ATV

Author: ATVLive

  • Djali i dëshmorit të Kombit, Drin Merturi diplomon për oficer në SHBA, FSK: Tregoi rezultate të larta

    Djali i dëshmorit të Kombit, Drin Merturi diplomon për oficer në SHBA, FSK: Tregoi rezultate të larta

    Oficeri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Drin Merturi ka diplomuar në Kursin Bazik për Oficer të Këmbësorisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

    Lajmin e ka bërë të ditur FSK nëpërmjet një postimi në “Facebook”, ku thuhet se Merturi ka treguar rezultate të larta në shkollim duke përfaqësuar Kosovën dhe FSK-në në mesin e shumë vendeve nga mbarë bota.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës po rrit numrin e oficerëve të shkolluar nga partnerët strategjik me standardeve më të larta të vendeve të NATO-s”, thuhet ndër tjera në njoftimin e tyre.

    Drin Merturi është djali i dëshmorit të Kombit, Ilir Merturi që flijoi jetën në luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës.

    Njoftimi i plotë nga Forca e Sigurisë së Kosovës:

    Oficeri i FSK-së diplomon në SHBA

    OF1 Drin Merturi ka diplomuar në Kursin Bazik për Oficer të Kembesorise në Shtetet e Bashkuara të Amerkiës (SHBA),, duke treguar rezultate të larta në shkollim , dhe duke përfaqësuar Kosovën dhe FSK-në, ne mesin e shumë vendeve nga mbatë bota.

    Trajnimi IBOLC i mbajtur në bazen ushtarake “Fort Moore” ne Geogria, të ShBA-së, është trajnim bazik për oficer të kembsoris i cili zgjat 20 javë.

    Gjatë kësaj kohe oficeret testohen në detyra individuale si navigimi, qitje, pergaditje fizike dhe në detyra profesionale dhe ekipore siq është udheheqja e togut në misione ushtarake.

    Forca e Sigurisë së Kosovës po rrit numrin e oficerëve të shkolluar nga partnerët strategjik me standardeve më të larta të vendeve të NATO-s.

  • Konjufca: Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit për luftë në rajonin tonë

    Konjufca: Serbia është e gatshme t’i shtyjë planet e Putinit për luftë në rajonin tonë

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca, ka kujtuar dyvjetorin e pushtimit të Rusisë ndaj Ukrainës.

    Konjufca tha se kjo shënon fazën kur në mënyrën më të qartë, botës iu ofruan dy propozime, njëri që sipas tij, thërret për radhitje në emrin e lirisë, dinjitetit e demokracisë, dhe tjetri që do nënshtrim, pushtim e krime kundër njerëzimit.

    “Republika e Kosovës është krenare që angazhohet fuqishëm, pa mëdyshje dhe ambiguitet, në anën e drejtë të historisë, duke iu bashkuar asistencës dhe solidaritetit të botës demokratike ndaj Ukrainës, që ashtu si ne aspiron integrim në NATO dhe Bashkim Evropian”, tha Konjufca.

    Tutje, Konjufca tha se në këto dy vite, Rusia e Vladimir Putinit ka bërë çmos për ta pushtuar përfundimisht Ukrainën, duke mos ia dalë, por sipas tij, ka angazhuar edhe satelitët e saj në Evropë për të mbjellë destabiliteti, pasiguri, shpërnqëndrim, luftë e përçarje.

    “Me një Serbi të gatshme për t’ shtyrë planet e Putinit në rajonin tonë dhe Evropë, mbështetja dhe angazhimi ynë për fitoren e Ukrainës bëhet edhe më kuptimplotë. Liria e popujve, sovraniteti i vendeve, është goditja më e rëndë ndaj tiranëve dhe tiranive të tyre”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

  • Bërnabiq reagon për deklaratën e kryediplomatit kroat, nuk e lë pa e përmend Kosovën

    Bërnabiq reagon për deklaratën e kryediplomatit kroat, nuk e lë pa e përmend Kosovën

    Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ka thënë se deklarata e ministrit të Jashtëm kroat Gordan Gërliq-Radman për Serbinë dhe Aleksandar Vuçiqin ishte një gjest diplomatikisht i vrazhdë dhe i papranueshëm.

    “Frustrimi i Kroacisë dhe makthi i tyre më i keq është se Vuçiq ulet në karrigen “serbe”, tha ajo për TV Prva, duke reaguar ndaj deklaratës së kryediplomatit kroat për Vuçiqin dhe uljen në shumë karrige kur bëhet fjalë për politikën e jashtme.

    Ajo thotë se deklarata e Gërliq-Radman është një tjetër presion ndaj Serbisë, “siç është rezoluta e Parlamentit Evropian lidhur me Kosovën dhe mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë”.

  • Biznesmenët serbë ankohen për kushtet ekonomike në Kosovë, Qeveria paralajmëron vende pune

    Biznesmenët serbë ankohen për kushtet ekonomike në Kosovë, Qeveria paralajmëron vende pune

    Derisa Qeveria e Kosovës paralajmëron vende të reja pune për pjesëtarët e komunitetit serb, investime në infrastrukturë dhe forma të tjera të mbështetjes, me qëllim fuqizimin e tyre ekonomik, disa biznesmenë serbë shprehen skeptikë në këtë drejtim.

    Vitomir Jaqimoviq nga Leposaviqi dhe Dushko Guxhiq nga Graçanica thonë për Radion Evropa e Lirë se ajo që Qeveria e Kosovës u ofron serbëve, nuk është e mjaftueshme.

    Sipas tyre, parakusht për fuqizimin ekonomik është qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve.

    Në mes të vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia për, siç tha, arsye sigurie. Kjo ndodhi pasi tre policë të Kosovës, u arrestuan nga forcat serbe. Edhe pse policët u liruan nga paraburgimi për t’u mbrojtur në liri, ndalesa mbeti në fuqi.

    Duke e komentuar këtë çështje, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se masa e tillë është marrë për shkak se “ekziston rreziku që krahas mallrave, në Kosovë të futen edhe armë”.

    Përndryshe, “Zhvillimi ekonomik për serbët në Kosovë” ishte temë e një tryeze të rrumbullakët, që u organizua këtë javë nga Qendra për Dialog Humanitar në Prishtinë.

    Çfarë bën Qeveria e Kosovës për serbët?

    Në këtë tryezë, Bislimi tha se Qeveria e Kosovës ofron mbështetje për kompanitë apo sipërmarrësit e vegjël përmes punësimit të punëtorëve, gjegjësisht përmes subvencioneve për pagesën e pagave mujore.

    Ai tha se në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – Qeveria e Kosovës do të mbështesë dy mijë vende të reja pune në sektorin privat.

    “Deri në 70 për qind e pagës ose me rreth 350 euro do të subvencionohen për gjashtë muaj. Reagimet që morëm nga veriu, janë shumë të mira. Sipas parashikimeve të deritashme, nevojiten rreth 2.000 vende të reja pune. Nëse ka nevojë, kjo masë mund të zgjerohet edhe me 2.000 të tjera. Ajo mund të aplikohet edhe në komunat tjera me shumicë serbe”, tha Bislimi.

    Përveç katër komunave në veri, janë edhe gjashtë komuna të tjera me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër: Graçanica, Shtërpca, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Novobërda.

    Bislimi u shpreh i bindur se “formalizimi i ekonomisë” do të kontribuojë edhe në zhvillimin ekonomik të serbëve, përkatësisht në regjistrimin e bizneseve, në luftën kundër kontrabandës dhe në mjetet buxhetore të Qeverisë për realizimin e projekteve infrastrukturore.

    Çfarë thonë biznesmenët?

    Jaqimoviq nga Leposaviqi thotë se pozita e biznesmenëve serbë është shumë e keqe dhe se gjithçka bëhet “për mbijetesë”.

    Subvencionet e Qeverisë së Kosovës, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme, sepse janë të kufizuara në punësimin e punëtorëve.

    “Punësimi i një apo dy punëtorëve nuk mjafton për aktivitetet ekonomike. Duhet të zgjidhet në një mënyrë tjetër, që malli të hyjë dhe të dalë normalisht”, thotë ky biznesmen shumëvjeçar, duke aluduar në vendimin e Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia.

    “Unë nuk shoh që dikush është përfshirë në zgjidhjen e këtyre problemeve. Qeveria e Kosovës mund të ndihmojë nëse i ndryshon vendimet e saj, duke lejuar qarkullimin e mallrave. Mallrat nga Serbia nuk mund të vijnë”, thotë Jaqimoviq për Radion Evropa e Lirë.

    Sipas tij, nuk do të ketë zhvillim ekonomik “derisa politika të ndërhyjë në punën e biznesmenëve”.

    Guxhiq, biznesmen nga territori i komunës së Graçanicës, beson se Qeveria e Kosovës nuk dëshiron sinqerisht të ndihmojë në zhvillimin ekonomik të serbëve. Sipas tij, këtij komuniteti i sigurohet minimumi – “vetëm ajo që duhet”.

    “Ajo [Qeveria e Kosovës] mund të bëjë shumë, por nuk do. Thjesht, ajo nuk do që të na ndihmojnë”, thotë ai.

    Guxhiq merret me prodhimin e lëngjeve dhe reçelit, që kryesisht shiten në tregun e Kosovës.

    Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tregon se biznesin e ka filluar para rreth shtatë vjetësh, falë organizatave ndërkombëtare joqeveritare.

    Ai thotë se asnjëherë nuk ka marrë ndihmë nga Qeveria e Kosovës.

    Por, sipas tij, biznesmenët serbë nuk dëgjohen as në Qeverinë e Serbisë.

    Rashiq: Kemi paraparë punësimin e komuniteteve pakicë

    Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, tha se vitin e kaluar, për herë të parë, është realizuar një program zhvillimor ekonomik, përmes të cilit janë investuar rreth tre milionë euro në ekonominë e zonave ku jetojnë serbë.

    Ai përmendi edhe strategjinë për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve pakicë, e cila u miratua nga Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2023.

    Sipas tij, kjo strategji do të fillojë të zbatohet këtë vit dhe buxheti i planifikuar është rreth 32 milionë euro.

    “Në ata 32 milionë euro që përmenda, është edhe programi ekonomik. Një nga pikat më të rëndësishme të kësaj strategjie, është përfaqësimi proporcional i joshqiptarëve në administratën publike”, tha Rashiq.

    Sipas ligjeve të Kosovës, pjesëtarët e komuniteteve pakicë duhet të përbëjnë së paku 10 për qind të të punësuarve në sektorin publik.

    Deri më tani, sipas Rashiqit, “askush nuk është marrë sinqerisht me këtë çështje”.

    Sektori civil: Gjendja e biznesmenëve serbë është “kaotike”

    Aleksandar Stojanoviq, nga Qendra për Zhvillimin e Komuniteteve Lokale, tha se Qeveria e Kosovës nuk ka komunikim me komunitetin serb, se merr vendime pa konsultime dhe se serbët ndjejnë pasiguri për shkak të kësaj.

    “Më duhet të them se edhe organizatat ndërkombëtare kanë investuar shumë pak në mjediset serbe. Tani kemi nevojë për programe pak më serioze [të Qeverisë së Kosovës] që do të hapin biznese në mjediset serbe. Na duhet të ndryshojmë qasjen afatgjate”, tha ai.

    Gordana Gjoriq, nga Shoqata e Grave Afariste, vlerësoi se situata e paqëndrueshme politike, bën që komuniteti shumicë shqiptar t’i bojkotojë produktet e biznesmenëve serbë.

    “Më gjeni një treg më të madh, ku mund të gjeni produkte serbe. Ka bojkotim të produkteve serbe. Njerëzit tanë kanë probleme me shitjen e mallrave”, tha ajo.

    Gjoriq tha se situata është “kaotike”, sepse Qeveria e Kosovës “nuk ka krijuar kushte që komuniteti serb të zhvillohet ekonomikisht”.

    Sipas saj, është e nevojshme që, para së gjithash, të krijohet besim mes institucioneve të Kosovës dhe serbëve të Kosovës.

    “Veprimet e Qeverisë aktuale janë të tmerrshme. Ajo promovon largimin [e komunitetit] dhe nuk forcon zhvillimin ekonomik. Për mua është e pakuptueshme që Qeveria merr vendime, të cilat dëmtojnë ekonominë dhe komunitetin serb”, tha Gjoriq.

    Në këtë kontekst, ajo përmendi ndalimin e importit të mallrave nga Serbia dhe ndalimin e përdorimit të dinarit serb me një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës.

    “E gjithë kjo krijon frikë te njerëzit, ata nuk e dinë se çfarë të presin. Nuk krijon besim te njerëzit”, tha Gjoriq.

    Bislimi u përgjigj duke thënë se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia është në fuqi, për arsye sigurie dhe jo ekonomike.

    “Transportimi i mallrave është keqpërdorur edhe për import të armëve. Prandaj, masat janë marrë për arsye sigurie nga Ministria e Punëve të Brendshme, e jo nga Ministria e Ekonomisë”, tha ai.

    Disa muaj pas ndalimit të importit të mallrave nga Serbia, grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke vrarë një polic.

    Pak ditë më pas, policia e Kosovës sekuestroi një arsenal të madh armësh.

    Prishtina zyrtare e akuzoi Beogradin për sulmin e 24 shtatorit, por ai e mohoi çdo përfshirje.

  • IKShPK: Ajri i shëndetshëm sot në kryeqytet

    IKShPK: Ajri i shëndetshëm sot në kryeqytet

    Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka treguar se sa është niveli i ajrit sot në kryqytet.

    Në postimin e tij në Facebook thuhet se ajri është i shëndetëshëm në Prishtinë.

    Indeksi i cilësisë së ajrit kryeqendrën e vendit për sot është 41, ditë më parë IKShPK-ja kishte raportuar për ajër të ndotur.

  • Digjet flamuri i Kosovës në Zveçan, Policia hap rast

    Digjet flamuri i Kosovës në Zveçan, Policia hap rast

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një flamur është djegur dje në Zveçan.

    Flamuri i djegur ishte i Kosovës.

    Rasti është iniciuar si “nxitje e urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit”.

    “Persona të dyshuar të panjohur kanë djegur një flamur. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë duke hetuar rastin. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Hashani: Pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh do të mbyllet

    Hashani: Pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh do të mbyllet

    Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë që nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00. Kjo për shkak se një pediatre do të dal në pension gjatë këtij muaji. Ndërkaq, si pasojë e mungesës së pediatërve të specializuar dhe në bazë të udhëzimit administrativ, në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor, nuk mund të ketë zëvendësime të reja.

    Kështu thotë kryeshefi i Departamentit të Mjekësisë Familjare në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Prishtinë, Valdet Hashani në një intervistë për KosovaPress.

    Ai tregon se parashihet që pediatria në QKMF-në e kryeqytetit brenda pak vitesh të mbyllet si njësi, derisa tregon se aktualisht janë tre pediatëra specialistë dhe një shefe e pediatrisë, e që sipas tij, në asnjë rrethanë nuk mund t’i mbulojnë dy ndërrime.

    Hashani theksoi se kanë njoftuar që në fillim të vitit, se nga 1 marsi, pediatria do të funksionojë me vetëm një ndërrim.

    Ndër të tjera, Hashani potencoi se si pasojë e mungesës së specializimeve nga pediatria dhe në pamundësi për të pranuar pediatërë të ri për shkak të legjislacionit në fuqi, QKMF-ja, do të punojë shtatë ditë të javës me një ndërrim nga ora 07:00, deri në orën 15:00.

    Hashani theksoi se shumë shpejtë do të pensionohet edhe dermatologu, internisti dhe reumatologu.

    Ai shtoi se ky vendim është marrë që nga viti 2000 dhe është në bazë të librit të verdhë, ku janë bërë politikat shëndetësore të pasluftës, sipas së cilave specializimet të cilat gjenden në kujdes parësor, të vazhdojnë të punojnë aty ku kanë punuar deri në pensionim.

    Përveç këtyre, Hashani potencoi se në bazë të rrethanave, pediatria brenda 5-6 vjetëve, do të mbyllet tërësisht si njësi.

    Ai potencoi se koncepti i Mjekësisë Familjare duhet të fillojë të implementohet në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe QKMF-në.

    Ndërkaq, sipas nenit 15 të udhëzimit administrativ në kuadër të Kujdesit Parësor Shëndetësor, profesionistët shëndetësor që ofrojnë shërbime shëndetësore në IKPsh janë: specialist i Mjekësisë Familjare, Doktor i Mjekësisë, Doktor i Stomatologjisë, Specialist i Pedodoncisë dhe preventivës, farmacist i diplomuar, Specialist i Biokimisë klinike, Infermier i/e diplomuar, mami e diplomuar, teknik laborant, teknik i farmacisë, radiologu e të tjerë.

    Tutje, në këtë nen thuhet se në QKMF-të, ku funksionon materniteti, është i domosdoshëm Gjinekologu dhe Neonatologu ose Pediatri, derisa potencohet se punën vazhdojnë në KPSh, si konsulent të Mjekëve Familjarë deri në pensionim.

  • Analistët e vlerësojnë si tendencë për përçarje përzierjen e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

    Analistët e vlerësojnë si tendencë për përçarje përzierjen e Kurtit në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut

    Përzierja në veprimet politike në Maqedoni të Veriut nga kryeministri Albin Kurti po konsiderohen nga analistët politikë si përçarje dhe tendencë për të përzgjedhur pushtetin atje, raporton Ekonomia Online.

    Ata kërkojnë që Qeveria e Kosovës të merret me problemet e brendshme e të mos anojnë te asnjëra parti.
    Analisti politik, Ismail Tasholli thotë për Ekonomia Online se kjo përzierje në zgjedhjet e Albin Kurtit në zgjedhjet atje, është praktikë që krijon shembullin e “fesateve”.

    “Nuk ka të drejtë sepse janë territore tjera, Kushtetuta tjera edhe tjera kontekste juridike. Kjo përzierje është praktikë që krijon shembullin e ‘fesateve’ dhe përçarjeve të panevojshme. Paramendoni një situatë sikur ata të krijonin një parti brenda territorit të Kosovës ose edhe Tirana të përcillte të njëjtën praktik dhe të krijonte po ashtu këtu parti politike dhe keni parasysh rezultatet e një përçarje totale”, u shpreh Tasholli.

    Kritika për këtë qëndrim të Kurtit ka edhe analisti tjetër politik, Arbnor Sadiku, veçse këtë rol thotë se do duhej ta luante Shqipëria. Ai rekomandon që kryeministri të merret me problemet e brendshme.

    “Unë mendoj që është një gabim sepse vet shteti i Shqipërisë nuk është duke ndërhy në Maqedoni të Veriut kurse Kosovës i ka dal rend ku ne kemi ende problemet tona thash edhe më parë nuk e kem shtetësinë ende të përfunduar të kryer në kuptimin që nuk jemi pranuar në organizatë të Kombeve të Bashkuara kemi probleme me shtyrje sovranitetit të plotë në veriun e Kosovës kemi mosmarrëveshje të hapura me Serbin e tashti përzihemi ne në punët e Maqedonisë së Veriut, veçanërisht tek partitë shqiptare atje, ku konsideroj që është e pavend sepse këtë rol do duhej ta lunte Shqipëria”, thotë Sadiku.

    Ai thekson se institucionet kosovare nuk duhet të anojnë për pushtetin në Maqedoni të Veriut, teksa e sheh si tendencë që Ali Ahmeti ta humb pushtetin.

    “Faktikisht shkakton një përçarje dhe më një farë forme e pengon atë rezonimin qytetarë të brendshëm atje, si me thënë konkurrencën e lidhë edhe demokracinë atje sepse vetë fakti që mund të mbahet edhe domethënë në njërën palë ose tjetrën i bie që po krijohet njëfarë lloj një anësie për ndryshuar pushtetin atje. Pra opozita për të humbur Ali Ahmeti pushtetin dhe për të ardhur opozita e shqiptarëve në pushtet dhe aq më tepër me mbështetjen e qeverisë së Republikës së Kosovës, gjë që këtë rol do duhej nëse do duhej dikush ta lunte do të ishte qeveria e Shqipërisë shteti shqiptarë jo Kosova sepse Kosova ende i ka problemet e saj përbrenda”, deklaroi ai.

  • Nesër nisin punimet intensive në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    Nesër nisin punimet intensive në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

    Nesër pritet të nisin punimet me kapacitete të plota për rregullimin e rrugës magjistrale Prishtinë-Mitrovicë. Kontrata për këtë rrugë ishte nënshkruar ditë më parë. Qytetarët i gëzohen këtij lajmi, por ka edhe skeptik se punimet do të zvarriten.

    Ndonëse në numër jo të madh punëtorët kanë nisur ta përgatisin terrenin për fillimin e punimeve të kësaj rruge, ndërtimi i së cilës kishte nisur në vitin 2009. Ky projekt për rreth 15 vjet u përcoll me probleme të mëdha e nuk arriti të përfundojë.

    Megjithatë, nënshkrimi i fundit i një kontrate të re jep shpresë tek ata që e frekuentojnë çdo ditë këtë rrugë.

    “Besojmë që kryhet sepse që 14 vjet duke prit u bë shumë…”, tha Shefqet Zeqiri nga Dumnica e Poshtme e Vushtrrisë.

    “Prej orës 4 deri në 6 gjithmonë është kolonë. Nga Maxhunaj deri në Vushtrri kemi bërë 1 orë çdo ditë”, tha Tahir Musliu nga Maxhunaj.

    Por ka prej banorëve që mendojnë se kjo rrugë do të jetë kështu qysh ka qenë për më shumë se një dekadë.

    “Kjo rrugë që gati 20 vjet është nisur, jam shumë skeptik”, tha një tjetër qytetar.

    Ndërkohë, me datë 8 të këtij muaj Ministria e Infrastrukturës ka nënshkruar kontratë me operator ekonomik ‘HYDROSTROY JSC SOFIA dhe ESKAVATORI LLC” nga Bullgaria dhe Kosova, për përfundimin e rrugës nacionale Prishtinë – Mitrovicë.

    Pa përfunduar ka mbetur segmenti nga Lumi i Madh deri në Gojbulë, me një gjatësi prej 9.78 km.

    E nga kompania që do t’i kryejë këto punime thonë se intensivisht do të fillojnë të hënën.

    “Ne si kompani veç se jemi shumë afër fillimeve të punës me kapacitet të plotë, duke filluar nga data 26.02.2024 me afat më të shkurt nga mobilizimi prej 28 ditësh dhe normalisht duke e rritur edhe numrin e punëtorëve dhe mjeteve të rënda në vendpunishte”, tha Sadat Rysha në një përgjigje për RTK-në.

    Në ditën e nënshkrimit të kësaj kontrate ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se sipas marrëveshjes i është dhënë afat kompanisë që brenda 12 muajve t’i përfundojë punimet.

    Ky projekt financohet nga huamarrja nga Fondi i OPEC-ut për Zhvillim Ndërkombëtar në bashkëfinancim me Fondin Saudit për Zhvillim, në vlerë prej 25 milionë eurosh.

  • Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, analistët: BE-ja s’ka vizion se si të vazhdojnë bisedimet

    Ngecja e dialogut Kosovë-Serbi, analistët: BE-ja s’ka vizion se si të vazhdojnë bisedimet

    Njohës të çështjeve politike në vend kanë vlerësuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur, për faktin që Bashkimi Evropian (BE) nuk ka një vizion për të konkretizuar se si t’i qaset kësaj çështjeje, raporton Ekonomia Online.

    Ata kanë thënë se duke e parë këtë situatë dhe qasjen e BE-së, vështirë se gjatë këtij viti mund të ketë përfundim të dialogut

    Analisti politik, Albinot Maloku, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë pasur një pajtim sa i përket marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, mbi të cilin do të duhej të ndërtoheshin hapat e radhës nga BE-ja.

    “Çështja e parë është që kemi një pajtim të ndodhur vjet në Bruksel dhe aneksin në Ohër, ky është themeli mbi të cilën do të duhej të kishte një konkretizim hapash edhe nga ana e BE-së. Unë kam përshtypjen që BE-ja nuk ka një vizion të qartë se si t’i qaset palëve në këtë situatë dhe në këtë moment. Pra për takime të mundshëm ose të ngjashme”, u shpreh ai.

    Ai u shpreh se duke parë që BE-ja është pa vizion sa i përket kësaj çështje, i ngelet asaj që të konkretizoj vizionin e vetë në lidhje me mënyrën e jetësimit të marrëveshjes.

    “Çfarë ngelet nga BE-ja është që të konkretizoj vizionin e vetë në lidhje me mënyrën e jetësimit të pajtimi t të ndodhur në Bruksel dhe të aneksit në Ohër. Përderisa nuk ka një konkretizim për arsye që janë të obliguara BE-ja palëve ju ka thënë që nuk është e nevojshme që të keni nënshkrim për të, duhet të jetësoni këtë marrëveshje dhe se mbi bazën e këtij mos vizioni të BE-së gjithsesi që do të manovrojnë dhe palët secila në formën e vetë me vullnetin maksimal që ti jep një kahje destruktive procesit të dialogut”, ka thënë ai”, ka thënë ai.

    Maloku ka thënë se shanset që dialogu të përmbyllet gjatë këtij viti janë minore, për faktin se nuk ka pasur konkretizim të marrëveshjeve të arritura në Bruksel e Ohër.

    “Shanset janë minore për të mos thënë hiq për faktin që tani çdo gjë ndërlidhet me atë se a është konkretizuar ndonjë gjë nga pajtimi i ndodhur në Bruksel dhe Ohër. Po ashtu pat edhe një paralajmërim nga BE-ja që nuk është në agjendën e tyre, në planin që të ndodhin takime të nivelit të lartë. Është non sens në qoftë se nuk ka, edhe me ndodh që nuk është se ka rrjedh logjike për të ndodhur, në qoftes se do të kishim konkretizim të diçkaje të re në raport me çështjen dialogut që ndërlidhet mese palëve. Këtë mungesë vizion të BE-së palët po e shfrytëzojnë dhe nuk është se ka ndonjë vullnet të konkretizuar as nga palët për të ecur tutje në kuptim e pasjes së një takimi dhe gjenerimit të temave të reja, ose edhe diçka që do të diskutohet nga pajtimi. Pra duet që të jetësohet pajtimi edhe të kemi hapa para”, ka thënë ai.

    Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se BE-ja nuk e trajton Kosovën si shtet, marr parasysh që pesë shtet e saj nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ai tha se për këtë arsye edhe BE-ja ushtron më shumë presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë.

    Ai theksoi jemi në një situata që edhe BE-ja jo vetëm që nuk ka vizion, por nuk ka as kapacitet dhe as vullnet për ta zgjidhur çështjen e dialogut.

    “BE-ja e ka një mandat nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për ta ndërmjetësuar dialogun, pra BE-ja nuk ka mandat të vetin sovranë por ka mandat nga OKB-ja. Ndërsa BE-ja në fakt sillet sikur me qenë palë sovrane dhe jo vetëm sovrane, por sillet edhe si palë e pa barbaret sepse Kosovën nuk e trajtojnë si shtet me që pesë shtete nuk e njohin Kosovën. Si rrjedhojë e kësaj BE-aj ushtron më shumë presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë. Kjo pastaj prodhon frustrime te institucionet e Kosovës dhe reagime që reagime mandej përdoren për ta fajësuar Kosovën. Për shembull Serbia nuk është penalizuar për sulmin terrorist në Banjskë, ndërsa Kosova është penalizuar me masa për veprime në veriun. Pra kemi një situatë që edhe BE-ja thjeshtë jo vetëm që nuk ka vizion por thjesht nuk ka as kapacitet dhe as vullnet për ta zgjidhur këtë problem”, ka thënë ai.

    Krasniqi konsideron se BE-ja nuk është duke marr seriozisht çështjen e dialogut, dhe se zvarritja e këtij procesi është duke i konvenuar. Përmendja e krizave sipas Krasniqit është arsyetim për të mos e futur Ballkanin Perëndimor në Bashkim Evropian.
    Se ka metoda për anëtarësim të shpejtë në BE, Krasniqi përmend Rumaninë dhe Bullgarinë, të cilët janë anëtarësuar me proces të përshpejtuar.

    “Në instancën e fundit unë mendoj që BE-së nuk i konvenon dhe ku është absurd, nuk i konvenon arritja e marrëveshjes sepse ata nuk duan që Ballkanin perëndimor ta fusin në BE. Arsyetimi për të mos e futur gjithmonë është se ka kriza. Përndryshe po ka kishin seriozisht unë jam i bindur që ka zgjidhje, si ka qenë pranimi i përshpejtuar i Rumanisë edhe i Bullgarisë në BE pa i plotësuar gjitha kushtet ka mund të ndodh procesi i përshpejtuar i pranimi të Serbisë dhe Kosovës paralelisht në pako me kushtin e njohjes së ndërsjellët dhe jam i bindur që kjo do të realizohej. Pra BE-ja e ka mundësin por për shkak të interesave, kalkulimeve të veta nuk e realizon”, ka thënë ai.

    E skeptik shprehet edhe për përfundim të dialogut dhe marrëveshje përfundimtare. Ai ka thënë se ShBA-ja dhe BE-ja duhet t’i shtyjnë palët drejtë implementimit të marrëveshjes së arritur, por që duhet që të japin edhe ndonjë ofertë për të dyja shtetet.

    “Unë nuk besoj megjithëse, po them nëse merret seriozisht edhe mundet. Plani franko-gjerman edhe plani i implementimit të Ohrit, në fakt janë pranuar edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Dhe nëse Shtete e Bashkuara dhe Brukseli duhen seriozisht t’i shtyjnë palët, atëherë duhet t’u japin edhe një ofertë, duhet të ju japin edhe një ‘karrot dhe jo vetëm shkop mbi krye’ se çka fitojnë. Nuk mjafton vetëm të thuhet se do të ecin në procesin e integrimit, në ne procesin e integrimit Evropian jemi që nga viti 2003, por as një shenjë seriozë të integrimit nuk e kemi. Prandaj po them më këtë mendësi, me këtë sjelle të BE-së unë nuk besoj që mund të ketë marrëveshje. Ndërsa nëse ndryshojnë qasjen dhe nëse për arsye edhe të rrezikut që po reflekton lufta në Ukraine edhe lufta në Gaza, nëse duan ta përshpejtojnë, unë jam i bindur që ata kanë kapacitet që ta detyrojnë edhe Serbinë të ulë stekën e kërkesave dhe ta detyrojnë edhe Kosovën ta zbatojnë planin franko-gjerman”, ka thënë ai.