Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, akuzoi opozitën për obstruksion politik, duke thënë se qëllimi i saj nuk është Lista Serbe, por pengimi i Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj, Albin Kurti, raporton ATV.
Ajo tha se grupi parlamentar i Vetëvendosjes ishte i gatshëm të kryente betimin dhe të vazhdonte me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por opozita refuzoi miratimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.
“Opozita nuk e votoi raportin e Komisionit për verifikimin e kuorumit dhe mandateve, ndonëse gjithçka ishte në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi. Asnjë fjalë nuk u tha kundër Listës Serbe, por këta e kanë hall Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin”, tha Haxhiu.
Sipas saj, gjithë materiali i prezantuar në komision ka qenë në përputhje me certifikimin zyrtar të zgjedhjeve, por opozita synon të vonojë procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Ne si kabinet i kemi kryer të gjitha obligimet ligjore dhe kushtetuese, por këta nuk ishin të interesuar ta konstituojnë Kuvendin. Tani, siç tha kryesuesi Dehari, do të njoftohet Presidentja dhe presim hapat e mëtejmë”, shtoi Haxhiu. /atvlive.tv
Deklaratën e plotë të Albulena Haxhiut pas ndërprerjes së seancës konstituive, e gjeni në videon më poshtë:

Leave a Reply