ATV

Author: ATVLive

  • Krasniqi: Nuk lejojmë që legjislatura e re të nisë me shkelje të Kushtetutës

    Krasniqi: Nuk lejojmë që legjislatura e re të nisë me shkelje të Kushtetutës

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të ligjit dhe Kushtetutës, duke thënë se nuk do të lejohet që legjislatura e re të fillojë me parregullsi kushtetuese, raporton ATV.

    Ai tha se Ligji për Qeverinë, i miratuar nga Vetëvendosje pa votat e opozitës, e ndalon që kryeministri dhe ministrat të betohen si deputetë pa dhënë më parë dorëheqje.

    “Është e paprecedentë, sepse këta vetë e kanë miratu Ligjin për Qeverinë pa votat tona dhe në atë ligj e kanë shkruar që s’mundet kryeministri dhe ministrat me u betu si deputetë. Logjika e këtyre me shkelë Kushtetutën me çdo kusht është logjikë që s’duhet me kalu në Kuvendin e Kosovës”, tha Krasniqi.

    Krasniqi kërkoi që Albin Kurti dhe ministrat të japin dorëheqje për të mundësuar betimin si deputetë, siç kanë vepruar edhe kryetarët e komunave pas zgjedhjeve.

    “Zoti Kurti le të japë dorëheqje. Është shumë e thjeshtë. Kam me shkru një letër me thanë jap dorëheqje prej pozitës së kryeministrit, bashkë me ministrat, dhe pastaj mundet me ardhë me u betu si deputet. Kushtetuta e Kosovës e ka të qartë këtë”, u shpreh Krasniqi. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Memli Krasniqit pas ndërprerjes së seancës në Kuvendin e Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Abrashi: Opozita po krijon krizë të panevojshme përmes qëndrimeve absurde

    Abrashi: Opozita po krijon krizë të panevojshme përmes qëndrimeve absurde

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, reagoi ashpër ndaj opozitës, duke thënë se përmes qëndrimeve të pabazuara ka penguar verifikimin e mandateve dhe ka futur vendin në një situatë të pasigurtë institucionale, raporton ATV.

    Abrashi, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit për verifikimin e mandateve, tha se ndonëse komisioni kishte karakter formal, veprimi i opozitës e ka shndërruar procesin në një krizë të panevojshme.

    “Ishim dëshmitarë të një situate të paprecedentë. Ky komision, për kah funksioni, ka natyrë formale dhe ceremoniale, por si rezultat i qëndrimeve absurde të opozitës, është krijuar një situatë e mjegullt që mund të kategorizohet si krizë”, tha Abrashi.

    Ai shtoi se pavarësisht njoftimit për dorëheqjen e kryeministrit dhe ministrave, opozita refuzoi të pranojë realitetin dhe bllokoi procesin me arsyetime të paqena.

    “I njoftuam për dorëheqjen si akt formal. Kryeministri në emër të të gjithë ministrave ka njoftuar Kuvendin, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për ta bindur opozitën. Një fjalë e urtë greke thotë se para fakteve edhe zotërat heshtin, por opozita e Kosovës nuk po bindet as para fakteve të pakundërshtueshme”, u shpreh Abrashi. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Artan Abrashit nga Kuvendi i Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haxhiu: Opozita s’e ka hallin me Listën Serbe, por me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen

    Haxhiu: Opozita s’e ka hallin me Listën Serbe, por me Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, akuzoi opozitën për obstruksion politik, duke thënë se qëllimi i saj nuk është Lista Serbe, por pengimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, raporton ATV.

    Ajo tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ishte i gatshëm të kryente betimin dhe të vazhdonte me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por opozita refuzoi miratimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

    “Opozita nuk e votoi raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Asnjë fjalë nuk u tha kundër Listës Serbe, por këta e kanë hall Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin”, tha Haxhiu.

    Sipas saj, gjithë materiali i prezantuar në komision ka qenë në përputhje me certifikimin zyrtar të zgjedhjeve, por opozita synon të vonojë procesin e konstituimit të Kuvendit.

    “Ne si kabinet i kemi kryer të gjitha obligimet ligjore dhe kushtetuese, por këta nuk ishin të interesuar ta konstituojnë Kuvendin. Tani, siç tha kryesuesi Dehari, do të njoftohet Presidentja dhe presim hapat e mëtejmë”, shtoi Haxhiu. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Albulena Haxhiut pas ndërprerjes së seancës konstituive, e gjeni në videon më poshtë:

  • Jashari: Mandati i deputetëve fillon me certifikimin, por pavlefshmëria lidhet me mungesën e betimit

    Jashari: Mandati i deputetëve fillon me certifikimin, por pavlefshmëria lidhet me mungesën e betimit

    Ish-Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, në STUDIO E HAPUR në ATV, sqaroi dispozitat kushtetuese që përcaktojnë se kur fillon dhe kur mund të përfundojë mandati i deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

    Ai tha se Kushtetuta e përcakton qartë se mandati nis me certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve, por ka paqartësi rreth momenteve kur ai bëhet i pavlefshëm.

    “Zyrtarisht, dispozita kushtetuese që flet për këtë situatë është neni 70, paragrafi 2, ku thuhet që mandati i deputetëve të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultateve të zgjedhjes”, tha Jashari.

    Ai tha se, sipas Kushtetutës, një nga rastet kur mandati humbet është kur deputeti nuk e

    “Dispozita tjetër thekson që mandati bëhet i pavlefshëm nëse deputeti nuk bën betimin. Kjo ka sjellë interpretime të ndryshme nga subjektet politike dhe individët, prandaj ka nevojë të qartësohet nga Gjykata Kushtetuese”, u shpreh Jashari.

    Deklaratën e plotë të Hilmi Jasharit në STUDIO E HAPUR, e gjeni në videon më poshtë:

  • Peci: E kemi emrin për kryeparlamentar, por presim verifikimin e mandateve

    Peci: E kemi emrin për kryeparlamentar, por presim verifikimin e mandateve

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se koalicioni qeverisës tashmë e ka vendosur emrin për kryetar të Kuvendit, por ai do të bëhet publik vetëm pas verifikimit të mandateve.

    Peci theksoi se pavarësisht dorëheqjeve nga postet ministrore, ministrat vazhdojnë detyrën për të mos krijuar boshllëk institucional.

    “Në rast se do të verifikoheshin mandatet, ne e kemi pasë emrin për kryeparlamentar. Kurdo që vjen koha, e shpalosim edhe emrin e kryeparlamentarit. Të gjithë ministrat kanë ofruar dorëheqje, mirëpo unë kthehem në zyrën ku e kam të ministrit, sepse largimi nga zyrat do të krijonte mundësi për një hendek të madh institucional dhe mund të interpretohej deri në vepër penale, madje edhe tradhti kombëtare”, tha Peci.

    Ai shtoi se shpallja e emrit për kryetar Kuvendi është në diskrecionin e koalicionit dhe do të bëhet vetëm kur të krijohen kushtet ligjore dhe kushtetuese.

    “Emri i ri do të shpaloset në momentin kur të kemi të verifikuar mandatet dhe kur të krijohet hapësira kushtetuese dhe ligjore që të konstituojmë Kuvendin. Është çështje e diskrecionit të koalicionit të Vetëvendosjes, Guxo dhe Alternativa se kush është emri”, u shpreh Peci.

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit nga seanca e Kuvendit të Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Peci: Lista Serbe dhe opozita pamundësuan konstituimin e Kuvendit

    Peci: Lista Serbe dhe opozita pamundësuan konstituimin e Kuvendit

    Deputeti Faton Peci, pas ndërprerje se seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se procesi i konstituimit është bllokuar për shkak të votës kundër të opozitës dhe abstenimit të Listës Serbe, duke pamundësuar verifikimin e mandateve, raporton ATV.

    Ai tha se ndonëse kishte dorëzuar dorëheqjen si ministër në detyrë, obligimi i tij si deputet nuk u realizua për shkak të kësaj situate të papërcaktuar ligjërisht.

    “Sot kam dhënë dorëheqje tek vartësi im, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, meqenëse është detyrim ligjor dhe kushtetues konstituimi i Kuvendit dhe pika numër një, që nënkupton verifikimi i mandateve. Një gjë të tillë e pamundësoi Lista Serbe, me abstenim, dhe opozita duke votuar kundër”, tha Peci.

    Sipas tij, kjo është një situatë e re që nuk është e përcaktuar në Kushtetutë apo në Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe tash i takon presidentes të vendosë për hapat e mëtejmë.

    “Kjo është një rrethanë e re që në aspektin kushtetues, ligjor dhe të Rregullores së Punës së Kuvendit nuk është e paraparë… dhe rrjedhimisht kryesuesi ka vendosur që t’i drejtohet Presidentit të Republikës së Kosovës, e cila mund të kthejë një përgjigje ose t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Peci. /atvlive.tv

    Deklaratën e plotë të Faton Pecit nga seanca e Kuvendit të Kosovës, e gjeni në videon më poshtë:

  • Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

    Ndërpritet seanca konstituive e Kuvendit

    Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, njoftoi ndërprerjen e seancës pas dështimit për miratimin e raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, raporton ATV.

    Ai tha se, ndonëse ishin të pranishëm 119 deputetë, mungesa e votave të mjaftueshme e pamundësoi vazhdimin e procedurave.

    “Të nderuara deputete dhe deputetë, Shërbimi i deputetëve vërteton se në sallë janë njëqind e nëntëmbëdhjetë deputetë, por për shkak të rrethanave të krijuara, meqë raporti i komisionit në seancë nuk mori vota të mjaftueshme… në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën”, tha Dehari.

    Ai shtoi se për këtë zhvillim do të njoftohet zyrtarisht presidentja e vendit.

    “Do të përgatisim një letër për ta njoftuar presidentin se si do të veprohet në të ardhmen. Ju faleminderit!”, u shpreh Dehari. /atvlive.tv

  • ​Haradinaj e Limaj nuk u përshëndeten në seancë

    ​Haradinaj e Limaj nuk u përshëndeten në seancë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, nuk janë parë të përshëndetën e as të bisedojnë me njëri-tjetrin në sallën e Kuvendit të Kosovës.

    Haradinaj arriti përpara Limajt në kuvend dhe qëndronte në telefon, derisa ky i fundit pas nënshkrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës, kaloi pranë Haradinajt, por që nuk u përshëndetën fare.

    Haradinaj dhe Limaj hynë në koalicion për të garuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

    Ndërkaq, po raportohet për një marrëveshje të mundshme në mes të kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj për votimit e qeverisë së re. /KP/

  • ​SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një “mundësi të mirë” për marrëveshje tregtare

    ​SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar kanë një “mundësi të mirë” për marrëveshje tregtare

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha se ka mundësi të arrihet një marrëveshje tregtare me Mbretërinë e Bashkuar, duke shtuar se negociatat me qeverinë e Keir Starmer janë duke ecur mirë.

    Pas shpalljes së tarifave të presidentit Trump më 2 prill, tregjet globale u tronditën, por tashmë janë duke u bërë përjashtime dhe tregjet kanë filluar të tregojnë shenja rikuperimi, shkruan BBC.

    Vance tha se një marrëveshje SHBA-Mbretëri e Bashkuar është më e mundur për shkak të marrëdhënieve reciproke, duke përmendur se përkundër eksportit të lartë të Gjermanisë drejt SHBA-së, ky vend ka qenë më i vështirë për t’u hapur për eksportet amerikane.

    Ai theksoi se administrata Trump është e angazhuar për një strategji afatgjatë për të ulur deficitin tregtar.

    Vance gjithashtu shprehu një qëndrim pozitiv për Evropën dhe theksoi rëndësinë e forcimit të vetëmbrojtjes evropiane. Ai vuri në dukje se nuk është në interesin e asnjërës palë që Evropa të mbetet një vasal i sigurisë i SHBA-së.

    Në lidhje me luftën në Ukrainë, Vance përsëriti qëndrimin e administratës se për të përfunduar luftën, duhet të kuptohen kufijtë strategjikë të të dyja palëve, duke theksuar se kjo nuk do të thotë mbështetje për pushtimin rus, por përpjekje për të kuptuar interesat e secilës palë.

  • ​Kurti dhe ministrat japin dorëheqje nga postet e tyre

    ​Kurti dhe ministrat japin dorëheqje nga postet e tyre

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë për t’i hapur rrugë betimit të tij si deputetët të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Kjo dorëheqje i është dorëzuar kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Të dorëhequr janë edhe ministrat në detyrë të kësaj qeverie.

    Dhe kjo letër u prezantua para gazetarëve nga deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.