ATV

Author: ATVLive

  • Hapja e Urës së Ibrit, cili ishte efekti i vizitës së shefit të CIA-s?

    Hapja e Urës së Ibrit, cili ishte efekti i vizitës së shefit të CIA-s?

    Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë po duket se i ka dhënë efektet e veta. Ajo që ishte krye temë deri në fillim të javës që shkoi, më nuk po përmendet nga partia në pushtet e Qeveria e Kosovës sot nuk i ka kthyer përgjigje as Dukagjinit nëse priten zhvillime për hapjen e urës mbi Ibër. Por, atje qytetarët dhe përfaqësuesit politikë fajtor për gjendjen po i lënë ndërkombëtarët

    Ajo çka ishte temë kryesore javën e kaluar, këtë javë ka mbetur pak nën hije.

    Kompania që kreu vlerësimet mbi urën e Ibrit ende nuk ka dhënë raportin final, e lidhur me këtë nuk dhanë ndonjë sqarim as nga ministria e Infrastrukturës, e as nga Qeveria Kosovës këtë të hënë.

    Por, në Mitrovicën Veriore thuajse të gjithë janë njëzëri që kjo urë të hapet.

    Madje kërkojnë nga ndërkombëtarët, që ose të hapin urën ose të sqarojnë pse nuk po lejojnë një gjë të tillë.

    Nexhat Ugljanin, kryesues i Kuvendit Komunal në M.V deklaroi se “Nuk kemi sqarim, nuk ka as përgjigje kur i pyesim, pse janë kundër lëvizjes së veturave, sepse me hapjen e saj lirohet rruga, lëvizja e lirë është fryma demokratike europiane, por që kur i pyesim nuk kanë përgjigje konkrete”.

    Ngjashëm, mendon edhe asamblisti tjetër nga radhët e iniciativës qytetare “Mitrovica”, Skënder Sadiku, veçse ky prapë insiston që gjithçka të veprohet në koordinim me ta.

    Skënder Sadiku, Iniciativa qytetare “Mitrovica” tha “Vonë është hapja e urës, është dashtë edhe të mos jetë temë fare tash, është bërë matja se sa mund të duroj kjo urë, po askush nuk ka ba matje sa mund të durojnë njerëzit.”

    Kurse edhe qytetarët e Mitrovicës Veriore, thonë se janë ndërkombëtarët ata që kanë ndërprerë këtë proces.

    Nysret Krasniqi, qytetar tha se ” Hapja e urës është e nevojshme, se urat lidhin çdo popull, por ndërkombëtarët janë kundër, kanë dal pengesë, edhe pa vendos ata nuk mundët kërkush me hap”.

    Zymber Ismajli, qytetar deklaroi se “Kjo nuk është dashtë me u mshel hiç I vjen vakti edhe hjeket, se këto ndërkombëtarët i majnë nuk i mbajnë as serbët, ndërkombëtarët për interesa të veta politike, qetash ata me dashtë me i hjek i hjekin edhe kerkush zo nuk bon hiç, hiç”.

    Për planet e Qeverisë në hapjen e urës ose veprimet e tyre tutje, nuk janë përgjigjur sot për Dukagjinin.

    Javën e kaluar kur ishte në SHBA e para vizitës së shefit të CIA-s në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti tha se ‘nuk do t’i befasojnë ndërkombëtarët por as nuk mund të presin pafundësisht’.

  • ​Botërori i Kickbox-it/ Kosova e nis me dy fitore në Budapest

    ​Botërori i Kickbox-it/ Kosova e nis me dy fitore në Budapest

    Në Budapest të Hungarisë po zhvillohet Kampionati Botëror i Kickbox-it në kategorinë e juniorëve.

    Në këtë kampionat po marrin pjesë 2253 garues nga 68 shtete të botës, derisa Kosova po paraqitet me gjashtë garues. Të hënën janzë zhvilluar duelet e para ku luftuan edhe tre garues nga Kosova.

    Nart Mehmeti fitoi meçin e parë në ballafaqim me rivalin e tij meksikan, Gent Hyseni gjithashtu mori fitore ndaj kickobksierit italian.

    Kosova po merr pjesë në këtë kampionat me gjashtë garues dhe luftërat tjera do të zhvillohen sot. I kënaqur me paraqitjen e tyre është shprehur përzgjedhësi Nasret Salihaj.

  • Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

    Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, sot dëshmon dëshmitari i radhës

    Në Gjykatën Speciale në Hagë do të vazhdojë gjykimi ndaj ish krerëve të UÇK-së.

    Gjykimi do të rifillojë sot, 27 gusht, në orën 09:00, me dëshminë e dëshmitarit të ri të ZPS-së, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Gjatë ditës së djeshme ka përfunduar dëshminë dëshmitari Skender Zhitia në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Dëshmitari tha se populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe djemtë të cilët e kanë themeluar atë.

    “Ushtria Çlirimtare e Kosovës-organizatë politike dhe ushtarake është projekti më i suksesshëm i kombit shqiptar në shekullin XX. UÇK jo vetëm që dinë me organizu luftë të drejtë e të nevojshme, por ka organizu dhe udhëheqë luftë të domosdoshme për ekzistimin e popullit shqiptar në trevat e veta dhe me luftën e vetë të drejtë ka arrit me e ba aleat edhe forcën kryesore siç ka qenë NATO. Ushtria Çlirimtare e Kosovës me këtë luftë e ka bërë epokën e vetë. Populli shqiptar mburret me UÇK-në dhe me ata djem që e kanë themelu UÇK-në. Drejtuesit e UÇK-së janë një emblemë që do të rrezatojë gjithmonë edhe në historiografinë shqiptare”, tha dëshmitari Zhitia duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së Krasniqit.

    Ish-drejtuesit e UÇK-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, po gjykohen në Gjykatën Speciale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij , sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

  • ​Ronaldo: Nuk e shoh veten trajner futbolli

    ​Ronaldo: Nuk e shoh veten trajner futbolli

    Ylli botëror i futbollit, Cristiano Ronaldo ka folur për të ardhmen e tij pas futbollit, duke thënë se ai nuk e sheh veten duke u marr me këtë sport pas pensionimit të tij.

    Portugezi ka deklaruar se në mendjen e tij është të merret me diçka që nuk ka të bëjë me futbollit pas pensionimit, përcjellë KP.

    “Në mendjen time nuk e konsideroj të jem trajner i ndonjë klubi futbollistik. As nuk e mendoj këtë. Ndoshta e shoh të ardhmen duke bërë gjëra jashtë futbollit”, ka thënë Ronaldo.

  • Rrahu gruan, policia arreston të dyshuarin në Podujevë dhe ia konfiskon një armë

    Rrahu gruan, policia arreston të dyshuarin në Podujevë dhe ia konfiskon një armë

    Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të dhunës në familje që ka ndodhur ditën e hënë në Podujevë.

    Policia bën të ditur se ka arrestuar një person, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas së tij.

    “Podujevë / 26.08.2024 – 15:20. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij viktimës femër kosovare. Nga i dyshuari është sekuestruar një armë zjarri AK-47 me 200 fishekë”, njofton policia.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Franca akuzon themeluesin e Telegram-it për “mos ofrimin e informacionit për autoritetet”

    Franca akuzon themeluesin e Telegram-it për “mos ofrimin e informacionit për autoritetet”

    Në mesin e akuzave ndaj Pavel Durov, themeluesi dhe CEO i aplikacionit të mesazheve Telegram, i cili ishte arrestuar në Francë, është edhe “refuzimi i dhënies së informacion për autoritetet”, transmeton Anadolu.

    Sipas lajmit të gazetës britanike “The Guardian”, prokurorja publike e Parisit, Laure Beccuau, ka thënë se akuzat kundër Durov përfshijnë krime të tilla si transaksione të paligjshme, abuzim seksual të fëmijëve, mashtrim dhe refuzim për të dhënë informacion autoriteteve.

    Ajo tha se Durov u arrestua si pjesë e hetimit “X”, i cili u hap më 8 korrik pas një hetimi paraprak nga oficerët e Luftës së Krimit të Organizuar.

    Durov, i cili po merret në pyetje në polici, po hetohet për 12 krime të ndryshme.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjithashtu bëri një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale, duke pohuar se Durov u ndalua si pjesë e hetimit gjyqësor në lidhje me Telegram dhe sipas tij, ky “në asnjë mënyrë nuk ishte një vendim politik”.

    – Procesi i arrestimit dhe më pas

    Sipas raportimeve në mediat ruse dhe franceze, Durov ishte arrestuar më 24 gusht për akses në përmbajtje të paligjshme në Telegram. Arrestimi i Durov në aeroportin e Parisit, shkaktoi shumë polemika.

    Telegram njoftoi se kompania është në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian (BE) dhe i përshkroi akuzat kundër Durov si “absurde”.

    Ndërkohë që u bënë shumë reagime nga Rusia në lidhje me ndalimin e Durov, pronari i rrjetit social X, Elon Musk, gjithashtu bëri thirrje për “lirimin” e Durov.

    Autoritetet gjyqësore franceze zgjatën periudhën e paraburgimit të Durov. Përderisa periudha e paraburgimit në Francë është e kufizuar në maksimum 96 orë, mund të vendoset nëse Durov do të lirohet apo do të mbahet në arrest në fund të kësaj periudhe.

  • ​Nusja zbuloi se i fejuari i saj e kishte tradhtuar dhe vazhdoi dasmën pa dhëndrin

    ​Nusja zbuloi se i fejuari i saj e kishte tradhtuar dhe vazhdoi dasmën pa dhëndrin

    Lindsay Slater, një 31 vjeçare nga Mansfield Nottingham i Britanisë së Madhe, pretendon se zbuloi se i fejuari dhe partneri i saj prej 12 vitesh, 36 vjeç, kishte fjetur me dikë tjetër.

    Ajo pretendoi se pasi u përball me të, partneri i saj u largua nga shtëpia e familjes dhe ajo u përball me anulimin e dasmës së tyre të ardhshme, e cila i kushtoi 35 mijë euro. Megjithatë, në një përpjekje për të mos u mposhtur, ajo vendosi ta kthejë ditën e tyre të madhe në një festë, të cilën ajo e quajti një “festim i lirisë”.

    Lindsay u dërgoi mesazhe të ftuarve të tyre të ditës për të dhënë lajmin dhe postoi një status në Facebook për të informuar mysafirët e saj për mbrëmjen.

    Rreth 60 deri në 70 të ftuar erdhën në pritje e cila përbëhej nga ushqimi ulur, fjalime dhe një festë e drejtuar nga një DJ dhe lojtarë bongo.

    Madje Lindsay u nis në muajin e saj të mjaltit më 20 gusht në një vendpushim në Greqi, me shoqen e saj.

    Ndërsa ajo nuk ishte ende gati për të vazhduar më tej, Lindsay tha se dasma e saj e bëri atë të ndihej më e fortë.

    ‘Nuk e dija se si do të mbijetoja, isha e shqetësuar, ishte tepër vonë për t’i kthyer planet e dasmës. Të gjitha ato para ishin shpenzuar. Por ishte një pjesë e madhe e imja që mendonte “Unë jam i lirë”, është fillimi i një epoke më të mirë. Jam e lumtur që e bëra, më pëlqeu shumë dita”, tha ajo.

    Lindsay dhe ish-i i saj u fejuan në fillim të vitit 2020 pasi ishin së bashku vazhdimisht që nga viti 2012.

    Ajo thotë se dyshja kishin ‘ngritjet dhe uljet’ e tyre si çift, por ishin të emocionuar për ditën e tyre të dasmës.

    Pas katër vitesh planifikim dhe 35,000 euro të shpenzuara për ceremoninë, ushqimin, fotografin dhe festën, data u caktua të shtunën, 17 gusht.

    Por përpara dasmës, Lindsay pretendon se partneri i saj rrëfeu se kishte tradhtuar kur u përball me të.

    Ish-partneri i Lindsay nuk pranoi të komentonte, por pranoi se e kishte tradhëtuar./Dailymail/

  • ​Rinovohen në tërësi hapësirat e Klinikës Emergjente

    ​Rinovohen në tërësi hapësirat e Klinikës Emergjente

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të shoqëruar nga drejtori i ShSKUK-së, Elvir Azizi, do të marrin pjesë në ceremoninë e përurimit të Klinikës Emergjente, ku në tërësi iu janë rinovuar hapësirat.

    Përmes investimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, hapësirat e Klinikës Emergjente i janë nënshtruar një renovimi të tërësishëm, hapësira këto që do të jenë më lehtë të qasshme për stafin dhe qytetarët që marrin shërbime.

    Bazuar në të dhënat në prokurimin publik vlera e kontratës për rinovim të emergjencës është 779 mijë euro.

    Klinika Emergjente e Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës, vazhdon ta ketë barrën kryesore në ofrimin e shërbimeve shëndetësore emergjente për pacientët e Kosovës.

    Bazuar në raportin gjashtë mujor të punës, 46 mijë e 769 pacientë kanë marrë shërbime shëndetësore, prej tyre 4 mijë e 770 pacientë janë pranuar për trajtim të mëtejmë në klinika të ndryshme internistike dhe kirurgjike.

    Nga numri i përgjithshëm i pacientëve, mbi 10 mijë pacientë janë trajtuar në reanimim, 15 mijë ne shërbimin internistik, 7 mijë e 505raste kirurgjike, mbi 10 mijë pacientë në shërbimin ortopedik.

    Po ashtu, për këtë periudhë kohore janë kryer 636 operacione në sallat operative dhe mbi 3 mijë raste në sallën e vogël të intervenimeve.

    ShSKUK ka përmirësuar dukshëm furnizimin me barna dhe material shpenzues, ku me prioritet të lartë është furnizuar Klinika Emergjente.

    Duhet të theksohet se ShSKUK ka marrë masa bashkë me spitalet e përgjithshme, që rastet emergjente që mund të marrin trajtimin në spitalet e përgjithshme, mos të referohen në QKUK.

  • Zelensky kërkon plan të qartë për bashkëpunëtorët e Rusisë

    Zelensky kërkon plan të qartë për bashkëpunëtorët e Rusisë

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky zhvilloi një takim me krerët e agjencive të zbatimit të ligjit, ku temë kryesore ishte hetimi i çështjeve penale kundër bashkëpunëtorëve, kalimet e paligjshme të kufirit dhe programin kundër korrupsionit.

    Kështu thuhet në një postim të presidentit në Telegram.

    “Takim me krerët e agjencive ligjzbatuese dhe antikorrupsionit. Fokusi kryesor është kundërveprimi i bashkëpunëtorëve, hetimi i procedimeve penale kundër atyre që justifikojnë agresionin e Rusisë, i shërbejnë kësaj lufte kundër Ukrainës, kalimeve të paligjshme të kufijve dhe programit kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratë.

    Siç u përmend, brenda dy javësh, oficerët e zbatimit të ligjit duhet të hartojnë dhe paraqesin një plan për zgjidhjen e çështjeve problematike.

    Siç raportoi Ukrinform, kabineti i ministrave miratoi Programin Shtetëror Kundër Korrupsionit për 2023-2025 më 4 mars 2023. Ky dokument përcakton një sistem masash specifike kundër korrupsionit që synojnë zbatimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

  • ​James Carroll, mjeku hero

    ​James Carroll, mjeku hero

    Mjeku i Ushtrisë Amerikane, James Carroll, më 27 gusht të vitit 1900, në Havanë të Kubës, lejoi një mushkonjë të infektuar të ushqehej me gjakun e tij, në përpjekje për të izoluar bartësin e transmetimit të etheve të verdha.

    Carroll u sëmur rëndë nga ethet e verdha, duke ndihmuar kështu kolegun e tij, patologun e ushtrisë Walter Reed, të provojë se janë mushkonjat ato që transmetojnë sëmundjen shpesh herë vdekjeprurëse të etheve të verdha.

    Para këtij zbulimi, epidemitë e etheve të verdha ishin diçka e zakonshme në Jugun Amerikan dhe rajone të tjera tropikale dhe subtropikale në gjithë botën.

    Teoria e transmetimit të sëmundjes nga mushkonjat, e zhvilluar nga Walter Reed dhe anëtarët e grupit të tij, James Carroll, mjeku kuban, C.J. Finlay dhe Sekretari amerikan i Shëndetësisë, W.C. Gorgas, u hapën rrugën përpjekjeve të para për zhdukjen e mushkonjave dhe masave higjeno-sanitare, për të kontrolluar sëmundjen në Kubë.

    Gjysmë shekulli më vonë, më 1951 mikrobiologu amerikan, Max Theiler, u nderua me Çmimin Nobel për Mjekësinë, për studimet e tij mbi ethet e verdha dhe më së fundi për zhvillimin e një vaksine kundër kësaj sëmundjeje tek njerëzit.