Përgatiti: Pranvera Krasniqi
Mjekët në Kosovë kanë paga ndër më të lartat në Ballkan.
Kështu theksoi ministri i shëndetësisë, Arben Vitia, duke shtuar se kjo vjen si shkak i rritjes së vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave.
“E para nga viti i kaluar mjekët tashti kanë një rrogë dinjitoze nga rrogat më të larta që kanë mjekët në regjionin e Ballkanit perëndimor. Në anën tjetër jemi duke investuar në çdo vend janë katër klinika bosh në QKUK…”, tha Vitia.
Por, skandaloz e të pavërtetë e ka quajtur Enlirat Duraku nga “Oda e Infermierëve”, deklaratën e ministrit, meqë sipas tij, me Ligjin e ri të Pagave po diskriminohen specialistët e profesionistët shëndetësor.
“Nuk pajtohem me deklaratën e ministrit Vitia, aspak nuk qëndron ajo, bile në Kosovë nuk janë aspak të kategorizuara pagat për profesionistët shëndetësorë…”, tha Duraku.
Pikërisht pagat e ulëta po konsiderohen arsyeja që profesionistët shëndetësor po e braktisin Kosovën.
“Është e vërtetë se Pagat e mjekëve ne Kosovë janë ndër më të lartat ne rajon, por tashmë është provuar se kjo nuk po e ndal ikjen e mjekëve nga Kosova. Ministria e Shëndetësisë duhet të krijojë kushte më të mira për edukim dhe shkollim, dhe lehtësira për specializantët në mënyrë që të parandalohet ikja e tyre. Përndryshe në një periudhë jo shumë të largët do të kemi mungesë të disa profileve të mjekëve, pasi është rritur mosha mesatare e specialistëve”, tha Bujar Vitija, njohës i shëndetësisë.
Ndërkaq, sipas Odës së Mjekëve, rreth 150 mjekë janë larguar nga vendi i punës vetëm në vitin 2023, kurse gjatë këtij viti, 17 tjerë kanë kërkuar dokumentin e pastërtisë etiko-profesionale, që nevojitet për punësim në Perëndim.
Arsyet e largimit thuhet të jenë kushtet jo të mira të punës dhe pagat e ulëta.
Pikërisht për këto pakënaqësi, Oda e Infermierëve, për të tretën herë me radhë, ka paralajmëruar se do të mbajë “grevë urie” të hënën para Objektit të Ministrisë së Shëndetësisë.
Më shumë detaje i gjeni në Edicionin Qendror të lajmeve në videon më poshtë:

Leave a Reply