Kandidatja për deputete nga koalicioni AAK-NISMA, Xhevahire Izmaku, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se fushata aktuale po reflekton frikën e humbjes së pushtetit nga Qeveria, ndërsa koalicioni i saj ka ofruar një program të qartë dhe konkret.
Izmaku tha se narrativa nga Qeveria është e sforcuar dhe reflekton mungesë mbështetjeje.
“Narrativa e sforcume prej Qeverisë është një shqetësim, domethënë një frikë nga humbja e pushtetit, dhe duket që i kanë informacionet se nuk është ajo mbështetje qysh ka qenë”, tha Izmaku.
Ajo shtoi se koalicioni AAK-NISMA ka qenë i pari që ka ofruar një plan konkret zgjedhor.
“Ne jemi mbështetë në plan programin tonë dhe besoj që të parët nga të gjitha subjektet politike kemi dalë me një projekt-propozim zgjedhor që e kemi vendosë në një libër” deklaroi Izmaku.
Deklaratën e plotë të Xhevahire Izmakut në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:
Saktësisht një vit, e një muaj e gjysmë nga vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria e Prishtinës ngriti aktakuzë lidhur me rastin.
Përgjegjës kryesor për vrasjen e Ademajt, sipas organit të akuzës ishte bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Prokurorja e rastit Javorka Prelenevic, e ka cilësuar mënyrën e kryerjes së veprës penale si likuidim.
Për motivin u la pak të nënkuptohet, pasi Prokuroria u rezervua në dhënien e informacioneve, ndonëse tashmë kanë përfunduar hetimet dhe shqyrtimi gjyqësor do të jetë publik.
“Kemi marrë përgjigjeje nga organet e Suedisë, dhe atëherë jemi mundur të kompletojmë fotografinë dhe të gjëmë motivin qe e ka shty Naimin të likuidojë Liiridonën sepse mënyra e kryerjes se veprës penale ka qenë likuidim. Liridona dhe Naimi sa kanë jetuar në Suedi kanë pasur raporte të çrregulluara”, tha Prelenevic.
Përveç Murselit, për vrasjen e Liridona Ademajt, prokuroria i ngarkon edhe Kushtrim Kokallën, Granit Plavën.
Ndërsa Tom Dodaj, nga i cili e kishte blerë Plava armën, akuzohet për armëmbajtje pa leje.
Ndërkohë kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës, tha se presin një vendim kapital nga Gjykata.
Dënim meritor për të akuzuarit presin edhe familjarët e viktimës.
Liridona Ademaj, shtetase e Suedisë, e cila la pas dy fëmijë, u vra në fund të nëntorit të vitit të vitit 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Rasti fillimisht ishte raportuar si grabitje me pasojë të vrasjes, ndërsa vetëm pak orë pasi varrosi bashkëshorten, Naim Murseli ishte arrestuar.
Tashmë një kohë të gjatë kjo shtyllë qëndron kështu.
E nëse rrëzohet, rrezikon fëmijët dhe punëtorët e çerdhes “Armela” në fshatin Lluzhan të Podujevës.
Lidhur me këtë çështje ATV ka kontaktuar edhe me Komunën e Podujevës dhe KEDS-in.
Nga komuna thanë se përgjegjësit e çerdhes kanë kërkuar nga KEDS-i largimin e shtyllës.
“Përgjegjësja e çerdhes në Lluzhan ka dorëzuar kërkesë tek KEDS-i për largimin e shtyllës e cila është duke rrezikuar kalimtarët e rastit, megjithatë ende nuk është larguar ajo shtyllë. Ne do të kontaktojmë përsëri më KEDS-in që sa më parë të largohet ajo shtyllë”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Ndërkaq KEDS-i tha se është në dijeni për problemin.
“KEDS tashmë është në dijeni për gjendjen e shtyllës në fshatin në fjalë. Si i tillë, KEDS u jep prioritet rasteve që kanë të bëjnë me sigurinë e qytetarëve për çka do të dërgoj një ekip për të verifikuar gjendjen e kësaj shtylle”, ka thënë zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi.
Sipas KEDS-it ekipi do të dal shumë shpejt në terren dhe sipas nevojës do të largojë shtyllën.
Në një aksion të gjerë, Qeveria dhe Policia mbyllën institucionet paralele ilegale të Serbisë për dhjetë komuna në Kosovë: Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec dhe Skenderaj.
Krahas të ashtuquajturave komuna, u mbyllën edhe zyra tatimore dhe posta paralele-ilegale.
Në një video-adresim të përbashkët ministrat Xhelal Sveçla dhe Elbert Krasniqi zyrave të mbyllura iu referuan si “fundi i paralelizmave kriminal të Serbisë”.
Në kuadër të aksionit, njoftimi për “ndërprerje të përkohshme të veprimtarisë” iu vendos derës kryesore të komunës paralele ilegale në Graçanicë.
Vetëm 200 metra më poshtë, në po atë rrugë, njësoj u veprua edhe me zyrat e postës pa licencë.
Me flamurin e Serbisë në dorën e djathtë, dhe disa dokumente në të majtën, nga aty u largua drejtori i kësaj poste paralele-ilegale.
“Policia erdhi për të mbyllur postën, duke thënë se është gjë e përkohshme derisa të aplikojmë për licencë. Por, mua asgjë s’më duket e përkohshme, as qëllim i përkohshëm. Sikurse në veri, ashtu edhe në jug, qëllimi është tjetër, të heqin postën nga bisedimet në Bruksel, sepse atje po diskutohet për këtë. Këtë e di Kurti, por s’ka nevojë para zgjedhjeve të bëj filma. Filma sikurse që bënte represion me Policinë ndaj popullit serb. Kjo fushatë është negative dhe them se do t’i ‘thyhet për koke’”, tha Ivan Milojeviq, drejtor i postës së mbyllur në Graçanicë.
Dryni iu vu zyrës së postës së njëjtë edhe në fshatin Uglarë.
Po aty, u mbyll edhe institucioni paralel për komunën e Fushë Kosovës.
Njoftimi i njëjtë u vendos edhe në derën e zyrës paralele ilegale për Lipjanin.
Për këtë aksion nuk dha leje Prokuroria Themelore e Prishtinës.
“Prokurori i shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi”, thuhet në njoftimibn nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Për, siç shprehimisht shkroi, “ndërprerjen e aktiviteteve të institucioneve të jashtëligjshme”, Policia njoftoi se asistoi me kërkesë të Qeverisë.
“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Më herët, këtë vit dhe të kaluarin, në aksione të ndryshme u mbyllën një mori institucionesh paralele ilegale të Serbisë në Kosovë.
Asnjëri nga pesë të akuzuarit për krime lufte në rajonin e Gjilanit nuk e ka pranuar fajësinë.
Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Millosh Soshiq, Slobodan Jevtiq dhe Nenad Stojanoviq, u deklaruan të pafajshëm në shqyrtimin fillestar.
Prokuroria Speciale pretendon se ata vepruan si grup kriminal gjatë periudhës së luftës në rajonin e Gjilanit.
I akuzon për vrasjen e tetë civilëve, e plagosje, përfshirë të një vajzë të moshës rreth 2 vjeçare.
Sipas aktakuzës në fshatin Llovcë, i kishin marrë peng dy civilë, e pasi ishin maltretuar, ishin liruar.
Pesë serbët, në mesin e tyre edhe Millosh Soshiq, që kishte punuar në Policinë e Kosovës dhe Nenad Stojanoviq që kishte punuar për një periudhë në FSK, u arrestuan në gusht të vitit të kaluar gjatë një aksioni, ku policia mes tjerash kishte sekuestruar edhe armë.
Avokati i këtij të fundit i ka propozuar Gjykatës ekspertizë psikiatrike, pasi ka pretenduar se ka çrregullime.
Të ftohtit e së mërkurës nuk i ndali mijëra qytetarë e personalitete publike për të bërë homazhe në nderim të viktimave të Masakrës së Reçakut.
Në mesin e tyre ishin edhe liderët e partive politike në Kosovë, tashmë të përfshirë në fushatë zgjedhore.
“E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
“Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit”, tha kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës”, tha kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Në mëngjesin e 15 janarit të 1999-s ishin vrarë mizorisht fëmijë, të rritur e pleq, në mesin e të cilëve edhe një grua e moshuar, trupi i së cilës ende nuk është gjetur.
I pari që më 1999 e pati alarmuar botën se në Reçak po kryhet krim kundër njerëzimit ka qenë ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Ai e pati vizituar Reçakun një ditë pas masakrës dhe pasi ka parë trupat e civilëve të vrarë, ka thënë se “ky është një krim i rëndë kundër njerëzimit”.
Asnjë fëmijë nuk u vaksinua kundër gripit sezonal, në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë.
Kryeshefi i QKMF-së, Mustafë Gashi, thotë se vaksinën që nga muaji nëntor e morën vetëm personat e moshuar.
“Nuk ka pas interesim, ka pas fluks të madh të pacientave por për tu vaksinuar vetëm personat e pensionuar kryesisht”, tha Gashi.
Pavarësisht se gripi sezonal përhapet të personat e moshave të ndryshme, interesim për të vaksinuar fëmijet nuk kishte as në QKMF-në në Prishtinë.
Prej muajit nëntor e deri tash u vaksinuan vetëm 15 fëmijë nga gjashtëmuajsh e deri në 15 vjeç. Këta fëmijë kishin rezultuar me imunitet shumë të dobët.
“Shumë pak është kjo, as vitin e kaluar s’ka pas interesim fare”, tha Vjollca Beqiri, specialiste e Mjekësisë Familjare QKMF, Prishtinë.
E nëse fëmijët janë me virozë e të pavaksinuar kërkohet që të shmanget dalja të mos transmetohet tek të tjerët.
“Këta fëmijë apelohet të mos shkojnë madje as në shkollë në këto ditë kritike masi le teshtitje me prekje mund të transmetohen fare lehtë”, tha Beqiri.
Thirrje për vaksinim ka bërë vazhdimisht edhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik për të gjitha grupmoshat e sidomos personat që kanë sëmundje kronike.
Këmbët me zor e mbajnë por, në karrige nuk pranon të ulet pa e përfunduar dëshminë në gjykimin për vëllanë e vrarë, Esatin.
Në sytë e të akuzuarit për këtë vepër, Millorad Gjokovic, Morina tregoi për ditën kur e pa vëllain e gjallë për herë të fundit.
“Kemi dalë nga shtëpia me gruan se e kemi pa situatën keq. Duke u largu, gruaja më ka thënë që e vrajtën Esati”, deklaroi Rifat Morina, vëllai i Esat Morinës.
Meqenëse nga plumbat nuk mundi të kthehet prapa, vdekjen e vëllait e konfirmoi vetëm kur u lirua nga burgu i Serbisë, në nëntor të vitit 1999.
“Kur jam kthy në shtëpi, më kanë thënë se e kanë vra esatin”, deklaroi më tej Morina.
I akuzuari, refuzoi të shtrojë pyetje për të akuzuarin.
“Ju e dini qëndrimin tim. Refuzoj të bëj pyetje në këtë procedurë ku po më shkelen të drejtat e mija”, tha Milorad Gjokoviq, i akuzuar për krime lufte.
Kështu, me pyetje vazhdoi avokati i të pandehurit.
“Kur e keni lajmëruar rastin në polici për vëllaun tuaj të vrarë?”, pyeti Dejan Vasiq, avokat i Milorad Gjokoviq.
“E kena lajmëru menjëherë pas luftës. Policia na ka intervistu disa herë. Por, në atë kohë nuk ia kam ditë emrin. Diksuh i thojke Millorad, dikush Mico”, u përgjigj dëshmitari Morina.
Milorad Gjokovic u arrestua në qershor të 2022-ës në fshatin Vitomiricë, ku kishte shkuar për vizitë, meqenëse aso kohe punonte në Mal të Zi.
“Inventarizimi do të përfundoj në fillim të javës së ardhshme”, kishte deklaruar ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Kjo ishte përgjigja e ministres, Arbërie Nagavci pak minuta pasi përuroi çerdhen e re në fshatin Milloshevë të Obiliqit, ndonëse ishte në dijeni që punimet s’janë kryer.
Pavarësisht se kaluan gati një javë gjendja në këtë objekt vazhdon të jetë e njëjtë… shtretër pa dyshekë, e dhoma të zbrazëta.
Në javën që tha jo veç as në janar nuk dihet nëse inventari do të kompletohet.
“pjesa e parë e inventarit mund të them që dy tri klasë janë pajis me inventor që nga ajo kohë nuk ka asnjë lëvizje, as te invetari as te kuzhina dhe nuk kemi asnjë informatë se a do të përfundojë në janar”, tha drejtoresha e Arsimit në Obiliq, Fitore Hashani.
Që nuk po mund ta shfrytëzojnë çerdhen, të revoltuar janë edhe banorët.
Pas shkollave në Viti e Malishevë, çerdhja e Milloshevës ishte një tjetër projekt i ministrisë së Arsimit që u përurua pa përfunduar punimet.
Për të kuptuar për fatin e më shumë se 1 mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Bruksel ishte paraparë të mbahej takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Pagjetur.
Por takimi nuk u mbajt sipas Emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pasi Serbia nuk mori pjesë në të.
Megjithatë Lajçak konfirmoi se palët i takoi ndaras dhe pala kosovare i paraqiti para tij prioritetet.
“Jam takuar veçmas me të dyja palët. Kosova prezantoi prioritetet e saj. Serbia ka njoftuar për mospjesëmarrje në një takim të përbashkët për shkak të zhvillimeve në Kosovë”, ka thënë Lajçak.
Arsyeja e largimit nga bisedimet, sipas kryenegociatorit serb Petar Petkoviq, ishte aksioni i Policisë së Kosovës me ç’rast u mbyllën strukturat paralele në dhjetë komuna.
Por sipas Kryetarit të Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit Andin Hoti, prania e Petkoviqit në takimin në të cilin as nuk ishte i ftuar ishte e qëllimshme për të dështuar bisedimet.
Ndërkaq nga Fondi për të Drejtën Humanitare vlerësojnë se arsyetimi i palës serbe është vetëm për t’iu shmangur bisedimeve.
Në takimin e fundit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që u mbajt në dhjetor palët janë dakorduar për zbatim të marrëveshjes për të zhdukurit derisa u miratua edhe formimi i Komisionit të Përbashkët që do të mbikëqyrë zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.
Sipas marrëveshjes, komisioni, në 6 muaj e parë, duhet të mbajë çdo muaj takime.