ATV

Author: ATVLive

  • Lutje nga Prishtina, për lirinë e Ukrainës

    Lutje nga Prishtina, për lirinë e Ukrainës

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Tash e dy vjet mbishkrimi, “Liri për Ukrainën”, është i vendosur në qendrën e Prishtinës, që kur nisi agresioni i Rusisë në këtë shtet.

    Për gjithë këtë kohë, kjo është lutja kryesore edhe për Tetiana Kraselnykovan, gazetaren ukrainase që u akomodua në kryeqytetin kosovar, prej kur krisi lufta.

    Unë jam në Kosovë me djalin tim nëntë vjeçar falë programit “Rezidenca në Kosovë” Jam shumë mirënjohës që pata mundësinë të shpërngulem në Kosovë”, tha Kraselnykovan.

    Ndonëse vetë është e sigurt, brengën e ka për prindërit e vëllain që janë ende në Ukrainë e po përballen me raketat që kalojnë mbi qytetin ku ata banojnë.

    “Prindërit dhe vëllai im kanë qëndruar në Ukrainë. Atje më kanë mbetur shumë të afërm dhe miq, me të cilët vazhdoj të mbaj kontakte. Çdo ditë komunikojmë me prindërit, të afërmit, miqtë, lexojmë lajmet, shqetësohemi dhe lutemi për ta. Ata janë në pjesën qendrore të Ukrainës, nuk janë në zonën e përparme dhe ku zhvillohet armiqësi aktive, por ndonjëherë fluturojnë dronë dhe raketa, dhe kjo është e rrezikshme”, tha Kraselnykovan.

    Veç për familjarët, Tatianan e ka marrë malli edhe për tokën ku u rrit.

    “Më mungon shumë çdo pjesë e tokës sime, të afërmit e mi, miqtë e mi. Ne i jemi shumë mirënjohës universit për mundësinë që të jemi në një vend të sigurt”, tha më tej Kraselnykovan.

    Të shtunën, gazetarët ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, përmes programit ”Journalist in residence”, ndezën qirinj për viktimat, në dyvjetorin e nisjes së luftës.

    Deri sa ajo të përfundojë, këta thonë se do ta kenë një zjarr të tillë përbrenda.

    “Zemrat na digjen, ndonëse jemi larg nga Ukraina, jemi me të”, tha Kraselnykovan.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Varrezat e Milloshevës gati plotë, banorët kërkojnë hapësirë të re

    Varrezat e Milloshevës gati plotë, banorët kërkojnë hapësirë të re

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Gati çdo ditë, Hamdi Baliu nga Millosheva e Obiliqit, vjen e përkujdeset për varrezat e fshatit.

    Kjo rutinë nuk po e lodh 83 vjeçin më shumë se sa shqetësimi që kjo hapësirë po ngushtohet, dhe nuk do të ketë më vend për varre tjera, pasi kanë mbetur vetëm rreth 20 metra katrorë për t’i shfrytëzuar.

    Ky po kërkon nga komuna që ta caktojë një lokacion të ri, për varrezat e fshatit.

    “Krejt këto therra ka janë ka varre të vjetra. Qetu ka vende të komunës dhe kishim lut që komuna me e bë një vend, për vite më të gjata se jo afat shkurtër”, tha Hamdi Baliu, banor i fshatit Milloshevë.

    Sipas tij, ndodh që krijohen probleme gjatë mihjes së varreve.

    “Përpara veç ndonjë guri ose hiq, e tash nuk po dihet ku ka varre, e po duhet me u ruajt se po hasim në tjera varre”, tha Baliu.

    Pro një hapësire të re janë edhe banorët tjerë të Milloshevës.

    “S’ka vend ma shumë pak vend ka për varreza”, tha Asllan Ismajli, banor i fshatit Milloshevë.

    Komuna e Obiliqit është në dijeni për këtë situatë, por ende nuk ka gjetur zgjidhje.

    “Javën e kaluar kryetari është takuar me disa banorët e fshatit, tash kemi mbet me e gjet një parcelë diku afër e pastaj me e trajtua si çështje në kuvendin komunal. Por deri më tani nuk ka diçka konkrete, por jemi duke punuar në këtë drejtim”, thuhet në përgjigjen e drejtorit të Shërbimeve Publike në Obiliq, Abdyrrahmon Krasniqi.

    Në këtë hapësirë, ka varre të vjetra mbi 150 vjet.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Vitia lartëson pagat e mjekëve, mantelbardhët e kundërshtojnë

    Vitia lartëson pagat e mjekëve, mantelbardhët e kundërshtojnë

    Përgatiti: Pranvera Krasniqi

    Mjekët në Kosovë kanë paga ndër më të lartat në Ballkan.

    Kështu theksoi ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, duke shtuar se kjo vjen si shkak i rritjes së vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave.

    “E para nga viti i kaluar mjekët tashti kanë një rrogë dinjitoze nga rrogat më të larta që kanë mjekët në regjionin e Ballkanit perëndimor. Në anën tjetër jemi duke investuar në çdo vend janë katër klinika bosh në QKUK…”, tha Vitia.

    Por, skandaloz e të pavërtetë e ka quajtur Enlirat Duraku nga “Oda e Infermierëve”, deklaratën e ministrit, meqë sipas tij, me Ligjin e ri të Pagave po diskriminohen specialistët e profesionistët shëndetësor.

    “Nuk pajtohem me deklaratën e ministrit Vitia, aspak nuk qëndron ajo, bile në Kosovë nuk janë aspak të kategorizuara pagat për profesionistët shëndetësorë…”, tha Duraku.

    Pikërisht pagat e ulëta po konsiderohen arsyeja që profesionistët shëndetësor po e braktisin Kosovën.

    “Është e vërtetë se Pagat e mjekëve ne Kosovë janë ndër më të lartat ne rajon, por tashmë është provuar se kjo nuk po e ndal ikjen e mjekëve nga Kosova. Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë kushte më të mira për edukim dhe shkollim, dhe lehtësira për specializantët në mënyrë që të parandalohet ikja e tyre. Përndryshe në një periudhë jo shumë të largët do të kemi mungesë të disa profileve të mjekëve, pasi është rritur mosha mesatare e specialistëve”, tha Bujar Vitija, njohës i shëndetësisë.

    Ndërkaq, sipas Odës së Mjekëve, rreth 150 mjekë janë larguar nga vendi i punës vetëm në vitin 2023, kurse gjatë këtij viti, 17 tjerë kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, që nevojitet për punësim në Perëndim.

    Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.

    Pikërisht për këto pakënaqësi, Oda e Infermierëve, për të tretën herë me radhë, ka paralajmëruar se do të mbajë “grevë urie” të hënën para Objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Draft-strategjia kundër korrupsionit ende nuk është gati

    Draft-strategjia kundër korrupsionit ende nuk është gati

    Përgatiti: Nora Luta

    Për ta adresuar parandalimin e korrupsionit në Kosovë, ekzekutivi është duke e hartuar strategjinë kundër korrupsionit 2024-2027. Në draftin fillestar të siguruar nga televizioni, janë paraqitur katër objektiva kryesore në luftimin e korrupsionit.

    E para flet për parandalimin, e dyta për ndjekjen dhe dënimin dhe objektivat për ndërgjegjësim dhe edukim. Në kuadër të ndjekjes dhe hetimit, në draft është paraparë ndër të tjera ndërmarrja e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial.

    “Masat përfshijnë investimet në infrastrukturën e sistemit gjyqësor, kapacitetet njerëzore dhe nxitjen e proceseve të digjitalizimit në gjyqësor, përmes aplikimit të plotë të SMIL-it. Masat legjislative përfshijnë ndërmarrjen e miratimit të ligjit për SMIL dhe komunikimin elektronik, vlerësimin ex-post të ligjit për gjykatën tregtare, ndërmarrjen e një analize të politikave për mbikëqyrjen e vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së, krijimin e strukturave të verifikimit, ndërmarrjen e vlerësimit ex-post të ligjit që përcakton përgjegjësinë penale të personave juridikë për vepra penale etj”, thuhet në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

    Në kuadër të kësaj mase, sipas monitoruesve të drejtësisë, është propozuar një koncept-dokument për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Kushtetuese, e cila do të kishte rol mbikëqyrës ndaj vendimeve të KGJK-së dhe KPK-së.

    Strategjia ndër të tjera synon edhe rritjen e transparencës në vendimet dhe punën e Qeverisë, dhe administratës publike.

    “Kjo strategji synon t’i përdorë teknologjitë digjitale për ta luftuar korrupsionin në nivel kombëtar dhe të ndërtojë një qeveri më transparente dhe të përgjegjshme. Proceset e digjitalizimit afrojnë qytetarët me aktivitetet e Qeverisë, duke filluar nga përfshirja e tyre në procesin e bërjes së buxhetit të shtetit, deri te monitorimi i shpenzimeve, proceseve të prokurimit dhe ofrimit të shërbimeve publike”, thuhet më tej në draft-strategjinë kundër korrupsionit.

    Sipas Bugaqkut, strategjisë në këtë fazë i mungon vlerësimi i ndikimit financiar dhe aktivitetet që do të dalin nga ky dokument.

    Grupi punues për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit është themeluar më 23 shkurt të vitit të kaluar, me planin që dokumenti të përfundojë në dhjetor.
    Megjithatë, një vit pas, strategjia ende nuk ka një epilog përfundimtar. Mandati i strategjisë së fundit ka përfunduar në vitin 2018.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Kërkohen ndryshime në Ligjin e Punës, por s’parashihet në agjendën legjislative

    Kërkohen ndryshime në Ligjin e Punës, por s’parashihet në agjendën legjislative

    Përgatiti: Benita Zeneli

    Marrëdhënia e punës në Kosovë rregullohet me Ligjin e Punës, të pandryshuar tashmë 13 vjet. Plan, megjithatë, pati që projektligji për plotësim-ndryshimin e tij të dërgohet në Kuvend në fund të qershorit 2023.

    Megjithatë, ky projektligj nuk është në agjendën legjislative as të këtij viti.

    “Kemi informacion që është duke u punuar, mirëpo ende nuk e dimë se kur. Megjithatë, edhe pse nuk është në program legjislativ nuk do të thotë që nuk mund ta miratojnë, por kjo i bie që as nuk është në planet e qeverisë që ka qenë premtim elektoral dhe i bie që nuk po e respekton strategjinë”, tha Naim Jakaj nga IKD.

    Megjithatë, sipas Jakajt, ndryshimet duhet të bëhen.

    “Në pushimin e lehonisë…. prindëror të jetë i njëjtë si për nënën, ashtu edhe për babanë. Të gjitha ato që janë miratuar në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian”, tha Jakaj.

    Përditësimin e ligjit e kërkon edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat.

    Rreth Ligjit të Punës së fundi është deklaruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila kërkoi që ai të jetë në përputhje me direktivat e BE-së dhe duhet të procedohet sa më parë në Kuvend.

    Ndërkaq, ligji aktual i punës ishte miratuar në vitin 2010.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Marrëveshja për ekstradim mes Kosovës e Malit të Zi

    Marrëveshja për ekstradim mes Kosovës e Malit të Zi

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Ish-ministri i Drejtësisë në Malin e Zi, Marko Kovac, i cili ditët e fundit sa ishte në detyrë refuzoi t’i ekstradonte në Kosovë disa të arrestuar, u dekorua nga Presidenti serb për, siç u tha, konsolidim të bashkëpunimit.

    Derisa politikani pro-serb dekorohej në Beograd, në Kosovë Qeveria miratoi nismën për lidhjen e Marrëveshjes për ekstradim me Qeverinë e re të Mali të Zi.
    Tani, vendimi ka mbetur në duar të shtetit fqinj.

    “Ministria e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, qysh javën e kaluar, ia ka shprehur vullnetin Ministrisë së Drejtësisë të Malit të Zi, që sa më shpejt që është e mundur të vijohet me procedurat e tjera drejt finalizimit të teksteve të marrëveshjeve, në mënyrë që pastaj ato të nënshkruhen dhe jemi në pritje të përgjigjes së tyre. Pas nënshkrimit, ato u nënshtrohen procedurave të ratifikimit në të dy shtetet dhe kur të përfundohen këto procedura, pas përfundimit të afateve të përcaktuara në marrëveshje, hyjnë në fuqi”, tha Flamur Pireva nga Ministria E Drejtësisë.

    Në anën tjetër, deputeti shqiptar në Malin e Zi, Nikollë Camaj, vlerëson se gjasat janë reale që marrëveshja të pranohet e pastaj të ratifikohet.

    “Nëse vjen në Kuvend, besoj se do të miratohet, pavarësisht deputetëve që mund të dalin kundër marrëveshjes…”, tha Nikollë Camaj, deputet në parlamentin e Malit të Zi.

    Marrëveshja si e tillë konsiderohet e dobishme, edhe nga juristët vendas.

    “Bashkëpunimi mes shteteve bëhet përmes reciprocitetit ose marrëveshjeve. Marrëveshjet janë më efektive…”, tha Adrian Bajraktari, avokat.

    Ministria e Drejtësisë për ATV-në konfirmoi se aktualisht janë në pritje të vendimit nga Mali i Zi për ekstradimin e një personi që dyshohet për krime lufte në Kosovë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Përplasjet në dialog, Kurti e Bislimi dolën disa herë kundër Borrellit e Lajçakut

    Përplasjet në dialog, Kurti e Bislimi dolën disa herë kundër Borrellit e Lajçakut

    Përgatiti: Armand Hoti

    Besnik Bislimi e qortoi haptazi Miroslav Lajcakun këtë javë, për qasjen e tij në procesin e dialogut.

    Për kryenegociatorin kosovar, ftesa për takim në Bruksel nga i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian, për të folur për çështjen e dinarit, ishte shkelje e parimeve nga ndërmjetësuesi.

    “Por kësaj radhe mendoj që ai i ka shkelur parimet që ai i ka vendosur vetë sepse është hera e parë që ai ka caktuar një takim pa dakordim parapake me palët dhe është munduar që të përcaktoj agjendën përkundër parimet që ai ka vendosur në vitin 2021”, kishte thënë Bislimi.

    Këtë deklaratë të Bislimit, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano e quajti të papranueshme.

    Por kjo nuk ishte hera e parë që liderët e Kosovës u përplasën me ndërmjetësuesit, për këtë proces.

    Kryeministri Albin Kurti, pas takimit trepalësh të 14 shtatorit në Bruksel, kishte thënë që Lajçaku u ndikua nga presidenti Aleksander Vuciq, për planin e sekuencimit të marrëveshjes së 27 shkurtit.

    “Është për të ardhur keq që Lajçak e ka pranuar një kushtëzim të tillë e kushtëzimin nga Serbia e ka bërë në cenim të funksionit të tij si lehtësues”, kishte thënë Kurti.

    Lufta në distancë me Lajçakun e Borrellin vazhdoi edhe kur Kurti u kthye në Prishtinë.

    “Ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës. Në situatën në të cilin jemi, vlerësoj se nuk mund të shtrembërohen me gjykimin tim me asnjë hedhje hirit syve”, kishte thënë Kurti në një tjetër deklaratë.

    Për këtë acarim të herë-pas-hershëm të raporteve Prishtinë-Bruksel, profesori Basri Muja, thotë se duhet pasur kujdes me gjuhën diplomatike. Megjithatë, në disa raste, sipas tij, duhet mbrojtur interesat e shtetit.

    “Sigurisht që gjuha diplomatike është e nevojshmë në parim, por në situata të caktuara, ku vërtet vërehet që ndërmjetësit kanë qartë qasje jo të balancuar atëherë mendoj që edhe një gjuhë e tillë nuk i dëmton këto përpjekje sepse edhe partnerët ndërkombëtar duhet ta kenë të qartë se ekzistojnë disa limite që asnjë Qeveri e Kosovës nuk duhet të kaloj”, tha Muja.

    Megjithatë, qasjen si kryeministër, Kurti nuk e pati edhe sa ishte opozitar. Asokohe, ai i kishte dalë në mbrojtje sllovakut Lajcak, kur kundër tij fliste ish-presidenti Hashim Thaci, që udhëhiqte me dialogun.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Të varurit nga droga në rritje, dominojnë marihuana e hashishi

    Të varurit nga droga në rritje, dominojnë marihuana e hashishi

    Përgatiti: Armand Hoti

    Institucionet e Kosovës nuk kanë shifra të sakta, por kanë vlerësuar se numri i përdoruesve të drogës është duke u rritur. Më së shumti përfshihen të rinjtë.

    Për ta luftuar këtë dukuri, Ministria e Punëve të Brendshme e ka hartuar një strategji katërvjeçare. Punë do të ketë me shumë lloje të drogave.

    “Marihuana dhe hashishi duket se janë substancat më të përdorura, ndërsa përdorimi i kokainës ka shënuar gjithashtu rritje, krahasuar me heroinën e cila ka rënie. Përveç drogave tanimë të njohura, në treg janë prezente gjithashtu drogat sintetike si ‘amfetamina’, ‘ekstazi’, veçanërisht ‘mdma’, pastaj ‘ghb’, ‘lsd’, ‘crack’ dhe të tjera”, thuhet në draft-strategjinë kundër drogës.

    Me draft-strategjinë që aktualisht është në fazën e konsultimeve publike, parashihen katër objektiva.

    “Marrë parasysh problemet e identifikuara, vizioni i kësaj Strategjie është ulja e prezencës dhe konsumimit të drogës në Kosovë, duke eliminuar kështu pasojat negative që sjell droga dhe krijuar një shoqëri të shëndetshme, të sigurtë dhe ekonomikisht aktive. Kështu Strategjia parasheh gjithsej katër objektiva kryesore të cilat synohen të arrihen: 1. Zvogëlimi i ofertës dhe furnizimit me drogë – rritja e sigurisë; 2. Zvogëlimi i kërkesës për drogë; 3. Adresimi i dëmeve që lidhen me drogën dhe 4. Fuqizimi i bashkëpunimit ndër-institucional dhe atij ndërkombëtar”, thuhet në draft-strategjinë kundër drogës.

    Për t’u arritur objektivat, duhet edhe buxhet.

    Ilir Havolli nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës, propozon që shteti të merret më shumë me fushata vetëdijesuese për këtë dukuri.

    “Fushatat vetëdijësuese mungojnë. Do të ishte mirë që të bëhet një kombinim i strategjive dhe kompetencave të ndryshme duke filluar që nga vetëdijesimi qytetar, ai familjar, që nga futja nëpër planprogramet shkollore”, tha Havolli.

    Ndërsa për ata që tashmë kanë krijuar varësi nga droga, ekzistojnë insitucione të cilat mundë t’u dalin në ndihmë.

    “Ekziston qendra për mbështetje të specializuar dhe ndihmë për personat të cilët kanë krijuar varrësi nga substancat narkotike…duke pasur parasysh se ekizston një dozë e sigmatizimit në Kosovë këto raste janë të vështira për t’u zbuluar mirëpo interesimi është i rritur”, tha Havolli.

    Raporti i Komisionit Evropian i vitit 2023 thekson që Kosova vazhdon të jetë vend i deponimit dhe transitit të drogës.

    Sipas draft-strategjisë së MPB-së, më 2022, Policia e Kosovës ka sekuestruar 662 kilogram marihuanë, 246 kilogram heroinë dhe 4 kilogramë kokainë.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • KFOR-i tërhiqet nga objekti komunal i Zveçanit

    KFOR-i tërhiqet nga objekti komunal i Zveçanit

    Përgatiti: Haris Ademi

    Pas nëntë muajve me prezencë non-stop, rreth objektit komunal të Zveçanit nuk do të ketë më trupa të KFOR-it.

    Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë tërhequr njësitet nga ndërtesa e komunës veriore, pas vlerësimit se siguria në këtë pjesë të qytezës është stabilizuar.

    Sipas komunikatës për media të dielën, pjesëtarët e Batalionit të Forcave Operacionale rezervë do të mbesin ende në Zveçan, për të kryer patrullime të rregullta.

    Misioni i KFOR-it u detyrua t’i shtojë 700 ushtarë të kësaj njësie në veri, në fund të majit të vitit të kaluar, kur plasën protestat e dhunshme të serbëve në Zubin Potok, Leposaviq e Zveçan, kundër kryetarëve të zgjedhur shqiptarë.

    Më 29 maj, pikërisht në Zveçan, situata eskaloi më së tepërmi. Dhjetëra ushtarë e protestues u plagosën gjatë kësaj përleshjeje, ku u përdorën armë, shok-bomba, gurë e shishe të qelqit.

    Pas kësaj situate, KFOR-i u tregua më i rreptë në komunikim. Dy ditë më vonë, një epror amerikan i paralajmëroi krerët e Listës Serbe që rrinin në Zveçan, se nuk do të lejohej më skenari i njëjtë.

    “Nuk mund ta harroj të hënën, sepse e hëna e kësaj jave mund të përsëritet sërish. Dhe unë s’mund ta harroj të hënën, për të vetmen arsye që të sigurohem se nuk do të ndodh kurrë më sërish”, tha një epror amerikan i KFOR-it në Zveçan.

    Edhe pse pati sërish raste sulmesh ndaj ekipeve të policisë dhe të mediave, situata në komunat veriore nuk u përshkallëzua njëjtë. Derisa KFOR-i vazhdoi t’i ruajë objektet.

    Njësitet paqeruajtëse janë larguan edhe nga Leposaviqi e Zubin Potoku, para se at lëshonin objekti komunal në Zveçan.

    Mirëpo vetëm një ditë më parë, në këtë ndërtesë u dogj flamuri i Kosovës. Zëdhënësi policor për veri, Veton Elshani, tha se të dyshuarit janë të mitur, derisa rasti është hapur si “nxitje e urrejtjes, përçarje dhe mosdurim”. Një flamur i ri i Republikës, është vendosur sërish në këtë objekt.

    Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

  • Llapi barazon me Prishtinën, Drita shënon fitore përballë Dukagjinit, Liria dhe Fushë Kosova ndajnë pikët

    Llapi barazon me Prishtinën, Drita shënon fitore përballë Dukagjinit, Liria dhe Fushë Kosova ndajnë pikët

    Skuadra e Llapit ka humbur mundësinë për të qenë lider i ‘Albi Mall Superligës’

    Në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë, Llapi ka barazuar pa gola me Prishtinën.

    Pas këtij barazimi, Llapi renditet në vendin e dytë në tabelë me 44 pikë, një më pak se lideri Ballkani.

    Ndërkohë Prishtina renditet në vendin e pestë me 31 pikë.

    Në ndeshjet tjera, Drita ka mposhtur Dukagjinin 2:0, me dy golat e realizuara nga Ovouka, dhe kështu skuadra nga Gjilani tani renditet në vendin e tretë në tabelë me 43 pikë, vetëm 3 pikë pak se lideri Ballkani, kurse në Prizeren, Liria dhe Fushë Kosova kanë luajtur 0:0.