ATV

Author: ATVLive

  • Eskluzive: Klubi i Barcelonës gjatë verës vjen në Prishtinë

    Eskluzive: Klubi i Barcelonës gjatë verës vjen në Prishtinë

    Në emisionin ‘A PLAY’ këtë javë ka qenë i ftuar tifozi i klubit të Barcelonës, Granit Neziri.

    Në televizionin ATV, Neziri i cili është pjesë e grupit \Penya Kosovar Del Futbol Club Barcelona ‘ ka bërë të ditur që ata janë në bisedime me drejtuesit e Barcelonës për t`i sjell në Prishtinë legjendat e këtij klubi.

    ‘Unë jam anëtar i ‘Penya Kosovar Del Futbol Club Barcelona’ pasi jam këtu po dua të zbulojë se jemi duke punuar që këtë vit të organizojmë një ndeshje në Prishtinë mes legjendave të futbollit kosovar dhe atyre te Barcelonës në Prishtinë’ tha Neziri.

    Për më shumë ndiqeni intervistën ku Neziri ishte përblallë Durim Kastratit, tifoz i Real Madridit.

     

  • Zjarrfikësit paralajmërojnë protesta, kërkojnë të paguhen edhe për rrezikshmëri

    Zjarrfikësit paralajmërojnë protesta, kërkojnë të paguhen edhe për rrezikshmëri

    Zjarrfikësit në Kosovë vazhdojnë të jenë të pakënaqur me kushtet e punës.

    Edhe viti 2024 për ta ka filluar njëjtë sikurse viti 2023.

    Por për një çështje që ata po kërkojnë përgjigje sa më të shpejtë janë shtesat për rrezikshmëri.

    Kjo, pasi që të njëjtit nuk po paguhen për këtë.

    Kështu po thotë për Front Online, kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka.

    Sipas tij, ani pse me ligjin e ri të Pagave shtesa për rrezikshmëri iu takon.

    “Tash do të kërkojmë prej Qeverisë që urgjentisht ato obligimet ligjore që dalin tash me Ligjin e ri të Pagave, mirëpo në fokus dhe me theks të veçantë që zjarrfikësit janë shumë të revoltuar është largimi nga pagesa për rrezikshmëri në punë. Zjarrfikësit nuk e kanë rrezikshmërinë në punë edhe pse ligji i pagave e parasheh që shërbimet të cilat gjatë aktivitetit të punës rrezikojnë shëndetin dhe jetën ju takojnë shtesa”, ka thënë Beka për Front Online.

    Ai thotë se zjarrfikësve iu është bërë e padrejtë dhe se kjo për ta është diskriminim.

    E, në rast se nuk do të marrin përgjigje pozitive nga institucionet relevante, Beka shprehet se zjarrfikësit do të protestojnë.

    “Ne ju kemi dërguar të gjitha specifikat dhe arsyeshmërinë pse zjarrfikësve iu takon rrezikshmëria, ata nuk na u kanë përgjigje, dhe më këtë qëndrim nuk do të pajtohemi assesi. Në momentin që nuk do të marrim përgjigje, sigurisht që do të aktivizohemi dhe zjarrfikësit do të protestojnë”, ka shtuar ai.

    Thotë se zjarrfikësit nuk po kërkojnë asgjë më shumë, pos asaj që iu takon me ligj.

    “Nëse nuk e gëzojmë rrezikshmërinë, një e drejtë që na ka takuar nuk mund ta eliminojnë sepse është diskriminim. Shpresojmë që më në fund do ta kuptojnë institucionet tona që neve na takon rrezikshmëria në punë. Ne jemi të interesuar që problemet të zgjidhen me dialog. Ne asgjë më tepër nuk po kërkojmë vetëm atë çka na garanton ligji”, është shprehur Beka.

  • Petkoviq kryeson delegacionin serb në raundin e ri të dialogut në Bruksel

    Petkoviq kryeson delegacionin serb në raundin e ri të dialogut në Bruksel

    Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Petar Petkoviq, do të marrë pjesë në raundin e ri të dialogut në Bruksel të planifikuar për të martën, më 27 shkurt, mëson Tanjug.

    Delegacioni po udhëton me ftesë të të dërguarit special të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

    Lajçak ftoi Serbinë dhe Kosovën që në kuadër të dialogut të diskutojnë dekretin për heqjen e pagesave të dinarit në Kosovë, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e miratoi në fund të dhjetorit.

  • Mbahet mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së Qazim Qeskës

    Mbahet mbledhja komemorative me rastin e vdekjes së Qazim Qeskës

    Ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Qazim Qeska besonte se liria nuk kishte kuptim nëse njerëzit jetonin me padrejtësi, prandaj do të mbetet përgjithmonë një nga luftëtarët e paepur për drejtësi.
    Kështu u tha më mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së tij.

    Aty u vlerësua kontributi i tij gjatë luftës dhe pas luftës për këtë qytet, pasi Qeska përveç se ishte kryetar i Komunës së Rahovecit, ishte edhe një deputet, avokat e zëvendësministër.

    Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka thënë se Qeska ecjen në jetë nuk e kishte të zhurmshme por vdekja e tij tronditi Rahovecin. Latifi përshkroi Qeskën si një njeri të kujdesshëm e të qasshëm.

    “Të gjithëve na pikëlloi shumë vdekja e këtij personaliteti. Vdekjet janë gjithmonë të ftohta e të zymta. Qazim Qeska ecjen në jetë nuk e kishte të zhurmshme por vdekja e tij e tronditi Rahovecin. Ndikimi i tij në rrjedhat politike të pas luftës ka qenë evident dhe i qasshëm, ai dha gjak nga gjaku i tij për këtë tokë. Qeska e dinte mirë e kujdesshëm të ndërtonte raportin me njerëzit. Ai dha shembull se si duhet ndërtuar një shoqëri e mirë,” tha Latifi.

    Ndërsa, kryesuesi i Kuvendit të Rahovecit, Arbër Zenuni theksoi se Qeska ishte dhe do të mbetet një figurë e rëndësishme për Rahovecin.

    “Me dhimbje morëm lajmin që Qeska ndërroi jetë, i cili ishte dhe do të mbetet një figurë e rëndësishme. Rahoveci humbi një punëtor të urtë një avokat ish kryetar e deputet. Vdekja e tij është humbje për Rahovecin. Ai do të nderohet gjithmonë nga Komuna e Rahovecit,” shtoi Zenuni.

    Ish-kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka thënë se Qazim Qeska ka lënë një trashëgimi të pasur të veprës së dal nga puna dhe angazhimi i tij por edhe kujtime të pafundme për vlerat e tij njerëzore si njeri paqedashës, shumë punëtor e atdhedashës.

    “Dëshira e madhe për t’u arsimuar dhe pasioni për fushën e drejtësisë, përveç që e bëri të sfidojë vështirësitë e kohës, e bëri edhe një nga mbrojtësit më të denjët të drejtësisë. Ai besonte se liria nuk kishte kuptim nëse njerëzit jetonin me padrejtësi ngado që vinte ajo, prandaj do të mbetet përgjithmonë një nga luftëtarët e paepur për drejtësi. Atdhedashurinë Qazimi e shihte në punën e mirë e të ndershme të secilit, duke qenë i kujdesshëm që përveç këshillave vet të bëhet shembull më i mirë dhe të jap mesazhin që dëshironte“, tha ai.

    Në emër të familjes, të pranishmit i përshëndeti djali i të ndjerit Qeska, Xhemali, i cili tha se babai i tyre i ka dhënë këshilla që t’i ndihmojnë të gjithëve

    “Babai im ishte i sëmurë vetëm dy ditë dhe brenda dy orëve na la shpejt, na la të pikëlluar, nuk na la asnjë amanet por na ka dhënë këshilla që të jemi të urtë, të butë, dhe t’i ndihmojmë prej familjes, më të voglit deri te më i moshuari”, tha ai.

    Ceremonia e varrimit do të bëhet në orën 14:00, në varrezat e qytetit.

  • Mungesa e pajisjeve teknike, shkak i dështimit të disa seancave në Gjykatën Themelore në Prishtinë

    Mungesa e pajisjeve teknike, shkak i dështimit të disa seancave në Gjykatën Themelore në Prishtinë

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë disa seanca gjyqësore po dështojnë të mbahen si pasojë e mungesës së pajisjeve teknike.

    Një seancë e tillë dështoi të mbahet të premten e 16 shkurtit 2024, në rastin ndaj ish-zyrtarit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI) Muhamed Krasniqi, pasi munguan pajisjet teknike për dëgjim të dëshmitarëve.

    Kjo dukuri po paraqitet në Departamentin Special dhe atë për Krime të Rënda.

    Në gjykimin e lartpërmendur ndaj Krasniqit, ishte paraparë dëgjimi i dëshmitarit Agim Krasniqi përmes video-linkut, mirë po me të filluar seanca, gjykatësi i rastit Naser Foniqi, njoftoi se dëgjimi i dëshmitarit është i pamundur.

    Krejt kjo pasi që nga zyrtari i IT-së së gjykatës është thënë se nuk posedojnë pajisjen për dëgjimin e dëshmitarit dhe se pajisjet momentale të gjykatës shërbejnë vetëm për dëgjimin e dëshmitarëve të mbrojtur.

    Njëjtë ndodhi edhe në seancën e 30 janarit 2024 ku për shkaqe teknike kishte dështuar të mbahet gjykimi ndaj të akuzuarit Lavdim Sllamniku për veprën penale “Shpëlarje parash”, pasi që ishte planifikuar të dëgjohej dëshmitari anonim A1.

    Edhe këtu, sipas gjykatësit të rastit Musa Konxheli nga zyrtarë të IT-së i është thënë se është e pamundur tash për tash dëgjimi i dëshmitarit përmes video-linkut sepse gjykata nuk e ka të rregulluar sistemin për dëgjimin e dëshmitarëve anonim.

    Në gjykimin e njëjtë, edhe seanca e datës 18 dhjetor 2023 kishte dështuar të mbahet me po të njëjtat arsye.

    Po ashtu, edhe në rastin e njohur si “Subvencionet 1”, kur ishte planifikuar dëgjimi i një dëshmitari përmes video-linkut, është dashur të kalohet radha te administrimi i provave, pasi gjykatësi i rastit Kujtim Krasniqi theksoi se gjykata ende nuk posedon pajisjet adekuate.

    Tutje, edhe gjykimi i rastit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq, i datës 1 gusht 2023 kishte dështuar të mbahej dhe krejt kjo për shkaqe teknike.

    Sipas gjykatësit të rastit Valon Kurtaj, në pamundësi teknike për lëshimin e video-incizimit në gjykatë, ishte i pamundur mbajtja e shqyrtimit gjyqësor ashti siç ishin dakorduar palët paraprakisht.

    Dështimi i seancës në mungesë të pajisjeve për dëgjim të dëshmitarëve kishte nodhur edhe më 29 mars 2023 në rastin ndaj ish-kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media, Luan Latifi.

    Sipas gjykatësit të rasti Alban Ajvazi, nga zyrtarët e IT-së i ishte bërë me dije se dëshmitari nuk mund të dëgjohet përmes video-linkut pasi që nuk ka pajisje për dëgjimin e të njëjtit.

    Lidhur me këtë situatë, “Betimi për Drejtësi” ka dërguar pyetje në këtë Gjykatë për të kuptuar fillimisht se sa seanca kanë dështuar në mungesë të këtyre kushteve, si dhe prej kur është shfaqur ky problem e se çfarë veprimesh ka ndërmarrë gjykata për sanimin e kësaj rrethane.

    Në përgjigjen e Gjykatës, thuhet se tashmë Këshilli Gjyqësor i Kosovës është në procesin e hartimit të një rregulloreje për lëshimin në përdorim të pajisjeve të reja për dëgjimin e dëshmitarëve dhe se pajisjet e vjetra janë larguar pasi që është dashur të vendosen të rejat.

    Ndryshe, aplikimi i video-lidhjes nëpër shtetet evropiane po bëhet jo vetëm për sigurimin e dëshmitarëve në procedurë, por edhe për sigurimin e të akuzuarit dhe atë edhe brenda për brenda shtetit.

    Një praktikë e tillë e këtyre shteteve, ka dalë të jetë mjaftë efikase për administrimin e drejtësisë, duke ndikuar në zvogëlimin e dështimit të proceseve gjyqësore qoftë kjo në mungesë të dëshmitarëve apo edhe të të akuzuarve në proceset gjyqësore.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria jep detajet e fundit për rastin

    Vrasja e Liridona Ademajt, Prokuroria jep detajet e fundit për rastin

    Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla janë duke qëndruar në paraburgim në Burgun e Sigurisë së Lartë, të tre dyshohen për vrasjen e Liridona Ademajt në Prishtinë.

    Masa e paraburgimit u është vazhduar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, ndërkaq Prokuroria është duke vazhduar me hetimet lidhur me vrasjen e Liridona Murselit, ku dyshohet se bashkëshorti i saj, Naim Murseli kishte urdhëruar vrasjen e saj.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmojnë për Telegrafin se çështja është në procedurë hetimore.

    “Ju njoftojmë se kjo çështje penale gjendet në procedurë hetimor, për këtë arsye nuk mund të japim informata shtesë, deri në një fazë tjetër”, ka thënë , Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

  • Sahatçiu për anulimin e tenderit për digjitalizim në arsim: Arsyetimi për shkarkimin tim u shemb vetvetiu

    Sahatçiu për anulimin e tenderit për digjitalizim në arsim: Arsyetimi për shkarkimin tim u shemb vetvetiu

    Ish nënkryetarja e komunës së Prishtinës dhe ish ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Arsimit, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas anulimit të tenderit për digjitalizim në arsim.

    Ajo ka thënë se në një mënyrë apo tjetër, realiteti shpërfaqet.

    Anulimi i këtij tenderi, Sahatçiu thotë se është lajm i mirë.

    “Lajmi për anulimin e tenderit është i mirë sepse as nuk do të duhej të shpallej ashtu ndonjëherë. Ishte e dhimbshme të dije se një projekt i nisur asisoji do të dështonte herëdokur. Pak ka rëndësi se doli ashtu siç e kisha thënë. Edhe më pak ka rëndësi se si arsyetimi i ndërtuar për shkarkimin tim u shemb vetvetiu. Kemi ende shumë për të parë e folur, por çdo gjë në kohën e vet.”

    Sahatçiu ka shkruar se tenderi të mos rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet.

    “Tash e rëndësishme është vetëm e vetëm që ky tender mos të rishpallet njëlloj por të bëhet ashtu siç duhet. E për ta bërë qysh duhet, dua të besoj se ekziston vullneti për të shtyrë përpara një proces digjitalizimi gjithpërfshirës që veçse kishte nisur mirë e është qëndisur gjatë. Ndryshe, çdo veprim tjetër është vazhdimësi e hipokrizisë.”

    Sahatçiu është shkarkuar nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili si arsye dha “ngecjen në fushën e digjitalizimit”.

    “Në anën tjetër, kemi ngecje në fushën e digjitalizimit, e cila është udhëhequr nga Nënkryetarja znjsh. Donjeta Sahatçiu. Ky projekt, siç e dini ka qenë një prej premtimeve të bëra, duke dashur që të përmirësoj e modernizoj institucionet e Kryeqytetit. Andaj, për shkak të vonesave të shumta në proces dhe ngecjes së projektit të digjitalizimit, kam marrë vendim që të liroj nga detyra, znjsh. Donjeta Sahatçiu, nga pozita e Nënkryetares së Kryeqytetit dhe pozita e Ushtrueses së Detyrës së Drejtores së Arsimit”, kishte shkruar Rama.

  • Presidentja Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

    Presidentja Osmani në tryezën ekonomike Kosovë – Katar: Kosova me potencial të jashtëzakonshëm për investime

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Katar, ka marrë pjesë në tryezën ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Katarit që po mbahet në Doha ku po diskutohet për potencialin investues në vendin tonë.

    Në këtë tryezë ekonomike me pjesëmarrje të Odës Ekonomike të Katarit dhe bizneseve anëtare katariane, kryetarit të Prishtinës z. Përparim Rama edhe disa nga bizneset më të suksesshme nga Kosova, u diskutua për mundësitë e shumta për parnteritete biznesore dhe investime në sektorë strategjik.

    Duke folur për potencialin zhvillimor të Kosovës, Presidentja Osmani potencoi faktin se Kosova ka tashmë një infrastrukturë ligjore të përafruar me ligjet e BE-së, një sistem të standardizuar të taksave me standardet më të mira ndërkombëtare, një ambient miqësor për investitorët e huaj dhe potencial të jashtëzakonshëm për investim në fusha të ndryshme.

    Presidentja Osmani ndër të tjera, veçoi mundësitë e shumta për bashkëpunim në industrinë e ushqimit dhe sigurisë ushqimore, energjisë, hotelerisë dhe turizmit malor, industrisë së drurit dhe asaj metalike.

    Ndërkaq, Kryetari Rama prezantoi planin për zhvillimin e Prishtinës, me fokus te një sërë projektesh kapitale e infrastrukturore nga fusha e sportit, artit, transportit e më gjerë.

    Kjo tryezë shërbeu edhe si platformë për bizneset kosovare për të promovuar bizneset e tyre dhe për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit të drejtpërdrejt me bizneset katariane.

    Gjatë tryezës ekonomike u vunë në pah mundësitë e shumta për parneritete e projekte të përbashkëta dhe pritet që së shpejti një delegacion i bizneseve të Katarit ta vizitojë Kosovën me qëllim të konkretizimit të bashkëpunimit.

    Gjatë kësaj vizite në Katar, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë shtetëror të Katarit ku do të diskutohen mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve si dhe do të mbajë fjalim në Web Summit, i cili sivjet po mbahet në Doha.

  • Prishtinë, tre persona rrahen me njëri-tjetrin, një i lënduar

    Prishtinë, tre persona rrahen me njëri-tjetrin, një i lënduar

    Tre persona dyshohet se janë rrahur me njëri-tjetrin në rrugën “Isa Boletini” dje në Prishtinë.

    Në raportin 24 orësh të policisë thuhet se njëri nga të dyshuarit ka pësuar lëndime dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor.

    Njësitet policore rreth vendit të ngjarjes në një lokal kanë gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me karikator dhe 3 fishekë të kalibrit 6 mm, që dyshohet se është përdorur.

    Në konsultim me prokurorin, të dyshuarit pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.

  • Eksperti kroat mbështet vendimin e Qeverisë për dinarin, i bën thirrje Kurtit për “konsultim” me aleatët

    Eksperti kroat mbështet vendimin e Qeverisë për dinarin, i bën thirrje Kurtit për “konsultim” me aleatët

    Eksperti kroat i çështjeve rajonale, Davor Gjenero, ka thënë se ndalimi i valutës serbe nga ana e qeverisë kosovare prodhoi “publicitet të mirë për palën serbe” nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Ai megjithatë e mbështeti në plotni vendimin si “të duhur” dhe “në funksion të sovranitetit shtetëror” të Kosovës, përveç që tërheq vërejtjen e moskonsultimit me aleatët, që sipas tij, do të bënte që legjitimiteti i vendimit të shoqërohej edhe me mbështetje adekuate.

    Gjenero nuk vëren asnjë problem as me legalitetin dhe as legjitimitetin e vendimit të ndalimit të dinarit – e quan madje të mirë edhe për vetë serbët e Kosovës – por, vështron në atë që është prodhuar “pakënaqësi” si pasojë e çështjes së moskomunikimit të vendimeve nga ana e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti te bashkësia ndërkombëtare.

    Ndërsa këto që ai quan “politika të pavarura” të Kurtit, Gjenero na thotë se janë shkaku i pakënqësisë së te komuniteti euroatlantik “e veçanërisht te Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

    “Është e qartë që amerikanët qëndrojnë të pakënaqur me Qeverinë e Kurti sepse ai s’është i përgatitur të diskutojë rreth vendimeve të tij përpara se t’i merr dhe ai nuk është duke i konsultuar për politikat; në mënyra të tjera, ai po provon të udhëheq me politika të pavarura dhe kjo është diçka që shkakton një lloj pakënaqësie mes partnerëve euroatlantikë, veçanërisht ShBA-në”, ka thënë Davor Gjenero në një bisedë me Nacionalen.

    “Pavarësisht kësaj, fakti qëndron që ky vendimi për shmangien e dërgimit të pakontrolluar të dinarit në Kosovë përmes kufijve, nuk është diçka që do të ishte ose zgjidhje e keqe për vetë serbët e Kosovës ose diçka që nuk do të ishte diçka në shpërputhje me Kosovën si shtet të pavarur. Në fund, të gjitha këto çështje do të pranoheshin nga ndërkombëtarët si legjitimiteti si vendime”, shton ai.

    Për njohësin kroat të çështjeve rajonale, Davor Gjenero, çështja është veçse te komunikimi i çështjeve me mbështetësit e shtetit kosovar.

    “Për Kosovën do të ishte më mirë të konsultohej me aleatët e saj rreth kohës dhe rreth asaj se si të zbatojë disa vendime me amerikanët dhe evropianët, por kjo nuk do të thotë që Kosova duhet të zbehë ose heq çfarëdo vendimi që përmbush pavarësinë e Kosovës dhe funksionalitetin e sovranitetin e saj shtetëror”, na thotë ai.