmëri dhe profit më të mirë. Unë nuk konsideroj që në Kosovë mund ta kemi atë për faktin që nuk kemi stadiumet të tilla ose nuk e kemi një çmim të biletës. Shqipëria e ka bërë promocion dhe nuk është që nuk bëhet, mund ta bëjmë shumë lehtë, por realisht nuk e mendoj njëherë ta bëjë derisa të kryhet infrastruktura”, ka thënë Ademi.

    Ndryshe, Superliga e Kosovës në futboll, edicioni 2024-25 ka nisur dhe tashmë janë zhvilluar dy xhiro të tij.

  • Rama: Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027

    Rama: Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027

    Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë në vitin 2027. Kështu tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalës së tij në Konferencën e Ambasadorëve në Tiranë.

    “Shqipëria vitin tjetër do të mikpresë liderët e 44 vendeve evropiane nga Britania në Ukrainë apo nga Suedia e Norvegjia në Turqi vitin e ardhshëm në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Sa e rëndësishme është për ne që jemi një vend i vogël që të përfaqësohemi me volumin më të lartë të ambicies dhe aftësisë për të qenë të respektueshëm, na jep mundësinë që ne të jemi mikpritës i Samitit të NATO-s vitin 2027, as që mund të imagjinoheshin vite më pare”, tha Rama, shkruan TCh, transmeton KosovaPress.

    “Tirana Diplo 2024” titullohet konferenca e Ambasadorëve, e cila nisi sot punimet në Tiranë.

    Në konferencën, e cila do të zhvillohet deri në 28 gusht, përveç kryeministrit Rama, marrin pjesë ambasadorë, krerë të posteve konsullore, si dhe janë të ftuar personalitete të shtetit shqiptar dhe të huaj.

  • Prej sot gjoba për vozitësit që nuk kanë ndërruar patentë shoferët serbë

    Prej sot gjoba për vozitësit që nuk kanë ndërruar patentë shoferët serbë

    Të premten ka përfunduar procesi i zëvendësimit të patentë shoferëve të Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

    Nga dita e sotme, drejtuesit e automjeteve që nuk kanë ndërruar dokumentet, gjobiten nëse kapen nga policia rrugore duke drejtuar automjetet e tyre.

    Pesë muaj pas përfundimit të ri-regjistrimit të automjeteve nga targat e Serbisë në ato të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës filloi procesin e ndërrimit të patentë shoferëve. Shoferëve u është dhënë një afat prej tre muajsh e gjysmë që t’i ndërrojnë patentë shoferët e lëshuar nga MPB-ja e Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patentë të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës. Fillimisht u dha afati nga 9 maji deri më 9 gusht, e më pas MPB-ja e Kosovës e zgjati procesin e zëvendësimit deri më 23 gusht. Ky afat ka skaduar të premten, kështu që nga sot vozitësit, para së gjithash në veri të Kosovës ku ka pasur më së shumti dokumente të tilla, nuk do të mund të drejtojnë më veturat e tyre nëse kanë dokumente serbe.

    Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës gjatë fundjavës ka paralajmëruar se vozitësit që nuk kanë bërë zëvendësim nuk do të mund t’i ngasin veturat e tyre dhe nga sot do të fillojnë me ndëshkimin e tyre, pasi që dokumentet e tilla konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

    Nuk dihet se sa do të jetë shuma e gjobës dhe siç tha MPB-ja e Kosovës, këto gjoba do të caktohen nga gjykata. Procesi i shkëmbimit të patentë shoferëve ka shkuar pa probleme dhe gjatë kësaj periudhe janë shkëmbyer mbi 6.300 dokumente.

    Më së shumti kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve janë paraqitur në veri të Kosovës, 5.574.

    Në Leposaviq ka pasur 1.944 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 1.536, në Zubin Potok 940 dhe në Zveçan 1.154.