ATV

Author: ATVLive

  • ​Kurti i reagon Ana Bërnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç i referohesh tijo

    ​Kurti i reagon Ana Bërnabiqit: Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç i referohesh tijo

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se Kosova është e dedikuar për rend, ligj dhe luftim të korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe.

    Në Samitin e Investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në kuadër të Samitit në Londër të hënën, Kurti nënvizoi se Kosova është në hap me këto dy vende në vlera politike dhe në ato të biznesit.

    Kurti para homologëve të tij nga gjashtë vendet e rajonit, tha se Kosova në tri vitet e fundit ka dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, por theksoi se nevojiten më shumë të tilla.

    “Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.

    Ai përmendi edhe zhvillimin ekonomik në Kosovë, përparimin demokratik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, e kanë ndihmuar Kosovën të luftojë me sukses rreziqet për sigurinë.

    “Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale. Kosova udhëheq në Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve 2024-2025, kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11-ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE-së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji”, shtoi Kurti.

    Në anën tjetër, përmes një video-lidhje, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kërkoi më shumë investime të huaja, derisa tha se bashkëpunimi në rajon nuk ka qenë kurrë më i zhvilluar.

    “Çmimi i energjisë elektrike nuk ka ndryshuar fare, jemi nën nivelet e rajonit. borxhi jonë publik ka pësuar rënie historike nën 60 për qind në fund të vitit 2023…Bashkë me vendet të tjera të rajonit jemi një vendi i mirë të shtuar investimet serioze. Në pyetjen pse duhet të investohet në Shqipëri, një përgjigje është se nëse nuk e bëjnë ata e bënë tjetër kush…Bashkëpunimi rajonal kurrë nuk ka qenë më i zhvilluar edhe sa i përket infrastrukturës dhe të tjera gjërave. Ajo çka dëshirojë të theksoj është se plani i ri i rritjes së bashkësisë evropiane me rajonin, natyrisht implikon se duhet të ketë bashkëpunim të fuqishëm mes neve. Në fund të fundit mund të themi sa i kemi të mirë eksportet dhe infrastrukturën, por duhet të mbajmë mend se jemi të vegjël për të pasur ndikim në Evropë, e lere më në botë”, theksoi Rama.

    Ndërkaq, kryeministrja në detyrë e Serbisë, Ana Bërnabiq, teksa ftoi për investime të huaja në vendin e saj, tha se qeveria e re do të formohet shpejtë, derisa disa herë duke iu referuar Kosovës, tha “Kosovo Metohija”.

    “Qeveria e re do të formohet shumë shpejti, besoj deri në fund të marsit. Unë jam kryeministre qysh nga viti 2017, do të shohim. Mirëpo ajo çka është me më rëndësi për investitorët është se Serbia të ketë një vizion të qartë se kah po shkon dhe rrugën që po e pret”, tha ajo.

    Asaj iu kundërpërgjigj kryeministri Albin Kurti, i cili tha se vendi i tij quhet Republika e Kosovës dhe jo si iu referua Bërnabiq.

    Ai tha se po t’i shkonte kësaj rruge do të duhej që ta quante Serbia e Vojvodinës apo Sanxhakut dhe të tjera.

    “Vendi im quhet Republika e Kosovës, jo siç është referuar këtu si Kosovo Metohija. Po të shkoja kësaj rruge do të merrja shumë kohë, pasi përveç Serbia do të duhej të thoja Serbia, Vjovodina, Sanxhaku, Toplica dhe Lugina e Preshevës dhe krahina e Demakut. Më mirë të përqendrohemi në ekonomi”, tha Kurti.

    Edhe kryeministri në detyrë i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, theksoi nevojën e shtimit të investimeve të huaja në vendin e tij./kp/

  • Iu gjet laboratori i drogës në Leposaviq, prokurori kërkon paraburgim

    Iu gjet laboratori i drogës në Leposaviq, prokurori kërkon paraburgim

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin R.V., pasi ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprat penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

    Sipas prokurorisë, i pandehuri, prej datës së pacaktuar e deri me datë 24 shkurt 2024, në shtëpinë e tij në fshatin Graniqane të Leposaviqit, pa autorizim ka prodhuar, kultivuar përpunuar dhe nxjerrë ose përgatitur substanca preparate që janë shpallur si narkotikë ose substanca psikotrope, në atë mënyrë që i pandehuri në shtëpinë e tij i ka përshtatur dy dhoma në laborator duke shfrytëzuar aparatura të llojeve të ndryshme ku ka arritur që të kultivojë dhe prodhojë bimë të ndryshme narkotike.

    “Gjatë kontrollit nga policia në shtëpinë e të pandehurit, në njërën nga dhomat janë gjetur njëzetetre (23) saksi të mbjella me bimë të dyshuara të kanabisit me gjatësi 80.185 cm, llamba elektrike me nxemje elektrike, nxehëse që mban temperaturë konstante, foli alumini me të cilin ishte mbuluar dhoma dhe preparate për kultivimin e bimëve narkotike, ndërsa dhoma tjetër ishte djegur dhe janë vërejtur pajisjet e djegura që janë shfrytëzuar për kultivimin e bimëve narkotike. I pandehuri me aktvendim të prokurorit të shtetit gjendet në ndalim nga data 24 janar 2024. Seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit pritet të mbahet sot, ditë e hënë, pranë Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në komunikatë.

  • Policia shpërndau broshura në Ferizaj “Këshilla për sigurinë e këmbësorëve”

    Policia shpërndau broshura në Ferizaj “Këshilla për sigurinë e këmbësorëve”

    Policia e Komunikacionit Rrugor në Ferizaj, me qëllim të sensibilizimit dhe vetëdijesimit të këmbësorëve dhe shoferëve, sot ka nisur shpërndarjen e broshurave ‘’ Këshilla për sigurinë në komunikacion ‘’ të cilat përmbajnë këshilla dhe rregulla për lëvizjen e këmbësorëve dhe shoferëve në rrugë.

    Sipas Policisw, fletëpalosjet janë duke u shpërndarë në të gjitha komunat e rajonit të Ferizajt dhe përmbajnë disa porosi për këmbësorët dhe shoferët :

    Këmbësorë:

    Për sigurinë tuaj, vishni rroba të ndritshme, ose mbani me vete materiale reflektuese, apo dritë të bardhë gjatë natës për t’iu ndihmuar juve dhe ngasësve që të jeni të dukshëm, bëhu i dukshëm, përdor vendkalimin e këmbësorëve, respekto semaforin, shfrytëzo vendkalimin për këmbësorë dhe ec në trotuar, në rrugët pa trotuare, ec në anën e majtë.

    Shoferë kujdes :

    Shkaktari më i shpeshtë i vdekjeve në trafik është shpejtësia. ‘’Jeta vlen për të gjithë njësoj’’.

  • ​Yamal në hapat e Leo Messit

    ​Yamal në hapat e Leo Messit

    Lamine Yamal është vetëm 16 vjeç, por ka shpërthyer në skenën e futbollit me aq forcë sa që këtë të hënë marka ADIDAS njoftoi një marrëveshje me anësorin. Diçka që ata e kishin bërë me Leo Messin, imazh i firmës sportive që nga viti 2006. Në fakt, lojtari i Barçës luajti të mërkurën e kaluar në Napoli me të njëjtat këpucë që përdor argjentinasi.

    Nënshkrimi i Lamine Yamal me ADIDAS nënkupton se nga sot lojtari i ri do të bëhet imazhi i markës, e cila parashikon një fushatë të fortë në qytetin e Barcelonës me protagonist futbollistin e Barçës, përcjellë KosovaPress.

    Lojtari i ri është bërë një pjesë kyçe për Xavin pasi bëri debutimin e tij sezonin e kaluar. Në fakt, këtë të shtunë ai pushoi kundër Getafes, por pati tetë ndeshje si titullar në njëmbëdhjetëshen startuese. Ai madje shënoi dy gola kundër Granadës.

    “Jam krenar që i bashkohem ADIDAS-it , pasi ata kanë qenë gjithmonë marka e më të mirëve. Duke u rritur, idhullova Leo Messin, i cili ka qenë me ADIDAS që kur fillova të shikoj futboll. Pres shumë vitet në vazhdim,” tha lojtari me rastin e arritjes së marrëveshjes.

  • Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Borrell i quan të pasuksesshme takimet e ndara me Kurtin e Vuçiqin në Mynih

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka thënë se takimet që kishte me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq, gjatë Konferencës së Sigurisë në Mynih, ishin të pasuksesshme.

    Në deklaratën e Borrell të publikuar në faqen e Shërbimit të BE-së për Punë të Jashtme, të lëshuar lidhur me takimet, Borrell ka bërë të ditur se me Kurtin dhe Vuçiqin kanë diskutuar për deesklaimin e tensioneve në marrëdhëniet mes dy vendeve.

    “Me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti, kam diskutuar, në takime të ndara, se si të deeskalojmë tensionet mes dy vendeve, fatkeqësisht pa sukses”, thuhet në deklaratë.

    Po aty thuhet se Borrell ka pasur një numër të madh takimesh dypalëshe me partnerë të BE-së nga e gjithë bota.

    “Të gjithë u ndërgjegjësuan për realitetin në Konferencën e Sigurisë të Munihut të këtij viti se Evropa është në rrezik për shkak të dy luftërave në afërsi dhe shumë konflikteve të mundshme në mbarë botën”, ka theksuar ndër të tjera Borrell.

  • ​Katër të arrestuar për tentim vrasje në Rahovec

    ​Katër të arrestuar për tentim vrasje në Rahovec

    Policia e Kosovës pas hetimeve intensive ka arrestuar katër të dyshuar nën dyshimin se të njëjtit në bashkëveprim kanë kryer vepra penale tentim vrasje dhe armë mbajtje pa leje.

    Sipas Policisë, në vendin e ngjarjes janë gjetur 70 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm ndërsa gjatë kontrollit në katër shtëpitë e tyre si prova materiale janë gjetur dhe konfiskuar: një AK-47, një pushkë gjuetie, dy pistoleta dhe 74 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm.

    Dy prej të dyshuarve kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Rasti në procedurë hetimore.

  • Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje mbahet me dyer të mbyllura për media

    Komisioni për Siguri dhe Mbrojtje mbahet me dyer të mbyllura për media

    Mbledhja e Komisionit për çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, në të cilën është duke raportuar komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari është duke u mbajtur me dyer të mbyllura për media.

    Në këtë mbledhje pritet të diskutohet lidhur me raportin vjetor të punës për vitin 2023.

    Mediat janë lejuar të marrin vetëm pamje në fillim të takimit, ndërsa pas përfundimit të mbledhjes së këtij komisioni pritet të ketë deklarata për media.

  • ​Infantino: Krenar me atë që po i jap futbollit

    ​Infantino: Krenar me atë që po i jap futbollit

    “Jam vërtet krenar që kam mbushur tetë vite si President i FIFA-s dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi deri më sot.” Këtë e ka nënvizuar presidenti i organizmit kryesor botëror të futbollit, Gianni Infantino, në përvjetorin e zgjedhjes së tij të parë.

    “Kur mora detyrën, misioni im ishte ta bëja futbollin global, të aksesueshëm, të sigurt dhe një vend mikpritës për të gjithë, me FIFA-n si pikën kryesore të kësaj lëvizjeje. Thashë se do ta ktheja futbollin në FIFA dhe FIFA-n në futboll dhe mbajta fjalën ime”, nënvizoi menaxheri zviceran në rrjetet sociale, përcjellë KosovaPress.

    “Edhe pse puna jonë nuk ndalet kurrë, kam kënaqësinë të ndaj se kemi bërë përparim të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit të lojës sonë të bukur në mbarë botën. Sot kjo është një mundësi për mua për të parë suksesin e tetë viteve të fundit dhe për të marrë një moment për të njohur përgjegjësinë e madhe që kam për të vazhduar të punoj në emër të të gjithëve dhe për të zhvilluar më tej lojën tonë të bukur. Faleminderit dhe pres me padurim të mbështes FIFA-n dhe futbollin në vitet në vijim”, nënvizoi Infantino në fund.

  • Kurti në Londër: Po e luftojmë korrupsionin, jemi në një vijë me ShBA në vlerat politike dhe ato të biznesit

    Kurti në Londër: Po e luftojmë korrupsionin, jemi në një vijë me ShBA në vlerat politike dhe ato të biznesit

    Në samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Anglinë si në vlerat politike ashtu edhe në ato të biznesit.

    Kurti tha se Kosova ka fuqi punëtore duke përmendur moshën mesatare të popullsisë.

    Në tri vitet e fundit, Kurti tha se janë dyfishuar eksportet dhe investimet e drejtëpërdrejta të huaja, por shtoi se nevojiten ende investime të tilla.

    Ai përmendi edhe arsimimin profesional duke thënë se projekti ka nisur në 14 komuna.

    Në fund, kryeministri Kurti tha se diaspora po sjellë vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë.

    “Kemi pasur zhvillim ekonomik, përparim demokratik dhe stabilitet institucional, që na ka ndihmuar shumë të luftojmë me sukses rreziqet për sigurinë dhe po ashtu të adresojmë ndryshimet klimatike dhe pabarazinë sociale… Kemi po ashtu edhe përparime në rendin e ligjit dhe avancimin në të drejtat politike, në të drejtat civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale dhe jemi në zemër të lidhjes mes Evropës, Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31 vjeçare dhe kemi një ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investimet teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11’ta në një rangim duke lënë mbrapa të gjitha vendet kandidate për anëtarësim në BE dhe një anëtare të BE’së. Në këto tri vite kemi dyfishuar si eksportet ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja FDI, na duhen më shumë të tilla por jemi në vend të mirë sepse veçse po kemi këso investime, na duhen ende investime të këtij lloji. Jemi të dedikuar për rendin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike edhe në ato të biznesit sidomos pas agresionit rus në Ukrainë që tashmë së fundi ka mbushur dy vjet. Dhe një element shtesë për të cilin kemi punuar shumë është për ta lidhur tregun e punës me arsimimin profesional në mënyrë që të kemi njerëz më shkathtësi të duhura, me çdo diplomë që jepet në shkollat tona të ofrohet edhe një vend pune. Kemi nisur këtë projekt në 14 komuna, 21 shkolla, 12 profile të ndryshme dhe këtë e kemi mësuar nga diaspora jonë e fuqishme sidomos në Gjermani dhe Zvicër, që po na i çojnë jo vetëm remitencat por edhe etikën e punës dhe dijeninë që kanë”, tha Kurti.

  • ​AAK-ja do të nisin një rezolutë për sigurime shëndetësore, obligative për qeverinë

    ​AAK-ja do të nisin një rezolutë për sigurime shëndetësore, obligative për qeverinë

    Grupi parlamentarë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media lidhur me gjendjen e shëndetësisë në vend, mungesën e sigurimeve shëndetësore dhe trajtimet jashtë vendit për të cilat u tha se shpenzohen miliona euro.

    Deputeti AAK-së, Shemsedin Dreshaj tha se tre vitet e fundit nuk është ndërmarrë asnjë hap për ligjin e sigurimeve shëndetësore. Sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime shëndetësorë.

    Dreshaj tha se në mbledhjen e ardhshme do të nisin një rezolutë, për të cilën presin që t’u aprovohet nga opozita dhe të jetë obligative për qeverisjen aktuale.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka filluar një nismë në të cilën shpresojmë që ditën e enjte do të bëhet një debat parlamentarë lidhur me gjendjen në shëndetësi, problemet e përditshme të cilat po hasim në shëndetësi në mungesë të sigurimeve shëndetësore. Arsyeja se pse po e bëjmë këtë , sepse tre vitet e fundit për do vit e kemi në agjendë ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk e kemi në duar tona dhe si duket ende nuk do të jete në këtë agjendën pranverore. Realisht plaga e vjetër e shëndetësisë kosovare vazhdon që të jetë edhe më tutje, vazhdojmë që të jemi vendi i vetëm në rajon dhe botë pa sigurime të mirëfillta shëndetësore dhe vazhdojnë problemet e njëjta përkundër dyfishimit të buxhetit në shëndetësi, vazhdojnë listat e pritjes, problemin me listën esenciale të barnave, vazhdon trajtimi i pacientëve jashtë institucioneve shëndetësore, miliona euro në institucione private dhe jashtë vendit për trajtimin e problemeve të cilat me një shëndetësi të mirëfillte dhe cilësore do të mund të kryhen në institucione tona publike ne vend. Bazuar në këtë ne kemi ftuar dhe feedbackun e kësaj do të përmbyllim me një rezolutë të cilën do të mbështet nga pozita dhe opozita. Shpresojmë që kjo rezolutë të jetë një obligim për qeverisjen aktuale që një herë e përgjithmonë shëndetësia të kthehet ne binar të drejtë”, tha Dreshaj.