Përgatiti: Kastriot Tahiri
Tash e dy vjet mbishkrimi, “Liri për Ukrainën”, është i vendosur në qendrën e Prishtinës, që kur nisi agresioni i Rusisë në këtë shtet.
Për gjithë këtë kohë, kjo është lutja kryesore edhe për Tetiana Kraselnykovan, gazetaren ukrainase që u akomodua në kryeqytetin kosovar, prej kur krisi lufta.
Unë jam në Kosovë me djalin tim nëntë vjeçar falë programit “Rezidenca në Kosovë” Jam shumë mirënjohës që pata mundësinë të shpërngulem në Kosovë”, tha Kraselnykovan.
Ndonëse vetë është e sigurt, brengën e ka për prindërit e vëllain që janë ende në Ukrainë e po përballen me raketat që kalojnë mbi qytetin ku ata banojnë.
“Prindërit dhe vëllai im kanë qëndruar në Ukrainë. Atje më kanë mbetur shumë të afërm dhe miq, me të cilët vazhdoj të mbaj kontakte. Çdo ditë komunikojmë me prindërit, të afërmit, miqtë, lexojmë lajmet, shqetësohemi dhe lutemi për ta. Ata janë në pjesën qendrore të Ukrainës, nuk janë në zonën e përparme dhe ku zhvillohet armiqësi aktive, por ndonjëherë fluturojnë dronë dhe raketa, dhe kjo është e rrezikshme”, tha Kraselnykovan.
Veç për familjarët, Tatianan e ka marrë malli edhe për tokën ku u rrit.
“Më mungon shumë çdo pjesë e tokës sime, të afërmit e mi, miqtë e mi. Ne i jemi shumë mirënjohës universit për mundësinë që të jemi në një vend të sigurt”, tha më tej Kraselnykovan.
Të shtunën, gazetarët ukrainas që po qëndrojnë në Kosovë, përmes programit ”Journalist in residence”, ndezën qirinj për viktimat, në dyvjetorin e nisjes së luftës.
Deri sa ajo të përfundojë, këta thonë se do ta kenë një zjarr të tillë përbrenda.
“Zemrat na digjen, ndonëse jemi larg nga Ukraina, jemi me të”, tha Kraselnykovan.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply