ATV

Author: ATVLive

  • Kryetari dhe anëtarët e KQZ’së takohen më Loiseau, flasin për përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve

    Kryetari dhe anëtarët e KQZ’së takohen më Loiseau, flasin për përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve

    Kryetari, Kreshnik Radoniqi dhe anëtarët e KQZ’së pritën në takim Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian dhe njëkohësisht shefe e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian.

    Në qendër të diskutimeve ishin përgatitjet për organizimin e Zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Fillimisht, Radoniqi shprehu rëndësinë e madhe që ka për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve, pasi në këtë mënyrë do të rritet besueshmëria në procesin zgjedhor dhe se gjetjet e vëzhguesve do të merren seriozisht nga KQZ, ashtu si në të kaluarën.”

    Radoniqi informoi vëzhguesit nga BE lidhur me përgatitjet që aktualisht është duke i zhvilluar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për organizimin e Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, siç është zhvillimi i votimit përmes postës për votuesit jashtë vendit dhe trajnimi i trupave zgjedhore.

  • Pretendimet për shkelje të të drejtave të paraburgosurve, Specialja thotë se Kryqi i Kuq vazhdimisht kryen inspektime

    Pretendimet për shkelje të të drejtave të paraburgosurve, Specialja thotë se Kryqi i Kuq vazhdimisht kryen inspektime

    Lidhur me komentet e deklaratat që kanë qarkulluar kohën e fundit lidhur me kushtet në Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, si dhe pretendimet se Nasim Haradinajt i janë shkelur të drejtat sa ishte në paragburgim, DHSK thotë se Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kryen vazhdimisht inspektime pa paralajmërim.

    Zëdhënësja e Speciales, Angela Griep, gjatë konferencës javore sqaroi se ky objekt monitorohet nga Komiteti i lartpërmendur, i cili sipas saj kryen inspektime të paparalajmëruara dhe të pavarura për të shikuar nëse të drejtat e të paraburgosurve respektohen sipas standardeve ndërkombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Javët e fundit ka pasur komente në lidhje me kushtet e paraburgimit. Dua të shfrytëzoj rastin të sqaroj se objekti i paraburgimit i DHSK-së monitorohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (NNKK), i cili kryen inspektime të rregullta, të palajmëruara dhe të pavarura në objektin e paraburgimit për të këqyrë respektimin nga njësia e paraburgimit të të drejtave të njeriut, së drejtës ndërkombëtare dhe të standardeve të pranuara të trajtimit”, tha Griep.

    Ajo veç kësaj, përmendi edhe Avokatin e Popullit të DhSK-së, i cili sipas saj kryen inpektime të rregullta për mbikëqyrjen e kushteve të paraburgimit.

  • ​Qytetarët kundër gjuhës së ashpër së partive politike në fushatë

    ​Qytetarët kundër gjuhës së ashpër së partive politike në fushatë

    Qytetarët shprehen të shqetësuar për përdorimin e gjuhës së ashpër në tubimet zgjedhore. Sipas tyre kjo nuk duhet të bëhet nga njerëz të shkolluar e që mbajnë pozita në shtet. Ata thonë se partia në pushtet po përdorë gjuhë të ashpër, ngase sipas tyre “po mendojnë t’i përfitojnë votuesit më herët” dhe se po frikësohet se nuk do ta arrijë 51 për qindëshin e kërkuar.

    Gjatë ditës së sotme, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka dënuar tri subjekte politike për shkelje të “Kodit të Mirësjelljes” gjatë fushatës zgjedhore.

    Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje është dënuar me tre mijë euro për gjuhën e përdorur të kryeministrit Albin Kurti në Pejë më 13 janar. Lidhja Demokratike e Kosovës është dënuar me 20 mijë euro dhe me 12 mijë euro Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Për këto dënime për LDK-në dhe AAK-në ankesa është bërë nga Lëvizja Vetëvendosje.

    Për përdorim të gjuhës së ashpër, kryeministri Albin Kurti mori kritika më të forta nga qytetarët shkaku i pozicionit të tij në pushtet.

    Qytetari Hamdi Haliti e quajti shprehje banale fjalën “zuzarë” të përdorur nga Albin Kurti në tubimin në Mitrovicë. Përveç kësaj, ai tha se nuk u beson premtimeve të partive politike, ngase “kur po ulen në karrige po i harrojnë ato”.

    “Fushata zgjedhore tash që ka filluar është një gjuhë pak më e ashpër, po më duket mua. Nuk e di për çfarë arsye, a po mundohen t’i përfitojnë tash votuesit çdonjëri apo nuk e di. Asnjë parti nuk ka filluar mirë ashtu, e qetë. LDK-ja e ka një nismë më të mirë. Vetëvendosja, kryeministri, po mundohet pak t’i jep me forcë t’i tërheqë votuesit… A po mendon se cilado parti që do të fitojë në këto zgjedhje do t’i përmbushë premtimet që po jepen në fushatë? Jo, se jemi mësuar qe 25 vjet që tjetër premtojnë e shumë pak përmbushin. Kur po ulen në karrige, atëherë po harrojnë për paga e premtimet që kanë bërë…Po më duket pak Albini do farë, nuk po i kuptoj termet e tij. Një farë fjalie që e përdori zuzakët apo zuzarët…Po bie pak si shprehje banale. Përdori të gjitha mënyrat paqësore në mënyrë të thjeshtë dhe të butë, dhe realizo premtimet”, tha Haliti.

    Mustafë Ahmetxhekaj thotë se të gjitha partitë pa dallim po e teprojnë me gjuhën e ashpër dhe sugjeron që ato më tepër të orientohen në shpalosjen e plan-programeve zgjedhore.

    “Nuk është mendim i mirë me fol keq e me shpreh urrejtje ndaj njëri-tjetrit. Partitë politike janë parti politike, të gjitha janë interesa. Por, nuk është e nevojshme të shprehin mënyrën negative, të shprehin urrejtje ndaj njerëzve, ndaj partive. Sepse të gjithë jemi njerëz. Mirëpo, kjo është fushatë zgjedhore dhe është normale…Të gjitha partitë po e teprojnë, sepse vetë natyra e zgjedhjeve ashtu që duhet të flasin, por jo në këtë formë siç po paraqiten siç i pashë para dy apo tri dite. ‘Jo këta janë kështu, e ata ashtu’. Duhet të orientohen më tepër në bazë të programit, projekteve, punën që bëjnë e që do ta bëjnë. Gjuha e urrejtjes nuk është e favorshme as për popullin, as për partitë politike”, tha Ahmetxhekaj.

    Ndërkaq, Sherif Kabashi vlerëson se përdorimi i gjuhës së ashpër nga kryeministri Kurti po bëhet, “se ndoshta po frikësohet”.

    “Kohën e fundit Albini po bërtet pak më shumë, ndoshta po frikësohet, që nuk mund t’i bëjë 51 për qind. Partia e parë do të del, por 51 për qind nuk do t’i bëjë…Fushata po shkon mbarë. Fjalorin po e përdorin mirë të gjithë, por Kurti po bërtet pak më shumë, po iu thotë ‘dallaveregji’, po iu thotë me fjalët më të vështira. Si t’i përmend fjalët më të vështira, ai ose frikësohet për diçka ose mendon se do të fitojë 70 për qind siç ka thënë. Këtë vit, jo! Sa për qind pret që t’i fitojë këtë vit? 35-37 se ka premtuar shumë e s’ka bërë asgjë. Në veri mirë që ka bërë shumë, por këndej nuk ka bërë asgjë, as nuk ka ndërtuar autostradë. 60 çerdhe ka thënë në Prishtinë, i ka ndërtuar 4-5. Asfalt hiç, asgjë, vjedhje, kolegët e tij kanë vjedhur sa kanë mundur”, tha Kabashi.

    Edhe Sherif Vrajolli thotë se fushata ka filluar mbarë dhe qetë, por shprehet i shqetësuar me gjuhën e përdorur nga partitë politike.

    “Mirë po shkon fushata në përgjithësi, përveç këta fjalorin që e kanë pak si gjithë Vetëvendosja. E kanë një fjalor shumë të keq dhe nuk më pëlqejnë. Përndryshe, mirë është duke shkuar fushata…Më pengon se kryeministri nuk duhet të merret me disa gjëra banale, me disa fjalë që i thotë, mua nuk më duken të mira ato…Pres ndryshim, besoj që do të jetë më mirë, një parlament që i ka hije…Fushata kështu fillon, më vonë pritet pak më tepër të ndizet”, thotë Vrajolli.

    Secila parti duhet ta kontrolloj veten, thotë një qytetar i cili nuk deshi ta bëjë të ditur identitetin.

    “Duhet të ruajnë gjuhën, të mos flasin gjithçka. Ne tash të gjithë jemi, shpresojmë të fitojë më i miri dhe më i drejti. Ne i kemi sytë te rinia. Nëse flasim në mënyrë jo të hijshme, atëherë kjo nuk është në rregull. Secila parti duhet ta kontrollojë veten”, tha ai.

    Musli Haxholli potencon se në vend të gjuhës së vrazhdë, partitë duhet t’i paraqesin plan-programet dhe t’i lënë votuesit të zgjedhin ata që dëshirojnë.

    “Fushata ka filluar mirë për disa parti. Fushatë të mirë është duke bërë opozita, PDK-ja, LDK-ja, edhe Aleanca gjithashtu. Mirëpo, nuk po më pëlqen partia në pushtet çfarë fjalori po e përdorë kundër partive në opozitë. Kjo nuk ka qenë kurrë. Ajo duhet ta paraqesë plan-programin e vet, secila parti. Në bazë të plan-programit qytetari vendos kujt t’i jep votën. Vota është e fshehtë. Fjalë, gjuhë vulgare. Nuk bën të thuhen ato fjalë nga njerëzit e shkolluar. Njeri i shkolluar me fakultet ose magjistër, ose deputet nuk guxon t’i thotë ato fjalë…Tubimet janë të qeta për momentin, por vjen duke u forcuar. Sa më afër zgjedhjeve, çdo parti e ka dëshirën e vet të fitojë”, potencon Haxholli.

    Më 11 janar ka filluar zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit. Në garë janë 28 subjekte politike dhe 1 mijë e 280 kandidatë për deputetët të certifikuar nga KQZ-ja. /kp

  • “Golden Eagle” zbarkon edhe në Dubai

    “Golden Eagle” zbarkon edhe në Dubai

    Pija e njohur energjike “Golden Eagle” nga kompania Frutex, tashmë ka arritur edhe në Dubai, duke sjellë një prekje energjie të artë në zemër të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    Kompania Frutex, me prezencën e saj edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, vazhdon të kryesojë eksportin e pijeve nga Kosova me një rritje mbresëlënëse prej 66% gjatë vitit të fundit, duke kontribuar ndjeshëm në ekonominë e vendit.

    Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës dhe Instituti GAP, eksportet e pijeve kanë arritur në 47 milionë euro për vitin 2024, një rritje e konsiderueshme krahasuar me vitet e kaluara.

    Frutex, me produktet e saj të njohura si “Golden Eagle”, “Natural” dhe “Relax”, ka arritur të zgjerojë prezencën e saj në tregjet ndërkombëtare, duke i bërë këto produkte të preferuara për konsumatorët jashtë vendit.

    Ky sukses i Frutex jo vetëm që pasqyron cilësinë dhe inovacionin në prodhimin e pijeve, por gjithashtu dëshmon kapacitetin e kompanive kosovare për të konkurruar me sukses në tregjet globale.

  • ​Dyshohet se mori pjesë në grupin terrorist “Al Nusra”, ngrihet aktakuzë ndaj O.K

    ​Dyshohet se mori pjesë në grupin terrorist “Al Nusra”, ngrihet aktakuzë ndaj O.K

    Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj të pandehurit O.K, për shkak të kryerjes së veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

    Në njoftim thuhet se Prokurori i shtetit, pas mbledhjes dhe analizimit të provave personale dhe materiale, ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri O.K, që nga janari 2013, i është bashkuar dhe ka marrë pjesë në veprimtarin e grupit terrorist “Al Nusra”, në rrethinën e qytetit të Damaskut, në shtetin e Sirisë, duke ndërmarr veprime konkrete të caktuara nga udhëheqësit e kësaj organizate, andaj, me këtë edhe e ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së.

    “Po ashtu, Prokurori i Shtetit, ka kërkuar nga Gjykata që të pandehurin ta shpallë fajtor, duke e dënuar sipas Kodit Penal dhe të njëjtit t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim e këtij rasti penal”, thuhet në njoftim.

  • ​Rumania cakton datën e zgjedhjeve presidenciale

    ​Rumania cakton datën e zgjedhjeve presidenciale

    Qeveria e Rumanisë ka njoftuar se zgjedhjet e reja presidenciale do të mbahen në maj, pasi Gjykata e Lartë në një ndryshim spektakolar anuloi zgjedhjet presidenciale më 6 dhjetor, dy ditë para raundit të dytë, duke pretenduar se rezultati i raundit të parë të zgjedhjeve ishte rezultat i ndërhyrjes ruse.

    Gjykata e Lartë vendosi se kandidati kryesor Calin Georgescu, një kritik i NATO-s, përfitoi nga një fushatë e padrejtë në mediat sociale që, sipas gjykatës, ka të ngjarë të ishte organizuar nga Rusia, të cilën Moska e mohoi. Gjykata më pas urdhëroi që zgjedhjet të përsëriten në tërësi.

    I takonte qeverisë së koalicionit pro-evropian të caktonte datën e zgjedhjeve.

    “Rundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 4 maj dhe raundi i dytë më 18 maj,” tha zëdhënësi i qeverisë Mihai Constantnin.

    Që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, Rumania, një anëtare e BE, është vënë në shënjestër të mbështetësve të kandidatit presidencial 62-vjeçar Georgescu, i cili fitoi një fitore të papritur në raundin e parë.

    Autoritetet e akuzuan atë për përfitim nga një fushatë ilegale në TikTok dhe Komisioni Evropian nisi një hetim.

    Dhjetëra mijëra rumunë kanë shprehur zemërimin për anulimin e zgjedhjeve presidenciale, duke kërkuar një rivotim dhe dorëheqjen e presidentit aktual Klaus Iohannis.

    Iohannis, mandati i të cilit skadoi më 21 dhjetor, do të qëndrojë në pushtet derisa të zgjidhet pasardhësi i tij.

    Të dielën, dhjetëra mijëra protestues, përfshirë të majtët dhe ata të zemëruar nga anulimi i zgjedhjeve, iu bashkuan një demonstrate të organizuar nga Aleanca e krahut të djathtë të opozitës për një Rumani të Bashkuar (AUR), partia e dytë më e madhe në Rumani.

    Organizatorët thanë se 100.000 njerëz morën pjesë në protestë, por policia vlerësoi se numri ishte afër 20.000. Protestuesit valëvitën flamuj dhe brohoritën “Liri” dhe “Kthejeni raundin e dytë”.

    Nuk dihet nëse Georgescu, i cili kritikon NATO-n dhe kundërshton mbështetjen e Rumanisë për Ukrainën, do të lejohet të kandidojë përsëri. Ai apeloi vendimin e Gjykatës së Lartë Rumune dhe gjithashtu paraqiti një apel në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

    Rumania ka kufirin më të gjatë tokësor me Ukrainën në BE dhe NATO. Ai ndihmoi në eksportimin e miliona tonëve grurë ukrainas përmes portit të Konstancës në Detin e Zi, trajnoi pilotët ushtarakë ukrainas dhe i dhuroi Kievit sistemin antiraketë Patriot.

    Rumania është një nga shtyllat e krahut lindor të NATO-s, së bashku me Hungarinë dhe Sllovakinë, të cilat janë të prira drejt Rusisë, dhe në përgjigje të kësaj, disa forca politike pro-evropiane rumune u bashkuan në fund të dhjetorit dhe formuan një qeveri. Ata, siç është paralajmëruar, duhet të zgjedhin një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e përsëritura presidenciale.

  • Transferoni studimet në Kolegjin AAB dhe ndërtoni një të ardhme të suksesshme

    Transferoni studimet në Kolegjin AAB dhe ndërtoni një të ardhme të suksesshme

    Aspironi të ndërtoni një të ardhme të ndritur në një institucion që ofron mundësi unike dhe ju hap dyert drejt një karriere të suksesshme?

    Kolegji AAB ju fton të përfitoni nga programet më të avancuara dhe një përvojë akademike të papërsëritshme.

    Bashkohuni me një komunitet që vlerëson dhe mbështet çdo hap të suksesit tuaj.

    Transferoni studimet tuaja në AAB dhe përjetoni diferencën që bën cilësia, inovacioni dhe përkushtimi ynë ndaj arritësve tuaja.

    Transfero ëndrrat në realitet!

    Linku për aplikimi: https://aab-edu.net/transferi-i-studimeve/

  • Berisha: Siguria kibernetike duhet të jetë prioritet për Kosovën

    Berisha: Siguria kibernetike duhet të jetë prioritet për Kosovën

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-NISMA, Zafir Berisha, në emisionin COMPASS në ATV, theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike për të mbrojtur vendin nga kërcënimet e luftërave bashkëkohore.

    Berisha tha se lufta kibernetike është një sfidë globale që kërkon investime strategjike në teknologji dhe mbrojtje.

    “Ne tash kemi një luftë të të paparë në opinion, që quhet luftë kibernetike midis vendeve dhe grupeve të ndryshme të interesit”, tha Berisha.

    Ai shtoi se siguria kibernetike kërkon koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për të forcuar strukturat ekzistuese.

    “Shtimi i kapaciteteve në fushën e sigurisë, përfshirë ushtrinë, policinë dhe segmente tjera, është i domosdoshëm”, deklaroi Berisha.

    Deklaratën e plotë të Zafir Berishës në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Çakmaku propozon ndryshimin e taktikës së FSK-së në rast sulmi

    Çakmaku propozon ndryshimin e taktikës së FSK-së në rast sulmi

    Kandidati për deputet nga Partia Fjala, Avni Çakmaku, në emisionin COMPASS në ATV, prezantoi një propozim për ndryshimin e doktrinës së Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) nga defansive në ofansive.

    Çakmaku tha se FSK-ja duhet të ndërrojë qasjen aktuale për të siguruar që lufta të zhvillohet jashtë territorit të Kosovës në rast sulmi.

    “FSK-ja duhet detyrimisht të kthehet në një doktrinë ofensive, që në çfarëdo rreziku forcat e armatosura të Kosovës ta çvendosin luftën jashtë territorit të Kosovës”, tha Çakmaku.

    Ai tha se kjo qasje do të kursejë territorin e Kosovës nga dëmtime të mëdha në rast të një sulmi.

    “Nëse jemi të sulmuar, veprimet tona duhet të shkojnë automatikisht në territorin e forcës që na sulmon, për ta mbrojtur Kosovën nga dëmtime të konsiderueshme”, deklaroi Çakmaku.

    Deklaratën e plotë të Avni Çakmakut në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Gashi: Popullata duhet të përfshihet në strukturat e sigurisë në raste emergjente

    Gashi: Popullata duhet të përfshihet në strukturat e sigurisë në raste emergjente

    Kandidati për deputet nga Lista për Familjen, Bejtush Gashi, në emisionin COMPASS në ATV, prezantoi një plan konkret për përfshirjen e popullatës në mbështetjen e strukturave të sigurisë në situata emergjente.

    Gashi tha se përgatitja gjithëpërfshirëse e popullatës është thelbësore për forcimin e sigurisë kombëtare dhe menaxhimin e emergjencave.

    “Kemi plan konkret për përgatitjen e popullsisë për të mbështetë strukturat e sigurisë në situata të emergjencave, ndryshe quhet koncepti i përgatitjes gjithëpërfshirëse të popullatës në sektorin e sigurisë”, tha Gashi.

    Ndërsa procesi i anëtarësimit në NATO, sipas tij varet nga bashkëpunimi i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

    “Procesi i anëtarësimit të Kosovës në NATO varet drejtpërdrejt nga bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet me ndikim në aleancën euro-atlantike,” deklaroi Gashi.

    Deklaratën e plotë të Bejtush Gashit në COMPASS e gjeni në videon më poshtë: