ATV

Author: ATVLive

  • Hasani: Kjo logjikë e pushtetit çon në anarki, opozita s’duhet ta tolerojë

    Hasani: Kjo logjikë e pushtetit çon në anarki, opozita s’duhet ta tolerojë

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se qasja aktuale ndaj ligjit dhe Kushtetutës nga ana e pushtetit rrezikon të çojë vendin drejt anarkisë, ndërsa opozita nuk duhet të lejojë diçka të tillë.

    Sipas tij, veprime të tilla mund të duken të padëmshme në pamje të parë, por krijojnë pasoja serioze dhe rrezikojnë funksionimin kushtetues të shtetit.

    “Këtu e kam vërejtë… a e di çka thonë? ‘S’është kurrgjë’ për shumë çka që ndodh këtu. Kolegë, po fatkeq, se edhe komandir të juridikut këtu nuk bëhet kurrgjë, edhe me e marrë Kushtetutën me qky edhe me nënshkru kapitullimin e Kosovës, me nënshkru me ispatë… a e kuq o? Por do pasoja krijohen masandej”, tha Hasani.

    Ai shtoi se opozita duhet ta mbrojë Kushtetutën dhe t’i lejojë procedurat e kontrollit kushtetues të vazhdojnë normalisht.

    “Pasoja është sepse kjo logjikë çon në anarki, domethënë me qenë në anarki dhe në kaos. Unë mendoj që opozita, së paku, sepse opozita nuk është identifiku as me anarki, as me kaos deri sot. Përkundrazi, është identifiku me një respekt më të madh ndaj Kushtetutës, ligjit dhe sistemit të drejtësisë, dhe është dashtë me leju dhe me vazhdu procedurat e kontrollit të Kushtetutës në vot”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani: Dorëheqja e Kurtit ishte hajgare, Konjufca s’ka kompetenca ta pranojë

    Hasani: Dorëheqja e Kurtit ishte hajgare, Konjufca s’ka kompetenca ta pranojë

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se në rastin e certifikimit të kandidatëve nga ekzekutivi nuk ka pasur dorëheqje të vërtetë dhe se Glauk Konjufca nuk ka qenë autoritet kompetent për ta pranuar atë.

    Sipas tij, nëse do të respektohej ligji, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të duhej të vazhdonte pa dorëheqje të dorëzuar në mënyrë formale.

    “Nuk është dorëheqje. Absolut, do të thotë ajo, ajo është – këta anglisht thonë mockery – është abuzim, hajgare, tallje me institucionet, po, sepse ai u drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë, ai nuk është kryetar, vendi nuk ka as ushtrues detyre”, tha Enver Hasani.

    Hasani tha se KQZ-ja duhej të kërkonte dorëheqjen që në fillim, pasi ligji e kërkon atë në momentin e certifikimit.

    “KQZ-ja, kryetari i KQZ-së është jurist i mirë, nuk e kuptoj pse që në fillim nuk ka lyp me i dorëzu dorëheqjes, siç e kërkon ligji. Ai ligj ka kërku dhe kërkon dorëheqjen në momentin e certifikimit… në fakt, ashtu është edhe po të shikohet fillimi i mandatit me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kur e cakton papajtueshmërinë e funksionit ekzekutiv me atë të deputetit”, tha Hasani.

    Deklaratën e plotë të Enver Hasanit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Pasi u aprovua pjesërisht ankesa e Prokurorisë, Thaçit i shtohet përgjegjësia për “nxitje” në aktakuzën kundër administrimit të drejtësisë

    Pasi u aprovua pjesërisht ankesa e Prokurorisë, Thaçit i shtohet përgjegjësia për “nxitje” në aktakuzën kundër administrimit të drejtësisë

    Pasi Gjykata e Apelit në Speciale ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konformimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që bie në bazë të nenit 32 (3) të KPRK-së që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, në bazë të nenit 401 (3) dhe (5) të KPK-së.

    Në vendim, Masselot ka urdhëruar që Prokuroria të dorëzojë versionin e ri të aktakuzës deri më 16 prill 2025 dhe pastaj administratorja ta dorëzojë tek Thaçi dhe të tjerët në gjuhën shqipe, si dhe versionin e redaktuar ta dorëzojnë për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Aktakuza e rikonfirmuar, sipas gjyqtares, duhet t’i dorëzohet në Kosovë edhe Hajredin Kuçit.

    Veç kësaj, në vendim thuhet se Thaçi është i informuar për të gjitha akuzat dhe tashmë është deklaruar lidhur me ato, ndërsa zhvillimi i fundit me vendimin aktual nuk shton ndonjë pikë të re të aktakuzës, por vetëm një formë të re të përgjegjësisë për nxitje në lidhje me veprat për të cilat ai është i akuzuar në pikën 1, 2 dhe 3 të aktakuzës.

    Si rrjedhojë, gjyqtarja ka konstatuar se nuk është e nevojshme ndonjë paraqitje fillestare në seancë siç ndodhë nëse shtohet ndonjë akuzë e re. Por, qëndrimi i Thaçit lidhur me ketë formë të re të përgjegjësisë duhet të evidentohet dhe se këtë Thaçi duhet të bëjë me shkrim deri më 24 prill 2025.

    “z. Thaçi ftohet që, nëse dëshiron, të deklarojë fajësi ose pafajësi me shkrim, deri të enjten, më 24 prill 2025, ora 16:00. Nëse nuk e shfrytëzon këtë të drejtë, Gjykatësi do të regjistrojë një deklaratë të pafajësisë në emër të tij, sipas rregullës 92 (2) (f)”, thuhet në vendim.

    Megjithatë, Thaçit i ofrohet e drejta që në rast që dëshiron të njoftohet publikisht në seancë lidhur me këtë formë të përgjegjësisë, mund ta bëjë kërkesën deri në po të njëjtën ditë. Ndërsa, si afat për dorëzimin e mocioneve nga ana e palëve është caktuar 8 maji.

    Ndryshe, Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilat, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit.

    Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Paneli i Apelit ka marrë vendim që një nga katër pikat që kishte ngritur ZPS-ja kundër vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, ta pranojë lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për ‘nxitje’ në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Pika e katërt e ankesës së ZPS-së, kishte të bënte me kundërshtimin e konstatimit të gjyqtares që neni 32 (3) i KPRK-së nuk zbatohet për veprën e “Pengim i personave zyrtarë” sipas nenit 401 (3) dhe (5) të KPRK-së.

    Sipas ZPS-së, gjyqtarja ka gabuar kur ka konstatuar se për shkak se neni 401 (3) dhe (5) të KPRK-së nuk parashikon dënim deri në pesë vjet burgim, për rrjedhojë neni 32 (1) nuk është i zbatueshëm pasi sipas saj kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra që janë të dënueshme më pak se pesë vjet.

    Sipas ZPS-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar duke konstatuar se, për shkak se neni 401 (3) dhe (5) i KPK-së parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim, neni 32 (3) nuk ishte i zbatueshëm, pasi kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Mbrojtja e Thaçit kishte thënë se gjyqtarja e ka interpretuar saktë këtë nen.

    Neni 32 (3 ) i KPRK-së për “Shtytje” thotë se “Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë”.

    Sipas Panelit, gjyqtarja kishte konstatuar se vepra që bie në nenin 401 (3) të KPRK-së është e dënueshme nga 1 deri në 5 vjet burgim, prandaj e përjashtoi përgjegjësinë e Thaçit sipas nenit 32 (3) të KPRK-së për pikën 1, 4 dhe 4 të aktakuzës.

    Veç kësaj, paneli kishte thënë se ka mospajtime për interpretimin e këtij neni pasi sipas tyre, panele më të ulëta kanë interpretuar që ky nen është i zbatueshëm për veprat penale të dënueshme mbi pesë vjet dhe disa për ato të dënueshme nën 5 vjet.

    Në vendim thuhet se me shumicë votash, Paneli ka rënë dakord me ZPS-në, duke thënë se neni 32 (3) duhet të zbatohet për vepra që përfshijnë ose edhe i tejkalojnë pesë vite burgim.

    “Si rezultat, Paneli konstaton, me shumicë votash, se duke qenë se vepra e pengimit të personave zyrtarë është e dënueshme në format e saj të rënduara me burgim nga një (1) deri në pesë (5) vjet, forma e tretë e nxitjes sipas nenit 32(3) të KPK-së është e zbatueshme në këtë rast”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, ata e konsideruan gabim konstatimin e gjyqtares së ky nen nuk ishte i zbatueshëm për veprën “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”. Kështu që paneli, pranoi pikën katër të ankesës së ZPS-së.

    “Duke qenë se konstatimi për ekzistencën e një dyshimi të bazuar mirë se Thaçi i ka nxitur Fazliun, Smakajn dhe Kilajn për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë përfshin një vlerësim faktik të provave, çështja i kthehet Gjykatësit të Procedurës Paraprake për shqyrtim të mëtejshëm”, thuhet tutje në vendim.

    Ndryshe, në këtë rast Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

    Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

    Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt me 9 dhjetor.

    Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

    Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

    Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

    Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Haradinaj: Konstituimi i Kuvendit u bllokua nga Kurti, s’mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht

    Haradinaj: Konstituimi i Kuvendit u bllokua nga Kurti, s’mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.

    Ai theksoi se nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht.

    “Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, shkroi kreu i AAK-së.

  • Ligji i ri kërkon dorëheqje, a kishte të drejtë opozita dhe si kishte vepruar Thaçi në vitin 2014?

    Ligji i ri kërkon dorëheqje, a kishte të drejtë opozita dhe si kishte vepruar Thaçi në vitin 2014?

    Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është ndërprerë pas votimit të opozitës kundër raportit për verifikimin e mandateve të deputetëve si dhe abstenimit të Listës Serbe.

    Arsyetimi i PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ishte se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij nuk kanë dhënë dorëheqje nga funksionet ekzekutive para se të bëjnë betimin si deputetë, ndonëse një dokument i publikuar sot, tregon dorëheqjen e Kurtit dhe kabinetit të tij qeveritar.

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se “nuk do të lejohet që legjislatura e re të nisë me shkelje të Kushtetutës”, duke akuzuar Vetëvendosjen për tentim të uzurpimit institucional.

    “Zoti Kurti le të japë dorëheqje, është shumë e thjeshtë. Një letër mjafton që të lë funksionin e kryeministrit dhe të betohet si deputet, ashtu siç e kërkon ligji,” deklaroi Krasniqi.

    Ndërsa, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kritikoi ashpër partinë fituese, duke e akuzuar për veprim politik jokushtetues që po pengon formimin e institucioneve.

    Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes që ende ushtrojnë funksione në ekzekutiv nuk mund të jenë njëkohësisht edhe deputetë, duke e cilësuar këtë si shkelje të qartë kushtetuese.

    “Në demokracinë parlamentare, ku partia fituese nuk respekton rregullin bazë kushtetues, që thotë se një i zgjedhur s’mund të jetë edhe kryeministër apo ministër, edhe deputet i Kuvendit të Kosovës… është shndërrim jokushtetues i cili bëhet si pjesë e një loje politike për të zvarritur sa më shumë formimin e institucioneve”, tha Abdixhiku.

    Po ashtu, edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në facebook, tha se konstituimi i Kuvendit u bllokua nga vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke thënë se ligji nuk lejon mbajtjen e postit të kryeministrit apo të ministrit “dhe të betohesh si deputet”.

    “Konstituimin e Kuvendit sot e ka bllokuar vetë Albin Kurti. Ligji e Kushtetuta e këtij shteti nuk lejojnë që të mbash edhe postin e Kryeministrit apo të Ministrit dhe të betohesh si deputet. Nuk mund të ulesh në dy karrige njëkohësisht. Ne nuk mund ta shkelim Kushtetutën dhe të veprojmë ndryshe, prandaj nuk e votuam raportin. Albin Kurti me ministrat e tij, nëse duan ta konstituojnë Kuvendin, le të tërhiqen ose nga postet ministrore, ose nga mandati i deputetit, e të mos i fajësojnë të tjerët për gabimet e veta”, ka shkraur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.

    Por, dokumente zyrtare të siguruara nga televizioni ATV hedhin dritë mbi një praktikë të mëhershme institucionale, e cila zbatohej para miratimit të Ligjit për Qeverinë në vitin 2022. Në vitin 2014, ish-kryeministri Hashim Thaçi kishte ndjekur një qasje të ndryshme nga ajo që po kërkohet sot.

    Më 17 korrik 2014, Thaçi bëri betimin si deputet i Kuvendit të Kosovës, duke kaluar formalisht në funksionin legjislativ. Megjithatë, në atë kohë, ai vazhdoi të ushtrojë funksionin e tij si kryeministër deri në zgjedhjen e qeverisë së re.

    Katër muaj pas betimit si deputet, konkretisht më 19 nëntor 2014, Thaçi nënshkroi një vendim zyrtar në cilësinë e Kryeministrit të Kosovës. Vendimi Nr. 01/205 flet për miratimin e ekstrakteve të procesverbaleve nga mbledhjet e qeverisë (nr. 196–201), duke konfirmuar se ai ka vazhduar ushtrimin e funksioneve qeveritare ndonëse kishte kaluar në mandatin legjislativ.

    Në vitin 2022, Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin Nr. 08/L-117 për Qeverinë, i cili rregullon në mënyrë më të qartë funksionimin e ekzekutivit dhe raportet e tij me Kuvendin. Ky ligj parashikon që, nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje nga posti qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve (Neni 26, paragrafi 1).

    Duke u bazuar në këtë dispozitë ligjore, partitë opozitare votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve, me arsyetimin se kryeministri Kurti dhe kabineti i tij nuk kishin dhënë dorëheqje.

    Megjithatë, Qeveria e Kosovës sot ka lëshuar një dokument zyrtar, në të cilin paraqitet dorëheqja e Kurtit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar, e cila rezulton të jetë e pranuar nga KQZ-ja me datë 27 mars 2025, pra para certifikimit të rezultateve, ashtu siç kërkohet me ligj.

    Kujtojmë se Kuvendi, ditën e sotme ka ndërprerë seancën dhe ka paralajmëruar se do ta njoftojë Presidenten për situatën e krijuar.

    Këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, i tha ATV-së se deri më tani nuk është pranuar asnjë letër zyrtare nga Kuvendi.

    Në përputhje me nenin 26 të Ligjit për Qeverinë, dorëheqja e Kryeministrit dhe ministrave të tij para certifikimit të rezultateve është e vlefshme nga aspekti ligjor. Tani mbetet në dorën e institucioneve që ta zbatojnë këtë dispozitë në përputhje me afatet kushtetuese. /atvlive.tv

  • Përditësimi i ri, përdoruesit hasin probleme gjatë punës me telefonat e Samsung

    Samsung më në fund publikoi përditësimin One UI 7 javën e kaluar.

    Megjithatë, kompania koreano-jugore u përball me probleme menjëherë pas. Samsung duhej të ndalonte prezantimin global të përditësimit One UI 7, bazuar në Android 15, për serinë Galaxy S24, si dhe për modelet Galaxy Z Fold 6 dhe Galaxy Z Flip 6. Ky zhvillim u konfirmua nga tipsteri i njohur Ice Universe dhe diskutimet mbi temën e re janë shfaqur në forumet e Samsung në Korenë e Jugut.

    Sipas raportimeve, është zbuluar një gabim serioz që i pengon pronarët e telefonave të lartpërmendur të zhbllokojnë pajisjet e tyre. Një tjetër media nga Koreja e Jugut pretendon se problemi çon në shkarkimin e tepërt të baterisë. Sugjerohet se problemi u vu re fillimisht në modelet Galaxy S24 me çipin Exynos 2400, por raportet e mëvonshme konfirmuan se Samsung gjithashtu ka ndaluar dërgimin e përditësimeve për modelet Galaxy S24 me çipin Snapdragon në mbarë botën.

    Samsung pritet të lëshojë së shpejti një përditësim të ri me një rregullim për One UI 7 në telefonat Galaxy. Industria e pajisjeve shtëpiake po kalon një transformim të madh në vitin 2025, pasi konsumatorët kanë prioritet zgjidhjet inteligjente, efikase dhe miqësore me mjedisin që integrohen pa probleme në stilin e tyre të jetesës. Me inteligjencën artificiale (AI) që “kryeson garën”, pajisjet e sotme nuk janë vetëm mjete funksionale, por asistentë inteligjentë që parashikojnë nevojat e përdoruesve, optimizojnë konsumin e energjisë dhe përmirësojnë komoditetin. “Ndërsa AI dhe automatizimi vazhdojnë të përparojnë, pajisjet shtëpiake po evoluojnë nga makina të thjeshta në partnerë inteligjentë në jetën e përditshme”-tha João Ramos, Menaxher i Pajisjeve Digjitale në Samsung. /tch

  • Kurti: Opozita u rebelua kundër betimit të deputetëve, ky është sulm institucional

    Kurti: Opozita u rebelua kundër betimit të deputetëve, ky është sulm institucional

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ashpër përmes një postimi në Facebook pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar opozitën se ka penguar një proces formal dhe teknik që çon drejt konstituimit të legjislaturës së re, përcjell ATV.

    Kurti tha se opozita, përfshirë PDK-në, LDK-në, Listën Serbe dhe AAK-në, ka votuar kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve, duke e quajtur këtë veprim një sulm të brendshëm institucional.

    “Deputetët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”, shkroi Kurti.

    Ai tha se ky veprim i opozitës nuk është vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër vullnetit qytetar dhe vetë sistemit demokratik.

    “Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, përfundoi Kurti. /atvlive.tv

    Reagimin e plotë të Albin Kurtit në facebook, e gjeni më poshtë:

  • ​Skandali i basteve, përfshihet edhe djali i Pirlos

    ​Skandali i basteve, përfshihet edhe djali i Pirlos

    Sipas raportimeve nga gazeta italiane “Corriere della Sera”, djali i Andrea Pirlos, legjendës së Milanit dhe Juventusit, është i përfshirë në një rrjet të paligjshëm basteve që ka tronditur futbollin italian, përcjellë KosovaPress.

    Skandali, i cili ka çuar në dënime të rënda për futbollistë si Tonali dhe Zaniolo, duket se ka përfshirë edhe të riun Pirlo.

    Sipas raportit, Nicolo Fagioli, i cili dyshohet se organizoi bastet e paligjshme, përmes ËhatsApp-it zbuloi përfshirjen e të riut Pirlo. Fagioli thuhet se i tha Marinonit se “Niccolo donte të dilte nga borxhi, por babai i tij mori vesh gjithçka dhe ia bllokoi llogarinë derisa mbushi 18 vjeç. Të kesh 30 mijë euro borxh në moshën 17-vjeçare është shumë e rëndë”.

    Hetimet në Itali tregojnë se skandali mund të jetë më i gjerë se sa mendohej fillimisht. Prokuroria e Milanit po heton 12 futbollistë aktualë dhe ish-futbollistë të Serie A, duke përfshirë emra të njohur si Leandro Paredes, Angel di Maria dhe Ëeston McKennie, përveç të riut Pirlo. /TCh

  • Abdixhiku: Vetëvendosje po zvarrit konstituimin e Kuvendit me sjellje jokushtetuese

    Abdixhiku: Vetëvendosje po zvarrit konstituimin e Kuvendit me sjellje jokushtetuese

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kritikoi ashpër partinë fituese, duke e akuzuar për veprim politik jokushtetues që po pengon formimin e institucioneve, raporton ATV.

    Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes që ende ushtrojnë funksione në ekzekutiv nuk mund të jenë njëkohësisht edhe deputetë, duke e cilësuar këtë si shkelje të qartë kushtetuese.

    “Në demokracinë parlamentare, ku partia fituese nuk respekton rregullin bazë kushtetues, që thotë se një i zgjedhur s’mund të jetë edhe kryeministër apo ministër, edhe deputet i Kuvendit të Kosovës… është shndërrim jokushtetues i cili bëhet si pjesë e një loje politike për të zvarritur sa më shumë formimin e institucioneve”, tha Abdixhiku.

    Ai tha se zgjidhja është e thjeshtë dhe e qartë: dorëheqje nga ekzekutivi dhe betim si deputetë.

    “Të japin dorëheqje prej pozitave që i kanë, të ulen në ulëset e Kuvendit si deputetë të Republikës së Kosovës, të bëjnë betimin, dhe kështu nis formalisht konstituimi i Kuvendit”, u shpreh Abdixhiku. /atvlive.tv

  • ​Bajrami: Letra e Kurtit nuk është dorëheqje

    ​Bajrami: Letra e Kurtit nuk është dorëheqje

    Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se letra e Albin Kurtit nuk është dorëheqje.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përmes një letre drejtuar kryetarit në detyrë të Kuvendit, njoftoi për dorëheqjen e tij dhe të kabinetit qeveritar.

    “E pamë letër dorëheqjen e deputetit Albin Kurti, kryeministrit në detyrë, e cila në fakt sipas nesh nuk është dorëheqje për shkak se i referohet një dorëheqjeje të dhënë me datën 27 mars të cilën ai thotë ‘deklaratë që e kam bërë në komisionin qëndro të zgjedhjeve’. Ne pyetëm përfaqësuesin tonë në KQZ dhe e kemi ditur edhe më herët që kryeministri dhe ministrat me 27 mars dhe para datës 27 mars nuk kanë dorëzuar asnjëherë dorëheqje dhe ky njoftim për të dhënë betimin i referohet një deklarate të dhënë në KQZ. Ajo çfarë kërkon rregullorja e Kuvendit, ligji dhe çfarë e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës është që ministrat të japin dorëheqje dhe mandej të vijnë të bëjnë betimin si deputet, kështu që derisa ka dorëheqje efektive që nënkupton që këta mund të kthehen në zyrat e tyre dhe të marrin vendime, ne do të votojmë kundër në këtë komision”, tha Bajrami.

    Seanca e Kuvendit u ndërpre të martën pasi raporti i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të zgjedhur nuk kaloi.

    Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm.

    Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe te Nismës./kp