ATV

Author: ATVLive

  • Sot mblidhet Qeveria, nuk dihet rendi i ditës

    Sot mblidhet Qeveria, nuk dihet rendi i ditës

    Qeveria në detyrë e Kosovës do të mblidhet sot në orën 10.00. Mbledhja u caktua nga Albin Kurti, i cili tha dje se ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.

    Kjo mbledhje vjen një ditë pasi opozita ua kundërshtoi kryeministrit dhe ministrave verifikimin si deputetë të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, me arsyetimin se nuk e kanë bërë këtë me kohë.

    Nuk dihet ende rendi i ditës i kësaj mbledhjeje.

  • Dështimi i konstituimit të Kuvendit, ç’thotë Ligji dhe Kushtetuta për situatën e krijuar?

    Dështimi i konstituimit të Kuvendit, ç’thotë Ligji dhe Kushtetuta për situatën e krijuar?

    Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës në seancën e djeshme, për shkak të mosmiratimit të Raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve, u risoll në vëmendje se ç’thotë Ligji dhe Kushtetuta për situatën e krijuar, shkruan EO.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dolën me qëndrimin se anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, nuk dorëzuan me kohë dorëheqjet e tyre nga postet në Ekzekutiv, duke mos e pranuar, siç thanë, dorëheqjen që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ia dorëzoi kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, para mbledhjes së Komisionit për verifikimin e mandateve të Kuvendit.

    Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, reagoi ashpër, duke e cilësuar qëndrimin e opozitës si sulm brendainstitucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike.

    Ç’ thotë Ligji për Qeverinë e Kosovës lidhur me dorëheqjen e Qeverisë?

    Ligji për Qeverinë e Kosovës, i miratuar nga Qeveria e fundit e Albin Kurtit në vitin 2022, parasheh se mandati i Qeverisë përfundon me përfundimin e mandatit katërvjeçar të Kuvendit (që është rasti në situatën aktuale), me votimin e suksesshëm nga Kuvendi të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, me dorëheqjen e kryeministrit, apo me shpërndarjen e Kuvendit.

    Po ashtu, mandati i anëtarit të Qeverisë përfundon nëse ai/ajo nuk bën betimin, jep dorëheqje, zgjidhet deputet, i përfundon mandati i rregullt i Qeverisë, etj.

    Çfarë ndodh në rast se anëtari i Qeverisë zgjidhet deputet?

    Ligji për Qeverinë parasheh se, nëse një anëtar i Qeverisë në detyrë zgjidhet deputet i Kuvendit, ai duhet të japë dorëheqje nga posti i anëtarit të ekzekutivit para ditës së certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

    Kështu thuhet në nenin 26 të këtij ligji, i cili ka të bëjë me papajtueshmërinë me funksionin e anëtarit të Qeverisë dhe parandalimin e konfliktit të interesit.

    Sipas ligjit, Qeveria në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj deri në zgjedhjen e Qeverisë së re nga Kuvendi, por me kufizimet e përcaktuara me ligj (më poshtë përmendim cilat janë ato).

    Një Qeveri është në dorëheqje: pas shpërndarjes së Kuvendit, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re; pas dorëheqjes së kryeministrit ose në çdo rast tjetër kur posti i kryeministrit mbetet i lirë, deri në zgjedhjen e Qeverisë; pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj saj nga Kuvendi, deri në zgjedhjen e Qeverisë së re…

    Sa u përket kufizimeve, në ligj thuhet që Qeveria në dorëheqje kryen vetëm aktivitetet e domosdoshme të planifikuara me planin vjetor dhe ligjin për buxhetin; nuk miraton nisma për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare që kërkojnë ratifikim nga Kuvendi, nuk miraton projektligje, amendamente kushtetuese, strategji apo dokumente konceptuale, nuk inicion procedura të reja për emërime në pozita publike, nuk propozon kandidatë për pozita që kërkojnë emërim nga Kuvendi, etj.

    Qeveria në dorëheqje, megjithatë, ka të drejtë t’i propozojë Kuvendit miratimin e buxhetit. Në rast të fatkeqësive natyrore apo shëndetësore, disa nga këto kufizime nuk vlejnë më.

    Ç’thuhet në Kushtetutën e Kosovës për mandatin e deputetit?

    Sipas Kushtetutës së Kosovës (neni 70), mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve dhe përfundon, ndër të tjera, kur deputeti emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës.

    Mandati i deputetit përfundon ose bëhet i pavlefshëm nëse: nuk bën betimin; jep dorëheqje dhe emërohet anëtar i Qeverisë së Kosovës.

  • ZRrE-ja sot pritet të marrë vendim për çmimet e reja të rrymës

    ZRrE-ja sot pritet të marrë vendim për çmimet e reja të rrymës

    Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sot nga ora 08:30 do të mbajë mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje të ZRrE-së, janë caktuar shtatë pika të rendit të ditës, ndër to janë edhe shqyrtimi i propozimeve për aprovimin e tarifave për KOSTT-in, KEDS-in dhe KESCO-n.

    “Shqyrtimi i propozimit per aprovimin e Tarifave për Shfrytëzimin e Rrjetit të Transmetimit dhe Tregut (OST/OT); Shqyrtimi i propozimit per aprovimin e Tarifave për Shfrytëzimit e Rrjetit të Shpërndarjes (OSSH); Shqyrtimi i propozimit per aprovimin e Tarifave per Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU)”, janë pikat që do të diskutohen në këtë mbledhje.

    Pikë tjetër është edhe shqyrtimi i ankesave të konsumatorëve për paralajmërimin e shtrenjtimit të tarifave të energjisë elektrike.

  • Moti sot: I vranët dhe me diell, temperaturat deri në 24 gradë Celsius

    Moti sot: I vranët dhe me diell, temperaturat deri në 24 gradë Celsius

    Sot mbi vendin tonë do të mbajë mot i vranët dhe me intervale kohore me diell.

    Vranësirat vende -vende mund të sjellin riga të dobëta shiu.

    Siç njofton Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5 dhe 8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20 dhe 24 gradë Celsius.

    Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1 deri në 4 metër për sekond.

  • ​Dyshime për kultivim të bimës së hashashit në Veri të Mitrovicës

    ​Dyshime për kultivim të bimës së hashashit në Veri të Mitrovicës

    Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë kontrollit në shtëpinë e një personi të dyshuar kosovar në Mitrovicë të Veriut si prova materiale janë gjetur dy fara që dyshohet të jenë të bimës kanabis sativa, raporton KP.

    Sipas policisë i dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

  • “Është budallallëk, s’ka kuptim” – Hasani thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstituuar Kuvendi

    “Është budallallëk, s’ka kuptim” – Hasani thotë se nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstituuar Kuvendi

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është absurditet të mendohet për zgjedhje të reja pa u konstituuar më parë Kuvendi, pasi një veprim i tillë nuk ka as bazë kushtetuese dhe as kuptim juridik.

    Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme mund të ndodhin vetëm në situata të përcaktuara saktësisht nga Kushtetuta, por kurrsesi pa u konstituuar legjislatura e re.

    “Nuk mund të shkohet në zgjedhje pa u konstitu Kuvendi. Pastaj është Kushtetuta, dihet saktë në cilat raste vjen deri te shpërndarja e Kuvendit. Po me shku zgjedhje kur hala s’e ke konstitu – kjo është absurd. Media është në absurd. Po budallallëk ka punë veç me mendu”, tha Hasani.

    Ai shtoi se në rrafshin ndërkombëtar, një veprim i tillë nuk do të pranohej dhe do të përbënte shkelje të standardeve demokratike.

    “S’të pranon kurrkush jashtë. Unë jam i bindur që edhe reagimet e jashtme do të vijnë. Ti mundesh me thanë çka të duash, po ne duhet të operojmë në një standard civilizues evropian. Nuk lëmë ty bash… Deputetët kanë mandat, por nuk mund ta ushtrojnë pa betim. Kur bëjnë betim, aktivizohet ushtrimi i mandatit”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani: Lajçaku është tallur me përfaqësuesit politikë të Kosovës

    Hasani: Lajçaku është tallur me përfaqësuesit politikë të Kosovës

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se emisari evropian Miroslav Lajçak është tallur me përfaqësuesit politikë të Kosovës gjatë procesit të dialogut dhe e ka drejtuar atë sipas vullnetit të tij.

    Sipas Hasanit, Lajçaku ka ndërtuar një strukturë të tërë juridike që përmban elemente të autonomisë, ndërsa përfaqësuesit kosovarë nuk kanë pasur kontroll në këtë proces.

    “Është kriju një infrastrukturë juridike, një Kushtetutë materiale… një statut, i cili është me vëllim dyfish i Kushtetutës tonë. Edhe ky ndërmjetësuesi, Lajçaku, ai është tallë me këta tonë. Edhe e ka çu ku ka dashtë zotëri Kurti, dhe ai ka dashtë me çu në autonomi. ‘Vetëmenaxhimi’ është emëruesi i përbashkët për të gjitha llojet e autonomisë – politiko-territoriale, personale dhe kulturore”, tha Hasani.

    Ai tha se i vetmi sukses i mundshëm është ndërhyrja nëpërmjet procedurave juridike, për të shmangur krijimin e një entiteti që do të dëmtonte homogjenitetin politik të vendit.

    “Unë mendoj që është sukses nëse mundesh me ndërru diçka që i përket rezolutës dhe arbitrazhit, sepse pastaj këto tjera mundesh me Gjykatë Kushtetuese, me institucionet qendrore, domethënë me procedura juridike me amortizu, që mos me u kriju një entitet që e prish homogjenitetin politik”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani i përgjigjet VV-së: Rastet e kaluara s’mund të përdoren si justifikim për shkeljet e sotme

    Hasani i përgjigjet VV-së: Rastet e kaluara s’mund të përdoren si justifikim për shkeljet e sotme

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, u përgjigj ndaj kritikave të Vetëvendosjes për rastet e dorëheqjeve të kaluara, duke thënë se situatat nuk janë të njëjta dhe nuk mund të krahasohen.

    Sipas Hasanit, në vitet 2017 dhe 2021 dorëheqjet janë bërë në përputhje me Kushtetutën dhe nuk janë kontestuar nga askush, prandaj nuk mund të përdoren si precedent për të justifikuar shkeljet aktuale.

    “Unë mendoj që atëherë është respektu, kanë dhënë dorëheqje, në vitin 2017 dhe në vitin 2021. Me sa më kujtohet… ajo është mbyllë, se ka kontestu kurrkush. Ajo është kushtetuese dhe ligjore. U kry. Tash bëhet fjalë për një situatë tjetër”, tha Hasani.

    Ai tha se nuk është e drejtë të përdoret një shkelje e mundshme nga e kaluara për të arsyetuar një tjetër, duke e krahasuar këtë qasje me arsyetimin e një vepre të paligjshme me një tjetër.

    “Nuk mund të përdoret veç disa precedent që promovon zbatimin e Kushtetutës dhe të Ligjit… S’është e lume, ndonëse është me thanë ‘ai ka shkelë, edhe unë po shkel’. Është sikur me thanë hajni”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani: Opozita gaboi politikisht, s’duhej të lejonte certifikimin pa ankesë në KQZ

    Hasani: Opozita gaboi politikisht, s’duhej të lejonte certifikimin pa ankesë në KQZ

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita ka gabuar politikisht duke mos reaguar me kohë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pas zhvillimeve të fundit.

    Sipas tij, në momentin që u pa se po ndodhte një proces i diskutueshëm, opozita është dashur ta ankimonte certifikimin menjëherë në KQZ.

    “Politikisht është dashtë më së pari me hartue në KQZ. Është dashtë, moment që e kanë pa që po ndodh ajo që ndodhi, është dashtë me ankimu certifikimin në KQZ. S’e kanë ba. Tash me këtë, po dojnë Kushtetutën me ujë, domethënë me mos me lanë me dhanë”, tha Hasani.

    Ai tha se ky veprim do të kishte shmangur arbitraritetin nga të dyja palët dhe do të lejonte që procesi të kalonte përmes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese.

    “Unë mendoj që kjo është, do të thotë, prej dy palëve arbitraritet. Edhe duhet me e lanë me u bo betimin, me u konstituue Kuvendi edhe deputetët, pastaj ne jemi në Gjykatë Kushtetuese”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani: Pas dështimit të seancës, presidentja s’duhet të veprojë, më së miri është të mos përgjigjet fare

    Hasani: Pas dështimit të seancës, presidentja s’duhet të veprojë, më së miri është të mos përgjigjet fare

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se pas dështimit të seancës për formimin e institucioneve, presidentja nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese për të ndërhyrë dhe se më e mira do të ishte të mos reagojë fare.

    Sipas tij, në mungesë të mandatit të ri, vendi nuk mund të vazhdojë me të njëjtin kryeministër, por vetëm me ushtrues detyre nga radhët e zëvendëskryeministrave.

    “Në momentin që Kushtetuta thotë mandati fillon me certifikim dhe ligji është i qartë, e ke zbatu, e ke kriju një ligj që elaboron këtë dispozitë kushtetuese… Problemi është që ti s’ke asnjë bazë kushtetuese dhe ligjore… Ai që është zëvendëskryeministër në detyrë, në atë rast do të ishte ushtrues i detyrës së kryeministrit në detyrë. S’ka, s’ka fjalë tutje”, tha Hasani.

    Ai tha se presidentja nuk ka asnjë hap ligjor për të ndërmarrë dhe duhet të shmangë çdo reagim publik që do të përkeqësonte situatën.

    “Sa i përket asaj pyetjes suaj… S’ka këtu presidentja kurgjo. S’ka çfarë. Çfarë pra çka ndodh? Është kot. S’di, s’e kuptoj kush i ka mësu, kush po e mëson kështu. Presidentja veç mundet të mos me u përgjigjë, që do të ishte ma e mira, do të thotë se mun përgjigjeni me tregu që s’ka more kompetenca kushtetuese para të mua”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: